Futbolli luhet në ditë feste, nuk ngjason me “qokat” e zyrtarëve

626
Datat 28 dhe 29 nëntor 2017, futbolli shqiptar nuk i bëri pushime zyrtare 5 ditore, ndaj politikës i dha leksionin e radhës: ne më shumë në fushë, ju më pak në punë! Sepse dje në Shqipëri, thuajse të gjitha ambientet zyrtare e shoqërore, ishin të fokusuar në festimet e Pavarësisë. Në ditën e 28 nëntorit 2017, Qeveria ishte e “pavarur” me agjendën e saj në Korçë, zyrtarët qendrorë, lokalë e politikanët, bënë “qokat” e përvitshme, ndërsa qytetarë e të ardhur nga trevat e tjera shqipfolëse, frekuentuan lokalet, shëtitjet e gjithçka tjetër. Por, ata që e festuan 28 nëntorin 2017 me lojën e futbollit, mbetën më të veçantët, dhe realisht e zbukuruan më shumë atmosferën, e cila pa këtë futboll do të dukej si festë tavolinash. Në fakt, dje nuk ishte vetëm Kupa “Pavarësia” si epiqendra e topkëmbës shqiptare, sepse të gjitha skuadrat e Kategorisë Superiore dhe të Kategorisë së Parë, kanë qenë në fushat stërvitore. Le ta kapim këtë javë festive nga dita e hënë, e cila e kishte lënë të fundit sfidën Partizani-Skënderbeu, ndoshta si një prag ku festa e “Pavarësisë” trokiti live. Ndërkohë që dje u luajt Kupa “Pavarësia”, të cilën e fitoi skuadra shqiptare nga Maqedonia, Struga, sot luhen ndeshjet e turit të 1/8-ve të Kupës së Shqipërisë, ndërsa në fundjavë, kampionatet do të zhurmojnë me ndeshjet e radhës. Dhe jo vetëm kategoritë e përmendura më sipër, sepse në aktivitet javor janë mbi 800 futbollistë, arbitra, trajnerë e drejtues skuadrash e klubesh, të cilët së bashku e mbajnë në tonus atmosferën sportive, njëherësh edhe atë shoqërore. Pra, nuk ka futboll vetëm në ditë feste, ndaj ai mbetet popullor dhe i sfidon qokat e zyrtarëve, të cilët me kurorat e fjalimet e tyre në varrezat e dëshmorëve, duken më të pikëlluar se në ditë morti.
Sigal