Fusha e Torovicës rrezikon sërish të përmbytet, hidrovonin s’funksionon

    492
    Sigal

    Fusha e Torovicës në Komunën Balldren të Lezhës, do të vijojë të përmbytët sërish edhe këtë dimër. Hidrovori i Balldrenit i cili evadon ujërat e mbi 2 500 hektarëve tokë nuk përmbush qëllimin për të cilin është ngritur. 

    Ky hidrovor ndodhet thuajse 2 metër mbi nivelin e tokës që duhet të evadojë, e për pasojë nuk kryen dot kullimin e sajë. Ata që do të vuajnë sërish këtë situatë do të jenë mbi 6 mijë banorë, tokat e të cilëve ndodhen pikërisht në këtë zonë.

    Kjo problematikë pranohet edhe nga vetë Drejtori i Bordit të Kullimit në Lezhë Petrit Gjoni.

    Nga një fushë me prodhim të lartë bujqësor, fusha e Torovicës në Lezhë është kthyer në një kënetë, kjo për shkak të përmbytjeve të vazhdueshme qe ndodhin minimalisht 3 herë në vit.

    Përballë këtij realiteti fermerët hezitojnë të mbjellin, gjë e cila ndikon edhe në ekonominë e tyre që varet krejtësisht vetëm nga punimi i tokës.