Fuat Memelli: Bota kërkon një lider, që të bashkoj popujt

    493
    Të martën që kaloi, më datë 2 shkurt, së bashku me dy shqiptarë të tjerë, të kudondodhurit në veprimtaritë e shqiptarëve të Bostonit, Petrit Alibej dhe Sami Ajdini, u nisëm drejt qytetit Nashua, të shtetit New Hampshire, për të marrë pjesë në takimin elektoral që do zhvillonte aty, kandidatja për president e SHBA-së, zonja Hillari Klinton. Fakti që aty do ishte i pranishëm edhe bashkëshorti i saj, ish-presidenti, Bill Klinton, na i shtonte jo vetëm dëshirën, por edhe kureshtjen për të marrë pjesë. Unë do të shkruaja për dy gazetat shqiptare që dalin në Amerikë, “Illyria” dhe “Dielli”, si dhe gazetën “Telegraf” në Shqipëri, ndërsa shokët e mi vinin si mbështetës të zonjës Hillari. Koha e bukur dhe muzika shqiptare që na vinte Petriti, na bëri që të mos e ndienim fare atë një orë udhëtim, deri sa mbërritëm te vendi ku do të zhvillohej takimi. Megjithëse ishte ditë pune, radha e njerëzve që vinin aty ishte e madhe. 
    Në hyrje të godinës
    Në hyrje të godinës, vullnetarë mbështetës të Hillarit, orientonin pjesëmarrësit dhe verifikonin emrat në listat që kishin me vete. Emrat e të gjithë pjesëmarrësve, ishin dhënë një ditë më parë kështu qe bërë verifikimi për çdo person. Duke parë kartat e identitetit, gjetën edhe emrat tanë në lista. Ne firmosëm, lamë numrat e telefonit, e-mailet dhe kaluam. Pa mbërritur te salla ku do zhvillohej takimi, u bë kontrolli trupor si dhe i pajisjeve që mund të kishte ndonjëri, njëlloj sikur kontrollohet në aeroport. Para se të hynim në sallë, një nga organizatorët kryesorë, na u afrua dhe na pyeti: -Ju shoh të veshur bukur ju të treve, më mirë nga të gjithë. Nga vini dhe çfarë funksioni kini? E sqaruam se vinin nga Bostoni dhe kishim ardhur posaçërisht për të ndjekur nga afër, këtë takim. Pasi na falënderoi, na tha: -Ju do hyni pas senatorit dhe pushtetarëve të tjerë që janë me atë. E falënderuam edhe ne, pasi na shpëtoi nga radha e gjatë. Hymë në sallë dhe po zinim vendet kur një nga organizatoret, dukë parë dokumentin e gazetarit ndërkombëtar, që kisha vendosur në gjoks, më tha:-Ju do paraqiteni te ai personi, do ju regjistroj, do merrni një dokument dhe mund të shkoni afër podiumit. Ashtu bëra. U regjistrova, mora një kartë tjetër që ishte për gazetarët dhe zura vend fare pranë vendit ku do flisnin dy Klintonët. 
    Një parullë e madhe
    Në ballë të sallës ishte vendosur një parullë e madhe me fjalët: “Fighting for us”( Luftojnë për ne), e cila nënkuptonte që ai mesazh është shkruar nga qytetarët. Krahas pankartave të vogla që mbanin shumë vullnetarë, gjashtë të tjerë mbanin nga një germë të madhe të fjalës: Hillary. Në një ekran të madh u shfaq një film prej disa minutash për jetën politike të Hillari Klintonit, që kur ajo kishte hyrë në politikë e deri sot. Pastaj e morën fjalën folësit. Në mikrofon afrohet presidentja e shkollës, në sallën e të cilës zhvillohej takimi e më pas guvernatorja, Maggie Hasen, e cila foli shkurt për kontributin e Hillari Klintonit. Një këngëtare këndoi himnin amerikan, i cili shoqërohej edhe nga pjesëmarrësit. 
    Hyrja në sallë e ish-presidentit amerikan, Bill Klinton 
    Me duartrokitje të forta, pritet hyrja në sallë e ish-presidentit amerikan, Bill Klinton dhe bashkëshort i zonjës Hillary. Megjithëse kanë kaluar afro 16 vjet që ai është larguar nga detyra e presidentit, për kontributin e madh që ka dhënë jo vetëm për Amerikën, por edhe në mbarë botën, ai ka mbetur një njeri i dashur dhe i vlerësuar për amerikanët. Ka ardhur në këtë takim për të mbështetur bashkëshorten e tij. Pasi falënderoi pjesëmarrësit, ndër të tjera ai theksoi se këtu në New Hampshire, vij si në shtëpi. Kam ardhur edhe kur do kandidoja për president dhe besoj se nuk ju zhgënjeva për premtimet që u dhashë. Duke folur për Hillarin, ai theksoi se kur isha president, ajo vinte shpesh në zyrën time të punës dhe kërkonte ta mbështesja. Kërkonte ndihmë për edukimin, si dhe për shëndetësinë. Unë e mbështeta dhe ajo bëri mjaft punë të mira. Lidhur me cilësitë e presidentit të ri amerikan, ai tha se, sot bota kërkon një lider që të bashkojë popujt, të japë mesazhin e paqes, t’i bëjë ata të sigurt. Këto cilësi, besoj se i plotëson Hillari, theksoi ai.
    Zonja Hillari Klinton
    Një Klinton tjetër merr pastaj mikrofonin, bashkëshortja e tij, zonja Hillari, e cila është e para grua që kandidon për t’u bërë presidente e Amerikës. Në sallë shpërthejnë përsëri duartrokitje të fuqishme. Ajo foli pa reshtur mbi 40 minuta, ku binte në sy energjia e saj dhe logjika e argumenteve. U ndal për një sërë problemesh, si rritjen e rogave, sigurinë kombëtare, çmimet e ilaçeve, balancimin e pagës mes burrave e grave, kur bëjnë punë të njëjtë, problemet fetare, etj. Duke folur për problemet rreth garave, ajo theksoi se unë do të mbështes ato në të gjitha fushat e jetës. Solli një shembull nga shëndetësia.- Një grua në Ohio, më tregoi se kishte dy vjet që nuk merrte një ilaç të domosdoshëm për atë, pasi ishte rritur shumë çmimi: nga 20 dollarë që paguante, tani ishte bërë 70 herë më shtrenjtë. Unë jam njëra prej jush dhe nuk do të lejoj të ndodhin këto. Duke folur për rrogat e burrave dhe grave, solli një rast diferencimi. Një grua që punonte menaxhere në një restorant, i kishte treguar se kolegu i saj menaxher, që ishte burrë e që bënin të njëjtën punë, merrte më shumë të ardhura nga pronari. Ky është një diskriminim që nuk duhet të ndodhë, theksoi ajo.

    Siguria kombëtare dhe politika e jashtme
    Siguria kombëtare dhe politika e jashtme ishin probleme të tjera, që zunë vend të rëndësishëm në fjalën e saj. -Ne duhet të kemi lidhje të ngushta me popujt e tjerë. Së bashku, ne përbëjmë një forcë të madhe. Kështu ne mund të parandalojmë luftën dhe terrorizmin. Duke parandaluar luftën, nuk ka pse të dërgojmë ushtarë në vendet e konfliktit. Në rast se do të jem president, unë do të koordinoj punët me shtetet e tjera, përfshi edhe ato arabe. Detyra e sekretares së Shtetit që më besoi presidenti Obama, më bëri që të shkoj në shumë vende dhe të takoj shumë njerëz. Kjo ishte një eksperiencë e madhe për mua. Ajo u ndal edhe në problemet fetare që shqetësojnë sot botën. –Të gjitha fetë janë njëlloj dhe ne nuk duhet të flasim kundër tyre. Të flasësh kundër një feje, është diskriminim, theksoi ajo.
    Pas mbarimit të fjalës së Hillarit
    Pas mbarimit të fjalës së Hillarit, shoqëruar më plot duartrokite, shumica e njerëzve filluan të largohen, ndërsa çifti Klinton vazhdoi edhe minuta të tjera në sallë, duke takuar pjesëmarrës të rreshtit të parë. Njerëzit afrohen, duan t’i takojnë, t’i thonë ndonjë fjalë, të bëjnë një foto për kujtim. Është i madh numri i atyre që duan t’i takojnë, por jo të gjithëve u realizohet kjo dëshirë. Midis atyre që takuan ish-presidentin Klinton, isha edhe unë. Mes emocioneve i thashë: -Jam shqiptar dhe kam ardhur nga Bostoni. Dua t’ju falënderoj për kontributin tuaj të çmuar në luftën e popullit të Kosovës, për mbështetjen që i ka dhënë dhe i jep Amerika Shqipërisë. I thashë se votat e shqiptarëve do të jenë për Hillarin. Më falënderoi dhe u largua se e prisnin njerëz të tjerë për t’u takuar. Shokët e mi, Petrit Alibej dhe Sami Ajdini, u treguan më të shkathët: ata takuan Hillarin dhe Billin.-Kam ardhur nga Bostoni, i tha Petriti zonjës Klinton, për të dëgjuar nga afër fjalën tuaj, mesazhet që do përcillnit. Ju përshëndes në emër të shumë shqiptarëve të Massachutsses. Uroj të jeni presidentja e ardhshme e Amerikës! 80- vjeçari Sami Ajdini, me një energji që sfidon moshën, i tha Hillarit: -Unë jam 17 frymë në Boston. Nga këta, 7 veta votojnë. Të gjithë votat tona, do jenë për ju. Qenia juaj si president, do t’i japë më shumë dritë jo vetëm Amerikës, por edhe botës! Takimi i kësaj dite i zonjës Klinton, ishte vetëm një copëz e betejës elektorale të saj këtu në New Hampshire, e cila do të vazhdojë deri javën tjetër. Pastaj do ta ketë fjalën kutia e votimit, ndërsa ditët në vazhdim, beteja do të spostohet në një shtet tjetër. Dita e bukur me diell na shoqëroi edhe gjatë kthimit për në Boston. Me një ndjenjë kënaqësie, tregonim mbresat tona nga kjo pjesëmarrje e parë në një takim elektoral, që zhvillojnë kandidatët për president amerikan, tregonim çastet e paharruara të takimit me çiftin Klinton, fotot e bëra me ata, të cilat do t’i kemi kujtime shumë të çmuara.
    Sigal