Frank Shkreli: Rasti Haradinaj, urgjencë Kombëtare

613
Sigal

Ndalimi i ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj
nga autoritetet e Francës, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga
autoritetet serbe, është një urgjencë kombëtare.  Ndërsa Zoti Haradinaj mbahet në paraburgim në
pritje të shqyrtimit të urdhër arrestit nga Franca, autoritetet shqiptare në
Prishtinë dhe në Tiranë po bëjnë deklarata duke kritikuar/dënuar këtë akt të
shëmtuar të autoriteteve franceze në bazë të një urdhër-arresti të kohës së
kriminelit Millosheviç, nga autoritetet serbe. 
Në rregull, dënimet kritikat dhe denoncimet e këtij akti nga udhëheqsit
shqiptarë dhe nga media janë të nevojshme, jo vetëm për rastin e Ramush
Haradinajt, por për cilindo shqiptar kudo qoftë, kur trajtohet në këtë mënyrë
të pa drejtë.  Ramush Haradinaj kishte
vizituar Francën edhe më parë dhe nuk i kishte ndodhur asgjë. Atëherë autoritetet
franceze nuk e kishin parë të nevojshme arrestimin e tij.  Ramush Haradinaj është përballur, si burrat,
dy herë me tribunalin ndërkombëtar dhe është gjetur i pafajshëm.   Po pse
tashti arrestimi i tij? Mund të jetë një koklavitje e tmershme nga qarqe
armiqësore, me pasoja të rënda për shqiptarët.  
   

 

Prandaj, duhet bërë diçka më tepër dhe përtej deklaratave
zyrtare denoncuese nga faktori zyrtar shqiptar sidomos në nivelin ndërkombëtar,
ndaj këtij rasti të shëmtuar.  Kjo
situatë e papritur mund të këthehet me të vërtetë në një urgjencë
kombëtare.   Duke marrë parasysh se
nëqoftse nga ky urdhër arrest, Ramush Haradinaj — Zot ruajna — përfundon në
Beograd, kjo situatë do të përbënte një urgjencë serioze kombëtare,  përfundimet e të cilës nuk mund të
parashikohen dhe për të cilën autoritetet shqiptare duhet të bëjnë përgatitje
paraprake.  Nëse arrihet në një urgjencë
të tillë mbetet për tu parë, por është e sigurt se, nëqoftse ndodhë një gjë e
tillë, pasojat nuk do të jenë të mira, as për Kosovën as për Shqipërinë dhe as
për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor. 
Deklaratat publike dhe shprehjet nepërmjet rrjetëve sociale të zyrtarëve
shqiptarë, në të dy anët e kufirit, nuk mjaftojnë në këtë rast, as në raste të
tjera serioze si kjo.  Sepse nëqoftse,
Ramush Haradinaj ekstradohet nga Franca në Serbi, reagimet ndaj kësaj
padrejtësie kombëtare dhe mundësitë për trazira politike dhe publike janë shumë
reale, sidomos në Kosovë, por edhe më gjërë. 
Trazirat nuk i shërbejnë sot interesave shqiptare në Kosovë në këtë
moment të historisë dhe as interesave kombëtare afat gjata dhe afat shkurtëra
të shqiptarëve në përgjithësi.  Si
rrjedhim, shqiptarët, pa marrë parasyshë interesat e përkohshme politike duhet
të veprojnë së bashku me një mendim dhe me një qëllim, duke bashkrenduar
qëndrimet dhe veprimte diplomatike midis Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe me
faktorët miqë ndërkombëtarë.

 

Paraburgimi i Ramush Haradinajt në Francë duhet të
shqetësojë jo vetëm Prishtinën dhe Tiranën zyrtare, por edhe shqiptarët dhe
miqtë e tyre kudo, pasi rrjedha e ngjarjeve mund të jetë e paparashikueshme dhe
me pasoja të rënda.  Këtu mund të kemi të
bëjmë me manipulime djallëzore të serbëve dhe miqve të tyre rusë e të tjerë, të
cilat historikisht nuk duhet të jenë të panjohura për shqiptarët, megjithë
pretendimet e udhëheqësve të sotëm shqiptarë, në të dy anët e kufirit, se rusët
nuk na qenkan armiq të shqiptarëve dhe të Kosovës.   Deklaratave miqësore të përfaqësuesve
shqiptarë, Beogradi iu përgjigj me arrestimin e Ramush Haradinajt.  Shqiptarët gjithmonë kanë kërkuar dhe kërkojnë
bashkjetesë dhe paqë me fqinjtë e tyre. Ata asnjëherë nuk kanë pushtuar tokat e
të tjerëve dhe as nuk ka kryer krime kundër njerzimit ndaj fqinjve të
tyre.  Por, sado e dëshirueshme dhe e
nevojshme që është paqa dhe harmonia ndërkombëtare midis popujve, unë nuk di se
si mund të kërkosh miqësi, bashkjetesë dhe harmoni me shtete siç janë Serbia
dhe Rusia, ndërkohë që ato nuk të njohin si shtet dhe as nuk kanë njohur
historikisht të drejtat e shqiptarëve për të ekzistuar në trojet e vtea,
ndërkohë që  gjatë krejt historisë janë
përpjekur — shpesh me sukses — që të shtrijnë influencën e tyre dhe të zaptojnë
tokat arbërore, ku siç thotë populli,  në
ato troje ku të parët e tyre as nuk mbollën as nuk korrën. 

 

Prandaj duken pak të çudtishme flirtimet e fundit, të
udhëheqësve të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës në adresë të Beogradit dhe
Moskës, si dhe shprehja e gatishmërisë së tyre për të vizituar kryeqendrat e
ekspansionizmit sllav në Ballkan. Ata e kanë arsyetuar si të nevojshëm afrimin
me ta sepse, ndër të tjera, shqiptarët “ishin fitues” të luftës.  Më vjen keq tu them udhëheqësve të nderuar
shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë, se shqiptarët nuk janë fitues, për derisa
përfaqsues të shqiptarëve si Ramush Haradinaj arrestohen në mes të Europës së
“qytetëruar”, me urdhër-arrest nga Serbia millosheviçiane dhe ndoshta me
miratimin e heshtur të interesave ruse në Ballkan.  Dje u arrestua Ramush Haradinaj, nesër do të
jetë dikush tjetër.  Fatkeqsisht, me
arrestimin e Ramush Haradinajt kanë humbur të gjithë shqiptarët.  Të gjithë ne kudo, jemi të mundur e të humbur,
prandaj për derisa shqiptarët, si Ramush Haradinaj arrestohen nën akuza fals,
në aeroportet e Evropës, të urdhëruara nga Beogradi,  mos kini ëndërra fitoresh.

 

Në një shkrim me titull “Arrestimi i Ramush Haradinajt:
Për Kë Bien Këmbanat?”,  Kryeministri i
Shqipërisë, Edi Rama, paraljamëron se “
Bashkëçlirimtarët ndërkombëtarë të Kosovës
duhet të zgjohen, përpara se sa Kosova të ndjehet e tradhëtuar prej tyre!”  Natyrisht se ndërkombëtarët kanë rolin e tyre
për të luajtur në Kosovë.  Por, këmbënat
po bien edhe për shqiptarët se, në të vërtetë, janë shqiptarët ata që duhet të
zgjohen nga kllapia, mbas sundimeve të mbrapshta prej pothuaj 50-vjetë
komunizëm dhe 25 vjetë post komunizëm.  Shqiptari
vazhdon të kërkoj të drejtat e veta, identitetin e tij kombëtar dhe hisen që i
takon në trojet stërgjyshore.

 

Natyrrisht se shqiptarve u nevojitet miqësia e të huajve,
sidomos e miqëve tradicionalë dhe historikë të kombit shqiptar, jo vetëm në
përpjekjet për lirimin e Ramush Haradinajt, por gjithmonë.  Por askush, as miqtë as armiqtë, nuk do t’i marrë
seriozisht shqiptarët dhe kërkesat e tyre për nëqoftse ata vazhdojnë të
veprojnë si deri tani — të ndarë e të përçarë politikisht — duke mbrojtur
interesat e përkohëshme personale dhe partiake, në kurriz të interesave
kombëtare afat gjata të shqiptarëve.  Nga
ana tjetër, si gjithmonë, serbi e rusi vazhdojnë të punojnë së bashku për
interesat e veta në dëm të interesave të shqiptarëve.  I njëjti bashkim vëllazëror nevojitet midis faktorëve
të ndryshëm politikë shqiptarë për të kundërshtuar planet e tyre djallëzore
kundër interesave të shqiptarëve. Ky është alarmi. Kjo është këmbana që bie për
shqiptarët.  Arrestimi, me urdhër të
Serbisë në Francë i ish-Kryeminsitrit të Republikës së Kosovës, Ramush
Haradinajt mund të jetë një shënjë ogurzezë e planeve të tyre të errëta për të
ardhmen e shqiptarëve dhe të Ballkanit dhe si e tillë duhet të trajtohet si një
urgjencë me përmasa kombëtare.  Nëqoftse
pabesia historike e Serbisë dhe e Rusisë ndaj kombit shqiptar nuk na e ka
zhvilluar deri tani sado pak ndërgjegjen tonë historiko-kombëtare, atëherë ne
vazhdojmë të jetojmë në një realitet romantik mashtrues, se është e mundur që
qëngji të jetojë me ujkun.  Zgjohuni
shqiptarë, sepse këmbana bie edhe për ju!   Ngjarjet e papritura që mund të ndodhin,
nevojitin bashkimin e të gjithë shqiptarëve dhe angazhimin e plotë diplomatik
dhe politik të Tiranës dhe të Prishtinës zyrtare për të
mbrojtur të drejtat dhe lirinë e çdo shqiptari kudo, përfshirë edhe të drejtën
dhe lirinë e ish-Kryeminsitrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.