Frank Shkreli/ Prof. Dr. Sami Repishti, veprimtar i shquar i të drejtave të njeriut

710
(Vijon nga numri i kaluar)
Për ne që e njohim Prof. Repishtin dhe për ata që ndjekin shkrimet e tij rregullisht, nuk është vështirë të vihet re se ai nuk ka devijuar asnjëherë nga ky qëndrim. Pothuaj në çdo artikull, në çdo ese ose intervistë, subjekti i të drejtave të njeriut është gjithmonë dominues në fjalorin e Profesorit, siç është edhe angazhimi i tij real në mbrojtje të këtyre të drejtave, jo vetëm për shqiptarët por për të gjithë njerëzit kudo, pasi të drejtat e njeriut janë të drejta universale për të gjithë njerëzit në mbarë botën. Si rrjedhim, Prof. Repishti ka qenë dhe vazhdon të jetë një mbështetës dhe aktivist i palodhur i të drejtave të njeriut për shqiptarët kudo që ata jetojnë në trojet e veta në Ballkan. Profesori është dalluar gjatë dekadave të kaluara sidomos me aktivitetin e tij në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta autoktone në Kosovë dhe trojeve të tjera në ish-Jugosllavi, por pa harruar gjithashtu as të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë. Ai e ka zhvilluar luftën në mbrojtje të të drejtave të njeriut për shqiptarët me mënyra të ndryshme si individ dhe si anëtar i organizatës së të drejtave të njeriut, Amnesty International, por mbi të gjitha ai është aktivizuar si qytetar i lirë i SHBA, duke ushtruar të drejtën e tij, me shkrime dhe në kontakte personale, gjithmonë me qëllim për të influencuar përfaqësuesit politikë amerikanë që politikisht, diplomatikisht dhe më në fund edhe ushtarakisht me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, të ndihmonin shqiptarët dhe të mbronin të drejtat e tyre. Sa herë gjatë viteve, ka udhëtuar Prof. Repishti nga New Yorku në Washington për takime zyrtare me udhëheqësit më të lartë të qeverisë dhe të Kongresit amerikan për t’i sensibilizuar ata mbi shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta anë e mbanë Ballkanit. Kontaktet e tij me Washingtonin zyrtar kanë qenë të shumta dhe të vazhdueshme, ndërkohë që ai konsiderohej si një këshilltar i besueshëm dhe i drejtë në marrëdhëniet e tija me Departamentin Amerikan të Shtetit, me përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë dhe sidomos me udhëheqës të Kongresit Amerikan të dy partive kryesore amerikane, republikanë dhe demokratë.
Marrëdhëniet e Prof. Repishtit me Kongresin Amerikan kishin filluar menjëherë pas arritjes së tij në SHBA. Në të vërtetë, ai ruan nderin e shqiptaro-amerikanit të parë që është paraqitur në Kongresin Amerikan për të dëshmuar mbi gjendjen e shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë. Ka qenë 17 dhe 18 maji 1965 kur Nënkomisioni për Punët Europiane i Dhomës së Përfaqësuesve ka mbajtur një sesion mbi gjendjen e atëhershme në vendet komuniste të Europës Lindore dhe të Baltikut. Gazeta “Shqiptari i Lirë” ka dokumentuar dëshminë e parë të një shqiptari në personin e Sami Repishtit, me kryeartikullin “Marrëdhëniet e Tiranës me Moskën e me Beogradin dhe problemi kosovar; një dëshmi shqiptare në Kongresin e SHBA”. Ishte ky një shkëmbim mendimesh mbi gjendjen e shqiptarëve midis Prof. Repishtit dhe anëtarëve të komisionit në fjalë, përfshirë edhe kongresistit Lee Hamilton, njërin prej ekspertëve të politikës së jashtme për shumë vjet në Kongresin Amerikan. “Shqiptari i Lirë” theksonte në atë kohë se dëshmia e Prof. Repishtit, përbënte, “Deklaratën e parë të qartë mbi të drejtat e shqiptarëve nën Jugosllavi, para Kongresit të SHBA”.
Paraqitja e tij para Kongresit Amerikan më 1965 ishte vetëm fillimi i kontakteve të Prof. Repishtit me autoritetet amerikane. Ç’prej asaj dite, ai nuk i është ndarë paraqitjes së çështjes shqiptare në qarqet më të larta politike dhe akademike amerikane. Prof. Repishti gjithmonë ka gëzuar respektin më të madh në këto qarqe si njeri i besueshëm dhe i drejtë, por është njohur edhe për angazhimin e tij të fortë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut, këshillat e të cilit duhej të merreshin parasysh. Në një letër që Zv/Presidenti Al Gore i kishte dërguar Prof. Repishtit me rastin e 75-vjetorit të lindjes, duke i dërguar atij “urimet më të përzemërta për ditëlindjen” i shkruante se “jeta jote është një shembull i shkëlqyer, e asaj që është e madhërishme në SHBA… E di se familja dhe komuniteti i juaj, me të drejtë janë krenarë për karrierën tuaj të profesorit prej 25 vjetësh, për guximin tuaj të papërkulshëm dhe për aktivizmin tuaj në fushën e çështjeve shqiptare”. Ndërsa nga ana tjetër e spektrit politik amerikan, Kongresisti republikan nga Long Island i New Yorkut, Peter King në të njëjtin rast shënon në gazetën zyrtare të Kongresit, “Congressional Record”, lavdërime për Repishtin, të cilin ai e cilëson si një “bashkqytetar shëmbullor”, duke theksuar se, “Gjatë gjithë jetës së tij, Dr. Repishti i është dedikuar luftës kundër shkeljes së të drejtave të njeriut, shkelje të cilat ai vet i kishte përjetuar për një kohë të gjatë”. Kongresisti King thekson rolin që ka luajtur Prof. Repishti në udhëheqjen e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC), “një organizatë e dedikuar për të luftuar shkeljet e të drejtave të njeriut të shqiptarëve”, ka shkruar ligjvënsi amerikan Peter King në “Congressional Record”. Por, 90-vjetori i lindjes së Prof. Repishtit, ka një domethënie sa për të kaluarën aq edhe për të ardhmen. Nga përvoja e tij e urtë si mbijetues i ferrit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi, por edhe nga përvoja e gjatë në fushën e të drejtave të njeriut gjatë 50 viteve të kaluara, jam i sigurt se Profesori, secilit prej nesh kudo që jemi në Shqipëri, në Kosovë, këtu në SHBA – besoj që dëshiron të na bëjë thirrje sot, të na nxisë me fjalën e tij bindëse duke na kujtuar detyrën dhe obligimin tonë si individë, për të folur dhe për të vepruar në mbështetje të të drejtave të njeriut për të gjithë dhe pa dallim, për të folur dhe për të mbajtur qëndrim kundër padrejtësive, sidomos padrejtësive dhe keqtrajtimeve nga qeveria dhe nga autoritetet që duhet të jenë në shërbim të popullit – madje edhe në raste kur bota rreth nesh duket se futet në fshehtësinë e heshtjes së historisë.“Historia shkon e vjen”, ka pas thënë ish presidenti amerikan Regan, “por parimet qëndrojnë, ato mbijetojnë si garanci që brezat e ardhshëm të mbrojnë të drejtën e lirisë – e cila nuk është dhuratë nga qeveria – por një bekim nga Krijuesi ynë”. Miku ynë i nderuar – ju jo vetëm ishit dëshmitar i një historie të tmerrshme, për të cilat ka folur shpesh Regan, por për më tepër, ju edhe keni vuajtur nga krimet e asaj historie, nga krimet më çnjerëzore që mund të ndërmerrte një regjim kundër qytetarëve të vet. Por ju, megjithë vuajtjet kishit forcën, vendosmërinë dhe guximin për të mbrojtur parimet e lirisë dhe të drejtat e njeriut, si shembull për brezat e ardhshëm. 
Kjo është tepër e rëndësishme, sepse për shumë shqiptarë, siç e dini, pasojat nga abuzimet e të drejtave të tyre të njeriut në të kaluarën, mbeten ende plagë të gjalla jo vetëm në kujtimet e tyre personale por edhe në shoqëri, në përgjithësi si shenja të pashlyeshme të krimeve dhe abuzimeve nga regjimet diktatoriale nën të cilat ata kanë jetuar – madje edhe 25 vjet pas shembjes së komunizmit. Siç tha edhe Presidenti i PE, Schulc në fjalimin e tij këtë javë në Kuvendin e Shqipërisë, është e rëndësishme që të kujtohet historia, ashtu që të mos harrohen ngjarjet tragjike të historisë së kaluar, pasi nuk mund të ketë pajtim, pa kujtesë. “Pajtimi”, u tha deputetëve shqiptarë udhëheqësi europian nga Gjermania, “nuk mund të ndodhë nëse nuk pranohen dhe nëse nuk flitet për vuajtjet dhe dhimbjet e së kaluarës dhe nëse nuk pranohen si të tilla”. Njeriu që ne nderojmë sot, ky mbështetës i shquar dhe luftëtar për të drejtat dhe dinjitetin e njeriut – miku i ynë Prof. Sami Repishti, jo vetëm tashti, por me fjalët dhe veprat e tij, ai gjithmonë na ka ftuar dhe kujtuar dhe ka bërë thirrje shpesh që jo vetëm të mos harrojmë abuzimet e së kaluarës, por është e rëndësishme për pajtimin shoqëror dhe kombëtar ka thënë ai, që ato të korrektohen, me qëllimin dhe shpresën që të mos përsëriten më. Mendoj se Prof. Repishti do na porositë sot që të bëjmë më shumë në mbështetje të drejtave të njeriut – duke thënë se megjithëse anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan, shqiptarët kanë shënuar përparim të dukshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë – si Shqipëria ashtu edhe Kosova kanë shumë për të bërë në këtë fushë dhe në fushë të tjera – sidomos në fushën e pajtimit shoqëror – për të siguruar që të drejtat e njeriut, dinjiteti njerëzor për secilin person, barazia para ligjit dhe liria për të gjithë, të nguliten njëherë e mirë dhe përgjithmonë anë e mbanë trojeve shqiptare. Ky është një objektiv, për realizimin e të cilit ka punuar gjithë jetën e tij Prof. Repishti dhe nga i cili nuk e besoj se ka në mend të heqë dorë. Ai na këshillon sot se puna për sigurimin e të drejtave të njeriut nuk kryhet kurrë, por do të thoshte se shqiptarët kanë çdo arsye që të kenë shpresë, se e ardhmja do të jetë më e mirë dhe më e sigurt se e kaluara e tyre e hidhur dhe më e mirë se e tashmja zhgënjyese. I nderuar mik dhe koleg, të falenderoj dhe të uroj nga zemra për një jetë plot veprimtari, në mbështetje të të drejtave të njeriut për shqiptarët kudo dhe kurdoherë gjatë 50 viteve të fundit të një historie të hidhur për ta.
Më lejoni ju lutem, nëse kam mundësi, që t’u paraqesë një falenderim të veçantë për mbrojtjen dhe kujtimin e vazhdueshëm që keni treguar dhe tregoni për bashkëvuajtësit tuaj në burg, klerin katolik shqiptar, të cilët siç keni shkruar shpesh ka “pësuar mizoritë, masakrat dhe torturat” e regjimit komunist të Enver Hoxhës, si asnjë pjesë tjetër e shoqërisë shqiptare. Ju nuk lini asnjë rast të volitshëm pa përmendur sakrificat e tyre, përfshirë edhe intervistën e fundit që patët me rastin e 90-vjetorit, me kryeredaktorin e ‘Illyria’, Ruben Avxhiu. Ata bashkëvuajtës tuaj ishin atëherë të pambrojtur, të abuzuar dhe të torturuar nga regjimi komunist, por është merita juaj, i nderuar Profesor, që kujtimi i tyre nuk është harruar kurrë nga ju, e si rrjedhim as nga të gjithë ne, ndonëse nuk i kemi njohur. Edhe njëherë falenderimet tona më të përzemërta për përpjekjet tuaja shembullore në favor të të drejtave të njeriut për shqiptarët, e sidomos për luftën tuaj të pandërprerë dhe këmbëngulëse prej dekadash për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës. Të jeni të sigurtë se shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri si edhe komuniteti shqiptaro-amerikan jemi tepër krenarë për arritjet tuaja në fushën e të drejtave të njeriut për të gjithë shqiptarët në veçanti, dhe për njerëzimin në përgjithësi. Me respekt dhe mirënjohje të thellë ju dëshirojmë: Ad Multos Annos!
Sigal