Frank SHKRELI/Një vit vdekjeprurës për gazetarët

554
Sigal

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (KMG), (Committee to Protect Journalists), një organizatë jofitimprurëse me qendër në Nju Jork, e cila promovon lirinë e shtypit dhe mbron të drejtat e gazetarëve, në një raport të posaçëm thotë se, viti 2012 ishte një ndër vitet më vdekjeprurëse për gazetarët anë e mbanë botës. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se numri i gazetarëve të arrestuar është më i larti që prej vitit 1990, duke identifikuar 232 gazetarë të burgosur anë e mbanë botës, 53 më shumë se vitin e kaluar. Raporti thotë se burgimet e shumta të gazetarëve gjatë vitit 2012 në Turqi, në Iran dhe në Kinë e kanë ngritur numrin e gazetarëve të arrestuar në një nivel rekord. Këto tre vende sipas KMG-së janë vendet më të këqija për të punuar si gazetar dhe përdorin ligje të paqarta për veprimtari anti-shtetërore kundër gazetarëve. Raporti citon Mehmet Ali Birand një kryeredaktor i stacionit Kanal D në Stamboll se: “këto ligje nuk diferencojnë midis një gazetari që ushtron të drejtën e shprehjes së lirë dhe një individi që mbështet terrorizmin”, duke shtuar se zbatimi i ligjeve për veprimtari anti-shtetërore kundër gazetarëve është një “sëmundje kombëtare”. Sipas raportit, të pakën 49 gazetarë mbeten të burgosur në Turqi.

Anë e mbanë botës, thuhet në raport, akuzat për veprimtari anti-shtetërore siç janë terrorizmi, tradhtia dhe subversioni, ishin akuzat e ngrehura më së shumti kundër gazetarëve gjatë vitit 2012. Sipas raportit, gjatë këtij viti, vrasjet u shtuan me 42 për qind për gazetarët, të cilët ndër të tjera mbulonin luftimet në Siri, në Pakistan dhe Somali dhe thuhet se organizata KMG është duke bërë hetime në lidhje me rrethanat e vdekjes së 30- gazetarëve të tjerë.

Duke vazhduar dhënien e statistikave vjetore për vrasjen e gazetarëve anë e mbanë botës, organizata për mbrojtjen e lirisë së medias, thotë se nga 68 vrasjet, 28 prej tyre janë vrarë duke mbuluar konfliktin në Siri.

Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Xhoel Sajmën, tha me rastin e botimit të raportit se, megjithëse pothuaj çdo aspekt i gazetarisë ka ndryshuar falë teknologjisë së re, detyra kryesore e gazetarit nuk ka ndryshuar, mbetet ajo që ka qenë gjithmonë duke shtuar se, ”Gazetarët janë dëshmitarë”. ”Kur vriten gazetarët, tha ai, mundësia për të mësuar se ç’po ndodhë në krizat kritike globale zvogëlohet ndjeshëm, ose zhduket fare”. Ai përmendi Sirinë si shembull, ku aq shumë gazetarë janë vrarë duke u përpjekur të bëjnë punën e tyre me qëllim për të informuar botën mbi ato që po ndodhin në atë vend. Raporti njofton se gjatë trazirave dhe luftës në Siri, janë vrarë të pakën 67 gazetarë duke mbuluar luftën ose pasi ishin venë në shënjestër për t’u vrarë nga forcat qeveritare ose ato të opozitës.

Në një statistikë interesante, KMG thotë se një e treta e gazetarëve të vrarë ishin nga ata që punonin ”on-line”, ngritje e dukshme kjo, sipas raportit, në krahasim me një vit më parë për këtë kategori gazetarie. Kina, sipas raportit të organizatës për mbrojtjen e gazetarëve, më shumë se çdo vend tjetër ka përdorur ligjet për veprimtari kundër shtetit, për të burgosur gazetarët dhe shkrimtarët  “on-line”, të cilët shprehin pikëpamjet e tyre disidente si dhe gazetarët që mbulojnë pakicat etnike në atë vend. Në këtë kategori gazetarësh të burgosur përfshihet edhe redaktorja e portalit Klubi i Grave Iraniane, Zhila bani-Yaghoub, e akuzuar për “propagandë kundër regjimit”.

Gjithashtu në raport thuhet se nga të ashtuquajturit ”qytetar-gazetarë”, të cilët kanë shërbyer si burime lajmesh për organizata ndërkombëtare lajmesh, kanë pësuar vdekjen 13 prej tyre. Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, në Pakistan janë vrarë shtatë gazetarë dhe në Brazil u vranë katër gazetarë, megjithë angazhimet e atij vendi për të zbatuar ligjet ndërkombëtare dhe për të respektuar të drejtat e njeriut. Gjithashtu sipas raportit, ”dhunë e jashtëzakonshme”,  është përdorur edhe në Meksikë për të censuruar shtypin. Vendet e tjera, që përmenden në raport si abuzuese të gazetarëve, përfshijnë Eritrenë, e cila mban 28 gazetarë të burgosur, Vietnami me 14 gazetarë në burg, Azerbajxhani me të paktën 9 gazetarë nën akuza të ndryshme, të pasuar nga Etiopia, Uzbekistani dhe Arabia Saudite.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë, në përmbyllje të raportit, se nuk beson që gazetarët të burgosen vetëm e vetëm sepse kryejnë punën e tyre gazetareske dhe shton se i ka dërguar letër, duke shfaqur shqetësimet e tij serioze, çdo vendi që ka burgosur madje edhe një gazetar, dhe shton se përpjekjet e kësaj organizate në mbrojtje të gazetarëve kanë përfunduar në lirimin e të pakën 58 gazetarëve anë e mbanë botës.

Liria e shtypit është një e drejtë themelore e njeriut dhe çdo shtet do të duhej të respektojë dhe të mbrojë ata të cilët i raportojnë të vërtetën bashkëqytetarëve të vet, megjithë sfidat dhe kërcënimet me të cilat përballen gazetarët. Vende të ndryshme të botës kanë ligje të ndryshme në lidhje me lirinë e shtypit dhe të fjalës, por të gjitha shtetet kanë nënshkruar Nenin 19 të Deklaratës Universale të Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat e njeriut, nen i cili mbron lirinë e të shprehurit dhe të drejtën e lirisë së shtypit. Por në fund të fundit, pa marrë parasysh se cilat janë ligjet mbi lirinë e shtypit dhe si zbatohen ato, siç ka thënë edhe Xhorxh Oruelli: “Në qoftë se shumica e popullit beson në lirinë e shtypit, atëherë do të ketë liri shtypi, edhe në qoftë se e ndalon ligji, por në qoftë se opinioni publik nuk është i vendosur për të mbrojtur këtë liri, atëherë pakica që beson në lirinë e shtypit do të persekutohet, madje edhe në qoftë se ligjet ekzistojnë për t’a mbrojtur atë”.