Frank Shkreli: Në vitin kushtuar Kastriotit Skënderbe – Për një beslidhje të re Shqiptare

607
Frank Shkreli *
Sigal

Ja edhe një Vit i Ri filloi, një vit dhe një fillim i ri që gjithmonë ofron shpresa se viti i ardhëshëm do të jetë më i mirë se viti që kaloi. Pritëshmëritë janë gjithmonë për jetë e shëndet për të afërmit tone, për familjen dhe miqtë dhe kolegët. Shpresojmë dhe lutemi në këtë stinë, për paqë e përparim, begati dhe bashkpunim për shoqërinë ku jetojmë në veçanti dhe për botën në përgjithësi.

Fundi i vitit që kaloi dhe fillim Viti i Ri, është gjithmonë një kohë për të reflektuar mbi vitin që kaloi, të bëmat dhe të pa bëmat — sukseset dhe dështimet — si dhe ç’duhet bërë më mirë në Vitin që posa filloi. Reflektimi mund të jetë i një individi, i një shoqërie, i një shteti, i një qeverie, ose një kombi. Me shembjen e komunizmit dhe me çlirimin e Kosovës dhe pavarësisë së saj – arritje të cilat me të drejtë mund të cilësohen si historike për kombin shqiptar — mendonim se kombi shqiptar do të merrte hovin e pritur aq shumë drejtë përparimit, mbrenda trojeve shqiptare dhe në arenën ndërkombëtare.

Pjesës e reflektimit me këtë rast të Vitit të Ri është pranimi i sinqertë se punët nuk po shkojnë mirë shqiptarët as në Shqipëri as në Kosovë dhe as në trojet tjera ku ata jetojnë. Mosmarrveshjet dhe konfliktet politike aktuale midis kësaj klase politike që sundon sot shqiptarët në Tiranë dhe në Prishtinë, përbëjnë rrezikun më të madh që i kanoset sot kombit shqiptar. Rrezikohet që konfliktet politike aktuale të këthejnë mbrapa arrijtjet e deritanishme të shqiptarëve në Ballkan, duke u dhënë një goditje të rëndë interesave kombëtare afat-shkurta dhe afat-gjata – jo vetëm anë e mbanë trojeve shqiptare por edhe një goditje të rëndë të imazhit të shqiptarëve në botë, e sidomos në radhët e miqëve të tyre historikë, sidomos atyre që në momentet më kritike të historisë së tij e kanë ndihmuar kombin shqiptar, pa kurrfarë interesi.

Ndonëse mqitë e shqiptarëve mund të mos jenë të kënaqur me situatën aktuale në Shqipëri dhe në Kosovë, si rezultat i grindjeve dhe mosmarrveshjeve në radhët e politikanëve sidomos siç pasqyrohet nga seancat në dy parlamentet shqiptare — janë vetë shqiptarët në të dy anët e kufirit, ata që fajësojnë drejtë për drejtë këtë klasë politike dhe të cilët janë të revoltuar me gjëndjen e krijuar politike dhe ekonomike – dhe si rrjedhim po braktisin trojet shqiptare duke marrë rrugët e botës, shpresë e pa shpresë, për një jetë më të mirë e më normale. Fatkeqsisht,

gjëndja e krijuar në trojet shqiptare nga kjo klasë sunduese politike, po krijon gjithashtu një fushë të pjellëshme për ndërhyrjen dhe provokimet nga jashtë, duke përdorur grindjet midis shqiptarëve në shërbim të interesave dhe politikave të tyre, historikisht, të njohura anti-shqiptare.
Fatkeqsisht, ky vakuum politik, po shfytëzohet me përpikmëri nga provokimet dhe përpjekjet e putinëve dhe erdoganëve të kësaj bote, në bashkpunim me Serbinë, në përputhje me interesat e tyre afat gjata, duke nxirë imazhin e shqiptarëve, sidomos në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, duke i shkaktuar dëme të riparueshme emërit të mirë shqiptar.

Viti i ri kërkon reflektim dhe ofron shpresa. Shpresa ime për Vitin e Ri – në këtë Vit kushtuar heroit kombëtare Gjergj Kastriotit-Skenderbe mund të interpretohet ndoshta si një thirrje e kotë, si një thirrje në shkretëtirë, kur të merren parsyshë antagonizmat politike që ekztistojnë në radhët e kësaj klase politike. Por, u takon

këtyre poliitkanëve që në këtë vit të Heroit Kombëtar, të lënë mënjanë interesat vehtjake, partiake dhe ekonomike dhe të tregohen të guximshëm dhe të denjë të Besës së Skenderbeut, në këtë vit që vet e kanë shpallur si Viti kushtuar atij. Le të jetë ky pra, një fillim i ri i Besës dhe Bujarisë në radhët e kësaj klase politike shqiptare. Mos na zhgënjeni më!

Para-ardhesit dhe rilindasit e vërtetë të kombit, të cilët shkrinë jetën për të venë në dritë bujarsinë e kombit shiptar në momentet më kritike të historisë kombëtare, sidomos karshi njeri tjetrit dhe ndaj të tjerëve, nuk presin as më pak as më shumë, ashtuqë politikanët e sotëm të tregojnë atdhedashurinë e tyre me sjellje të mira dhe respekt ndaj njëri tjetrit dhe vetdije të përgjegjësive shoqërore e kombëtare dhe detyrave që kanë marrë përsipër në emër të popullit shqiptar dhe kombit.

Lutemi pra dhe shpresojmë që në këtë vit të shënjtë, kushtuar Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit –Skenderbe, politikanët dhe partitë politike në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan, në këtë Vit të Ri historik –të lidhin me njëri tjetrin, besa-besën dhe të bejnë një këthesë historike duke u angazhuar me atdhedashuri dhe kurajo politike për të zgjidhur konfliktet dhe mosmarrveshjet midis tyre dhe në traditën historike kastriote, të lidhin besën për një dashuri, në mos ndaj njëri tjetërit, atëherë ndaj interesave madhore të kombit shqiptar, duke çuar kështu përpara idenë e besës së Krye-Heroit të Kombit Shqiptar, bazuar në pajtim të pikëpamjeve të ndryshme politike, në interes te kombit. Për ndryshe, shpallja e Vitit 2018 kushtuat Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit Skenderbe, nga autoritetet e Tiranës dhe të Prishtinës, nuk ka asnjë kuptim. Në këtë Vit të Ri, këte ia kini borxh kujtimit të Skenderbeut, historisë, fëmijëve, nipave e mbesave tuaja si edhe brezave të ardhëshëm të kombit shqiptar, ashtuqë ai të jetojë në paqë me vetveten dhe me të tjerët.

Toka arbërore nuk duron më! Siç është shprehur me një rast ish-Arkimandriti Minishi i Abacisë së Arbëreshve të Italisë në Grotaferratë, “Tepër gjak ka skuqur plisat e tokës së Atdheut, shumë zira kan shkëputur zemrat e popullit tone, tepër familje janë shkatërruar dhe prishur tragjikisht prej plumbit e shpatës, prej urrejtjes, prej mërgimit. Sytë e motrave tona dhe të vëllezërve tanë janë tharë, s’kanë më asnjë lot për të derdhur. Të gjitha lotët kanë rënë dhe kanë njomur tokën e Shqipërisë. Bëftë Perëndia që nga ajo tokë e vaditur të lëshonjën përjetë lulet e Lirisë dhe mirësisë e dashurisë dhe vëllazërisë, gëzimit dhe pajtimit”, ka thënë Arkimandriri arbëresh Minishi.

Në fillim të këtij Viti të Ri, lutja dhe shpresa ime, nga kjo anë e oqeanit Atlantik është, që — Viti kushtuar Gjergj Kastriotit – Skenderbe – të jet një vit që kombit shqiptar, i Madhi Zot t’i falë jetë, paqë e shpëtim, përparim dhe begati, si dhe fitore kundër atyre që nuk ia duan të mirën. I lutem Zotit gjithashtu që ta ruaj gjithmonë këtë popull trim e bujar, i dinjitetshëm ndaj traditave dhe lavdisë së Prijsit të tij dhe Fatosit të madh kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skenderbe.

Ky është Viti pra që autoritetet shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë – me një Besëlidhje të Re të Shqiptarëve — të kujtojnë dhe të nderojnë Heroin e Kombit – duke u këthyer në bazë të traditave arbërore, të Besës dhe vlerave të trashëguara nga Gjergj Kastrioti — Skenderbeu!

Ish Drejtor i VOA-s për EuroAzinë