Frank Shkreli merr titullin “Qytetar Nderi” i Shkrelit

    626
    Sigal

    Komuna Shkrel e Malësisë së Madhe i dha dje titullin “Qytetar Nderi” gazetarit të njohur shqiptar, Frank Shkreli

    Në kuadër të veprimtarive për 100- vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë anëtarët e Këshillit Komunal të Komunës Shkrel të Malësisë së Madhe kanë vendosur t’i akordojnë titullin e ”Qytetarit të Nderit”,  të komunës Shkrel gazetarit dhe veprimtarit të njohur të çështjes shqiptarë në Amerikë, z. Frank Shkreli. Ceremonia e dhënies së titullit u mbajt dje në orën 10.00 në komunën Shkrel, titull që u dorëzua nga Kryetari i kësaj komune z. Ferdi Sterkaj. Zoti Sterkaj vuri në dukje kontributin e madh të zotit Shkreli në demokratizimin e jetës së vendit pas rënies së diktaturës dhe mbrojtjes së çështjes kombëtare shqiptare nga  SHBA-ja, ku ai jeton e punon. Me këtë rast të pranishëm në këtë ceremoni ishin figura të njohura të artit, kulturës dhe medias. Pas dorëzimit të titullit Qendra Kulturore e Malësisë së Madhe organizoi një koncert me këngë e valle të folklorit të krahinës.

    Kush është Frank Shkreli

    Frank Shkreli ka qenë gazetar dhe redaktor në “Zërin e Amerikës”, seksioni shqip nga viti 1974 deri në vitin 1984. Më pas po tek “Zëri i Amerikës”, zoti Shkreli ka qenë shef i seksionit shqip (1984-1985). Nga viti 1985 deri në vitin 1990 ka shërbyer këshilltar i lartë programacioni në divizionin europian të “Zërit të Amerikës”. Ju kujtojmë që në këtë periudhë, duhej punuar në kushtet e Luftës së Ftohtë. Nga viti 1990 deri në vitin 1994 ka qenë zëvendës drejtor i Euroazisë në “Zërin e Amerikës”, divizion ku përfshihej edhe Bashkimi Sovjetik që ndërkohë u shpërbë. Nga viti 1994 deri në vitin 2003, zoti Shkreli ka qenë drejtor i divizionit Europian të “Zërit të Amerikës”, divizion nga i cili, përveç gjuhëve të ndryshme evropiane, varej, veç të tjerash edhe seksioni shqip i kësaj radioje. Frank Shkreli ishte pjesë e delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri në Mars/Prill të vitit 1991, me ç’rast u hap ambasada amerikane pas pothuaj 50-vjetësh dhe morën pjesë si vëzhgues në zgjedhjet e atij viti. Ai ka vizituar shpesh Shqipërinë dhe Kosovën si pjesë e delegacioneve të ndryshme të Shteteve të Bashkuara. Pas daljes në pension nga detyra qeveritare, pas 30-vjetësh, z. Frank Shkreli shërben si drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan një organizatë jo-qeveritare që punon për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për promovimin e paqes dhe zhvillimit ekonomik në trojet shqiptare në Ballkan, e vetmja organizatë shqiptare lobiste me prezencë në Uashington DC.

     “Një titull nderi që unë e ndaj me gjithë ata bij e bija të Shkrelit që janë shpërndarë nëpër botë”

    Fjala e Frank Shkrelit me rastin e pranimit të titullit “Qytetar Nderi” i Komunës Shkrel, Malësi e Madhe

     Zotëri Kryetar Ferdi Sterkaj, anëtarë të Këshillit Komunal të Shkrelit, Zonja e Zotërinj!

     Fillimisht dua të shprehë kënaqësinë time që ndodhem sot në mesin tuaj, këtu në Shkrel, të Malësisë së Madhe ku më kanë lind babë e gjysh e stërgjyshat dhe prej të cilëve kam dëgjuar aq shumë për këtë vend e për këtë  fis. Si përfundim, vizita ime sot këtu është plot emocione dhe ndihem shumë i mallëngjyer. Por mbi të gjitha dëshiroj t’ju falënderoj Ju Zoti Kryetar dhe të gjithë anëtarët e Këshillit Komunal të Komunës  Shkrel të Malësisë së Madhe, për nderin që më keni bërë duke më akorduar titullin e ”Qytetarit të Nderit”,  të komunës  Shkrel. Unë u jam mirënjohës për gjithmonë, dhe me kënaqësi e pranoj këtë titull nderi, jo sepse e meritoj unë, por e pranoj në emër të të gjithë atyre bijve e bijave të Shkrelit, të cilët për fatet e këqija e tragjike të historisë së kombit tonë, jemi shpërndarë anë e mbanë botës.

    E pranoj në emër të tyre, për të gjitha ato që kanë bërë ata -sipas dijes e mundësisë së tyre – për t’i sjellë nam Shkrelit – dhe ndër shekuj, për t’ia ruajtur emrin e mirë këtij fisi të vjetër të maleve tona.

    Pak më shumë se njëzet vjet më parë, për arsye që dihen, vizita ime në Shqipëri  do të ishte e pamundur. Sot, është krenari për mua të njoftoj familjen dhe kushërinjtë si dhe far e fisin më të gjerë, se prej sot unë jam qytetar nderi i komunës së Shkrelit. Gjyshi, më kujtohet si fëmijë, na thoshte se kah do që të shkoni, me emrin Shkreli do t’ju dallojnë se kush jeni e prej ka vini.  Unë, pra, me krenari  them se më quajnë Fran Gjeto Luka dhe vijë nga Shkreli i Malësisë së Madhe.

    Është një thënie e vjetër se ”pa rrënjë nuk ka degë”.   Megjithëse larg, është e pamundur të pretendoj ndryshe sepse rrënjët dhe identiteti  im janë këtu. Sepse këtu nëpër këto rrugë e leqe, këtu në këto bjeshkë të madhnueshme, këtu në Luginën e Shkrelit, dikur të parëve të mi u ka shkelur këmba.

    Si i tillë, ndajë me ju një rrugëtim të përbashkët, për të mirën e Shkrelit e të Malësisë së Madhe dhe të mbarë kombit shqiptar. Njëheri, edhe 100-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë sivjet , për realizimin e së cilës edhe Shkreli e Malësia Madhe kanë dhënë kontributin e vet të çmueshëm – është një rast i mirë dhe historik për një betim të përbashkët dhe pjesëmarrje të gjallë e me dëshirë, për të çuar përpara interesat e komunës së Shkrelit, të Shqipërisë dhe të mbarë  kombit, kudo që të jetojnë shqiptarët.

    Gjithashtu, le të shërbejë ky 100-vjetor i pavarësisë së Shqipërisë, si një moment historik për të shkundur ndryshkun e një periudhe të gjatë e të errët të së kaluarës, për një nisje të re dhe hapje rrugësh të reja për mbarë shqiptarizmin, në frymën e etërve të mëdhenj dhe mendjendritur të Pavarësisë së Shqipërisë.

    Megjithëse larg dhe të shpërndarë anë e mbanë botës, ne bashkë jemi, në këtë përvjetor të pavarësisë  dhe gjithmonë. Sivjet, si asnjë herë më parë, të gjithë shqiptarët kudo qofshin i bashkon një flamur, flamuri i Gjergj Kastriotit – Skënderbe.  Ky takim sot me ju këtu në Komunën e Shkrelit, në vetvete, është një dëshmi e këtij  bashkimi, që shpresoj  të forcohet dhe të mos thyhet kurrë.

    Edhe njëherë, Zotëni Kryetar dhe anëtarë të Këshillit Komunal, duke ju falënderuar nga zëmra për nderimin që më bëtë dhe për  respektin që treguat ndaj meje, dëshiroj që Zoti mos na e ndaftë  kurrë  bashkimin dhe respektin për njëri -tjetrin, në interes të lartësimit të emrit të mirë të fisit të Shkrelit, të Malësisë së Madhe  dhe të mbarë Kombit Shqiptar.

    Qofshi gjithmonë me faqe të bardhë!

     Frank Shkreli

    4 tetor, 2012

    Fragment nga libri “Historia e Zërit të Amerikës” i autorit Alan L. Heil, Jr

    Vizita e parë e Frank Shkrelit dhe Elez Biberaj në Shqipëri, mars 1991

    Prej afro një gjysmë shekulli, Shqipëria staliniste ishte një nga këndet më të errët të Europës dhe botës. Megjithatë, ethet e ndryshimeve demokratike në pjesën tjetër të Europës Lindore dhe Qendrore u ngjitën edhe atje. Në mars të vitit 1991, zgjedhjet e mbajtura në Shqipëri u pasuan nga një grevë e përgjithshme dhe demonstratat nëpër rrugë, që e detyruan qeverinë tërësisht komuniste të kapitullonte. Partia Komuniste u vetëquajt Parti Socialiste dhe hoqi dorë nga ideologjia mbizotëruese për një kohë të gjatë e diktatorit Enver Hoxha.

    Veteranët e Shërbimit shqip të “Zërit të Amerikës” (themeluar në vitin 1942) do të mundnin më në fund të vizitonin një vend ku autoritetet në të vërtetë prej kohësh kishin ndaluar të gjitha kontaktet me botën e jashtme. Dy prej tyre, Frank Shkreli – më vonë drejtor i Divizionit të Europës, si dhe studiuesi i çështjeve shqiptare dhe shefi për një kohë të gjatë i Shërbimit Shqip, Elez Biberaj – qenë në gjendje të udhëtonin në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë në mars të vitit 1991.

    Me të mbërritur në Hotel “Dajti” në kryeqytetin shqiptar, Shkreli (me origjinë nga Kosova) i dorëzoi pasaportën e tij nëpunësit të hotelit, i cili e pa me habi në sy, por nuk tha asgjë. Pesëmbëdhjetë minuta më vonë, nëpunësi e ndaloi Shkrelin në korridor dhe i tha: “Nuk mundja t’ju përshëndesja më herët sepse kishte disa njerëz këtu rrotull që nuk do t’u vinte mirë. Tashmë që ata kanë ikur, unë do të doja të shtrëgoja duart tuaja. Është vërtetë kënaqësi t’ju shohim nga afër, pasi ju kemi dëgjuar prej shumë vitesh”.

    Pasandaj, pas një meshe në qytetin verior shqiptar të Shkodrës, një turmë e madhe u mblodh përreth Shkrelit, kur ata morën vesh që ai ishte i “Zërit të Amerikës”. Papritmas, turma u zmbraps duke krijuar një hapësirë sa një dhomë, ndërsa një plak i verbër u drejtua nga ai. Plaku i verbër i tha Shkrelit: “Unë ju kam dëgjuar për të paktën pesëmbëdhjetë vjet. “Zëri i Amerikës” ka qenë drita dhe udhërrëfyesi ynë gjatë këtyre viteve. Ne nuk mund ta kishim arritur këtë ditë të madhe pa “Zërin e Amerikës”.

    Shkreli dhe Biberaj thanë se edhe udhëheqësit shqiptarë të opozitës u thanë atyre se “Zëri i Amerikës” ishte një faktor i rëndësishëm në futjen e shpejtë të vendit në rrugën e reformave demokratike në vitet 1990 dhe 1991. Të gjithë shqiptarët që ata takuan (ose që përshëndetën një delegacion të Kongresit të Shteteve të Bashkuara që vizitoi vendin në atë kohë) u thanë  në orët gjashtë dhe tetë të çdo mbrëmjeje, rrugët e Tiranës ishin tërësisht të boshatisura, ngaqë njerëzit ishin nëpër shtëpi për të dëgjuar “Zërin e Amerikës”.