Frank Shkreli: 70-vjetori i Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut

124

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) shënon çdo vit, më 10 Dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut, ditë kjo që na kujton datën kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-ës ka miratuar, në vitin 1948 Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut, duke shpallur se parimet e kësaj deklarate janë “Standarde të përbashkëta për t’u realizuar nga të gjithë popujt dhe nga të gjitha kombet.” Kjo deklaratë në tërësi, ndoshta si asnjë marrëveshje tjetër ndërkombëtare, potencon se të gjithë njerëzit pa dallim, kanë lindur të lirë, në dinjitet, me të drejta dhe liri të barabarta – një ide kjo që në sipërfaqe duket e thjesht, por është radikale në kuptimin dhe zbatimin e saj. Ky vit pra, shënon 70-vjetorin e kësaj deklarate të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 10 Dhjetor, 1948, në Paris. Gjatë këtij përvjetori, OKB-ja po shqyrton ndikimin e këtij dokument të rëndësishëm në historinë njerëzore dhe në jetën e përditshme të njerëzve, anë e mbanë botës. Sipas OKB-ës, lëvizja për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ka shënuar përparime të dukshme gjatë 70-viteve të kaluara, por, fatkeqësisht, abuzimet me të të drejtat e njeriut vazhdojnë me një ritëm të vazhdueshëm, anë e mbanë botës. Prandaj, ky përvjetor i Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut, është një rast i mirë, jo vetëm për të lartësuar sukseset e arritura, por edhe për t’u angazhuar rishtas ndaj respektimit dhe zbatimit të parimeve të përmbledhura në 30 artikujt e Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut. Ashtu siç thuhet në parathënien e këtij dokumenti, “Njohja e dinjitetit të lindur të të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore, është themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë”.

Deklarata Universale mbi të Drejtat e Njeriut na jep të drejtë, secilit prej nesh, jo vetëm që të mbrojmë të drejtat tona njerëzore, por edhe të drejtat e të tjerëve. Si një frymëzim për të mbështetur të drejtat e njeriut për veten dhe për të tjerët, ju sjellim më poshtë, në këtë 70-vjetor, Deklaratën e plotë Universale mbi të Drejtat e Njeriut, si një dokument i gjallë, sa universal për nga hapësira, aq edhe i rëndësishëm për çdo individ dhe shoqëri – njëkohësisht, sipas OKB-ës, edhe dokumenti më i përkthyer në botë, në më shumë se 500-gjuhë të ndryshme.

Ashtu si gjatë viteve, OKB-eja u ka bërë thirrje të gjithë popujve dhe shteteve anëtare të mbajnë përgjegjëse qeveritë e tyre për zbatimin e këtyre të drejtave, jo vetëm në këtë 70-vjetor të miratimit të Deklaratës, por edhe në përvjetorë të tjera, për të gjithë njerëzit pa dallim dhe për 365 ditët e vitit. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut të OKB-së dhe parimet që kanë udhëhequr këtë organizatë gjatë më shumë se një gjysmë shekulli, që prej miratimit të saj më 10 dhjetor, 1948 — diskrediton tiranitë e sotëm dhe ato të shekullit të kaluar që i kanë shkelur brutalisht këto të të drejta, si komunizmin dhe fashizmin, si dhe diskriminimet, krimet dhe abuzimin e këtyre të drejtave ndaj personave ose grupe personash, sepse vetëm e vetëm, nuk pajtoheshin me këto ideologji. Bota shqiptare, fatkeqësisht nuk dallohet shumë për kujtimin e përvjetorëve të tillë të datave ndërkombëtare në mbështetje të drejtave të njeriut. Por, në qoftë se autoritetet, si në Shqipëri ashtu edhe në Republikën e Kosovës, përfillin thirrjen e OKB-ës për të shënuar, jo vetëm këtë përvjetor, por edhe për të promovuar çdo ditë të vitit këto të drejta bazë të njeriut “për të gjithë dhe përgjithmonë” dhe pa dallim – atëherë, ky përvjetor duhet të shikohet jo vetëm nga realiteti i sotëm, por edhe nga një perspektivë historike e së kaluarës. Fryma e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, duhet të frymëzojë në këtë 70-vjetor të miratimit të saj, promovimin e këtyre të drejtave sot, por duhet të shërbejë edhe si një rast për të kujtuar gjithashtu shkeljet dhe dhunën serioze ndaj këtyre të drejtave bazë të njeriut ndaj mijëra viktimave shqiptare të regjimeve shtypëse komuniste në Shqipëri dhe në Kosovë, ashtu që të pakën viktimat që janë ende gjallë, më në fund, pas vuajtjeve të shumta, ta ndjejnë veten se janë pjesë e pandarë e shoqërisë shqiptare dhe se të pakën tani 30-vjet pas shembjes së komunizmit dhe pavarësisë së Kosovës, të gëzojnë të drejta të barabarta, dinjitet dhe liri të plotë për veten dhe për familjet e tyre, në krahasim me të tjerët, ashtu siç bëhet thirrje në Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut. Trajtimi dhe ndriçimi i këtyre krimeve ndaj këtyre viktimave dhe i shkeljeve të drejtave të njeriut do të çonte drejtë një shoqërie më të hapur dhe më normale, në pajtim me vetveten dhe me të tjerët. Mos trajtimi dhe mos zbardhja e kësaj historie tragjike gjysmë shekullore për shoqërinë shqiptare vazhdon ta mbajë atë në një ngërç konfliktesh politike dhe ekonomike deri në ditët e sotëm. Është e nevojshme që trajtimi i krimeve të regjimit komunist dhe krimet kundër shqiptarëve në trojet e veta në përgjithësi — nga pikëpamja e shkeljes së të drejtave bazë të njeriut — të konsiderohet brenda kontekstit të këtyre parimeve dhe të drejtave universale të Deklaratës mbi të Drejtat e Njeriut. Një gjë e tillë do t’i shërbente jo vetëm të vërtetës historike, por edhe lartësimit të nderit dhe interesit kombëtar të shqiptarëve. Le të jetë ky një angazhim nga të gjithë pa dallim — në këtë 70-vjetor të miratimit të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut. Sepse, siç është shprehur edhe Eleanor Roosvelt, “Në fund të fundit, ku fillon zbatimi dhe respektimi i të drejtave të njeriut? Në vende të vogla dhe në hapësirën ku jetojmë, e të cilat mund të jenë aq të vogla sa që nuk mund të dallohen as në ndonjë hartë të botës. Në qoftë se këto të drejta nuk kanë ndonjë domethënie dhe rëndësi atje ku jetojmë, atëherë ato nuk kanë rëndësi askund tjetër. Pa një angazhim të përbashkët të qytetarëve, në mbështetje dhe në mbrojtje të këtyre të drejtave njerëzore aty në rrethin ku jetojnë ata, atëherë presim më kot që këto të drejta universale të njeriut të zbatohen në botën më të gjerë”, ka theksuar Eleanor Roosevelt.

Më 10 dhjetor të vitit 1948, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nxori dhe shpalli Deklaratën e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut, tekstin e plotë të së cilës po e botojmë në faqet që vijojnë. Mbas këtij akti historik, Asambleja ftoi të gjitha shtetet anëtare që ta shpallin tekstin e Deklaratës dhe të përpiqen që të përhapet, paraqitet, lexohet dhe të shpjegohet, sidomos në shkolla dhe institucione të tjera edukuese, në të gjitha vendet dhe shtetet pa marrë parasysh statusin e tyre politik. 

DEKLARATA E PËRGJITHSHME MBI TË DREJTAT E NJERIUT

HYRJE

Mbasi njohja e dinjitetit të lindur të të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë;

mbasi mosrespektimi dhe përbuzja e të drejtave të njeriut ka çuar drejt akteve barbare, të cilat kanë ofenduar ndërgjegjen e njerëzimit, dhe mbasi krijimi i botës në të cilën njerëzit do të gëzojnë lirinë e fjalës, të besimit dhe lirinë nga frika e skamja është proklamuar si dëshira më e lartë e çdo njeriu;

mbasi është e nevojshme që të drejtat e njeriut të mbrohen me dispozita juridike, kështu që njeriu të mos jetë i shtrënguar që në pikën e fundit t’i përvishet kryengritjes kundër tiranisë dhe shtypjes;

mbasi është e nevojshme që të nxitet zhvillimi i marrëdhënieve miqësore midis kombeve;

mbasi popujt e Kombeve të Bashkuara vërtetuan përsëri në Kartë besimin e tyre në të drejtat themelore të njeriut, në dinjitetin dhe vlerën e personit të njeriut dhe barazinë midis burrave dhe grave dhe mbasi vendosën që të nxitin përparimin shoqëror dhe të përmirësojnë nivelin e jetës në liri të plotë; mbasi shtetet anëtare u detyruan që, në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara, të sigurojnë respektimin e përgjithshëm dhe zbatimin e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore; mbasi kuptimi i përbashkët i këtyre të drejtave dhe lirive është më i rëndësishëm për realizimin e plotë të këtij detyrimi:  Nenet e Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut

Neni 1. Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri tjetrit me frymë vëllazërimi.

Neni 2. Secili gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë e parashtruara në këtë Deklaratë pa kurrfarë kufizimesh për sa i përket racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, besimit fetar, mendimit politik ose tjetër, origjinës kombëtare a shoqërore, pasurisë, lindjes ose tjetër. Asnjë dallim nuk do të bëhet në bazë të statusit politik, juridik ose ndërkombëtar të shtetit ose vendit të cilit i përket çdo njeri, qoftë kur shteti ose vendi është i pavarur, qoftë nën kujdestari, qoftë jo vetëqeverisës ose që gjendet në çfarëdo kushtesh të tjera të kufizimit të sovranitetit.

Neni 3. Gjithkush ka të drejtë të jetojë, të jetë i lirë dhe të ketë sigurimin vetjak.

Neni 4. Asnjeri nuk duhet të mbahet si skllav ose çifçi; skllavëria dhe tregtia e skllevërve janë të ndaluara në të gjitha format.

Neni 5. Asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet mundimit, veprimit ose dënimit të egër, jonjerëzor ose poshtërues.

Neni 6. Gjithkush ka të drejtë që t’i njihet kudo personaliteti juridik.

Neni 7. Të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe kanë të drejtë pa asnjë diskriminim të mbrohen barabar nga ligji. Të gjithë kanë të drejtën për t’u mbrojtur barabar kundër çdo diskriminimi që cenon këtë Deklaratë, si dhe kundër çdo nxitje për një diskriminim të tillë.

Neni 8. Gjithkush ka të drejtë për mjete juridike të frytshme para gjykatave kompetente kombëtare për veprimet me të cilat shkelen të drejtat themelore të garantuara nga kushtetuta ose ligjet.

Neni 9. Asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet arbitrarisht arrestimit, ndalimit ose internimit.

Neni 10. Gjithkush gëzon njëlloj të drejtën për një proces gjyqësor objektiv e publik para një gjykate të pavarur e të paanshme, në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të veta dhe për vendimin mbi çfarëdo lloj akuze penale.

Neni 11. Kushdo që është i akuzuar për një vepër penale ka të drejtë të konsiderohet i pafajshëm deri sa të vërtetohet fajësia në bazë të ligjit dhe në një proces publik në të cilin ka pasur të gjitha garancitë e duhura për mbrojtjen e vet.

Asnjeri nuk duhet të dënohet për veprime ose mosveprime të cilat nuk përbëjnë një vepër penale, sipas ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, në kohën kur janë kryer. Gjithashtu nuk mund të vendoset një dënim më i rëndë nga ai që ka qenë zbatuar në kohën kur është kryer vepra penale.

Neni 12. Asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes arbitrare në jetën, familjen, banesën ose korrespondencën vetjake, si dhe sulmeve kundër nderit dhe prestigjit personal. Gjithkush ka të drejtën të mbrohet nga ligji kundër ndërhyrjeve ose sulmeve të tilla.

Neni 13. Gjithkush ka të drejtën e lirisë së qarkullimit dhe banimit brenda kufijve të çdo shteti.

Gjithkush ka të drejtë të largohet nga cilido vend qoftë, përfshirë këtu edhe të vetin, si dhe të kthehet në vendin e vet.

Neni 14. Gjithkush ka të drejtë të kërkojë dhe gëzoje në vende të tjera azil nga ndjekjet. Këtë të drejtë nuk mund ta gëzojë askush në rast se ndiqet për krime jopolitike ose për vepra në kundërshtim me qëllimet dhe parimet e Kombeve të Bashkuara.

Neni 15. Gjithkush ka të drejtën e një shtetësie.

Asnjeri nuk duhet të privohet arbitrarisht nga shtetësia e tij si dhe as nga e drejta që të ndërrojë shtetësinë.

Neni 16. Burrat dhe gratë në moshë të pjekur kanë të drejtë të lidhin martesë dhe formojnë familje, pa kurrfarë kufizimi për sa i përket racës, shtetësisë ose besimit. Ata kanë të drejta të barabarta si në rastin e lidhjes së martesës, gjatë martesës si dhe në rast shkurorëzimi.

Martesa duhet të lidhet vetëm me pëlqimin plotësisht të lirë të personave që do të martohen. Familja është bërthama e natyrshme dhe themelore e shoqërisë dhe ka të drejtën e mbrojtjes nga shoqëria dhe shteti.

Neni 17. Gjithkush ka të drejtën të ketë pasuri, si vetëm ashtu edhe në bashkësi me të tjerët. Asnjeri nuk duhet të privohet arbitrarisht nga pasuria e tij.

Neni 18. Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe besimit; kjo e drejtë përfshin lirinë e ndryshimit të besimit ose bindjeve dhe lirinë që njeriu, qoftë vetë ose në bashkësi me të tjerët, të shfaqë publikisht ose privatisht, besimin ose bindjen e vet me anë të dhënies së mësimeve, kryerjes së kultit dhe ceremonive fetare.

Neni 19. Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe njoftimit të informacionit dhe ideve me çfarëdo mjeti qoftë, pa marrë parasysh kufijtë.

Neni 20. Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mbledhjes dhe bashkimit paqësor.

Asnjeri nuk duhet të detyrohet të bëjë pjesë në ndonjë bashkim.

Neni 21. Gjithkush ka të drejtë të marrë pjesë në qeverisjen e vendit të vet, drejtpërdrejt ose me anë të përfaqësuesve të zgjedhur lirisht.

Gjithkush ka njëlloj të drejtë të hyjë në shërbimet publike në vendin e vet.

Vullneti i popullit është baza e pushtetit shtetëror; ky vullnet duhet të shprehet në zgjedhje periodike dhe të lira të cilat duhet të jenë të përgjithshme dhe votimi i barabartë, si dhe me votim të fshehtë ose sipas procedurës përkatëse të votimit të lirë.

Neni 22. Si anëtar i shoqërisë, gjithkush ka të drejtën e sigurimit shoqëror dhe realizimit të të drejtave ekonomike, sociale, kulturore të domosdoshme për dinjitetin e vet dhe për zhvillimin e lirë të personalitetit, me ndihmën e shtetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në përputhje me organizimin dhe mundësitë e çdo shteti.

Neni 23. Gjithkush ka të drejtën për punë, të zgjedhë lirisht profesionin, të ketë kushte të favorshme pune dhe të jetë i mbrojtur nga papunësia.

Gjithkush, pa kurrfarë diskriminimi, ka të drejtë që për punë të njëjtë të marrë rrogë të njëjtë. Gjithkush që punon ka të drejtën për një shpërblim të drejtë dhe favorshëm, në mënyrë që t’i sigurojë atij dhe familjes së tij një jetë që i përgjigjet dinjitetit njerëzor dhe, në qoftë se do të jetë e nevojshme ky shpërblim të plotësohet edhe me mjete të tjera të sigurimit shoqëror.

Gjithkush ka të drejtë të formojë sindikatë dhe të bëjë pjesë në të për mbrojtjen e interesave të veta.

Neni 24. Gjithkush ka të drejtë për pushim dhe kohë të lirë, duke përfshirë kufizimin e arsyeshëm të orarit të punës dhe pushimin e paguar periodik.

Neni 25. Gjithkush ka të drejtë për një nivel jetese të mjaftueshëm i cili t’i përgjigjet shëndetit dhe jetës së përshtatshme si të atij personalisht, ashtu edhe të familjes së tij, duke përfshirë ushqimin, veshmbathjen, banesën, kujdesin mjekësor dhe shërbimet e nevojshme sociale, si edhe të drejtën për të qenë i siguruar në rast sëmundjeje, papunësie, vejanie, pleqërie dhe raste të tjera të humbjeve të mjeteve për jetesë për shkak të rrethanave të pavarura nga vullneti i tij.

Nënat dhe fëmijët kanë nevojë për kujdes dhe ndihmë të posaçme. Të gjithë fëmijët, të lindur brenda ose jashtë martese, gëzojnë të njëjtat mbrojtje sociale.

Neni 26. Gjithkush ka të drejtën e shkollimit. Arsimi duhet të jetë falas, të paktën në shkollat fillore dhe të ulëta. Arsimi fillor është i detyrueshëm. Arsimi teknik dhe profesional duhet të zgjerohet e arsimi i lartë duhet t’u bëhet i mundshëm të gjithëve në bazë të aftësisë.

Arsimi duhet të drejtohet nga zhvillimi i plotë i personalitetit të njeriut dhe nga forcimi i respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Ai duhet të nxisë kuptimin, tolerancën dhe miqësinë midis të gjithë popujve, grupeve të racave dhe besimeve, si dhe veprimtarinë e Kombeve të Bashkuara për ruajtjen e paqes.

Të drejtën për të zgjedhur llojin e arsimit për fëmijët e tyre e kanë në radhë të parë prindërit.

Neni 27. Gjithkush ka të drejtë të marrë pjesë lirisht në jetën kulturore të bashkësisë, të gëzojë artet dhe të përfitojë nga përparimi shkencor dhe dobitë e tij.

Gjithkush ka të drejtë të mbrojë interesat morale dhe materiale, që rrjedhin nga çdo krijimtari shkencore, letrare dhe artistike, autor i të cilave është ai vetë.

Neni 28. Gjithkush ka të drejtë për një rend shoqëror dhe ndërkombëtar në të cilin mund të realizohen plotësisht të drejtat dhe liritë e shpallura në këtë Deklaratë.

Neni 29. Gjithkush ka detyrime vetëm ndaj asaj bashkësie në të cilën është i mundur zhvillimi i lirë dhe i plotë i personalitetit të tij. Në ushtrimin e të drejtave dhe lirive të veta, gjithkush do t’u nënshtrohet vetëm atyre kufizimeve të cilat janë parashikuar me ligj, ekskluzivisht me qëllim që të sigurohet njohja dhe respektimi i nevojshëm i të drejtave dhe lirive të të tjerëve e që të plotësohen kërkesat e drejta të moralit, rendit publik dhe mirëqenies së përgjithshme në shoqërinë demokratike. (3)Këto të drejta dhe liri nuk mund të zbatohen në asnjë rast kundër qëllimeve dhe parimeve të Kombeve të Bashkuara.

Neni 30. Asgjë në këtë Deklaratë nuk mund të interpretohet si e drejtë e një shteti, grupi apo personi për të kryer çfarëdo veprimtarie ose për të bërë një akt drejtuar kundër çdo të drejte ose lirie të shpallur në këtë Deklaratë. (Burimi: Marrë nga United Nations Department of Public Information, NY)