Francë-Shqipëri, mbyllet “miqësisht” 1-1

449
Sigal

Kjo është ndeshja e parë që Shqipëria merr një rezultat që nuk është humbja, ndaj Francës

Ndeshja me Francën, plotësoi çdo pritshmëri të një takimi miqësor në mes dy skuadrave me pretendime të ndryshme për Euro 2016, ku Franca si organizatore është drejtpërdrejtë e kualifikuar ndërsa Shqipëria duhet të kualifikohet. Ky takim, erdhi si “dhuratë” e grupit I, grupi me pesë skuadra, nga ku njëra do të bëjë gjithmonë pushim, për tu formuar çiftet, dhe ky pushim shfrytëzohet me një miqësore luksi me pritësit e kampionatit, Francën. Ky takim, pavarësisht se nuk jepte asnjë pikë, u prit shumë mirë nga të dyja skuadrat, ashtu siç u pa edhe gjatë fushës së lojës ku dëshira për të bërë mirë u vu re si tek Shqipëria ashtu edhe tek Franca. Në fakt u pa që në fillim të pjesës së parë që Shqipëria ishte skuadra superiore, ku pati shumë raste për gol, organizuan shumë aksione dhe mbi të gjitha thyen çdo aksion të Francës, duke nxjerrë jashtë loje një nga sulmuesit më të mirë në botë, Benzema. Në pjesën e parë u duk se rolin e Francës po e bënim ne, ndërsa Franca ishte një nivel shumë poshtë nesh, sidomos edhe pas shënimit të golit në minutën e 40 me anë të Mavraj, një gol me kokë, i nisur si aksion nga një goditje këndi. Edhe në pjesën e dytë, Shqipëria shfaqi përsëri superioritetin e saj, duke mos e lejuar Francën të dilte në lojën e vet, deri në minutën e 73 ku Grizman shënoi golin e barazimit. Takimi i fundit që kemi luajtur me Francën u mbyll me rezultatin 3-0 për “gjelat”, në një kohë që luhej për kualifikuese, por që gjithashtu edhe Shqipëria nuk e ka pasur cilësinë dhe përgatitjen që ka sot, përgatitje që e bën kualifikimin për në “Euro 2016” jo më një ëndërr të largët. Cilësia në rritje e Kombëtares Shqiptare, ia shton edhe më shumë prestigjin ndaj skuadrave të tjera, që ashtu siç u shpreh edhe Deshamps, dhe gjithashtu e provoi, ka rritur nivelin e lojës si skuadër.

Duket ironike dhe e çuditshme në fakt, që një muaj pas ndeshjes me Serbinë në Beograd, dhe ndodhive atje, ndeshja tjetër që luajmë është pikërisht ndaj Francës, që një herë e një kohë është përfaqësuar edhe nga Mishel Platini, kreu aktual i UEFA-s dhe një nga personazhet më të padëshiruara aktualisht për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kjo ndeshje, dhe më së shumti tifozët, i dhanë Platinisë të kuptojë dhe të shohë qytetarinë që shfaqin dhe mbi të gjitha që nuk fshehin asnjë “bombë” në banderola, sado ironike qofshin ato.

Më e veçantë ishte ndeshja për Lorik Canën, që luante takimin e tij të 80-ë me fanellën e Kombëtares, duke u bërë kështu edhe futbollisti me më shumë ndeshje për Kombëtaren dhe këtë arritje e formoi në një nga ndeshjet më të bukura që ka luajtur ndonjëherë Kombëtarja e Shqipërisë. Pavarësisht rezultatit, fakti që Shqipëria zhvilloi një ndeshje me Francën, duke treguar me të vërtetë nivel të mirë loje, bën që deklarata e De Biazit se do të marrin më të mirën e mundshme në këtë ndeshje, të jetë e vërtetë. Tani, me këtë ndeshje shumë të mirë të zhvilluar nga Shqipëria, sytë drejtohen tek miqësorja tjetër, ajo me Italinë me datë 18.

Formacionet e skuadrave, De Biazi i qëndron besnik  4-5-1-shit

 Ashtu siç edhe ishte menduar në fakt, formacioni i Shqipërisë nuk do të ndryshonte as në përballjen ndaj Francës, ku përsëri Berisha ishte në portë, mbrojtja e njëjta si në tre ndeshjet e fundit dhe mesfusha ishte e “mbipopulluar”, me 5 futbollistë, ndërsa në sulm qëndronte i vetëm Cikalleshi. Në fakt një zgjedhje e tillë ishte e kuptueshme duke parë edhe potencialin e madh të Francës në sulm. Siç edhe u shpreh vetë trajneri De Biazi, kjo ndeshje u luajt për një testim, që në fakt ishte një testim “luksoz” i skuadrës tonë. Franca, nga ana tjetër e shpalli formacionin që në konferencën për shtyp të trajnerit Deshamps që vendosi të hidhte në sulm Benzema me Lacazette, më shumë për ti provuar së bashku në ndeshjet në vazhdim, gjithashtu në portë ishte Loris, ndërsa në mesfushë Pogba, Cabaye, Valbuena dhe Sisoko u përgjigjen bashkërisht për skemat e trajnerit.

Formacioni i Francës 4-4-2

  Loris

Digne-Yianga Mbiëa-Varane-Jallet

Pogba-Cabaye-Valbuena-Sisoko

   Benzema-Lacazette

Formacioni i Shqipërisë 4-5-1

Berisha

Agolli-Mavraj-Cana-Hysaj

Lila-Kukeli-Memushaj-Abrashi-Lenjani

Cikalleshi

Rreth 4 mijë tifozë shqiptar në stadium, shkrime kundër Platinisë

 Të shumtë kanë qenë tifozët shqiptarë që kanë mbushur shkallët e stadiumit “Stade de la Route”,  tifozë të ardhur nga çdo cep i Francës, tifozë të ardhur nga shtetet fqinje me Francën, tifozë nga Shqipëria e Kosova, tifozë që përllogaritët të kenë kapur numrin e 4 mijë shqiptarëve që mbështeten skuadrën. Pavarësisht se ishte thjeshtë një miqësore, atmosfera e krijuar nga tifozët ishte me të vërtetë shumë e bukur, ku mbi të gjithë u dalluan kuqezinjtë që treguan më së miri qytetarinë e tyre, ndryshe sa trumbetohej nga disa media një muaj më parë. Në fakt, kishin zgjedhur një mënyrë origjinale tifozët shqiptarë, duke shfaqur një banderolë në drejtim të Platinisë ku shkruhej e gjitha në frëngjisht: “UEFA i tha Po urrejtjes dhe racizmit. Faleminderit Platinoviç!”.

Danimarka dhe Portugalia “sfidojnë” Shqipërinë në distancë

Nga të gjithë grupet e “Francë 2016”, grupi I, në të cilin është edhe Shqipëria, është një nga grupet më të vështira dhe njëkohësisht më të ekuilibruara në këtë kompeticion. Fakt për këtë është situata e pikëve, por edhe forma shumë e mirë e të gjitha skuadrave, ku secila ka potencialin dhe gëzon formën që të kualifikohet, përveç Armenisë. Ndër të gjitha ndeshjet, ajo që kapi më shumë vëmendjen ishte padyshim takimi mes Serbisë dhe Danimarkës, takim që u luajt me dyer të mbyllura për tifozët, nisur nga dënimi që mori Serbia për shkak të trazirave që shkaktuan tifozët në ndeshjen ndaj Shqipërisë. Dihej që kjo ndeshje do të ishte e vështirë, për të dyja skuadrat, por Serbia  e përballoi më mirë situatën në pjesën e parë, falë edhe goli që shënoi që në minutën e katërt, por në fund Danimarka përsëri arriti të tregonte supremacinë e saj në pjesën e dytë, ku nuk i dha asnjë shans serbëve. Ndërkohë që takimi tjetër i luajtur, ai mes Portugalisë dhe Armenisë, nuk kishte të njëjtën pritshmëri si ndeshja tjetër, por për Portugalinë kishte rëndësi të madhe, pasi i duhet të grumbullojë pikë, që të “zhdukë” atë humbje ndaj Shqipërisë, që i vë në dyshim qoftë edhe kualifikimin, duke parë që të gjitha skuadrat janë në ndjekje të njëra tjetrës. Në fakt, si takim doli më i vështirë se nga ç’ pritej, duke mos arritur të zhbllokonte rezultatin që në pjesën e parë, por vetëm në pjesën e dytë, në minutën e 72 nga Kristiano Ronaldo. Këto rezultate e vendosin Shqipërinë në vendin e tretë, ku përpara ka Danimarkën dhe Portugalinë,

 Ndeshjet e grupit I

Portugali-Armeni

Serbi-Danimarkë

Grupi I

Nr Skuadra N P
1 Danimarkë 4 7
2 Portugali 3 6
3 Shqipëri 3 4
4 Serbi 3 1
5 Armeni 3 1