Fragmente jete nga Muzina qëndrore

    488
    Sigal

    Njerëz fisnikë e punëtorë mes një perle natyrore, janë të harruar nga shteti

    Qafa e Muzinës është pika lidhëse e Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës dhe Kakavijës. Muzina  është fshati më malor i Delvinës, me një reliev të thyer, por të pyllëzuar. Aktualisht, mund të themi se është një fshat totalisht i braktisur nga banorët autoktonë të tij, si shkak i tranzicionit, lëvizjes së brendshme të popullsisë dhe emigracionit të pamëshirshëm e të pafundmë, sidomos për këto fshatra kufitare. E themi këtë nisur nga fakti se nga rreth 500 banesa me mbi 800 mijë banorë që numëronte në statistikat e para vitit 1990, sot, me dhimbje numërohen rreth 70 banorë. Një braktisje e dhimbshme që nuk i dihet sa do vazhdojë. Ndalemi buzë rrugës nacionale Sarandë-Gjirokastër, në aksin që përshkon mes për mes këtë fshat të dëgjuar të jugut shqiptar. Syri të ngopet nga shpërthimi gjethor i pyllnajës që rrethon fshatin deri në Pecë e që zbret poshtë në syrin e kaltër për të humbur në Bistricë. Një mrekulli natyrore. Këtu takojmë një 55- vjeçar. Resul Canaj, na thotë se e quajnë. Ka ardhur në këtë fshat që më 1984 nga Picari i Kurveleshit dhe vijon të banojë po këtu që nga ajo kohë. Dhe jo vetëm kaq! Por erdhi si çoban, pasi e përzunë nga universiteti në Fakultetin e Gjeologjisë në vitin e tretë për motive qesharake pavarësisht se, qe edhe kushëriri i Skënder Gjinushit. Dhe vijon të jetë po çoban në këtë fshat, por me bagëtinë e tij. Na ofron mikpritjen e tij duke na ftuar për një kafe miqësore dhe së bashku e pimë atë kafe. Biseda rrjedh tek problemet e përditshme. Resuli tregon se ka 6 fëmijë, tre djem e tre vajza, disa të punësuar e disa në shkollë. Mundohet t’u jap shkollë, sepse i duket se zgjidh brengën e tij të viteve të shkuara që ia ndërprenë ëndrrën në mes, pasi sot do të ishte inxhinier dhe jo çoban. Të gjashtë fëmijët, na thotë, i rrita dhe i arsimova me 100 kokë dele e dhi që kam. Vendi këtu është i favorshëm dhe e do bagëtinë e imët, sidomos dhinë e cila është mjaft e favorshme si nga kushtet klimaterike, ashtu edhe nga ajo kullosore. Resuli thotë se, mjaft sukses i ka dhënë ky biznes edhe se qumështin e përpunon vetë dhe produktet e nënproduktet e tij i shet, madje jashtë shtetit, pasi cilësia është shumë më e lartë nga ajo që bëhet në baxho. Të paktën kështu shprehen blerësit. Ai thotë se që tani sa ka filluar prodhimi, produktet dhe nënproduktet e qumështit të prodhuar nga ai janë kaparosur, pra i gjithi është shitur. Ky është një apel ndaj shtetit që të rrisë edhe kontrollin tek fabrikat e përpunimit në drejtim të përsosjes së standardeve të kërkuara të konsumatorit. Përveç blegtorisë, Resuli thotë se, merret edhe me bujqësinë si prodhime perimore, frutore dhe ulli e vreshtari. Dhe jo vetëm ai, por të gjithë banorët e paktë, të mbetur në këtë fshat. Por Resuli ngre edhe merakun tjetër dhe i bën thirrje shtetit të vërë dorë tek dëmtimi i pyjeve, ashtu sikurse i bën apel edhe vetes dhe bashkëfshatarëve për kujdesin ndaj pemës së qershisë, mjaft e njohur kjo në këtë zonë. Resuli thotë se kjo pemë me fruta cilësorë e me shije të veçantë, është lënë jashtë kujdesit njerëzor, por pritet të merret prodhimi për aq sa jep vetë pema, pa shërbime gati 25 vjet. Po frutat i marrim ama, -thotë Resuli,-dhe me të ardhura të kënaqshme, po e kemi lënë pas dore, ndryshe nga ullinjtë e vreshtaria që i rrimë në kokë. Po në këtë fshat nuk mungon as bletaria. Ndahemi nga Resuli me mendimin se njerëzit e punës kurrë nuk humbasin dhe vendi ynë është shumë bujar e i pasur. Dhe sikur të jemi në një film, përpara na shfaqet fusha e Vurgut e lënë djerrë 25 vjet dhe djemtë e këtyre fshatrave rropaten rrugëve të kurbetit, ndërsa në tregun e Sarandës edhe limonët vijnë nga Spanja, fasulet nga Maqedonia e deri–deri tek hudhrat nga Kina e largët. A nuk duhet kthyer sytë tek vendi yt?