Fondi Shqiptar i Zhvillimit rikonstrukton rrugën Novoselë-Poro-Pishporo Lot I

    526
    Sigal

    Rruga e re do të ketë një gjerësi asfalti prej 5.5 m dhe 2 bankina nga 0.5 m

    Së shpejti 10 mijë banorë të Komunës Novoselë në rrethin e Vlorës, do të kenë mundësinë që të lidhen me qendrën e komunës dhe bregdetin e Vlorës me rrugë të asfaltuar të parametrave bashkëkohorë. Rruga me një gjatësi 12 km është një investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit me financim të Qeverisë Shqiptare dhe donatorëve të tjerë. Gjendja e rrugës ekzistuese ka qenë tejet e amortizuar dhe kalohet me vështirësi nga automjetet. Rruga është e ngushtë dhe në pjesën më të madhe të saj në gjendje të keqe. Në të gjithë gjatësinë e saj, rrugës i mungojnë veprat e artit dhe kanalizimet e ujërave duke sjellë probleme përmbytjeje gjatë stinës së shirave. Në zonat e banuara mungojnë trotuaret dhe sinjalistika është jashtë parametrave teknike. Rruga e re do të ketë një gjerësi asfalti prej 5.5 m dhe 2 bankina nga 0.5 m. Ajo do të jetë e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, siç janë sinjalistika vertikale dhe horizontale, kanalizimet e ujërave të bardha, mure pritës dhe mbajtës, tombino dhe vepra të tjera arti. Në zonat e banuara projekti parashikon trotuare për kalimin e këmbësorëve. Kohëzgjatja e punimeve për rikonstruksionin e këtij segmenti rrugor është parashikuar 17 muaj. Me rastin e fillimit të punimeve në këtë segment rrugor, Drejtori Ekzekutiv i FSHZH-së, z. Benet Beci zhvilloi një vizitë pune. I pranishëm në këtë vizitë ishte edhe Z. Astrit Patozi, në cilësinë e deputetit të Qarkut Vlorë. Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Z. Benet Beci, në bashkëbisedim me gazetarët e pranishëm, ndër të tjera tha se: “Segmenti rrugor Novosele – Poro – Pishporo punimet e të cilit sapo kanë filluar do të lidhë me rrugë të asfaltuar 6 fshatrat e Komunës Novosele, jo vetëm me njëra-tjetrën, me qendrën e komunës por edhe me bregdetin jugor të Vlorës. Ky investim mjaft i rëndësishëm për 10 mijë banorët e kësaj zone, është pjesë e një sërë ndërhyrjesh që FSHZH po kryen në Qarkun e Vlorës në kuadër të strategjisë së zhvillimit të këtij Qarku. Rikonstruksioni i këtij segmenti rrugor krijon mundësi reale për zhvillimin e turizmit në bregdetin e Adriatikut. Nga ana tjetër ai do të ndihmojë fermerët e një prej zonave me prodhimtari të lartë bujqësore dhe blegtorale të çojnë produktet e tyre më shpejt në treg me kosto më të ulët e me fitim më të lartë. Gjatë këtij viti FSHZH do të investojë edhe rikonstruksionin e segmentit rrugor Kthesa e Qarrit – Pishporo 13 km e gjatë, e cila do të lidhë 10 mijë banorë të 6 fshatrave të Komunës Levan në rrethin e Fierit, duke plotësuar nevojat e kësaj zone për infrastrukturë rrugore”. Zona është e njohur jo vetëm për prodhimet bujqësore, por gjithashtu dhe për bukuritë, natyrore veçanërisht për plazhet e veçanta, të cilat me përfundimin e rrugës do të mund të shfrytëzohen maksimalisht për turizëm. Infrastruktura e përmirësuar do të japë rezultate të prekshme për komunitetin e kësaj zone, duke nxitur zhvillimin e bujqësisë dhe duke ofruar mundësi reale për një zhvillim social-ekonomik të qëndrueshëm. Ky investim shkurton kohën e udhëtimit 3 herë krahasuar me atë përpara rikonstruksionit të rrugës. Punësimi dhe rritja e aksesit në tregun e punës janë një tjetër përfitim real për banorët e këtyre komunave. Në Qarkun Vlorë, FSHZH ka investuar në prioritetet kryesore të infrastrukturës të cilat kanë pasur impakt të drejtpërdrejtë në dy drejtime strategjike siç janë bujqësia dhe turizmi.