FMN sulmon koncesionet: Janë rrezik fiskal

564
Misioni mbyll vizitën në Shqipëri dhe deklaron se borxhet e prapambetura po shtohen. Gati taksa e re për pronën
Fondi Monetar Ndërkombëtar kritikoi Shqipërinë për koncesionet dhe dëmin financiar që ato mund të sjellin. Në mbyllje të vizitës në Tiranë, një mision i FMN-së bëri të ditur se ka rishikuar rritjen ekonomike për vitin 2017, nga 3.7% në 3.9%. Rritja e kërkesës së brendshme, projektet e mëdha të lidhura me investimet e huaja, turizmi në rritje dhe një rimëkëmbje e partnerëve tregtarë të BE-së, janë faktorët që e bëjnë FMN-në optimiste për rritjen ekonomike. Megjithatë, në deklaratën përmbyllëse të Artikullit 4, që është e para pasi marrëveshja trevjeçare e zgjeruar e mekanizimit të Fondit (EFF), që i mundësoi qeverisë shqiptare të merrte një hua prej 377,3 milionë euro, përfundoi në shkurt, Fondi shfaqet mjaft i ashpër, duke shprehur hapur shqetësimin për uljen e angazhimit të qeverisë në kuadër të konsolidimit fiskal, borxhet e fshehura që mund të lindin nga Partneriteti Publik Privat (PPP), rikthimin e detyrimeve të prapambetura dhe ngadalësimin e ekonomisë vitin e ardhshëm, pas përfundimit të projekteve të mëdha. FMN është shprehur hapur edhe kundër bashkimit tatime dogana, pasi ai do të ndikonte në rendimentin e mbledhjes së të ardhurave.

PPP-të mund ta rrisin borxhin
Teksa qeveria është angazhuar për një projekt investimesh të Partneritetit Publik Privat (PPP), që mund të arrijë deri në 1 miliard euro, Fondi në deklaratën e tij tërheq vëmendjen për rreziqet domethënëse fiskale që përmbajnë këto projekte. Fondi kërkon që ndikimi i këtyre projekteve, ndryshe nga sa veprohet aktualisht, të reflektohet në llogaritë fiskale dhe borxhin publik në mënyrë transparente dhe në linjë me normat ndërkombëtare. Aktualisht qeveria e reflekton borxhin vetëm si detyrim korrent të vitit kur ndodh, ndërsa standardet ndërkombëtare kërkojnë dhe llogaritjen e pjesës së detyrimit të shtetit në totalin e borxhit publik. FMN e ka shprehur me parë se është e rëndësishme që çdo projekt PPP të bëhet transparent, të ketë një analizë të qartë kosto përfitime dhe një analizë të plotë rreziku. Në deklaratën zyrtare FMN vlerëson se borxhi ose detyrimi i mundshëm që vjen nga investimet e financuara nga PPP-të mund të arrijë deri në 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Ky borxh i mundshëm nuk është marrë parasysh nga qeveria, në parashikimin e saj që borxhi publik të zbresë në 63% të PBB-së deri në vitin 2021. “Programi ambicioz i autoriteteve për investime publike nëpërmjet PPP-ve paraqet risqe të konsiderueshme fiskale. Është me rëndësi parësore fuqizimi i zbatimit të kuadrit të PPP-ve dhe fillimi i shfrytëzimit të kompetencave ligjore të zgjeruara rishtazi të Ministrisë së Financave për vlerësimin dhe monitorimin e projekteve PPP. Në dallim nga praktika e tanishme, ndikimi që kanë PPP-të në llogaritë fiskale dhe borxhin publik duhet të reflektohet me transparencë dhe në përputhje me normat ndërkombëtare të kontabilitetit publik”, theksoi misioni. Sipas FMN-së, “forcimi i menaxhimit të investimeve publike bëhet edhe më kritik në kuadër të rritjes së planifikuar të investimeve publike, në veçanti proceset e vlerësimit dhe përzgjedhjes së projekteve, në mënyrë që të pakësohen çuarjet dëm dhe shpërdorimet. Respektimi i programit buxhetor afatmesëm është me rëndësi për uljen e rrezikun e angazhimeve të pafinancuara dhe të detyrimeve të prapambetura. Edhe në kuadrin e shpenzimeve të rritura në buxhetin e vitit 2018, projektet e reja të planifikuara po lënë më pak hapësirë për angazhimet ekzistuese”.
Rriten detyrimet e prapambetura
Ndonëse FMN e ka paralajmëruar vazhdimisht qeverinë që të bënte kujdes për të mos krijuar detyrime të reja të prapambetura, ato janë rritur sërish. Sipas deklaratës, deri në fund të qershorit, qeveria lokale dhe qendrore ka akumuluar detyrime të prapambetura që arrijnë në 1.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, që përfshin 0.3% të PBB-së si TVSH e parimbursuar. Teksa PBB është rreth 1.5 trilionë lekë, në vlerë absolute, detyrimet e prapambetura arrijnë në rreth 16.5 miliardë lekë, ose rreth 120 milionë euro. ” Për të parandaluar krijimin e detyrimeve të prapambetura, autoritetet duhet të përmirësojnë procesin e rimbursimit të TVSH-së, të fuqizojnë masat kontrolluese për angazhimet kontraktuale, sidomos në Ministrinë e Energjetikës dhe Infrastrukturës, të shtrijnë aksesin në sistemin informatik të Thesarit edhe në njësitë e qeverisjes vendore, të regjistrojnë të gjitha angazhimet e pabuxhetuara dhe të regjistrojnë faturat e papaguara”, theksoi FMN.
Jo bashkimit të tatimeve e doganave
FMN thotë në deklaratën zyrtare se plani i deklaruar për bashkimin e tatimeve e doganave duhet të rishikohet, duke pasur parasysh rrezikun e lartë që ky proces mund të ketë në mbledhjen e të ardhurave dhe në reformën që po zbaton administrata tatimore. “Njoftimi për bashkimin e administratave tatimore dhe doganore është mirë të rikonsiderohet edhe një herë, po të kemi parasysh risqet e larta të cenimit të mbledhjes së të ardhurave dhe reformat që po bëhen në administratën tatimore. Më në përgjithësi, riorganizimi i administratës së qeverisjes qendrore është mirë të zbatohet me vëmendje të veçantë tek efekti funksional”, theksoi FMN.
FMN mirëpret taksën e pronës
FMN thekson se nevojiten masa shtesë për të mobilizuar burime për shpenzimet e rritura prioritare në shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë. Efikasiteti tatimor është i ulët në krahasim me vendet fqinje, duke pasqyruar pragje të larta tatimore dhe nivel të ulët të përmbushjes së detyrimeve nga tatimpaguesit. Mbështetja shumë e lartë në tatime të veçanta ka çuar gjithashtu në elasticitet të ulët tatimor në raport me PBB-në. Misioni e mirëpret zbatimin e planifikuar të një tatimi mbi pronën që mbështetet në vlerën e pronës dhe përmirësimin e përmbushjes së detyrimeve tatimore dhe rekomandon masa të tjera shtesë si indeksimi i akcizave sipas inflacionit për të ruajtur vlerën reale, taksën e transferimit të pronësisë si hap tranzitor drejt futjes tatimit të bazuar në vlerën e pronës, akcizat mjedisore dhe zgjerimin e bazës tatimore. Autoritetet nuk duhet të japin më përjashtime të reja tatimore, trajtime preferenciale apo të ulin shkallët tatimore. Struktura e TVSH-së dhe e tatimfitimit për bizneset e vogla duhet të marrë në konsideratë një regjim të thjeshtuar për ta minimizuar barrën për administratën tatimore.
Sigal