Florjan Rojba: Sot ka 39 mijë persona që nuk dëgjojnë, shteti hesht

    752
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet Florjan Rojba, Koordinator i Përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare Shqiptare i Njerëzve që nuk Dëgjojnë

      Edhe pse nuk dëgjon dhe nuk flet ai vazhdon shkollën e lartë për sociologji. Puna e tij si koordinator i shoqatës konsiston në arsimimin e këtij komuniteti. Sipas tij sot ka 39 mijë persona që nuk dëgjojnë ku shkolla e arsimit është shumë e ulët, ku 7 janë me shkollë të mesme dhe dy me shkollë të lartë. Shteti nuk na ndihmon fare. Finlanda apo më mirë të themi Organizata Finlandeze e Personave që nuk Dëgjojnë ka 13 vjet që na ndihmon.

      Cili ka qenë pikësynimi kryesor i kësaj shoqate?

    Kjo Shoqatë u themelua në vitin 2000 dhe ka filluar  të funksionojë si zyrë, me mbështetjen e Organizatës Finlandeze, të njerëzve që nuk dëgjojnë, me fokus kryesor zhvillimin e komunitetit, të njerëzve  që nuk dëgjojnë, fuqizimin e tyre, për të qenë pjesë e barabartë e shoqërisë . Organizata bën një punë serioze për të drejtat e komunitetit tonë, duke  përfshirë edukimin, legjislacionin. Është e rëndësishme që shoqata jonë është e shtrirë në të gjithë Shqipërinë dhe ANAD është e vetmja pikë kontakti e gjithë komunitetit të  njerëzve që nuk dëgjojnë duke i informuar ata herë pas here, për trajnimet, aktivitete e ndryshme, mundësitë e tyre për shkollim, krijimin e mundësive të punësimit, d.m.th ky është fokusi dhe puna e gjithë organizatës. Por baza kryesore e punës sonë është edukimi.

     Sa persona janë përfshirë në këtë shoqatë dhe ku janë më shumë njerëzit që nuk dëgjojnë?

     Në Shqipëri  në bazë të statistikave që ka nxjerrë INSTAT, janë 39 mijë persona që nuk dëgjojnë, dalë nga censusi i vitit  2011. Kjo është një shifër  goxha e madhe pasi ne në fillim mendonin se ishin deri 15 mijë. Ne kemi qenë në çdo qytet të Shqipërisë nëpërmjet aktiviteteve dhe kemi vënë re se përqendrimi më i madh është në Tiranë në Durrës, Fier dhe Shkodër. Këto qytete kanë pjesën më të madhe të personave që nuk dëgjojnë.

     Cilat problemet  kryesore që shqetësojnë këtë komunitet sot?

    Problemi kryesor është edukimi, pra shkollimi. Krijimi i një sistemi arsimor i plotë për të gjithë këtë komunitet, pasi më vonë duke pasur edukimin krijohen dhe mundësitë e  punësimit. Tjetër që na shqetëson, është pasi ne si komunitet jemi shumë të diskriminuar në shoqërinë shqiptare, dhe nuk jemi të integruar. Por mendoj se po të shkollohet ky komunitet, pra të mos kemi një arsimim të dobët dhe të mangët, ahere nuk mund të themi se kemi njerëz të mirinformuar, apo njerëz që janë në punë Në momentin që  ne nuk kemi një legjislacion të plotë, ANAD ne po punojmë për zyrtarizimin e gjuhës së shenjave, sepse kjo  gjuhë nuk njihet nga shteti shqiptar, si gjuhë e komunitetit. Pra ne jemi afërsisht si një minoritet që duhet të kemi gjuhën dhe të drejtat tona. Në faktin që gjuha nuk njihet kjo tregon një problematikë shumë të madhe dhe mendoj se ky është hapi tjetër që ne do të ndërmarrim. Unë jam shumë i kënaqur  që Shqipëria ka nënshkruar dhe ratifikuar Konventën e Personave me aftësi të Kufizuara në nëntor të vitit 2012, në parlament, dhe ky fakt, për këtë nënshkrim, ne jemi në pritje që kur kjo Konventë do të filloj të zbatohet. Dhe kur ky komunitet do të fillojë të marrë shërbimet e tyre. Kështu që ne shpresojmë që të nxitim dhe të shtyjmë shtetin që ta vënë në zbatim këtë Konventë.

     Përse nuk njihet gjuha e shenjave nga shteti shqiptar?

     Ne kemi bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë e Punës dhe të Çështjeve sociale nëpërmjet takimeve të herëpashershme dhe në momentin që u ratifikua Konventa, ne u takuam me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës ( e cila ka njohur gjuhën e shenjave më 2012),  dhe   morëm këtë eksperiencë për ta shtrirë dhe në Shqipëri. Ndërkohë  që është krijuar një grup pune me përfaqësues të Ministrisë ANAD-it, të institucioneve të ndryshme, ku do të flasim dhe do të hartojmë një platformë se si do të njihet  gjuha e shenjave shqipe në Shqipëri, por për efekt të situatave politike ku ministrat dhe zëvendësministrat ndërrohen sa herë ndërrohen partitë, ky proces ka ngelur pezull, por duke mos i shkëputur lidhjet me ministrinë për ti shkuar deri në fund këtij procesi, duke menduar se njohja e gjuhës është problematika më e madhe e këtij komuniteti.

     N.q.s nuk do njihet kjo gjuhë në mënyrë zyrtare çfarë do të fitoni?

    Në rast se do të zyrtarizohet njohja e gjuhës së shenjave ne do të kemi shumë përfitime, pasi kjo gjuhë për shumë  njerëz të komunitetit tonë është luks. Nqs fitohet ky status interpret të gjuhës së shenjave  do të futen ën Universitete apo shkolla që ne të ndjekim arsimin e mesëm apo të lartë, interpret do të futen në spital, pasi tek doktori ai do të jap shpjegime për sëmundjen.  Do të ofrohen shërbime të interpretim në gjykata, sepse ka shumë nga ne kanë shumë procese gjyqësore dhe sorollaten pa një interpret.  Komuniteti jonë do të ketë akses për të marrë informacion nga çdo institucion në Shqipëri si dhe në të njëjtën kohë ne do të kemi përfshirjen e sistemit dy gjuhësor për këtë komunitet.

     Çdo të thotë dy gjuhësor?

    Në momentin që një njeri që dëgjon, edukimi i tij është dy gjuhësor, pra dëgjon dhe shkruan, ndërkohë që për komunitetit tonë do të jetë gjuha e shkruar shqipe dhe gjuha e shenjave, pasi nuk ka dëgjimin.

     Pra 39 mijë në këtë komunitet, sa nuk e dinë gjuhën e shenjave?

    Mund të them  se është një pjesë e konsiderueshme. Shkolla për mësimin e gjuhës së shenjave ka filluar në vitin 1963, ku u hap dhe shkolla e vetme e njerëzve që nuk dëgjojnë. Unë mund të them se sot ka 2 mijë persona që e dinë gjuhën e shenjave, por ka një pjesë nga ne që skano qenë asnjëherë në shkollë dhe kanë mënyrën e tyre të komunikimit. Ndërkohë që ata që kanë shkuar në shkolla, duke qenë se  mësimi në shkollë është bazuar në aspektin oral, dhe nuk  mësohet gjuha e shenjave në shkollë, kjo do të thotë se ata kanë mangësi në komunikim. Shkolla e parë për ne ka 50 vjet që është hapur, funksionin në  specifika, teknika  të vjetra të mësimit rus kështu që është  bazuar në oralizmin dhe nuk e njeh gjuhën e shenjave. P.sh ANAD ka bazë gjuhën e shenjave , zhvillon gjuhën e shenjave, punon  me komunitetit që ata ta mësojnë gjuhën e shenjave dhe kjo është ajo që ne kemi arritur që komunitetit për çdo ditë të edukohet me gjuhën e shenjave. N.q.s do kthehemi vite para do shinim se komuniteti komunikonte me daktilim. Pasi ne kemi botuar fjalorin e parë të gjuhës së  shenjave dhe e shpërndamë në komunitet, trajnuam komunitetin se si mund ta përdorë këtë fjalor, ahere kjo ndikoi tek përdorimi i shenjave.

    Alfabeti daktil çdo të thotë?

    Alfabeti daktil do të thotë ku janë 36 shkronja të alfabetit shqip, ka dhe 36 forma dore për çdo germë alfabeti.

    Nga këta 39 mijë persona që nuk dëgjojnë, mund të na thoni shkallën e arsimimit?

     Pjesa më e madhe është me shkollën 9-vjeçare, shkollën e mesme e kanë ndjekur vetëm 7 persona në 12 vjet, ndërsa në Shqipëri për herë të parë ne jemi dy persona, unë dhe një tjetër ndjekim Universitetin për çështje sociale në Elbasan, të asistuar për herë të parë nga një interpret i gjuhës me shenja ku interpreti mbulohet si financim nga organizata. Ky është problemi më i madh pasi dhe ata që kanë ndjekur shkollën e mesme kanë ndjekur Liceun Artistik, për pikturë, pasi është më i lehtë nuk do shumë komunikim oral por vizuale me shikim. Informacioni që unë Universitet është shumë i mirë, por në shkollat e mesme nuk kanë asnjë interpret me vete, pra mbyll veshët dhe shko në shkollë.

    Ku vazhdohet shkolla 9-vjeçare?

    Në Tiranë është Instituti i personave që nuk dëgjojnë që është i vetmi institucion për këtë komunitet. Ky Institut është tek Medreseja dhe aktualisht ka 130 vetë, kur dihet që kërkesat janë shumë e më shumë herë.

    Pse është kaq i ulët?

    Pasi mungon informacioni i prindërve. Kryesisht mungon informacioni në media që prindërit ta dinë dhe të sjellin fëmijët që nuk dëgjojnë. Kështu që një kategori e këtyre fëmijëve duke pasur të ardhurave familjare shkojnë dhe mësojnë në Greqi apo në Itali. Në komunizëm kjo shkollë ishte e detyrueshme, pasi shkolla 8-vjeçare ishte e detyrueshme, por sot nuk ka akses, sepse s’ka mënyrë organizmi si ahere. Atëkohë shteti jepte informacion për shkollat, për vendet, për kohën, për llojin e shkollës nëpërmjet të gjitha formave të informimit.  Sot prindi mund ta mësoj rastësisht se ka një shkollë të tillë. Atëherë të gjithë nxënësit e këtij komuniteti mësonin që të mbaronin shkollën profesionale dhe zinin punë direkt.

    A e ndjeni ndihmën e shtetit?

    Shteti nuk na ndihmon fare. Finlanda apo më mirë të themi organizata Finlandeze e personave që nuk dëgjojnë ka 13 vjet që na ndihmon. Ndihma e tyre konsiston në njohjen e gjuhës së shenjave, përgatitja e interpretove vullnetarë për të filluar mësimin tek pjesa tjetër që nuk e dinë gjuhën, projekti për të rinte që nuk dëgjojnë, organizmi i pushimeve falas për këtë komunitet, të drejtat e gruas së këtij komuniteti, trajnimi i prindërve të fëmijëve që nuk dëgjojnë që të komunikojnë me fëmijët, projekti i avokatisë për të drejtat tona. Pra ndihma nuk është në ushqime dhe veshmbathje, që nuk ka ndonjë rezultat konkret, por aty ku ne kemi më shumë nevojë dhe që na ndihmon në integrimin në shoqëri.