Flet z. Granit Kurmekaj, drejtor i Paraburgimit Tropojë

    489
    Sigal

    Kurmekaj: Si mësuesi, edhe drejtuesi i qendrave të rehabilitimit kanë një mision, edukimin

    Si mësuesi, edhe drejtuesi i qendrave të rehabilitimit kanë të njëjtin mision, edukimin. Kështu shprehet për “Telegraf” z. Granit Kurmekaj, drejtor i Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve penale (IEVP), Paraburgimit Tropojë. “Nëse mësuesi merret me edukimin e nxënësve, këtu merremi me edukimin e një pjese të shoqërisë që bëjnë gabime në jetë, por nëpërmjet institucionit tonë edukohen, pendohen dhe kthehen në jetën shoqërore të mëparshme” shprehet z. Kurmekaj. Drejtori i Paraburgimit të Tropojës, para se të drejtonte këtë institucion, ka ushtruar prej vitesh atë të mësuesisë. Nga kjo vjen dhe krahasimi i këtyre dy profesioneve nga ana e z. Kurmekaj, edhe pse, për të, janë krejt të ndryshme përsa i përket kontingjentit që edukon. “Unë, pas shkollës së lartë për mësuesi, u specializova edhe në këtë profesion që e kam shumë për zemër, po aq sa profesionin e mësuesit” tregon Kurmekaj. Ndërsa përsa i përket bashkëpunimit me eprorët e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë, ai shprehet se “ata na kanë mbështetur në punën tonë të përditshme me këshillat dhe në raste të veçanta edhe me auditimet financiare dhe të përgjithshme”. Kurmekaj vlerëson shumë dhe përkushtimin e stafit të tij në kryerjen e detyrave delikate dhe ndryshimin e situatës çdo ditë e më frytdhënëse. Ndërsa shumë qendra rehabilitimi kanë rezultuar si të pasigurta, duke parë dhe tentativat për arratisje të të ndaluarve, për Kurmekaj në IEVP Tropojë, as që mund të mendohen veprime të tilla. “Institucioni ynë është ristrukturuar kohët e fundit dhe me një staf të përgatitur e profesional, të ndërgjegjshëm në punën e tyre, as nuk mund të mendohen veprime të tilla. Nuk besoj se ka ndodhur në ndonjë institucion shtetëror që vetë punonjësit të investojnë për mbarëvajtjen e punëve. Kurse këtu tek ne, kohët e fundit, vetë administrata ka investuar nga paga e tyre për të rikonstruktuar kuzhinën, pasi nuk kishte fonde për këtë qëllim”. Kurmekaj e mbyll këtë intervistë duke i bërë thirrje të rinjve tropojanë që “të rikthehen në vendlindje dhe të kontribuojnë për zhvillimin e saj. E për fundi, dua të shpreh vlerësimin tim për gazetën “Telegraf”, që është zëri i së vërtetës e një shkollë e tolerancës dhe mirëkuptimit”.

    Gjon Neçaj