Flet Presidenti i Klubit të Kukësit, Safet Gjici,: E vërteta e ngjarjes dhe shuma e grabitur

460
Sigal

Pas publikimit të lajmit për vjedhjen e makinës, Presidenti i Klubit të Kukësit, Safet Gjici, ka folur për herë të parë duke sqaruar çfarë ka ndodhur.

Në një deklaratë të bërë në faqen zyrtare të klubit të Kukësit, Gjici ka konfirmuar vjedhjen dy ditë më parë në “Rrugën e Kavajës”, por se ai nuk ka qenë vetë në makinë.

Në njoftimin e bërë nga F.K. Kukësi sqarohet se në makinë është vjedhur një çantë me 200 mijë lekë të reja, dokumente dhe një celular.

“Klubi i F.K. Kukësit sqaron të gjithë opinionin publik se lajmet e dala për vjedhjen e makinës së presidentit Safet Gjici janë të pavërteta. Numri një i klubit verilindor nuk ka qenë në makinë në momentin që ka ndodhur ngjarja dhe për më tepër se nuk kemi të bëjmë me vjedhje të mjetit.

Shoferi personal i presidentit, Rrahman Lushaj, ka qenë vetëm në makinë dhe ka ndalur në rrugën e “Kavajës”, për të blerë diçka dhe gabimisht ka lënë makinën hapur. Në këtë moment, duke përfituar nga rasti keqbërësi ka hyrë në makinë dhe ka marrë një çantë që përmbante një shumë prej 200 mijë lekësh të reja, dokumente dhe një celular.

Presidenti Safet Gjici ka qenë duke dhënë një intervistë me gazetarët në ambientet e lokalit të tij, te “Ura e Tabakëve”, në ato momente që ka ndodhur ngjarja. Menjëherë pasi ka marrë vesh lajmin ka urdhëruar që të bëhet  denoncimi në Polici. Tashmë, ngjarja i ka kaluar në llogari organeve përkatëse që po punojnë për kapjen e autorit”, deklaron F.K Kukësi.