FLET PRESIDENTI I DHOMËS EVROPIANE TË TREGTISË

571
Presidenti i Eurochambres: Zbatimin i ligjit dhe korrupsioni pengojnë investitorët e huaj
Sigal

Shqipëria duhet që t’iu japë perspektivë të rinjve për të qëndruar në vend dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit të të gjithë palëve, qeveri, biznes. Ky është theksi që vë Presidenti i Eurochambres, Christoph Leitl, në një intervistë për “Monitor”. Ai nënvizon se komuniteti i biznesit ka nevojë që të forcojë pozicionin e tij në Dhomat e Tregtisë si një lob i rëndësishëm përballë qeverisë me të cilën duhet të punojë për të ecur në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Lidhur me pengesat kyçe që paraqet ekonomia për investitorët e huaj potencialë, ai nënvizon se duhet të punohet në dy aspekte: të zbatohet ligji njëlloj në të gjitha nivelet e pushtetit dhe të luftohet korrupsioni. Sa për sektorët tërheqës që mund të ofrojë Shqipëria, ai nënvizon se janë të shumtë nga turizmi tek energjia e deri te shërbimet sociale dhe ekonomike, apo infrastruktura.

Si fillim, mund të na thoni me dy fjalë si e shihni momentin në të cilin ndodhet Shqipëria aktualisht në aspektin ekonomik dhe politik?

Komisioneri Hahn është një miku im që nga koha e rinisë, që në fillimet tona me organizatën e të rinjve të Evropës dhe ai më ka dhënë edhe disa detaje për Dhomat e Tregtisë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kam parë statistikat dhe në 10 vitet e fundit, tregtia midis këtyre gjashtë vendeve nuk është zhvilluar. Në këtë pikë, lind pyetja si do ta menaxhoni konkurrencën në tregun evropian që është shumë agresiv kur nuk keni mundur të krijoni marrëdhënie më të mira tregtie mes vetë jush. Së dyti, nëse një vend ka prioritete të qarta për të ecur para, do të thotë mes të tjerave përmirësim i aftësive dhe rritje e eksporteve. Ju keni nevojë për Dhoma të forta Tregtie, që janë si ndërmjetës, por ato duhet të përmbushin pritshmëritë që ngrihen ndaj tyre, jo të rrinë në pritje. Duhet të bashkëpunojnë me shtetin për të realizuar qëllimet, ku përfshihet sidomos pjesa e punësimit të të rinjve, perspektiva për këtë grupmoshë, si dhe të zhvillojnë strategji. Kjo është ajo që kërkoj unë në sistemin e Dhomave të Tregtisë që drejtoj.

Ne kemi një rënie dramatike të numrit të popullsisë dhe kjo hemorragji është kryesisht tek të rinjtë që po emigrojnë. Keni informacion për këtë?

Po e di dhe e kam parë. Por, shihni Serbinë. Është një shembull. Zoti Vuçic, para ca vitesh më thoshte se do ta shfuqizojë dhomën, sepse nuk po bëjnë asgjë. I thashë – OK, Zoti Vuçiç, por provojeni në anën tjetër. Thoni, se cilat janë prioritetet tuaja. Ndërtoni një dhomë të fuqishme, thoni kërkesat tuaja dhe jepini pak kohë. Ishte një ide që ai ra dakord dhe tashmë po ecin shumë mirë. Mendoj se edhe politika duhet të ecë e bashkuar. Këtu mund të marr si shembull Austrinë kur ne vendosëm dhe shprehëm dëshirën tonë për t’ju bashkuar BE-së gjithë forcat politike, bënë një punë të shkëlqyer, konservatorët dhe socialistët punuan bashkë. Kjo ishte unanime dhe u lakua që ishte për të mirën e përbashkët.,Si vend i vogël ne na u desh të bashkonim forcat dhe jo të ndaheshim. Pak rëndësi kanë kundërshtitë në këtë mes, kjo ishte diçka që duhej bërë së bashku sepse ishte e ardhmja e vendit dhe e të rinjve, kjo është ajo që presin njerëzit nga politika. Të ardhme më të mirë. Të rinjtë në Shqipëri kanë nevojë për një të ardhme më të mirë këtu, jo jashtë saj. Ndaj them që perspektiva për 2020-2025 është reale, nëse secili nga vendet përpiqet aq sa duhet. Kjo do të thotë përpjekje në dy dimensione. I pari, është zbatimi i ligjit, kombinimi i disa niveleve që nga pushteti vendor, te rajonali dhe më pas edhe kombëtari. Duhet të zbatojnë një standard të ligjit, çka i jep investitorëve siguri, besim. Besimi është fjala kyçe për mundësi të reja investimi. E dyta është jo korrupsion. Korrupsioni është helm për shoqërinë dhe për çdo sistem ekonomik. Duhet tregti e ndershme, ligje të qarta dhe konkurrencë e drejtë.

Cili është opinioni që hasni më shpesh nga dhomat e tregtisë të BE për Shqipërinë, flasim këtu për aspektet pozitive, por edhe për atë që ata e shohin si negative?

Unë vij nga një vend i vogël. Austria është një vend i vogël ashtu sikurse Shqipëria. Keni një bazë të mirë mbi të cilën mund të ndërtoni. Kjo është sfida për qeverinë, sistemin politik dhe përfaqësuesit, përfshirë dhomat. Po ju kërkoj dhomave që të shohin se çfarë mund të përmbushin. Ato duhet të përmbushin detyrimin e orientimit të vendit drejt Evropës, një gjë që duhet ta bëjnë të gjithë, sepse vetëm kështu mund të arrihet objektivi i 2025. Më pas ju duhet të bëni një plan biznesi për këtë hap dhe duhet të merrni masat për t’i realizuar ato. Për secilin vit duhet të ketë objektiva të qarta si për 2019, 2020, 2021 e me radhë.

Çfarë shohin bizneset si pengesë në vend, sipas jush?

Ato që thashë, zbatimin e ligjit dhe korrupsionin. Investitorët kërkojnë njerëz të motivuar dhe Shqipëria shihet si një vend që ka njerëz të motivuar, por ju duhen edhe aspekte të tjera që lidhen me ndërtimin e aftësive. Duhet arsimimi dhe në vendin tim apo në Gjermani, zgjidhja ka qenë edukimi i dyfishtë (dual education – është një sistem që kombinon teorinë në shkolla me praktikë konkrete pranë kompanive). Po kështu, vepron dhe Zvicra apo Holanda. Pra një kombinim i shkollës dhe edukimit profesional. Të rinjtë kanë nevojë për këtë pjesë, sepse ata marrin njohuritë e duhura kur hyjnë në kompani, pasi kanë mësuar këtë, bëjnë testin dhe gjasat janë që qëndrojnë brenda kompanive, nëse kanë dalë shumë mirë. Serbia, për shembull, po e bën këtë dhe më 1 janari nis aplikimi i këtij sistemi. Janë përgatitur dhe do të zbatohet dhe në këtë pjesë Austria ka qenë mbështetësja kryesore me të gjithë ekspertizën e nevojshme. Vende të tjera që duan që të implementojnë këtë dhe kërkojnë ndihmë nuk do t’ju refuzohet. Ne jemi shumë në favor të Shqipërisë, sepse dimë të gjithë vështirësitë që ka pasur nga historia dhe dimë që pritshmëritë për të ardhmen nga të rinjtë janë të mëdha. Ka pasur disa programe edhe për të rinjtë nga Bashkimi Evropian apo siç është Erasmus, për të cilin buxheti është dyfishuar. Këto programe ndikojnë edhe në aftësitë profesionale pasi nuk përfshihen vetëm studentët. Shqipëria duhet të përfitojë nga këto, sepse në thelb Bashkimi Europian udhëhiqet nga solidariteti. Po jetojmë në kohën e egoizmit, rinacionalizimit. Marine le Pen thotë se e ardhmja është nacionalizimi. Kjo është diçka e çmendur. Është harruar e kaluara dhe po kërkohet të përsëritet historia. Evropa është një ide e solidaritetit dhe bashkëpunimit dhe gjithçka funksionon si në familje. Fëmijët më të mëdhenj ndihmojnë ata më të vegjlit dhe kështu funksionon.

Cilët janë sektorët që shihen si potencial në Shqipëri nga ana e investitorëve?

Sektorët janë të shumtë. Ju për shembull keni vënë theksin së fundmi te turizmi por është edhe energjia nga hidrocentralet, ajo nga dielli apo biomasa, infrastruktura, shërbimet sociale dhe shërbimet ekonomike. Investitorët e interesuar janë të profileve të ndryshme dhe Shqipëria mund të përfitojë nga të gjitha llojet e investimeve, gjithmonë nëse arrin të rregullojë mjedisin sipas asaj që thamë më parë për korrupsionin dhe ligjin. Siguria rrit besimin dhe ky i fundit u jep shtytje angazhimeve të reja. Vitin e kaluar kishim një draft-ligj për dhomat që u diskutua shumë por edhe kundërshtua shumë. Si mund të forcohet një dhomë për të qëndruar përballë qeverisë si e pavarur dhe për t’u marrë në konsideratë për propozime të caktuara. Duhet të kemi parasysh që gjithmonë pjesa e komisioneve që duhet të paguhen në këto dhoma janë të diskutueshme, por kontributi është i nevojshëm. Është e njëjta gjë si në Bashkimin Evropian. Disa vende janë kontribuuese neto dhe të tjerët përfitues neto. Pra balancojnë njëri-tjetrin. Nëse komuniteti i biznesit kërkon të jetë i fortë ka nevojë për solidaritetin dhe nuk duhet të vërë në diskutim sa do kontribuojë, por të pyesë se cili do të jetë përfitimi nga ky kontribut. Pavarësia e këtij komuniteti nga qeveria sigurohet edhe duke qenë të fuqishëm financiarisht, ndërkohë që me qeverinë do të jetë bashkëpunues për të përmbushur objektivat e përbashkëta.

Nuk e di nëse keni një mesazh të fundit për politikën dhe biznesin në vend?

Jepuni të rinjve një perspektivë jete. Jepuni edhe një perspektivë emocionale. Thojini që Shqipëria është në një rrugë të drejtë dhe, nëse bashkohen forcat do të arrijë qëllimin e saj. monitor