Flasin mjeku kardiolog Astrit Leka dhe pacientët: Ja e vërteta e Spitalit të Librazhdit

    476
    Sigal

    Ajo që po ndodh me spitalet tona muajt e fundit, duket se ka vënë në rrezik ekzistencën e këtyre institucioneve dhe shërbimin mjekësor. Mungesa e kushteve më elementare në kohën e dimrit si ngrohja, apo edhe mungesa e ilaçeve në Urgjencë, Pediatri, Kardiologji, Maternitet etj., ka krijuar një klimë terrori për pacientët dhe mjekët. Duke u ndalur në Spitalin e Librazhdit, ne kemi konstatuar se situata atje mbetet e rëndë, pasi veç mungesës së ngrohjes, ilaçeve dhe kushteve të mjekimit dhe kurimit të pacientëve, mungon edhe mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i drejtorit Kujtim Albrahimi me stafin e tij mjekësor. Kjo pasi, janë mjekët e këtij spitali që kundërshtojnë metodat e drejtimit të këtij institucioni dhe raportet e krijuara mes tyre dhe drejtorit. Gazeta “Telegraf”, duke marrë shkas nga reagimet dhe denoncimet e pacientëve të këtij spitali; si shtetases së sëmurë nga zemra dhe e operuar me dy valvola, zonjës Bukurie Miska, apo pacientit tjetër Ibrahim Daka e Ferit Hajdari, e ndjen detyrim moral dhe qytetar të sensibilizojë opinionin publik. Në Spitalin e Librazhdit, prej disa muajsh mungon sistemi i ngrohjes, duke rrezikuar seriozisht jetën e dhjetëra pacientëve të shtruar me problemet e zemrës dhe atyre kronikë dhe kjo ndodh, së fundi, edhe pas urdhrit skandaloz “për të fikur dritat natën”. Në Spitalin e Librazhdit prej 1 viti mungon aparati që u shërben pacientëve të sëmurë nga zemra për të bërë shiritin dhe përcaktuar diagnozën e saktë. I pyetur për “Telegraf”, mjeku i njohur kardiolog Astrit Leka tha se “në spitalin tonë realisht nuk ka kushte për të sëmurët, pra, nuk ka ngrohje, pleq e plaka të sëmurë po ngrohen me kapuça dhe batanije të marra, edhe nga shtëpia. Kjo ndodh, kur në zyra 6 kondicionerë punojnë ditën dhe natën pa pushim. Në spitalin tonë nuk ka prej muajsh analapril, atenolol dhe ilaçe të tjera shumë të rëndësishme për të sëmurët kronikë të zemrës. Unë para 3-4 netësh jam gjendur në një situatë të jashtëzakonshme kur u ndesha me një urgjencë e cila ndoshta mund të kishte pasoja fatale për jetën e atij pacienti, kjo, pasi nuk kishte në spital një kokërr analapril dhe kjo gjendje duhet të ngrejë në këmbë drejtorinë dhe dikasterin. Po flitet për testimin e mjekëve, por, në radhë të parë, në testim duhen marrë drejtuesit e spitaleve dhe jo ne, që kemi 40 vjet që punojmë ditën dhe natën”. Mjeku kardiolog Astrit Leka ka vënë theksin në nevojën urgjente të pajisjes së Spitalit të Librazhdit me sistemin e ngrohjes dhe furnizimin me ilaçe dhe vendosjen e pajisjeve e aparaturave sa më parë, pasi gjithçka po rrezikon jetën e qytetarëve. Zoti Leka tha se “në shkrimin e botuar tek “Telegraf” gjithçka ishte reale, gjithçka ishte e vërtetë, ju kishin shkruar fakte të cilat ndoshta vetëm drejtorin e këtij institucioni nuk shqetësojnë shumë, pasi atij ka kohë që i mungon dialogu, bashkëpunimi me stafin tonë, gjë e cila po e degradon dhe shkatërron shërbimin spitalor tek ne”. Por, ashtu si mjeku kardiolog, edhe pacientët dhe të afërmit e tyre shprehën indinjatën për kushtet skandaloze në Spitalin e Librazhdit, por edhe për sjelljet brutale të drejtorit Albrahimi. Vetëm tre netë më parë, drejtori i këtij spitali ka thirrur në ora 23.00 një mbledhje me stafin e mjekëve dhe infermiereve, duke krijuar situata aspak serioze për një institucion shtetëror. Reagimet e pacientëve dhe familjarëve të tyre, pas urdhrit të drejtorit për “fikjen e dritave në të gjitha pavionet e dhomat e mbushura plot të spitalit”, kanë qenë të ashpra, madje duke kaluar edhe në konfrontime fizike. Kjo ka detyruar mjekët të ndajnë sherret në korridore dhe t’u vijnë në ndihmë pacientëve me gjithçka mundeshin. Situata në Spitalin e Librazhdit, mbetet një këmbanë alarmi që vetëm Ministria e Shëndetësisë nuk po e dëgjon dhe nuk po e shikon. Mungesa e kushteve dhe ilaçeve e ka kthyer atë spital në han pa porta, ku vetëm shërbim mjekësor nuk bëhet, duke të kujtuar Mesjetën.

    Ben Delimeta