Flamurtari “ul flamurin” në Vlorë, Skënderbeu fitore me aromë kryesuesi

570
Sigal

Nga Agron KAJA

FLAMURTARI-SKËNDERBEU / Dje u luajt sfida e fundit e javës së katërt e Superiore, nuk ka festë në kampin vlonjat

Ndoshta ishte paralajmëruar në deklarata, apo edhe në rrjetet sociale, se trajneri Orges Shehi i Skënderbeut do ta fitonte sfidën me Ilir Dajën e Flamurtarit. Dhe kështu ndodhi mbrëmë në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës, ku vendasit ishin të pafuqishëm e të pasaktë në shënim e golit. Kjo ishte ndeshja e fundit e javës së katërt të Kategorisë Superiore, ku Skënderbeu e mbylli me tri pikë, por që kanë aromën e kryesimit. Dhe realisht dje kampionët e Skënderbeut dhuruan spektakël në këtë kryendeshje, një fitore madhështore për skuadrën e Orges Shehit. Golat e Krasniqit dhe Oto Xhon i siguruan triumfin korçarëve, që e shohim veten në vendin e parë me 10 pikë, ndërsa për Flamurtarin kjo ishte humbja e parë në në këtë kampionat. Në tërësinë e saj, loja ishte më tepër e luftuar në mesfushë dhe pa shumë raste shënimi, ndërsa Skënderbeut i mjaftuan ato dy “pak” raste që të arrinte këtë fitore të madhe në këtë start të Superiores 2018-2019. Pjesa e parë ishte e vakët dhe pa shumë raste për të dyja skuadrat, por veçohet vetëm goditja e Bushiç, pak sekonda para përfundimit të pjesës së parë. Ndërsa në pjesën e dytë, skuadrat nisën që të kërkonin më shumë drejt portave respektive, por me korçarët ishin më kërkues dhe kishin më shumë guxim në aksionet e tyre. Dhe në minutën e 74-t, pas kryerjes së një goditje dënimi, Krasniqi ishte vigjilent dhe shfrytëzoi maksimalisht një top që mbeti në zonën vlonjate. Avantazhi i dha krahë Skënderbeut, ndërsa Flamurtari mbeti në atë situatë, lojë pa rrezik në portën korçare, ku edhe zëvendësimet që bëri trajneri Daja, kryesisht me futjen në fushë të sulmuesit Danilo Alvesh, nuk mundësuan golin. Ndryshe ndodhi me zëvendësuesin te Skënderbeu, Oto Xhon, të cilit vetëm 9 minuta i mjaftuan që të shënonte golin e parë të tij me fanellën e Skënderbeut, dhe avantazhin e kësaj sfide. Flamurtarit nuk i mjaftoi rikthimi i Torasës, apo aktivizimi i Alveshit, dhe mbetet në kuotën e 7 pikëve, baras me Kukësin e Partizanin. Skënderbeu shkëputet i vetëm në krye të klasifikimit me 10 pikë, e në ndeshjen e radhës Skënderbeu do të ketë një ndeshje të lehtë në letër, me Tiranën në Korçë. Ndërsa Flamurtari do të luajë në “Selman Stërmasi” kundër Partizanit.

E hënë 17 shtator 2018, ora 19:45 në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës, ndeshja e javës së 4-t në Superiore

FLAMURTARI-SKËNDERBEU 0-2

Shënues: / Krasniqi 74’, Oto Xhon 87’

Flamurtari: Koliçi, Siljanovski, Sirgi, Pollozhani (Veliu 83’), Kotobelli, Deliaj, Batha, Husein (Mustafa 69’), Torasa, Musta (Alvesh 66’), Bushiç. Trajner: Ilir Daja

Skënderbeu: Teqja, Vangjeli, Radas, Sambou, Aliti, Dita (Demte 61′), Muzaka (Fili 89’), Lulaj, Gripshi, Bregu, Krasniqi (Oto Xhon 78’). Trajner: Orges Shehi

Gjyqtarët: Kryesor-Andi Koçi; Asistentë- Denis Rexha e Herald Lisaku; Zyrtar i katërt-Fatmir Lamaj; Pas porte-Orlando Kuka dhe Klodian Shahini

Delegat: Alban Tafaj; Vëzhgues: Sazan Velçani

Kartonët: KV Kotobelli, / Dita, Gripshi

Bilanci ndër vite

Flamurtari-Skënderbeu

Ndeshje: 134

Flamurtari fitore: 49

Barazime: 33

Skënderbeu fitore: 52

Golavarazhi: 160:119

 

MINUTAT E GOLAVE

74’ GOL 0-1/ Pas një rrëmuje në zonën e Flamurtarit, Krasniqi përfiton nga kjo situatë dhe pranë portës vlonjate nuk gabon me gjuajtjen e tij. Skënderbeu kalon në avantazh.

87’ GOL 0-2/ Skënderbeu e thellon avantazhin në 0-2. Pas 9 minutave në fushë, Oto Xhon shënon golin e dytë, pas një gabimi të mbrojtësit Veliu, brenda zonës nuk fal.

 

Minuta e revoltës

Në minutën e 50-të, tifozët vlonjatë kanë hedhur sende të forta në fushë, të shoqëruara edhe me sharje në kor ndaj korçarëve. Objekt ishte mbrojtësi Vangjeli i Skënderbeut, e për pasojë loja u ndërpre për disa minuta.

 

Rezultatet-Java e katërt

Ndeshjet-Java e katërt

Datë 15 shtator 2018

Kamza-Kastrioti          2-0

Teuta-Kukësi               0-1

Datë 16 shtator 2918

Laçi-Partizani              0-0

Tirana-Luftëtari           3-1

Dje, 17 shtator 2018

Flamurtari-Skënderbe 0-2

RENDITJA

Skuadrat        Nd       P

  1. Skënderbeu 4 10
  2. Kukësi 4 7
  3. Flamurtari 4 7
  4. Partizani 4 7
  5. Kamza 4 6
  6. Laçi 4 6
  7. Teuta 4 5
  8. Tirana 4 4
  9. Kastrioti 4 3
  10. Lufëtari 4 0