Flamur Tartari/ Mjeku, pacienti dhe shteti…

    461
    Që në kohë të lashta njerëzit janë përpjekur të lehtësonin vuajtjet nga plagë ose sëmundje të ndryshme. Por arti i Mjekimit lindi atëherë kur njerëzit filluan të ndihmonin njeri tjetrin. Ky art me zhvillimin e mendjes së njeriut dhe të shoqërisë, njëkohësisht, u shndërrua në shkence mjekësore. Që në këto kohë filluan marrëdhëniet midis njerëzve dashamirës, që e quanin veten mjekë dhe njerëzve që vuanin dhe, me të drejte kishin nevojë të ndihmoheshin prej të parëve. Kështu lindën marrëdhëniet midis mjekut dhe pacientit. Duke u bazuar në këtë përvojë të madhe të shoqërisë njerëzore për të ndihmuar të sëmurin, edhe babai i mjekësisë botërore, Hipokrati shkroi testamentin e madh human, dhe shumë kuptimplotë për këta njerëz të devotshëm, Betimin e Hipokratit. Ky betim është aktual edhe sot në të gjithë botën. Me mbarimin e studimeve dhe diplomimin çdo mjek e ri e bën këtë betim të trashëguar mijëra vjet brez pas brezi. Është detyrë e çdo mjeku apo personeli mjekësor t’i zbatojë me rigorozitet thëniet magjike të Hipokratit. Në qoftë se kjo armatë e madhe e zbaton me fanatizëm këtë betim atëherë mjekët mund të quhen me të drejtë njerëz të humanizmit dhe të dashurisë njerëzore. Unë e shoh të nevojshme ta citoj këtë betim, që edhe njerëzit e thjeshtë, edhe pacientët e sëmurë përveç personelit mjekësor që e bëjnë pas mbarimit të studimeve, të kenë njohuri mbi të drejtat morale të mjekut ndaj të sëmurit, gjatë ushtrimit të profesionit. Po ju jap formulimin më të kuptueshëm, atë të Gjenevës të vitit 1948, për Betimin e Hipokratit, që është aprovuar nga OMSi (Organizata e Shëndetësisë Botërore), dhe më poshtë atë origjinal, të vjetrin…
    “Me të hyrë në radhët e anëtarëve të profesionit mjekësor betohem solemnisht:
    -Se jetën time do ta vë në shërbim të popullit.
    -Për mësuesit e mi do të kem gjithmonë mirënjohje e respekt të merituar.
    -Detyrën time do ta ushtroj me ndërgjegje e dinjitet.
    -Përkushtimi im më i madhi do të jetë shëndeti i pacientit tim.
    -Do ti ruaj fshehtësinë e atij që më beson.
    -Do ta ruaj nderin dhe traditën fisnike të profesionit mjekësor me tërë fuqinë që kam.
    -Kolegët e mi do t’i kem vëllezër.
    -Në punën time me të sëmurët nuk do të ndikojnë kurrfarë paragjykimesh fetare, kombëtare, racore, politike ose klasore.
    -Jetën e njeriut do ta respektoj, absolutisht, që nga zanafilla e saj.
    -Nuk do të lejoj as në rrethana kërcënimi që dija ime mjekësore të përdoret në kundërshtim me ligjet e humanitetit.
    -Këtë besim e jap solemnisht dhe me vullnet, duke u mbështetur në nderin tim.

    Betimi i vjetër Hipokratit
    Betohem për Apollin mjek, për Asklepin përmbi Igenë e Panaçenë, e mbi të gjithë zotat e tjerë, duke i thirrur si dëshmitarë, se do t’ia mbaj besën me të gjithë forcat e mia e me të gjithë dijen time këtij betimi të shkruajtur.
    Atë që ma mësoi këtë art do ta mbaj posi prindin tim dhe pasurinë time nuk do t’ia kursej kur të gjendet në nevojë; edhe trashëgimtarët e tij do t’i shoh si vëllezërit e mi e do t’u mësoj atyre këtë art me fjalë e me të shkruar, ashtu edhe çdo dije, sikur të ishin fëmijët tanë, ose sipas kanunit të mjekëve edhe gjithë atyre që nënshkruajnë dhe e mbajnë këtë betim dhe askujt tjetër. Do të përpiqem sa të mundem të ndihmoj të sëmurët me të gjitha forcat e mia e dijen time dhe as kurrë nuk do të bëj ndonjë dëm ose padrejtësi. Nuk do t’i jap askujt ndonjë bar (ilaç) që jep vdekje, edhe sikur ta kërkojë vetë dhe kurrë nuk do të këshilloj këtë gjë, gjithashtu, kurrë nuk do t’u jap grave mjete që shkaktojnë abort.
    Kam për të ruajtur të pastër e të shenjtë jetën time dhe artin tim.
    Nuk kam për të operuar ndonjë që vuan nga “mal di pietra” por do t’ua lëshoj vendin atyre që dinë e janë ekspertë.
    Tek të gjitha shtëpitë ku do të hyj do të përpiqem të ndihmoj vetëm duke u ruajtur që të mos u shkaktoj me vullnetin tim ndonjë dëm ose padrejtësi dhe do të ruhem sidomos nga çdo akt i turpshëm me femrat o me burrat e lirë apo skllevër.
    Dhe çfarëdo që të shoh ose të dëgjoj, gjatë ushtrimit të artit tim ose jashtë tij, si me burra ashtu edhe me gra, do ta mbaj sekret të shenjtë që të mos përhapet asnjë fjalë e keqe rreth tyre.
    Pra, nëse do t’i rri gjithmonë besnik këtij betimi pa e shkelur asnjëherë, pres të kem mirësi e ngushtime si në jetë ashtu edhe në artin tim duke qenë i nderuar dhe faqebardhë nga të gjithë.
    Por, në rast se e shkel këtë betim, turpi të më mbulojë.

    Ndërgjegje
    Duke e ngulitur thellë në ndërgjegje mjeku dhe personeli shëndetësor duhet ta zbatojnë pa asnjë hezitim këtë betim. Kjo detyrë për çdo mjek është sa e vështirë por edhe shumë e dashur për ata njerëz që e adhurojnë dhe e dashurojnë profesionin e tyre atë të mjekut. Gjithashtu në marrëdhëniet mjek-pacient është domosdoshmëri të njihet nga shoqëria se sa i vështirë është ky profesion. Prandaj duke qenë mjek prej 47 vitesh, (një jetë e tërë më djersë, sakrifica, mund dhe përkushtim si të shumtët mjekë sot), jam i detyruar të flas diçka për mjekun, punën e tij dhe këto marrëdhënie, që prej shumë vitesh e deri në ditët tona. Pa dyshim në qoftë se më lejohet me përvojën timen prej 49 vitesh si mjek kirurg fillimisht në Durrës dhe më vonë 46 vjet në Tiranë, unë dua të citoj disa raste edhe nga jeta jonë e praktikës mjekësore në vendin tonë në vite…
    Tashmë dihet se plejada e mjekëve dhe e personelit mjekësor shëndetësor shqiptar duke punuar me vetëmohim, ndërgjegje në punë, me humanizëm, ndërgjegje të lartë dhe sakrifica të mëdha brez pas brezi, kanë bërë të mundur ruajtjen e identitetit të Kombit Shqiptar… Kjo nuk duhet harruar asnjëherë dhe prandaj mendoj, që duhet respektuar gjithmonë. Mjeku siç ka qenë në vite, është dhe do të jetë në traditën e çdo shqiptari… Dua të theksoj se është shumë e vështirë të bëhesh dhe të jesh mjek, humanist, për t’i shërbyer me ndërgjegje të madhe njeriut dhe shoqërisë njerëzore, pa menduar për ndonjë përfitim material jo legal. Historia mjekësore na njeh shumë raste të humanizmit mjekësor njerëzor të mjekeve dhe personelit mjekësor që nuk mungojnë edhe për Shqipërinë por unë dua të citoj dhe të kujtoj vetëm disa të tilla si më poshtë, sepse disa edhe i kam përjetuar vetë gjatë ushtrimit të profesionit të mjekut dhe prandaj këto raste, janë më se të vërteta. Raste të tilla, që e ngrejnë shumë më lart figurën e mjekut dhe jo si mendohet sot për disa njerëz që nuk e jetojnë dhe nuk e mendojnë se ç’është mjeku apo personeli mjekësor por mjaftohen të japin mendimet për raste spontane subjektive, që nuk e vërtetojnë punën shekullore të mjekëve dhe që për mua ata se bashku me personelin mjekësor kanë zbatuar me parimin humanist me moral të lartë: “Në emër të jetës dhe kanë bërë të mundur në vite të ruajnë brez pas brezi identitetin e kombit tonë…
    Historikisht, në çdo familje shqiptare, mjeku ka qenë dhe është njeriu më i respektuar, sa që me të drejtë populli thotë se: pas nënës, mjeku zë një vend me rëndësi. Dhe sot, me organizimin e ri shëndetësor në vendin tonë, shumë rëndësi dhe vlerë duhet të ketë mjeku i familjes. Mjeku me shpirt të madh e zbukuron veten, ndërsa një mjek me shpirt të vogël e shëmton figurën e tij.
    Në historinë e mjekësisë botërore dhe atë të vendit tonë ka shumë raste që flasin për veprat madhore humane të mjekeve dhe të personelit mjekësor, të cilët kanë bërë dhe bëjnë të mundur të triumfojnë mbi vdekjen duke shëruar shumë paciente. Një shembull të qartë është shkruar këto muajt e fundit shkurt edhe nga mjeku i shquar durrsak dr. Ali Sula në librin e tij të fundit me titull “Vështrim Historik mbi Shëndetësinë dhe Spitalin e Durrësit shek. XX, për mjekun e shquar kardiolog durrsak Dr. Beniamin Cetën ku ndër të tjera Dr. Aliu citon :”Dr. Beniamin Ceta, kardiollogu i parë i Durrësit dhe mjeku i ri që fitoj shpejt vlerësim dhe besim për aftësinë dhe intuitën klinike. Modest gjithmonë, i gatshëm brenda dhe jashtë spitalit në kërkesat dhe urgjencat e specialitetit të tij. Falë natyrës së cilët dhe dashamirëse, pacienti gjente tek ai Mjekun dhe Mikun… . “ Pra sa domethënëse janë këto pak fjalë për te por shumë të vërteta dhe kuptim plotë, ky pra duhet të jetë portreti i mjekut në vendin tonë edhe sot në shek. XXI… Kemi dhe shume raste të tjera, që flasin për sakrifica të mëdha të cilëve u kanë kushtuar edhe jetën. këto raste janë mesazhe sidomos për brezat e ardhshëm të mjekësisë sonë dhe më pas duhet të mendojmë se këta njerëz e kanë kryer dhe zbatuar me nder betimin e Hipokratit…
    Shumë të freskëta i kemi rastet e mjekëve të Spitalit të Tiranës, që shkuan për të shpëtuar në Himarë, studentët e aksidentuar. Ato u nisën në një kohë shumë të keqe atmosferike, pa marrë parasysh rrezikun. Ata ia arritën qëllimit për të triumfuar mbi vdekjen, por, në kthim të dy helikopterët, së bashku me mjekët dhe personelin shoqërues u rrezuan dhe humbën jetën. Po ashtu disa vite më vonë edhe helikopteri qeveritar me mjekun reanimator A. Baloj u rrëzua në detin Adriatik duke shkuar në Itali për të shpëtuar jetën e një pacienti etj… a ka sakrificë të madhe se kjo? Pra njerëzit duhet ta njohin mirë dhe ta respektojnë mjekun dhe punën e tij të palodhshme, me strese tërë jetën, por edhe në të njëjtën mënyrë edhe mjeku duhet të mendojë mirë për marrëdhëniet normale që duhet të ketë me pacientin, i cili gjithmonë ka të drejtë, se është i sëmurë dhe kërkon ndihmë prej tij për tu shëruar. Pra disa parime bazë të mjekësisë sonë duhet të gërshetohen gjatë jetës së përditshme në punën mjekut, sidomos në marrëdhëniet mjek pacient. Mjeku gjithmonë duhet të mendojë, si problem kryesor të tij, kujdesin për pacientin, ta trajtojë atë me përparësi. Ai duhet që gjithmonë të respektojë dinjitetin dhe intimitetin me pacientin, ta dëgjojë atë pa u mërzitur dhe të jetë i gatshëm në çdo kohë për ta ndihmuar kur ai ka nevojë. (pra të biem në një konsensus bashkë për çdo veprim që bëhet), kjo është thelbësore në çdo moment dhe kohë që këto marrëdhënie… mjek -pacient të jenë normale.
    Mjeku, gjatë ushtrimit të profesionit duhet të njohë dhe të zbatojë me rigorozitet etikën mjekësore, e cila është gjëja më e domosdoshme në marrëdhëniet mjek-mjek dhe mjek-pacient. Pa te s’ka moral në mjekësi, sepse etika mjekësore i ka bazat në Moralin Njerëzor. Mjekësia ka qenë dhe do të jetë një ndërmarrje morale sipas (Pellegrinos), sepse Morali është kujdes, pasion dhe përgjegjësi ndaj një personi tjetër. Por për mendimin tim, një rëndësi të veçantë ka edhe sjellja dhe puna me ndërgjegje e personelit mjekësor, i cili ka treguar në vite që edhe unë në këtë libër të parë për Durrësin, Kavajën dhe Shijakun kam paraqitur disa të tillë por në të vërtete janë me qindra që kanë punuar dhe punojnë me ndërgjegje dhe me punë të vazhdueshme bënë të mundur që edhe pacientet duhet gjithmonë t’i respektojnë ata si dhe mjekun kurues. Kështu forcohen dhe gërshetohen shumë marrëdhëniet midis të sëmurit, infermiereve dhe mjekut. Ky është dhe duhet të jetë morali në këtë bashkëpunimin, i cili përbën thelbin e etikës mjekësore.

    Morali mjekësor 
    Morali mjekësor bazohet në rregullat e përcaktuara mirë në etikën mjekësore. Nuk duhet të harrojmë se asnjë njeri nuk lind i moralshëm dhe nuk është asnjëherë plotësisht i moralshëm gjatë jetës së tij. Ky moral duhet kultivuar me kujdes në çdo individ duke ndjekur mënyra nga më të ndryshmet. Morali profesional mjekësor është bazuar mbi të drejtën, pra mbi të drejtat e njeriut dhe, në rastin tonë, është thelbi i mbarëvajtjes, i suksesit, i cili të çon në qëllimin final, në shërimin e pacientit.
    Mjeku duhet të respektojë gjithmonë të drejtën e pacientit për marrjen e vendimeve përsa i përket kujdesit shëndetësor, në lidhje me te ose me ndonjë të afërt, i cili është i sëmurë.
    Është e drejta e pacientit që të informohet mbi sëmundjen e tij. Po ashtu është edhe e drejta e mjekut, i cili pa u lodhur, me durim, me dashamirësi dhe kujdes ta qetësojë dhe ta bindi të sëmurin për t’u kuruar siç duhet, në bazë të të dhënave shkencore, duke i shpjeguar edhe përvojën e tij në mjekësi. Gjithashtu mjeku duhet ta bindi, me një psikologji të lartë të sëmurin, duke i folur me ëmbëlsi dhe në buzët e tij të shprehet gjithmonë buzëqeshja që janë për mendimin tim thelbësore dhe shumë bindëse në trurin e pacientit që ai t’ja bëjë vetes të qartë, se do të shërohet shpejt. Sa bukur shkruan në librin e tij “Pavioni i kancerozeve”, libër, i cili ka fituar çmimin Nobël, shkrimtari i madh rus Sozellnicini, ku ndër të tjera ve përballe personazhe, tipa të ndryshëm me sëmundjen e rrezikshme, që kërkon mjekim, durim dhe kurajo të madhe. Vetë dialogët apo marrëdhëniet midis mjekut dhe pacientëve shtjellojnë qartë se si duhet të jenë dhe çfarë detyre delikate kanë mjekët. Asnjëherë këto marrëdhënie nuk duhet të prishen, sepse kanë të bëjnë me jetën e njeriut. Pra shumë e rëndësishme është, që mjeku në drejtim të pacientit duhet të veprojë me guxim për të luftuar sëmundjen dhe për ta shëruar atë. Ai asnjëherë nuk duhet të paragjykojë mbi pacientin. në rastet kur nuk është në gjendje të konkludojë mbi vendosjen e një diagnoze të saktë, detyrimisht duhet të kërkojë ndihmën e kolegëve pa hezitim, vetëm në dobi të shëndetit të pacientit. Atëherë ai realizon një pjesë të betimit të tij me ndërgjegje të plotë. Mjeku gjithmonë gjatë ushtrimit të profesionit duhet të jetë largpamës i thjeshtë dhe asnjëherë fodull mendjemadh se sot asnjë mjek nuk i di të gjitha gjithmonë… Për te është më mirë të shpëtojë të sëmurët me ndihmën e të tjerëve duke bërë konsulta të ndryshme, sesa të fshehë të vërtetën, sepse e dyta do të ishte fatale për te dhe për pacientin. ai asnjëherë nuk do të quhej mjek me veprime të dëmshme për pacientët…
    Të gjitha këto hyjnë në etikën e të sëmurit dhe në moralin e një mjeku. Kështu duhet të punohet me një moral të shëndoshë duke ndihmuar njeri tjetrin si kolegë. Bashkëpunimi është gjithmonë i mirë, i frytshëm dhe i shëndoshë midis kolegësh. Qëllimi final do të jetë, vendosja e një diagnoze të saktë dhe gjetja e mënyrave të shërimit të të sëmurëve, të cilët sytë i kanë kthyer gjithmonë tek mjeku, duke e parë atë si perëndi…
    Gjithashtu është detyrë morale dhe etike mjekësore, që mjeku të veprojë shumë shpejt për të ruajtur nga rreziku pacientin, në qoftë se kolegu i tij nuk është në gjendje të praktikojë profesionin e tij në bazë të standardëve shkencore të kohës.
    Kjo është shumë e rëndësishme për të shmangur shumë gabime ose katastrofa në dëm të pacientit. Vlerësimin vetë të sëmurëve për mjekun, tregon notën më morale për te, që i vendos populli për punën dhe rezultatet e tij.
    Besimin e pacientit tek mjeku dhe sjellja e mjekut ndaj tij kanë shumë rëndësi. Shembuj marrëdhëniesh të tilla ka shumë, por unë do të sjellë disa prej tyre nga praktika jonë mjekësore… .
    Sigal