Flamur Bala: Djali që nuk dorëzohet nga pengesat fizike, shpik pedanën elektrike

    589
    Sigal

    INTERVISTA/ Mungesa e aftësisë fizike nuk e ka ndaluar durrsakun Flamur Bala për të qenë i pari 

    Flamuri është një djalë i ri nga qyteti i Durrësit, fëmijëria dhe rinia e të cilit nuk ka qenë dhe është, aq e thjeshtë sa ajo e bashkëmoshatarëve të tij. Fati është treguar paksa i kursyer për djaloshin, pasi është me aftësi të kufizuar fizike, por kjo nuk e ka ndalur të bëjë një jetë mese normale dhe të zhvillojë të gjitha pasionet që ai ka në jetë. Ai është një shpikës dhe modifikues i makinave të vjetra apo të përdorura. Me talentin e tij, ai i ka lehtësuar vozitjen e makinave dhe lëvizjen shumë personave të tjerë me aftësi të kufizuar fizike. Në këtë intervistë për “Telegraf” mesazhi i tij është që, personat në gjendjen e tyre të mos trajtohen me mëshirë dhe keqardhje, por me buzëqeshje dhe mirësi. Ata janë si të gjithë!

    -Flamur, ti jeton në qytetin bregdetar të Durrësit. Sa i lidhur je me këtë qytet dhe njerëzit e tij?

    Po, unë jetoj në qytetin bregdetar dhe të bukur të Durrësit. Deti më jep qetësi, relaks e frymëzim. Shpesh rri përballë tij dhe meditoj, largohem nga çdo stres. Me qytetin tim jam shumë i lidhur, pasi s’ka vend të tij që se kam shëtitur. Me njerëzit jam shumë i komunikueshëm, pavarësisht se sa mundohen të komunikojnë ata me mua. Gjithmonë, zgjedh të kem pranë vetes njerëzit e duhur, që kanë motiv të jetojnë e të ecin përpara me vullnet. Pesimistët s’më pëlqejnë, pasi nuk mësoj asgjë të mirë nga ‘ta. Me keqardhje e them, por kjo është e vërteta.

    -Kush të njeh e di që t’i je shumë i përkushtuar ndaj makinave, aq sa keni shpikur dhe një mekanizëm për t’i dhënë komoditet në makinë personave me aftësi të kufizuara fizike. Mund të na tregoni diçka më shumë për këtë, si e arritët dhe prej sa kohësh kishit punuar?

    Shumë njerëz e dinë që merrem me modifikimin e makinave, shumë s’e besojnë që unë kam aftësi për këtë. Gjithmonë, kur arrij në përfundim mbesin të habitur se si ia arrita dhe më përgëzojnë për këtë. Po është e vërtetë që unë bëra një shpikje të madhe, të duhur dhe vendimtare për të vazhduar më tej. Ishte para 6 vitesh kur bleva një makinë 8 vendesh, me hapësirë për të futur karrocën dhe motorin elektrik. Aty mora një vendim dhe vendosa të bëj një pedan elektrike që të ngjitesha brenda në makinë. U frymëzova nga shprehja e Arkimedit, “të kisha një levë, ku të mbështetesha dhe do të lëvizja botën”, dhe me vullnetin tim e mendjen krijuese, fantazuese, përmbysa pengesën e fatit, theva barrierat e paaftësisë fizike dhe fillova gjithçka nga zero. Bëra pedanën elektrike me dy pjesë, që hapej e palosej thjesht me 2 butona, e cila doli një kryevepër funksionuese, e bukur dhe shumë lehtësuese për jetën time. Që 15 vjeç unë rregulloja makinën time dhe duke u rritur u përkushtova, duke menduar të bëja modifikime të tjera jo vetëm për veten, por edhe për persona të tjerë me aftësi të kufizuara. Duke qenë në të njëjtën pozitë, vendosa që të modifikoja makinat me kambio automatike, duke i kthyer nga vozitja me këmbë, në vozitjen me duar për tetraplegjikët dhe paraplegjikët. D.m.th, pedalet e makinës të përdoren me duar. Në këtë mënyrë ne arrijmë të kemi një makinë të komandueshme që jeta të jetë shumë më e lehtë dhe ëndrra për të pasur një makinë, që mund ta përdorin personat me aftësi fizike të kufizuar të bëhet realitet. Që prej asaj dite e sot unë vazhdoj të merrem me këto modifikime dhe të lehtësoj sado pak jetën e njerëzve që kanë nevojë.

    -Pasioni dhe dëshira për t’u marrë me makina erdhi si pasojë e gjendjes tuaj fizike apo ishte një pasion i pavarur?

    Pasioni im filloi që kur kisha dy makina të njëjta, “Audi 80” nafte turbo diesel dhe njërin e përdora si makinë, ndërsa tjetrin e mbaja për pjesë, isha vetëm 15 vjeç. Çdo pjesë që i prishej makinës unë e ndërroja vetë duke e marrë pjesën nga makina e prishur. Pastaj duke u përkeqësuar gjendja ime fizike, erdhi një ditë që muskujt e mi më thanë stop, ti s’mund të ecësh më në këmbë, pasi vuaj nga diagnoza disterfi muskulore. Por pavarësisht këtyre unë kam forcë të punoj akoma, shumë mirë dhe fillova kështu të  modifikoj makinat për personat me aftësi të kufizuar fizike.

    -A ndjehesh i paragjykuar për paaftësinë tënde fizike? Nëse po, çfarë mesazhi apo sugjerimi do t’i jepje njerëzve, që mos të vinin në këtë pozitë?

    Përsa i përket gjendjes time fizike unë veten s’e paragjykoj asnjëherë. Eci përpara, dal nëpër qytet me motorin tim me bateri, lëviz me karrocë gjithmonë me kokën lart dhe pa ndrojtje fare. Atë që unë vuaj në trupin tim e ndjen vetëm një në botë, Nëna ime, mbretëresha ime. Mesazhi që kam për njerëzit është paksa agresiv, flas për ata që paragjykojnë, u them se, njeriut duhet t’i shihet puna e jo guna. Njerëzit në nevojë duan buzëqeshje, duan mirësjellje dhe jo një shikim me keqardhje dhe plot mëshirë. Stop mëshira, vetëm buzëqeshje. Sepse ne kemi jetë me pengesa, por pengesat dhe vështirësitë për t’u kaluar janë, nuk dorëzohet jeta para pengesave.

    -Sa përkushtohet shteti, sipas jush, ndaj lehtësisë së jetës së qytetarëve të saj, të cilët kanë aftësi të kufizuar fizike?

    Sa për shtetin jam shumë i zhgënjyer. Në radhë të parë është infrastruktura rrugore, zyrat, komunat dhe bankat, ku ne marrim rrogën, asistencën sociale, janë me shkallë dhe ka shumë pengesa. E dyta nuk përfitojmë asgjë përveç rrogës 3500 mijë lekë në muaj. Nuk përfitojmë as mjetet, si p.sh karroca motorë elektrikë, nuk marrim akcizën e naftës, as banesa, asgjë prej gjeje.

    -Cilat janë pasionet e tua dhe synimet për të ardhmen?

    Pasioni dhe projektet e mia janë të merrem me makinat, të kem një servis të madh për të bërë sa më shumë modifikime. Synimet për të ardhmen janë të bëj sa më shumë hapa në çdo aspekt të jetës.

    -Nëse do të doje të plotësohej një dëshirë, cila do të ishte ajo?

    Eh, dëshira ime dihet. Të shërohem dhe të eci përsëri! Një dëshirë tjetër është të gjej personin e duhur dhe të krijoj familjen time në të ardhmen. Të tjerat të vijnë si të vijnë. Dua të t’ju përshëndes ju dhe stafin e gazetës “Telegraf” që më dhatë mundësinë të shprehesha. Uroj që mesazhet e mia, që dhashë më lartë në këtë intervistë të shërbejnë për mirë tek lexuesit.