Fjalë të urta erotike nga Agim Shehu

    648
    Sigal

    -Nën hijoren (ombrellën) e një vajze pikat e shiut kanë zëra zogu.

    «Po»-ja e vajzës shpesh është si drita e yjeve, është nisur, por do kohë të arrijë.

    -Burrat hijerëndë me pushtet shpesh pushtohen nëpërmjet grave të tyre, ashtu si lisi pushtohet nëpërmjet hardhisë rrotull tij.

    -Nusja qan kur kali a taksia e shpie te dhëndëri; nëse do ta kthenin pas do vinte ulërimën.

    -E dashura që ka vendosur të të ikë i ngjan erës: nuk ke nga e kap për ta rikthyer.

    -Në këshillat mbi ‘moralin’, më shumë e ngrënë zërin ato që presin rastin ta shkelin moralin.

    -Në tërësi martesat e dyta janë si gjellët e ringrohura, lëshojnë ujë.

    -Po u grinde me shtetin ke humbur të sotmen, po u grinde me gruan ke humbur të nesërmen.

    -Lëvizjet e femrave në valle, sidomos kur kanë pirë dhe pak, u ngjajnë lëvizjeve të tyre në shtrat.

    -Femrat që ndjejnë largimin e moshës shpesh u ngjajnë fiqve të pjekur shumë: pak t’u fryjë era, këputen e bien.

    -Mosha e re çel lulet, mosha e mesme lidh kokrrat, pleqëria i vjel.

    -Prostitutat shqiptare humbur nëpër botë janë nderi i humbur i shtetit.