Fitnete Sulaj: Investimi në sinjalistikën rrugore minimizon aksidentet

    535
    Sigal

    Flet znj. Fitnete Sulaj, Presidente e Këshillit Shqiptar të Sigurisë Rrugore:  Nevoja për një sjellje të re shoqërore për të rritur sigurinë rrugore

    Rrjeti rrugor e sidomos mungesa e sinjalistikës është një ndër faktorët që ndikojnë në sigurinë rrugore. Këtë e pohon në një intervistë për “Telegraf”, znj. Fitnete Sulaj, Presidente e Këshillit Shqiptar të Sigurisë Rrugore.  Znj Sulaj tregon se, fondet buxhetore të vëna në dispozicion për mirëmbajtjen e sistemit rrugor kanë qenë një zë investimi në fund të listës, gjë e cila nuk përputhet me nevojën për të. Prioritet e këshillit, marrëdhënia me ndërkombëtarët dhe me institucionet shtetërore, elementët që ndikojnë në aksidentet rrugore dhe masat për minimizimin e tyre janë temat që trajtohen gjerësisht në këtë intervistë.

    Këshilli Shqiptar i Sigurisë Rrugore u krijua në nëntor 2013. Sa ishte e nevojshme kjo për realitetin shqiptar?

    Shoqata “ Këshilli Shqiptar i Sigurisë Rrugore”(KSHSRR) është një organizatë jo-qeveritare, jofitimprurëse e themeluar me datë 04.10.2013 dhe e regjistruar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me nr. Vendimi 3685, datë 18.11.2013. Pra ky këshill është një nismë më së pari qytetare dhe në vijim institucionale e shoqërisë civile, por në partneritet të plotë me institucionet e shtetit shqiptar. Ne kemi një qasje tërësisht progresiste ndaj këtij partneriteti duke synuar t’i ofrojmë institucioneve shtetërore, ekspertizën, ndihmën teknike, identifikimin e aktorëve publikë rajonalë e ndërkombëtarë në sigurinë rrugore, eksperiencat më të mira referuese si dhe në procesin e gjatë dhe shumë të rëndësishëm të ndërgjegjësimit e edukimit publik në elementët përbërës të sigurisë rrugore. Dhe me shumë modesti do t’i bëja një thirrje të gjitha organizmave të shoqërisë civile, mediatike dhe atyre akademike për t’u përfshirë gjerësisht dhe pa u kursyer në nismat e sfidat e shumta kombëtare që ne kemi si shoqëri, si shtet dhe si qenie shoqërore, pasi kjo është detyrë e përgjithshme shoqërore dhe intelektuale. Koha kur individi  priste gjithçka nga shteti dhe i nënshtrohej vullnetit dhe vendimmarrjes së tij, është një periudhë e tejkaluar për fat të mirë. Partneriteti publik-privat-shoqëri civile-media-botë akademike, natyrisht, është një platformë e sigurt suksesi, ku secili duhet detyrimisht të marrë peshën e tij të kontributorit dhe jo të indiferentit dhe kritizerit të paangazhuar. Nëse i rikthehem pyetjes suaj se sa e nevojshme ishte krijimi i KSHSRR, unë nëpërmjet shpjegimit sa më lartë, dua të theksoj se kjo nevojë është shumë më e madhe dhe e gjerë dhe krijimi i këshillit ka peshën e saj specifike ndaj kësaj nevoje të lartë e urgjente që ka Shqipëria, shteti shqiptar, shoqëria shqiptare për një sensibilizim sa më të gjerë të të gjithë aktorëve dhe faktorëve të nevojshëm për të përballuar me radhë, me partneritet e solidaritet punët e shumta që kemi përpara për t’u bërë një shoqëri më e mirë, një shtet solid e një shtetas që respekton shtetin e tij dhe respektohet prej tij.

    Cilat janë prioritetet tuaja si presidente e këtij këshilli?

    Kryesimi i këshillit, bashkërisht me anëtarët e Bordit Drejtues, organizatat si-motra vendase apo të huaja, ekspertëve lokalë e ndërkombëtarë që bashkëpunojnë që prej nisjes së punës është pikërisht në përmbushje të objektivave të përcaktuara në statutin e shoqatës dhe regjistrimin e saj në Gjykatën e Tiranës. Më konkretisht, edhe për t’i ardhur në ndihmë informimit të publikut, apo organizmave të tjerë që mund të kenë pikë të përbashkëta ekspertize dhe që ndjejnë se mund t’i bashkëngjiten nismës dhe qëllimit tonë për t’i shndërruar rrugët tona në rrugë më të sigurta, po i rendis shkurtimisht ato:

    1. Siguria dhe shëndeti;

    2. Edukimi, trajnimi dhe roli i shkollave dhe autoshkollave;

    3. Ndërgjegjësimi i publikut, publiciteti dhe roli i medias;

    4. Siguria e fëmijëve si një fokus i veçantë;

    5. Aspekti njerëzor dhe moral;

    6. Informatika, informimi dhe të dhënat;

    7. Aspekti ekonomik, shpenzimet dhe të ardhurat nga aksidentet rrugore;

    8. Mbikëqyrja, zbatimi i ligjit dhe policia rrugore;

    9. Aspektet e planifikimit urban, mjedisor dhe teknik;

    10. Çështjet institucionale, grupet e interesit, aktivitetet dhe konferencat.

    Ne si bord e kemi të qartë se këto janë objektiva shumë ambicioze, por dinamika e zhvillimit dhe problematikës e diktojnë këtë. Por, natyrisht pas hartimit dhe prezantimit të paketës së masave për sigurinë rrugore nga Qeveria Shqiptare u ndjemë më besimplotë në realizimin e këtyre objektivave, pasi kuptuam me shumë kënaqësi vizionin e Qeverisë ndaj sigurisë rrugore si elementin themelor të kujdesit ndaj jetës së shtetasve shqiptar. Ndër vite Shqipëria ka një numër shumë të lartë viktimash në aksidente rrugore, por është hera e parë që Qeveria e vlerëson me një plan konkret, me nisma konkrete, afate konkrete e institucione të mirëpërcaktuara se si do ta implementojë atë. Objektivat e Këshillit tashmë të mirë-koordinuara dhe me ato të dala nga paketa e masave të Qeverisë  do të arrihen nëpërmjet fushatave ndërgjegjësuese, forumeve aktive, konferencave dhe seminareve kombëtare dhe rajonale, aktiviteteve në terren, studimeve dhe kërkimeve të ndryshme, publikimeve, etj..

    Në konferencën e para disa ditëve, të organizuar në Tiranë për sigurinë rrugore, i pranishëm ishte edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi. Cilat janë lidhjet tuaja me të?

    Në cilësinë e Kryetares së Këshillit, por edhe në emrin tim personal si një shtetase shqiptare që në vijimësi ka ndjerë përkujdesjen e institucioneve ndërkombëtare ndaj problematikave jo të vogla me të cilat është ballafaquar Shqipëria e pas viteve ‘90 gjej rastin ta falënderoj përzemërsisht ambasadorin Sequi për prezencën e tij në eventin e dt. 27 shkurt si dhe për fjalën dhe optikën në të cilën e trajtoi çështjen e sigurisë rrugore në Shqipëri. Ai deklaroi se siguria rrugore dhe promovimi i saj kërkojnë një qasje të re të menduari dhe të trajtuari ndaj në emër të Bashkimit Evropian ai përgëzoi Qeverinë dhe shoqërinë civile për ambicien e tyre për ta shndërruar në prioritet të axhendës së tyre çështjen e sigurisë rrugore, si një nga problemet shqiptare, përsa kohë numri i aksidenteve rrugore është tejet i lartë, sidomos po të krahasohen të dhënat për jetë këmbësorësh të humbura në aksidente rrugore. Ndaj pyetjes suaj për lidhjen me ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, do të thosha se është i njëjtë me atë të çdo individi, institucioni publik apo privat, të shoqërisë civile apo akademike që ka zgjedhur të angazhohet në zhvillimin e vendit të vet dhe padiskutueshmërisht ka gjetur suportin dhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtar shumë të respektuar dhe bujarë në kontributin e tyre personal, por edhe të institucioneve që përfaqësojnë dhe mendoj se ky është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët progresistë e punëtorë të dinë se nuk janë vetëm në sfidat që kanë ata përballë vetes dhe bashkësisë ku duan të aderojnë.

    Sa i nevojshëm është në procesin e sigurisë rrugore partneriteti me institucionet europiane?

    Padiskutim që është një pikë shumë e rëndësishme e punës sonë. Më së pari duhet kuptuar që këtë periudhë e problematikë vendet e tjera e kanë kaluar shumë kohë më parë dhe ata sot me shumë bujari na huazojnë eksperiencën e tyre për identifikimin e masave që kanë rezultuar efikase për çdo grup problemesh që kërkojnë zgjidhje. Një falënderim i veçantë shkon për homologët austriakë, përfaqësuesit e Ministrisë së Transportit, Shoqatës Austriake të Siguruesve dhe shumë ekspertëve të cilët na asistuan, motivuan dhe mbështetën me shumë bujari dhe entuziazëm këtë nismë pasi gëzojnë eksperiencën e duhur dhe kanë rezultate mbresëlënëse në përmirësimin dhe standardin e sigurisë rrugore. Gjithashtu, kapaciteti i tyre mbledhës dhe përpunues i të dhënave dhe statistikave është një element i padiskutueshëm, ku duhet të mbështetesh në një studim konkret dhe masash konkrete të propozuara për zgjidhjen e problematikës. Teknologjia është aspekti tjetër shumë i rëndësishëm i këtij bashkëpunimi. Vendet e BE-së në shumë prej këtyre çështjeve që në Shqipëri konsumojnë burime njerëzore, financiare dhe energjie i ka zgjidhur me aplikacione teknologjike. Ne si Këshill, kemi vendosur kontakt me Këshillin Europian të Sigurisë Rrugore (ASCRE) dhe në eventin e fundit të organizuar ata u përfaqësuan me Z. Ilyas Daoud, Drejtor i Këshillit. Në mars do të marrim pjesë në takimin që organizon ASCRE në Athinë dhe në sesionin pasardhës që do të mbahet në selinë e tyre në Bruksel, ne qershor 2014 ne synojmë anëtarësimin në Këshillin Europian të Sigurisë Rrugore. Mendoj se për një periudhë kaq të shkurtër kohe, rreth 5 muaj nga krijimi, ne kemi arritur shumë dhe për këtë gjej rastin të falënderoj të gjithë anëtarët e bordit drejtues, por edhe shumë institucione publike e të shoqërisë civile, të cilët falë angazhimit të tyre të pakursyer, kanë pasuruar punën dhe produktin e saj me vlera të padiskutueshme njerëzore e profesionale.

    Cilat janë elementet që ndikojnë në aksidentet rrugore dhe si mund të reduktohen ato?

    Elementët që ndërthuren në përdorimin e rrugës janë: individi, mjeti motorik dhe rruga me komponentët e saj. Preferoj ta nis nga faktori individ si përdorues i rrugës, këmbësor apo drejtues mjeti. Në rastin kur individi është në cilësinë e këmbësorit, duhet pranuar se, shumica e aksidenteve me pasoja fatale për jetën e këmbësorit kanë ardhur për shkak të pakujdesisë së atij vetë. Konkretisht, ne në qarkullimin tonë të përditshëm dhimbshëm konstatojmë se kemi këmbësorë që nuk respektojnë semaforin, që nuk zgjedhin të përdorin vijat e bardha apo mbikalimet duke zgjedhur të kalojnë deri edhe trafik-ndarësen në autostradë!! Këto janë konstatime që shumë lehtë e me sy të lirë i bën secili prej nesh, po cila është zgjidhja do thoni ju? Zgjidhja e vetme që ka ky problem kaq i rëndë kërkon një rritje të informimit publik dhe sensibilizimit të përdoruesve të rrugës që ta përdorin kujdesshëm atë. Në këto 20 vite zhvillimi ka qenë i diskutueshëm vetëm mbi shpejtësinë dhe efikasitetin e burimeve të përdorura për ta arritur atë, por a i është përgjigjur ky zhvillim me po të njëjtat trende atij të individit? Në vlerësimin tim do të thosha që jo, nuk kanë pasur të njëjtin trend zhvillues, pasi për shumë këmbësorë informacioni për sigurinë rrugore është tërësisht i munguar për shkak të moshës, të rajonit ku jetojnë, cilësisë së jetës që bëjnë e kështu me radhë. Por ajo që duhet të na ndezë zilet e alarmit është vonesa e sotme për rritjen e dijes dhe informacionit në sigurinë rrugore ku më së pari duhet të nisë me brezat e fëmijëve që ndjekin arsimin më së paku të detyrueshëm. Natyrisht që shteti dhe institucionet e tij kanë detyrimin dhe përgjegjësinë të skicojnë mekanizmat dhe instrumentet për ta vënë në jetë procesin e edukimit publik, por shoqëria civile, institucionet e jetës publike e asaj akademike natyrisht që kanë përgjegjësitë e tyre. Për të ilustruar nivelin e zbatimit të ligjit në Shqipëri, Zv.ministri i Arsimit dhe Sportit, Z.Mazniku në eventin e dt. 27 shkurt,  evidentoi detyrimin që sipas Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë ka kjo ministri që në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme të marrin masa që brenda sistemit kurikular të merren njohuritë bazike e të mjaftueshme për të qenë një përdorues rruge i sigurt dhe ky detyrim ka buruar që prej vitit 1999 dhe deri sot, pra pas 15 vitesh ky proces as që ka nisur. Po të tentojmë të përllogarisim brezat dhe numrin e nxënësve që kanë frekuentuar më së paku arsimin e detyrueshëm dhe që sot janë përdorues mjeti apo këmbësor, është e qartë se do të kishim avancuar dhe ndikuar në një përdorim më të sigurt të rrugës pavarësisht statusit të përdorimit të saj. “Por, më mirë vonë se kurrë” është shprehja proverbiale që na stimulon e detyron të shohim e projektojmë si duhet këtë proces sot e në vijim. Ministria e Arsimit dhe Sportit tashmë, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme ka nisur procesin e hartimit të një kurrikule të mirëfilltë dhe të plotë mbi njohjen dhe respektimin e normave të sigurisë rrugore, projekt ky që së bashku me ndërveprimin e kërkuar shkollë-bord prindërish do të ishte binomi i kërkuar dhe i duhur për të nisur e zhvilluar këtë proces.

    Por edhe ne si Këshilli Shqiptar i Sigurisë Rrugore do të luajmë rolin tonë edhe në këtë element, ne kemi programuar që shumë shpejt të nisim një cikël emisionesh dhe bisedash televizive për të trajtuar me grup-mosha dhe statuse të ndryshme çështjet e sigurisë rrugore, rëndësinë që ka njohja dhe respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, ndërgjegjësimi prej tyre i rrethit shoqëror, familjar apo profesional ku jetojnë e punojnë, për ta shndërruar në një proces sa më të gjerë e gjithëpërfshirës.

    Elementët e tjerë të qarkullimit në rrugë janë mjeti motorik dhe rruga vetë. Ne sot e dimë që mosha e parkut të mjeteve që qarkullojnë në rrugët tona është e lartë dhe gjendja teknike e tyre si për shkak të moshës së mjetit ashtu dhe për shkak të defiçencës në sistemin e kontrollit të gjendjes së tyre teknike. Ministri Haxhinasto u angazhua publikisht që do të ketë një reformë të thellë në shërbimin e kontrollit teknik të mjeteve për ta shndërruar atë si garantin e mos-ndodhjes së aksidentit rrugor për shkaqe teknike të mjetit.

    Rrjeti rrugor dhe standardet e tij është gjithashtu një ndër faktorët që ndikojnë në sigurinë rrugore. Shqipëria aktualisht ka problematikë të evidentuar me cilësinë e demit, projektimit, ndërtimit dhe sinjalistikës të rrjetit të saj rrugor. Po të krahasosh fondet buxhetore të vëna në dispozicion për mirëmbajtjen e sistemit rrugor, lehtësisht vëren se qasja ideore ndaj saj e ka lënë atë një zë investimi në fund të listës dhe në papërputhshmëri me nevojën dhe kërkesën publike ndaj saj. Ndaj vendimmarrja e Qeverisë në këtë vit buxhetor për të mos hapur segmente të reja rrugore po përqendrimit të investimit ndaj përmirësimit dhe mirëmbajtjes së saj për të garantuar dhe sjellë në parametrat e kërkuar e të nevojshme jo vetëm që është një nismë për tu përshëndetur por ajo duhet vlerësuar maksimalisht dhe gjerësisht si për një vizion e qasje të re ndaj kësaj problematike ashtu dhe për ndikimin që do të ketë në uljen e kostove njerëzore, ekonomike e sociale.

    Mos ndoshta investimet në rrjetin rrugor rrisin sigurinë rrugore?

    Siç e shpreha pak më lart, në Shqipëri është investuar jo pak në sistemin rrugor, por jo në cilësinë e tij sipas standardeve të sigurisë rrugore ku do të veçoja, ndriçimin, sinjalistikën horizontale dhe atë vertikale, mungesën e tabelave paralajmëruese, mbikalimet e nënkalimet e munguara e kështu me radhë. Ndaj në vlerësimin dhe pikëvështrimin tonë ndaj elementëve të domosdoshëm të rrugës për ta standardizuar atë, mendoj se investimi për plotësimin e tyre më këto element është shumë më jetike dhe efikase sesa hapja e rrugëve të reja. Ne si Këshill edhe në këtë element jemi përpjekur të jemi partnerë të denjë dhe kemi evidentuar disa institucione ndërkombëtare që japin donacione të kësaj natyre dhe ne jemi në fazën e aplikimit për të kontribuar së bashku me taksapaguesit shqiptar në sistemimin e plotësimin e sinjalistikës e ndriçimit në rrugët tona.

    Cilat duhet të jenë ndërhyrjet në legjislacion që do të ndihmojnë në parandalimin e aksidenteve, sipas jush?

    Së pari, unë gjykoj se Shqipëria më shumë vuan pasojat e moszbatimit të ligjit se sa të mungesës së tij. Sa për ilustrim vjen aktuale debati i furgonave 8+1, të cilëve ligji i miratuar në vitin 2007 ua ndalon transportin ndërqytetas. Sot Qeveria në koherencë të plotë me shqetësimin publik për sigurinë rrugore, por dhe me raportin e ri që po ndërtohet me zbatueshmërinë e ligjit, kërkon që ky proces të disiplinohet në përputhje me ligjin dhe detyrimet specifike që ai përcakton për transportin ndërqytetas, në respekt të detyrimit që Qeveria ka ndaj interesit më të mirë publik. Por përafrimi me legjislacionin e BE-së dhe nevojat që dikton siguria rrugore kanë indikuar vetë listën e akteve ligjore dhe nënligjore që kërkojnë ndryshim dhe harmonizim detyrash dhe kompetencash ndër-institucionale. Ndërhyrja dhe implementimi i pikëzimit të lejes së drejtimit dhe sistemi bonus-malus në përllogaritjen e primit të sigurimit të detyrueshëm për përgjegjësinë ndaj palëve të treta (TPL), mendoj se janë dy elementë shumë të fortë në nxitjen e interesit të secilit drejtues mjeti për një përdorim të kujdesshëm të rrugës dhe për pasojë do të kemi reduktim të aksidenteve rrugore dhe pasojave të tmerrshme social-ekonomike që ato sjellin.

    Një sjellje e re shoqërore rrit sigurinë rrugore

    Ajo që ndjej të nevojshme të veçoj është ndryshimi i sjelljes shoqërore në përdorimin e rrugës. Përdorimi i alkoolit, mosvendosja e rripit të sigurimit dhe mosrespektimi i normave të lejuara të shpejtësisë, janë tre elementë që ndërthuren me njëri-tjetrin dhe kanë të njëjtën peshë ndaj ekspozimit të rrezikut në qarkullimin rrugor. Ne këto i kemi evidentuar, i kemi diskutuar me institucionet përgjegjëse që mbikëqyrin zbatueshmërinë e rregullave të qarkullimit rrugor dhe përmes ndërgjegjësimit publik synojmë t’i minimizojmë. Por të gjithë jemi të vetëdijshëm se policia rrugore duhet të bëjë punën e saj, por askush nga ne nuk mendon se pas çdo mjeti në qarkullim duhet të jetë një polic rrugor. Duhet të jemi vetë ne që më së pari duhet të kujdesemi për jetën tonë dhe të atyre që mund të përfshihen në një ngjarje aksidentale, ndaj them se kemi të domosdoshme dhe imediate një sjellje të re shoqërore në përdorimin e rrugës.