Fitim Çaushi/Homazh për të madhin e etnomuzikologjisë shqiptare, Ramadan Sokoli

671
Në 14 qershor ishte ditëlindja e etnomuzikologut të madh shqiptar, Ramadan Sokoli. Askush nuk u kujtua për ta përkujtuar këtë kolos të studimeve etnofolkloristike, megjithëse, ai është një fenomen muzikor që i ka dhënë shkencës së etnomuzikologjisë vlera të papërsëritshme dhe ka hapur rrugën në disa degë të muzikologjisë shqiptare, veçanërisht në fushën e polifonisë dhe etnoorganologjisë. Në këtë shkrim nuk do të sjellim madhështinë e personalitetit të tij shkencor, por do të ndalemi në kontributin parësor që ka dhënë në studimin dhe vlerësimin e polifonisë shqiptare, për të cilën kohët e fundit është debatuar shumë. Ramadan Sokoli ka qenë i pari, që ka bërë trajtesën e parë shkencore përkushtuar polifonisë shqiptare, në Kongresin e I-rë të Studimeve Albanologjike, Tiranë 1959. Me gjithë vështirësitë e mëdha, që kishte një zbërthim i plotë rreth ligjësive të polifonisë sonë popullore asokohe, për shkak të vështirësive të fillimit, në një terren të pa hulumtuar paraprakisht më parë, prof. Sokoli konkludonte:”Polifonia jonë popullore me tipare origjinale, të lashta, ka lindur në vendin tonë nga puna e shumë brezave shqiptarë.”Ne nuk do të ndalemi në rrugëtimin e tij të gjatë për polifoninë shqiptare, por do të përqendrohemi në ligjëratën e vitit 2001 në Universitetin e Bolonjës dhe të Venedikut, botuar italisht, më 23 tetor të po këtij viti. Në revistën “Amëza Letrare” që botohet në Romë, më datën 20 mars 2004 lexuam kumtesën e lartpërmendur të prof. Sokolit, të cilën pa asnjë mëdyshje, e vlerësojmë si një traktat shkencor-muzikor të rrallë, çka dëshmon për vlerat e larta intelektuale dhe ndjenjat e thella patriotike.

Ligjërata
Prof. Sokoli e fillon ligjëratën e tij me një element arkeologjik, Bazorelievin e Apollonit, i cili paraqet një banket skllavopronarësh shoqëruar me muzikë. Njëra nga femrat e kësaj skene të skalitur 2400 vjet më parë, i bie një vegle frymore prej dy tytash…njëra tytë duket sikur nxjerr një tingull të gjatë si iso, ndërsa me katër gishtërinjtë e dorës së djathtë çel e mbyll katër vrimat e tytës tjetër. Një strukturë e tillë mbizotëron ende sot në muzikën popullore të Shqipërisë jugore, prandaj prof. Sokoli shkruan: ”Kjo vegël dytytëshe është përftuar me qëllim për të pasur një farë diafonie (në kuptimin etnomuzikologjik të kësaj fjale). Lidhjen e shprehive muzikore të kësaj vegle me këngët popullore të Shqipërisë Jugperëndimore janë më se të dukshme, prandaj kohët e fundit shkenca etnomuzikologjike (vendase dhe e huaj) po kërkon me të drejtë djepin e polifonisë popullore të siujdhesës Ballkanike pikërisht në vendbanimet e trako-ilirëve. Ky përfundim i studimeve shumë vjeçare të studiuesve vendas dhe të huaj, nuk mund të mos na bëjë krenar. Gjatë hulumtimeve për djepin dhe moshën e polifonisë sonë popullore, prof. Sokoli sqaron: “Meqë zëri i njeriut i ka paraprirë të gjitha veglave muzikore, dhe meqë në traditën e Shqipërisë jugore mbizotëron dukshëm polifonia vokale, mund të mendohet se kësaj i takon përparësia.” 
Kultura dhe erudicioni i thellë i prof. Sokolit
Kultura dhe erudicioni i thellë i prof. Sokolit, na shpie në njoftimet e hershme të kohëve antike rreth polifonisë vokale të stërgjyshërve tanë. Ai përmend një shënim nga Ksenofoni rreth mënyrës së këngëtimit të një fisi Trakas, që banonte në juglindje të siujdhesës ballkanike, i cili ka dëshmuar:“Së pari fillon të këndojë njeri syresh pas tij të gjithë pjesëmarrësit futen në ritmin e këngës” (f. 12) Kjo e ngazëllen profesorin, i cili thekson: ”A nuk na kujton ky njoftim i shkurtër mënyrën e këngëtimit me iso?”( f. 12)
Për një vështrim më të thelluar shkencor të polifonisë, prof. Sokoli u referohet autorëve të huaj, ndër të cilave edhe Ledi Meri Vutlier. Në vitin 1717 udhëtoi përmes Turqisë, ajo ka shënuar për shqiptarët: “Udhëheqësi i tyre këndon një melodi të ashpër, por jo të papëlqyeshme, ndërsa të tjerët e shoqërojnë me kor.” (f, 12) (Lady Mary Ëorthy Montagu ”Letters and Ëurks Lord Wharnchiffe – Londër 1866.)
Marius Shnaider, por dhe të tjerë, megjithëse kanë theksuar se “polifonia është një dukuri me burime poligjenetike”,i kanë kërkuar fijet gjenetike ndërlidhëse në traditat e popujve fqinjë. Mbështetur mbi rezultatet e kërkimeve të tyre, prof. Sokoli konkludon se “Polifonia jonë popullore nuk është një dukuri e veçuar nga ndonjë lidhje me polifoninë e popujve të Bosnjë Hercegovinës, Maqedonisë, Bullgarisë, jug-perëndimore, dhe Greqisë Veriore”.
Shqyrtimet e hollësishme
Përveç njoftimeve të pakta nga lashtësia, nuk kemi dëshmi të tjera palografike, një farë ndihmese për të depërtuar në brendësi të kësaj çështje, thekson prof. Sokoli, japin “shqyrtimet e hollësishme rreth parimeve të morfologjisë së këngëve polifonike: rreth ndërtimit të shkallëve pa gjysmë tone, rreth shtrirjes së ngushtë të joneve, rreth ngrehinës së trajtave, rreth skeleraturave ritmike, e metroprozoike, rreth mënyrës së këngëtimit, sidomos të kthyesit “me grykë” apo me ”zë”, shkurt, rreth stileve arkaike. Duke i shqyrtuar në këtë mënyrë të gjithë përbërësit morfologjikë dhe stilistikë mund të shpalosen shtresimet më të hershme të muzikës sonë popullore. Ndonëse janë bërë përpjekje për të zbërthyer ligjësoritë e polifonisë popullore, ndihet mungesa e studimeve shteruese; ende nuk njihen tërësisht të gjitha mënyrat teknike e stilistike të polifonisë popullore shqiptare.” Është e kuptueshme se fqinjësia, së toku me kushtet dhe rrethanat historike, ka mundësuar marrëdhëniet dhe shkëmbimet e ndërsjella, prandaj profesori i vendos këtij problemi një kapat floriri:“Polifonia jonë popullore në djepin e saj dhe në shtresimet e saj më të hershme mund të duket si më e zhvilluar se në rrezatimet anësore. Nga kjo pikëpamje mund të mendohet se qendra e rrezatimeve të polifonisë sonë popullore është Labëria, aty ku kemi frakturat katërzërëshe, të cilat vijnë duke u pakësuar sa më shumë largohemi së andejmi”. Meqenëse në muzikologji mbizotëron mendimi se grekët dhe romakët e lashtë nuk këndonin këngë polifonike, është shtruar çështja nëse polifonia e siujdhesës ballkanike është me prejardhje të lashtë, e mbijetuar deri në kohën tonë, apo kemi të bëjmë me diçka të ardhur nga vende të largëta! Prof. Sokoli argumenton:“Disa hulumtues e kanë kundruar polifoninë popullore të kësaj siujdhese, si rrjedhojë e ndikimit të liturgjisë bizantine, por ky hamendësim as është vërtetuar as është miratuar, madje është pohuar e kundërta: huazimet e liturgjisë kishtare nga traditat popullore. Polifonia popullore shqiptare, e cila shtjellohet në shkallë të gjymta pentatonike, nuk ka ndonjë lidhje morfologjike me literaturën bizantine, e cila shtjellohet në shkallë modale heptatonike. Vetë emërtimi krejt shqip i përbërësve të polifonisë sonë popullore, ashtu si edhe tiparet e saj origjinale, dëshmojnë se ajo është trashëgimi e një tradite të lashtë që ka lindur këtu në vend.”
Kontribut i paçmuar
Ky është një kontribut i paçmuar i prof. Sokolit, i cili dëshmon jo vetëm për pasion profesional, kompetencë shkencore, njëherazi edhe për ndjenjë të lartë patriotike në mbrojtjen e kulturës sonë kombëtare. Në këtë përfundim arriti edhe studiuesi bullgar Nikolai Kaufman: “Ka shumë të ngjarë që rrënjët e këngëve diafonike ose polifonike, ta kenë origjinën e tyre nga një kohë shumë e lashtë, kur kultura e hershme Thrako-Ilire mbizotëronte në mbarë siujdhesën ballkanike”. Në përfundim të ligjëratës mbajtur në Bolonjë, prof. Sokoli shpreh amanetin e vet: “Theksojmë se qartësimi i çështjeve të polifonisë sonë popullore është një ndër detyrat themelore të muzikologjisë sonë dhe se studimet në këtë temë kanë rëndësi të shumëfishtë jo vetëm për kulturën shqiptare, por edhe për zhvillimin e mëtejshëm të krijimtarisë sonë artistike me tipare kombëtare.”
Mohohen arritjet e muziktarit
Me keqardhje prof. Sokoli, ky studiues i pasionuar që ja kushtoi jetën shkencës shqiptare,na tërheq vëmendjen: “Mohohen arritjet e muziktarit që parapriu në disa degë të muzikologjisë shqiptare.”E themi me keqardhje sepse askush nga Akademia e Shkencave, Instituti i Kulturës Popullore dhe Ministria e Kulturës, madje as vetë akademiku Tole, i cili e ka përdorur emrin e tij abuzivisht si “President Nderi” i paçavures jetëshkurtër, “Gazeta iso-polifonike”, nuk u kujtua për 95 vjetorin e tij, sikundër edhe për 100 vjetorin e “Artistit të Popullit” Gaqo Avrazit! Askush prej tyre nuk e mbrojti veprën madhore të këtij shkencëtari, por e lanë ta mohonte dhe ta përdhoste një sharlatan si Vasil Tole me teoritë e tij dështake për “iso-polifoninë”. Si mund të mohohet dhe të hidhet poshtë ky kolos i shkencës shqiptare nga një spurdhjak, i cili e konsideron veten “akademik”, duke e kërkuar gjenezën e polifonisë shqiptare prej sirenave dhe korit antik grek! Ky është një krim kombëtar që Akademia e Shkencave dhe Ministria e Kulturës, duhet të ndëshkohen për përkrahje të këtij spekulatori që ndonëse është shkarkuar disa herë nga disa ministra, mbijeton duke vepruar me ndërhyrje dhelparake dhe jo shkencore.
Prof. Miso ka theksuar…
Në shkrimin e datës 22 shtator, Prof. Miso ka theksuar: “Përsëritja ekstreme, në mënyrë hemorragjike, vetëm për të kundërshtuar një ndër sendërtimet më profesionale e dinjitoze linguistike në fushën e etnomuzikologjisë dhe etnoorganiologjisë, në më shumë se gjysmë shekulli më parë nga Prof. Ramadan Sokoli, nuk tregon gjë tjetër veçse mos korrektesë shkencore të akademikut Tole…”
Dhe më poshtë: “Edhe për këtë term akademiku po përpiqet me vendosshmëri ta quajë: “isopolifoni e veglave muzikore”. Kjo mospërfillje e akademikut, është mos citim i arritjeve…” dhe mohim i shkencës shqiptare. Instituti i Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave të Republikës, më 6-7 Tetor të vitit 1989, ka organizuar simpoziumin shkencor:“Polifonia e Popujve të Ballkanit”, përmes dy temave: “Polifonia vokale e instrumental edhe format e tyre konkrete të ekzistencës” dhe e dyta: “Shtrirja dhe vendi që zë polifonia në jetën folklorike të popujve të Ballkanit”: 
-Nikos Dionysopoulos, Greqi -“Kalimeret e Karthapos – një formë tipike e polifonisë”
-Tiberiu Alekxandru, Rumani –“Forma polifonike në muzikën popullore rumune”
-Dr, Murat Karabulut, Turqi – “Polifonia vokale dhe instrumentale në Turqi” Edhe kumtesat e studiuesve të tjerë nga Ballkani dhe Zvicra shtjellonin polifoninë. Akademiku ynë ka fuqinë dhe pafytyrësinë të hedh poshtë gjithë shkencën shqiptare dhe ndërkombëtare, me p…., ndonëse nuk ka kumtuar deri tani në asnjë konferencë apo simpozium shkencor për polifoninë! Si mund të heshtte Instituti i Kulturës popullore përpara këtij mohimi flagrant të Simpoziumit për Polifoninë, të organizuar prej tij, dhe punës kolosale të prof. Sokolit dhe profesorëve të tjerë shqiptarë?!
Prof. Sokoli në ligjëratën e mësipërme shprehet me keqardhje: “Shumica e trajtesave të botuara gjatë viteve të fundit vuajnë nga një sërë dobësisht: shqyrtimi i njëanshëm dhe pohimet e paargumentuara shkencërisht, përsëritjet e vëzhgimeve të përcipta,pa njoftime të reja, madje disa syresh janë gatuar me shumë ujë e me ca miell nga thesi i huaj, sjellin turbullime në vend të qartësimit.”(f. 11)
Akademiku Tole është një studiues tipik me vëzhgime të përcipta, sikundër është shprehur prof. Sokoli, megjithëse pa asnjë kontribut në këtë shkencë, rrafshoi çdo realizim të studiuesve tanë, si të ishin të pavlerë dhe vendosi diktaturën e “iso-polifonisë”, duke e propozuar në vitin 2002 në UNESKO, si ta kishte mallin e tij! Është e kuptueshme pse, pas shumë kritikave nga profesorë dhe studiues të ndryshëm, deri tani, Tolen nuk e ka marrë në mbrojtje asnjë studiues apo muzikant, përveç ndonjë këmbaci të shifrave aritmetike apo “gjeologu” të ndërsyer prej tij si në formacion luftimi.
Sigal