Firmoset marrëveshja për praktikat e nxënësve të shkollave profesionale

    389
    TIRANE – Nxënësit e shkollës së mesme profesionale në Tiranë, “Gjergj Canco”, e degës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Elektronikës dhe Elektroteknikës, do ta kryejnë praktikën e tyre mësimore pranë strukturave të ushtarake në vend.
    Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministria e Mbrojtjes nënshkruan një marrëveshje, e cila bën të mundur bashkëpunimin me Forcat e Armatosura për kryerjen e praktikave profesionale të këtyre degëve, gjatë periudhës së studimeve pranë reparteve ushtarake.
    Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri Erion Veliaj dhe Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli. Gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast, dy ministrat shprehën kënaqësinë e arritjes së kësaj marrëveshje, e cila u vjen në ndihmë të gjithë atyre të rinjëve që kanë zgjedhur të ndjekin studimet në arsimin profesional.
    Në fjalën e tij Ministri Veliaj tha se mesazhi i qeverisë për të rinjtë për t’u bërë pjesë e shkollave profesionale ka sjellë rritje të numrit të nxënësve në këto shkolla. Sipas tij, kjo marrëveshje do të krijojë një mundësi të shkëlqyer punësimi për të rinjtë që do të kryejnë praktikën mësimore pranë Forcave të Armatosura, por edhe t’i përgatisë ata për sektorin privat.
    “Vjet regjistrimet në shkollat profesionale u rritën me rreth 40 për qind. Kjo do të thotë se mesazhi i qeverisë tone, se fokusi duhet të jetë te zanatet, tek ata të rinj që dinë të bëjnë diçka me duart e tyre dhe jo tek ata që thjesht marrin një diplomë, ka zënë vend. Por, kur pritshmëria në publik është e madhe dhe njerëzit i përgjigjen thirrjes tënde, duhet që t’u përgjigjemi me cilësi në shkollat tona profesionale. Megjithatë, jo gjithmonë kemi hapësirën për të pasur akses te pajisjet dhe metodat më të përparuara e moderne të teknologjisë. Ndaj falenderoj Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura që nëpërmjet kësaj marrëveshjeje na mundësojnë të kemi akses në aparaturat dhe metodat më të përparuara të komunikimit për nxënësit e shkollave tona profesionale”, deklaroi në fjalën e tij ministri Veliaj.
    Nga ana e saj, edhe ministrja Kodheli theksoi rëndësinë e firomsjes së kësaj marrëveshje për të iu dhënë të rinjve mundësinë më të mirë të praktikës.
    “Ndihem mirë kur ndodhem midis të rinjsh. Dikur kam pasur fatin të mësoj shumë gjenerata dhe e di se sa e bukur është të jesh midis atyre që lexojnë çdo gjë, për të thithur çdo gjë dhe kjo është gjenerata juaj. Duhet shumë mund i shoqërisë, i një qeverisjeje, për të krijuar një brez të ardhshëm, të denjë për të drejtuar një vend. Nuk do të bëheni dhe nuk do të mund të bëheni në një ditë dhe as në një vit, por duhet që filizi të jetë i duhuri dhe toka të jetë mjaftueshmërisht pjellore dhe të mund të kurohet nga ata që e kanë në dorë shansin e edukimit tuaj çdo ditë. Këtë mund ta bëjmë shpesh herë fare thjeshtë, qoftë edhe nga një marrëveshje si kjo e sotmja, në dukje modeste, e në thelb e një rëndësie të veçantë dhë të jashtzakonshme”. tha Kodheli
    Përveç kryerjes së praktikës mësimore në institucionet uhstarake, nxënësve të këtyre degëve mund t’u krijohet mundësia që edhe të punësohen si personel me statusin e ushtarakut pranë strukturave ushtarake për të ushtruar profesionin e tyre në drejtime TIK, Elektronikë dhe Elektroteknikë. Fillimisht, projekti do të zbatohet në reparte ushtarake të ASNI, me nxënësit e klasave IV-ta të shkollës Teknike Elektrike “Gjergj Canco”. Ekspertë nga repartet do të përgatisin mjediset e praktikave, si dhe do të hartojnë materiale ndihmëse mësimore. Në përfundim të praktikës (periudha Qershor – Gusht), nxënësit do të pajisen me dokumente vlerësuese. Në bazë të kësaj marrëveshje parashikohet që, në një fazë të dytë, të shtohen edhe drejtimet e tjera mësimore, Hoteleri – Turizëm dhe Mekanikë. 
    Sigal