Filip Guraziu/ Udhëtim drejt ferrit

    404
    Sigal

    FRAGMENTE NGA LIBRI “TAKIM FATAL ME DIKTATORIN”- Autor Gjet Vocaj

    Ata që merrnin dënimin, transportoheshin drejt një pike grumbullimi që ishte burgu i Tiranës, ku sistemoheshin në kaushë të izoluar nga ordinerët. Për mungesë autoburgu, na ngarkuan në dy kamionë ushtarakë, ashtu të hedhur aty njëri mbi tjetrin, si thasë çimentoje e të lidhur me hekura në seri dorë për dorë; pastaj na përshkuan me një zinxhir të gjatë duke na e kaluar nëpër të gjitha gjymtyrët e trupit, por edhe në qafë e kudo tjetër. Sikur nuk mjaftonin ato, mbasi mbaruan punë me mjetet metalike, sollën një litar të trashë, me të cilin përshkuan edhe njëherë të gjithë të dënuarit me nyje e të kapur fort mbas spondeve të kamionit. Na mbuluan me mushama të trashë që të mos shiheshim. Në katër cepat e spondeve qëndronin policë me automatikë në gatishmëri. Ndërsa kamioni ecte me shpejtësi drejt Tiranës, në atë rrugë gjithë gropa thuajse fare pa trafik, ne aty me duar të pickuara nga prangat primitive të prodhuara me normë në ofiçinat tona, nën peshën e zinxhirëve dhe mushamasë së trashë e të lagur mbi kokë, me frymëmarrje të kufizuar edhe nga shtrëngimi i konopëve, vazhdonim komunikimin nën zë me njëri-tjetrin, ashtu të ngjeshur kokë më kokë. Disa ishin më me fat se për rastësi qenë të lidhur me hekura gjermane, një “luks” për ta, mbasi ato nuk pickonin. Secili, ashtu siç ishim, tregonte për pjesën e vet të vuajtjeve dhe torturave që kish hequr në hetuesi, por më e çuditshmja ishte se në të gjithë atë batërdi, nga ajo ngarkesë e komplikuar njerëzore, nuk mungoi as humori. Nuk mund të harroj se atë ditë në dy-tre raste kemi qeshur me lot. Kjo vërtetë dukej një kontrast me gjendjen fizike dhe shpirtërore ku ishim katandisur, por ky është njeriu, në fund të fundit, me gjithë kompleksitetin e vet, edhe në kushtet e një trajtimi çnjerëzor, siç ishim ne, kërkon të gjejë vetveten dhe ta jetojë jetën që Zoti i dhuroi. Në kaushin e burgut të Tiranës u bashkuam me të dënuar të tjerë politikë të ardhur nga rrethe të ndryshme dhe qëndruam afro një muaj. I njëjti trajtim, i njëjti ushqim mizerabël, i njëjti ajër i rëndë i ngarkuar me gaz karbonik dhe pluhur, por pleshtat qenë më të shumtë, se atyre që gjetëm iu shtuan edhe ato që sollëm me vete secili prej nesh. Sidoqoftë aty ishim relativisht më mirë, pa tensionin e hetuesisë, me mundësi për të komunikuar me njëri-tjetrin, gjë që na kish munguar prej kohësh. Mbas pak ditësh, në gjithë burgun filloi një epidemi e dhimbjes së barkut që nuk i shpëtoi askush, por rregulli i daljes në banjë nuk ndryshoi dhe ajo krijoi probleme tepër të rënda. Mbas shumë protestash, komanda e pa të arsyeshme të na sillte aty, në atë ambient të mbyllur hermetikisht, nga një gjysmë fuçie për çdo kaush. “Merreni këtë dhe tepër e keni”, na thanë kur e futën tek dera. Afro njëqind burra që ishim aty, nga fshatari i thjeshtë deri tek ish-zëvendësministri, do zinim radhën me turne për të arritur më në fund  tek ajo gjysmë fuçie e fëlliqur aq e domosdoshme, pa e menduar pasojën, erën e tmerrshme kundërmuese që nuk na u nda për katër ditë e katër net rresht. Familjet tona nuk mund ta dinin se ku ndodheshim ne, ato me siguri sorollateshin rreth vendndodhjes së mëparshme, ashtu me torbën e ushqimeve dhe ndërresave në duar, sepse askush s’guxonte t’u tregonte se ku gjendeshim realisht. Kështu ndodhte edhe kur i dënuari ekzekutohej; familjarëve nuk u tregohej, por qëllimisht i linin të sorollateshin dhe të rraskapiteshin në udhëtime të gjata, në të ftohtë, në erë e në shi, ose në piskun e vapës. Shoferët e kamionëve që bënin rrugën transit në ato zona, ishin të urdhëruar që familjarët e të dënuarve politikë të mos i pranonin të hipnin, qoftë edhe mbi ngarkesë. Kështu, familjarët e shkretë, detyroheshin të ecnin në këmbë, të ngarkuar me torbat e varfra të ushqimeve, për njeriun e tyre të shtrenjtë, pa e ditur se ai ndoshta nuk jetonte më. Një mëngjes, mbas një muaji aty në atë mjedis të mbyllur dhe të qelbur, u hap dera dhe një oficer hyri me një listë në dorë. Ne që na doli emri, na nxorën në oborr dhe me shpejtësi të rrufeshme, na rrasën në një autoburg ku na takoi të qëndronim të ngjeshur me njëri-tjetrin tamam si sardelet në kuti. Fillimisht, duke dalë nga dera e atij kaushi, ndonëse nuk e dinim se ku po na çonin, u ndjemë të privilegjuar në raport me ata që lamë aty, me mendimin se më në fund do të shihnim qiellin e kaltër dhe do të thithnim ajrin e freskët, por a thua se edhe ata që komandonin na e dinin atë dëshirë, nuk na e lejuan veçse pak sekonda, aq sa u desh për të hipur më nxitim në atë kuti metalike që kish pamjen e një kasaforte me rrota. Aty, në atë ambient të mbyllur thuajse hermetikisht, të krijohej ideja se vërtetë gjendeshe brenda në një kasafortë, ku edhe ajri nga çasti në çast mund të bëhej i pamjaftueshëm për aq burra sa ishim ne. Në gjithë atë rrugë tmerrësisht me gropa që nuk dinte të mbaronte kurrë, e harruam vetveten dhe mendja na mbeti tek një burrë tiranas trupmadh dhe shumë i gjatë, që rënkonte nga dhimbjet e padurueshme. Ai vetëm para pak ditësh ishte operuar nga veshkat dhe plaga e tij ishte fare e freskët, i kullonte. Nuk mund ta harroj kurrë atë burrë, dyllë të verdhë në fytyrë dhe të mbytur në djersë të ftohta që për çdo tronditje apo shkundje të kamionit, pjesa e sipërme e kokës së tij godiste me forcë tavanin e hekurt dhe nga ai pozicion, trupi i tij i stërmadh shembej mbi stolin e fiksuar metalik, duke i shkaktuar dhimbje të padurueshme. Ne të tjerët ç’mund të bënim për të, përveçse të harronim vetveten, vuajtjet tona dhe të ktheheshim nga ai që po torturohej aq padrejtësisht nga një trajtim antinjerëzor. Me siguri, në ato momente, secili prej nesh do donte të merrte një pjesë sado të vogël të atyre dhimbjeve, nëse do mund ta lehtësonim sadopak atë njeri. Me dhimbje në shpirt e them se ai burrë që s’kishte më shumë se 45-vjeç, mbas pesë javësh vdiq në kamp. Siç na thanë, ai njeri s’kishte pasur asnjë sëmundje tjetër, thjeshtë humbi jetën në atë moshë të re nga trajtimi çnjerëzor mbas operacionit.

    DËNIMI VAZHDONTE EDHE PAS VDEKJES

    Për të gjitha vdekjet në burgjet politike, familjes nuk i lejohej të tërhiqte trupin për ta varrosur. Ajo ishte gjëja më e ndaluar; por sikur nuk mjaftonte kjo, familjes i mohohej edhe një njoftim i thjeshtë nga ana e shtetit, për vdekjen. Lajmi i vdekjes merrej vesh nga familja disa kohë më vonë, kryesisht nëpërmjet fjalëve që qarkullonin spontanisht. Absurde, por realitet, dënimi vazhdonte edhe mbas vdekjes!…Pra, edhe trupi pa jetë mbante akoma në kurriz peshën e “fajësisë” dhe, si i tillë, ishte i privuar nga e drejta për t’u varrosur si njerëzit e zakonshëm!…Ai hidhej në një gropë, ashtu pa arkivol, direkt i mbuluar me dhé, pa një emër, pa një shenj, sikur të ishte thjeshtë një kafshë e rëndomtë. Jo vetëm kaq, por edhe kur plotësonte dënimin e tij mbas vdekjes, familja nuk mund t’i tërhiqte eshtrat, sepse ato konsideroheshin si eshtrat e një “armiku” të përjetshëm. Ky ishte një ligj i pashkruar, por i aplikuar me fanatizëm, vetëm sepse ashtu e donte “marksist-leninisti i madh”, Enver Hoxha. A mos vallë edhe këtë e kishte përcaktuar Karl Marksi tek “Kapitali” i tij? Në cilin vend ish-komunist, dënimi vazhdonte edhe pas vdekjes? Këto pyetje janë për të indoktrinuarit apo nostalgjikët e atij regjimi, që për turpin e tyre, vazhdojnë akoma të mbajnë dhe të mbrojnë filozofinë e krimit edhe sot.

    SPAÇI

    Më në fund, kamioni i adaptuar për autoburg u ndal, zbritëm dhe aty mësuam se ishim në Spaç, brenda disa rrethimeve me tela, në territorin e kampit. Një pamje trishtimi…Çdo vizitori, që në vështrimin e parë, natyrshëm do i lindte pyetja: Cila qe ajo mendje djallëzore që e zgjodhi pikërisht atë vend skëterrë për “armiqtë” e sajuar?! Ndërtesat e trishta të burgut ishin vendosur thuajse nga fundi i njërit prej atyre shpateve malore krejtësisht të zhveshura pa as edhe një shkurre të vetme, të cilat binin thikë drejt humnerës, duke përfunduar në një përrua të thatë, ku të gjitha shpatet e shkretuara së bashku, formonin një hon gjigand natyror, i cili të kujtonte imazhin që Dante Aligeri krijoi për “Ferrin” e tij. Në zbritje, gjatë hyrjes në kamp, përpara syve tanë u shfaq një skenë rrëqethëse: Si një grumbull milingonash, një mori qeniesh njerëzore, ashtu të veshur keqas, tërë zhele, mbështjellë me kapota gri të stërvjetëruara e të dala boje, me opinga llastiku, me kapela ose diçka tjetër të improvizuar në kokë, i shihje tek shkonin e vinin pa pushim me lëvizje të ethshme, në grupe ose të vetmuar, në atë tarracë të kufizuar, e vetmja hapësirë që mund të shfrytëzohej për xhirot e zakonshme. Natyrisht komunikimi mes tyre ishte një ushqim shpirtëror, ata ndofta shprehnin dufin e padrejtësisë, qanin halle familjare ose thjesht  diskutonin për artin, filozofinë, politikën, o diçka tjetër, kush e di…Gjithë ai grumbull absurd njerëzish që lëviznin lart e poshtë në atë sfond gri, për makinën shtypëse rrangallë të shtetit, s’ishin gjë tjetër veçse thjesht numra, numra të llogaritur për skllevër pune, ndërsa në të vërtetë, nën çdo kapotë të grisur të stërvjetëruar, mbështillej njeriu, ai që kish guxuar të kundërshtonte dhunën dhe krimin shtetëror. Ai mund të ishte një poet, një piktor, një mjeshtër punëtor, fshatar i vuajtur apo profesor, kjo s’kishte shumë rëndësi, por mbi të gjitha, nën atë kapotë të dalë boje, rrihte një zemër njeriu të pafajshëm, dhe po aty do gjeje një shpirt njerëzor, ku fatkeqësisht mbi të rëndonin mizorisht dhjetëra vite burgu mesjetar dhe mijëra halle e brenga, por pse jo, po aty endeshin edhe ëndrra  shprese se një ditë të bardhë do të vinte përmbysja e madhe, e cila padyshim do i hapte rrugën një jete ndryshe. Ndoshta kjo e fundit qe ajo që i mbajti gjallë një pjesë, i bëri të mbijetojnë edhe në ato kushte ferri. Ajo mori njerëzish që doli para syve tanë, të cilëve mizorisht u ishte grabitur buzëqeshja, rinia, jeta, e drejta prindërore, gëzimi familjar dhe gjithçka e mirë, nuk përbënte gjithë dëshminë e krimit shtetëror, të djajve të kuq. Ajo mori njerëzish të dhunuar përbente vetëm një segment të vogël të atij lumi të madh të krimit shtetëror që rrodhi e vërshoi në këtë vend të robëruar për afro një gjysmë shekulli, sepse atë ferr të mallkuar e ferre të tjera e kishin shkelur sa e sa viktima përpara tyre, e sa e sa të tjerë kish planifikuar kuçedra e kuqe të sillte aty më pas për ushqim rezervë. Lumi i kuq i krimeve nuk kish të ndalur, sepse Ai, kryedjalli maniak e frikacak që atje nga kolltuku i tij, tërë poza aktori, tundte gishtin dhe ngrinte zërin duke thënë: “Do ta mbajmë të ndezur luftën e klasave” dhe zakonisht, për ta përforcuar më tepër, shtonte: Armiqve të jashtëm dhe të brendshëm do ua shtypim kokat” e të tjera si këto. Si për paradoks, të gjitha ato ulërima egërsie që dilnin nga goja e diktatorit Hoxha, shoqëroheshin me duartrokitje të zjarrta servile!…As dreqi vetë nuk mund ta merrte vesh se ku i kishte ai “kllasat” në këtë shoqëri shqiptare të stërvarfër e të mjeruar, ku përveç “kmerëve të kuq” pranë tij, të gjitha familjet shqiptare ishin ekonomikisht thuajse të barabartë, në fukarallëk të plotë. Por, me sa dukej, atij i duheshin armiqtë, prandaj i krijonte vetë, për të shfryrë mbi ta gjithë mllefin që i gufonte nga qenia e tij shtazarake dhe shpirti prej krimineli, se vetëm ashtu ai mund të ushqente lumin e madh me viktima dhe të mbante në këmbë skllavërinë e Spaçit dhe të simotrave të tij. Ai qe “arti i kulluar” i filozofisë së Enver Hoxhës, prandaj qe kaq “i madh”, sa desh u bë fener ndriçues në Europë, por “fatkeqësisht” askush s’e njohu, askush s’e pordhi dhe vdiq i unshëm, pa u ngopur kurrë me gjak dhe viktima, bile pa u ngopur sa donte as me duartrokitje false frike e servilizmi.

    Me një përbindësh të tillë mbi krye, shqiptarëve të shkretë, për mbijetesë iu imponua një jetë pa personalitet, një jetë e dyzuar, duke bërë pjesë të qenies së tij “maskën” e përshtatjes, e cila kërkonte art, por më shumë dinakëri për t’u përdorur në situata të ndryshme. Kur përpara teje kalonte një “shok” kryesor i partisë, sado maskara të ishte, duhej t’i jepte buzëqeshje kinse dhe po të flisje me të, duhej të zgjidhje fjalorin me partishmëri. Një të deklasuari, sado i mirë të ishte, duhej t’i vrenjtje vetullat dhe të mos rrije me të. Atij që ishte liruar nga Spaçi, duhej t’i ktheje shpinën, t’i merrje anën. Në mbledhje të kolektivit, që të zinte vend fjala, duhej ta filloje me një citat të udhëheqësit kryesor. Në kafene e kudo në ambiente shoqërore, duhej shpesh të thoje të kundërtën e asaj që mendoje. Në shtrat, përpara se të flije, duhej të analizoje fjalët që kishe lëshuar gjatë ditës. Një shkelje sado e vogël nga këto, një gabim në lojën me “maskën” e përshtatjes, ishte një premisë që nesër të pajiseshe me kapotën e Spaçit. Shumica dërmuese e atyre që gjetëm në atë ferr të pamerituar e të tjerëve përpara tyre, të vetmin “krim” që kishin kryer dhe kishin humbur çdo të mirë të kësaj bote, ishte ndonjë “gabim” i bërë me lojën e “maskës”, duke mos e përshtatur atë në vendin dhe kohën e duhur, ose të lodhur prej saj, në një moment të caktuar, në shenjë revolte e kishin flakur tej duke mbetur vetvetja. E ajo, vetvetja, ishte aq e rrezikshme për kohë diktaturash, se aty ishte “syri” i partisë, ai atë punë kishte, të vëzhgonte dhe të listonte “armiq” për t’i patur rezervë, që nesër, sipas radhës, t’i pajiste me kapotën e Spaçit, Burrelit, Ballshit e të tjera si këto, se minierat, kënetat e kantieret e tjera të rënda kërkonin skllevër. Tek prezantoheshim me bashkëvuajtësit aty, një nga pyetjet ishte: “Sa të kanë dënuar?” Mbeta i befasuar tek dëgjoja të thonin: “Kam bërë 16 vjet, kam edhe 18-të” (dënuar dy herë).Tjetri: “Kam bërë 12 vjet, kam edhe 20” (dënuar dy herë). Një i tretë: “Kam bërë 21 vjet, kam edhe 16-të) (dënuar tri herë). Nuk ndjehesha aspak mirë kur iu thoja se jam dënuar vetëm 7 vjet, sepse më dukej vetja jo plotësisht i denjë mes tyre. Organizimi i jetës në atë kamp ishte i studiuar dhe i ndërtuar në mënyrë të tillë, që t’i mbante të dënuarit në tension të vazhdueshëm dhe gjendje vuajtjeje ekstreme. Afro 2000 burra aty qarkullonin ngushtë e ngushtë në një hapësirë sa dy fusha volejbolli. Jo pa qëllim ishin ndërtuar shumë pak vc dhe lavamanë, prandaj në çdo moment krijoheshin radhë të pafundme përpara tyre. Mund të ndodhte që mbas një ore e më shumë në radhë aty, jepej urdhri për një rreshtim në tarracë e ti duhej ta lije dhe të vrapoje për të zënë në kohë vendin tënd në rreshtim. Ishte “luks” i madh kur të vinte radha të merrje një govatë për larje të teshave personale, ndoshta  një herë në dy apo në tre muaj. Policët e shërbimit ishin të shpërndarë në çdo qoshe dhe kontrollonin lëvizjet e të burgosurve. Çdo i dënuar mundohej të zinte një vend që rrihej nga dielli, mbasi aty lindja dhe perëndimi ishin aq afër njëra-tjetrës, nga që hapësira qiellore ishte shumë e ngushtë, e kufizuar nga shpatet e thepisura malore. Kur ti qëndroje me shokë, i ulur diku në një qoshe, duhej të bëje kujdes që roja e shërbimit të mos të gjente gafil, mbasi mund të “haje” një maje çizmeje në brinjë sa të mos mbusheshe me frymë. Të burgosurit e vjetër na mësuan që të qëndronim duke kontrolluar me sy lëvizjet e policëve, që pa u afruar akoma, duhej të ngriheshe në këmbë, të hapje rrugën dhe të qëndroje gatitu, po deshe t’i shpëtoje çizmes. Nëse kishe shumë të ftohtë, mund të bëje vrapim në vendnumëro, ngrohja e vetme aty, por me kujdes që t’i shpëtoje syrit të policit. Akoma më e tmerrshme ishte koha me shi, sepse mungonin strehët, ku mund të fusje kokën. Nëse shiu vazhdonte, ti ashtu qull i lagur duhej të qëndroje jashtë gjithë ditën, dhe kur kapota jote tejngopej me ujë, lejohej ta shtrydhje sa herë të doje. Mundësia për një tharje të pjesshme të veshmbathjes mund të bëhej gjatë natës në mes të batanijeve nga ngrohtësia e trupit dhe tafti që krijohej nga mbipopullimi i kapanoneve të pajisur me shtretër druri trekatëshe. Apeli bëhej të paktën dy herë në ditë, ku brenda pak minutash duhej të zije vendin në rreshtim dhe të qëndroje aty pa lëvizur, pa fjalë, gjersa të jepej urdhri për nisje. Nëse binte shi sado i madh, ti nuk mund të vije mbi kokë as edhe gjënë më të vogël mbrojtëse, jo vetëm karton a plastmas, por as edhe pëllëmbën e dorës, përndryshe polici i shërbimit, i cili vetë ishte i siguruar nga shiu, i mbështjellë me pelerinë, të nxirrte nga rreshti dhe të priste biruca e tmerrshme. Aty në rreshtim përpara nisjes mund të qëndroje edhe shumë gjatë nën rrebeshin e shiut, të  breshrit apo të dëborës, varej nga tekat apo urdhrat e komandës. Nisja për numërim bëhej dy e nga dy, gjithnjë të lidhur me gishtat e vegjël të dorës. Nëse numërimi nuk e jepte shifrën totale, sepse policët mund të gabonin, përsëritej numërimi nga e para, një, dy ose tri herë, gjer në rezultatin e saktë. Për komandën nuk kishte rëndësi nëse ti kulloje  ujë sikur të kishe dalë nga një pellg, nëse dridheshe nga të ftohtit, nëse ty të dhembte barku, koka apo dhëmbi, nëse ti ishe i moshuar me probleme zemre, diabeti apo tensioni. Personeli komandues i kampit ishte i përpunuar në atë mënyrë, sa u kishin krijuar idenë fikse, se secili prej nesh aty ishte një armik i rrezikshëm, një mish i huaj, një “kancer” i shoqërisë, që duhej torturuar e luftuar pa pikën e mëshirës. Ata, si vegla qorre, zbatonin urdhrat e padronëve për të mos rrezikuar vetveten. Nëse ndonjëri tregohej i butë, mbas pak kohësh nuk shihej më aty. Ngandonjëherë u jepej urdhri të futeshin në kapanone, dhe dikush lexonte një libër ose i shkruante letër familjes, ndonjëri në fshehtësi mund të mësonte gjuhë të huaj. Kjo e fundit ishte e rrezikshme, sepse po të ziheshe në befasi nga polici, materiali konfiskohej dhe i dënuari dërgohej në birucë.Birucat e kampit nuk ishin thjeshtë burg brenda burgut, por ato ishin qelitë e vdekjes, organizuar në atë mënyrë ky aty vetëm në pak ditë mund të humbisje shëndetin, bile edhe jetën, sidomos në periudhën e dimrit. Të dënuarit në birucë ia hiqnin teshat e trupit, duke e lënë në këmishë, në atë dhomëz karakatinë frigoriferike me çimento të lagur e pa asnjë pajisje të vetme. Ushqimi – bukë dhe kripë (sipas rregullores emërtohej “ushqim i thatë”). Do ishte fat nëse biruca jote do të qëllonte e mbushur me të dënuar, sepse aty mund të ruaje disi nxehtësinë e trupit nga ngjeshja me njëri-tjetrin dhe mund të flije si kali, në këmbë. Tek kujtohen të tilla trajtime çnjerëzore që shqiptari i bëri shqiptarit, me porosi të veçantë të diktatorit Hoxha, më vjen ndërmend ankesa e Nexhmije Hoxhës, se në qelinë e saj nuk ia kishin lejuar tharësen e flokëve!…Kur vinte orari i ushqimit, gjithnjë bëhej rreshtimi tek e famshmja tarracë, ku secili zinte vendin e tij me tasin e supës nën sqetull dhe lugën në xhep. Kur binte shi, sa më i dendur të ishte ai, aq më me vonesë jepej urdhri për t’u nisur. Shumë kush mendonte se ishin tekat e oficerit të rojës, por edhe ai kontrollohej nga të tjerët, sepse aty ishte syri i partisë dhe i sigurimit, të cilit nuk i shpëtonte askush. Më në fund, ashtu të qullur, njëri pas tjetrit, arrinim tek sporteli i jashtëm i kuzhinës. Për çudi, pikërisht përpara hapësirës së atij sporteli, ku furnizoheshin mijëra frymë, ishte kalkuluar rënia e rrjedhave të ujit të shiut që vinte nga çatia dhe kur ti afroje tasin për të marrë atë spirilëng supe ose çaji, sa vinte garuzhda, tasi të mbushej më parë më ujë. Të dënuarit, të mësuar prej vitesh me atë situatë që natyrisht ishte jo pa qëllim, ndërkohë që prisnin radhën e garuzhdës, detyroheshin ta derdhnin ujin e shiut disa herë, duke përmbysur tasin. Ishte “shans” dhe rast i rrallë kombinacioni i daljes së garuzhdës pikërisht në momentin kur ti e kishe tasin e boshatisur nga uji i shiut. Me atë tas supe ose çaji në duar që dridheshin nga të ftohtit, duhej të ecje dhe të ecje nëpër shi, për të hyrë në mensë, ku duhej të prisje jo pak në këmbë, gjersa të lirohej një vend në tavolinë. Ajo pritje ishte kohë e mjaftueshme që ai spirilëng supe apo çaji, të humbiste atë më të mirën që kishte, ngrohtësinë. Gjithçka e studiuar me përpikëri për ta poshtëruar dhe nxirë jetën të burgosurit. Mensa ishte ndërtuar me kapacitet ndoshta për dhjetëra vetë, ashtu si VC-të dhe lavamanët, ndërkohë që ne ishim me qindra. Nëse ndokush, i uritur ose i mërzitur me pritjen e gjatë humbiste durimin dhe tentonte të fuste një kafshatë ose një gllënjkë në gojë pa u ulur në tavolinë, po ta shihte polici, ai përfundonte në birucë. Ata që kishin zënë vend, duke parë shokët e tyre që prisnin në këmbë, nxitonin që të kollofitnin atë të ashtuquajtur ushqim sa më parë, për t’ia liruar vendin tjetrit. Çdo ditë, në orën e caktuar, të burgosurit ishin të detyruar të shkonin në sallën ku bëhej leximi i “veprave” të “shokut” Enver, rreth 2 orë, ku duhej të qëndroje në këmbë ngjitur njëri me tjetrin, ashtu siç ishe, i tharë apo i lagur e ndragur, pa folur e pa lëvizur. Lexuesi ishte një nga të burgosurit, i aprovuar nga komanda, të tjerët bënin sikur dëgjonin, por realisht askush nuk e vinte ujin në zjarr të dëgjonte nga ato broçkulla të shkruara nga dreqi e di sa e sa kalemxhinj, oborrtarë servilë të diktatorit Hoxha.