Fidel YLLI/Sporti, si faktor social (punësimi) dhe vlerësimi…

567
Sigal

Si pasojë e shkurtimit të orëve të edukimit fizik dhe mbylljes së klasave sportive pa asnjë lloj argumenti, një pjesë jo e vogël e kuadrove të edukimit fizik sot gjenden të papunë. Madje, edhe pse në vendin tonë ka një rritje të dukshme të numrit të qendrave të Fitnesit, të qendrave të shëndetit, të mjediseve për zhvillimin fizik, të qendrave për rehabilitimin e të moshuarve apo personave me aftësi të kufizuara, përsëri kjo, nuk e ka zbutur problemin e papunësisë së kuadrove sportiv. Kjo edhe për shkak të abuzivitetit në dhënien e licencave për këto lloj veprimtarish të para, thjeshtë si një lloj biznesi se sa si një aktivitet që duhet të licenconte edhe personat që drejtojnë aktivitet tek ato. Kjo është edhe arsyeja që sot shumë instruktorë të këtyre veprimtarive demonstrojnë defiçenca të mëdha në terminologjinë e përdorur, në dhënien e ushtrimeve të duhura, në përdorimin pa kriter të ngarkesave stërvitore etj.. Me pak fjalë në këto veprimtari ndeshesh me “specialistë” pa përgatitjen dhe kualifikimin e duhur, rrjedhojë kjo, edhe e mungesës së përgatitjes së këtyre specialiteteve nga Akademia e Sporteve. Për përmirësimin e kësaj gjendjeje, program i Partisë Socialiste merr përsipër: Të bashkëpunojë me Ministrinë e Arsimit dhe Universitetin e Sporteve që në këtë të dytën veç përgatitjes së mësuesve të edukimit fizik, të përgatiten edhe menaxherë të sportit, instruktorë turistik, drejtues të qendrave të fitnesit, specialistë të rehabilitimeve fizike, etj..

 Sporti në shkolla është pothuajse asgjësuar përfundimisht. Ne duam ta kthejmë sportin në shkollë. Ne duam që kultura sportive të bëhet pjesë integrale e kulturës së shkollës sonë, që nga niveli më i ulët deri në universitete. Ashtu sikundër besojmë që i kemi të gjitha mundësitë, që duke bashkëpunuar me sipërmarrjen, duke ndërtuar një marrëdhënie të re me njësitë e qeverisjes vendore, ne mund t’i japim një cilësi të re edhe sportit elitar.

JA Ç’DO TË BËJME ME SPORTIN NË SHKOLLA:
• Do të vendosim aty ku s’ka dhe do të rrisim aty ku ka, orët e edukimit fizik në të gjitha nivelet e shkollimit.
• Do të rihapim dhe riorganizojmë klasat sportive në përputhje më traditat sportive, kuadrin e specializuar, gjendjen disponibël të terreneve e objekteve sportive.
• Do të vëmë në sistem organizimin e sportit në shkollat e këtyre dy niveleve, duke përcaktuar forma të ndryshme të ushtrimit të sportit, (si atë shkollor dhe atë jashtë shkollor) por edhe modalitetet e bashkëpunimit të institucioneve shtetërore me ato sportive për të qenë sa më koherent edhe me rekomandimet e BE-së.
• Do të bashkëpunojmë me organizmat qendrore e lokale për gjetjen e formave dhe krijimin e kushteve për organizimin e ekipeve sportive sipas grupmoshave.
• Për të gjallëruar dhe koordinuar më mirë veprimtaritë sportive në shkolla edhe jashtë kurikulave shkollore, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit do të krijojmë Federatën e Sportit Shkollor me degët e saj në të gjitha drejtoritë arsimore të rretheve.
• Organizimi i përvitshëm i kampionateve sportive zonale midis shkollave 9 -vjeçare e të mesme deri në nivelin kombëtar do të përbëjnë themelet e punës tonë mbi të cilin do të përshkallëzohet lëvizja sportive masive si bazë e rëndësishme kjo edhe për sportin cilësor.

SPORTET KOMPETITIVE DHE SPORTISTËT ELITARË…

Sot në shumë sporte si në futboll, basketboll, boks, mundje, peshëngritje, volejboll etj., kemi mjaftë talente sportive të niveleve europiane e botërore, por që sot janë të shpërndarë në shtete të ndryshme të Europës e më gjerë.
Kjo jo vetëm për shkak të hapjes së Shqipërisë pas viteve ‘90, por edhe të mungesës së kujdesit të shtetit shqiptar për t’i bërë ata pjesë të ekipeve tona kombëtare. Madje, edhe sporti i futbollit, i cili ka një përvojë më të mirë në këtë fushë edhe ai vuan ende problemet e afrimit të futbollistëve cilësor që aktualisht debutojnë për llogari të ekipeve e klubeve të huaja.
Por më e keqja është se edhe këta sportistë cilësor që kemi në Shqipëri ende vazhdojnë të vuajnë vëmendjen dhe kujdesin e duhur të shtetit dhe të institucioneve të tij sportive.
Si të mos mjaftonin këto, sot shumë sporte e disiplina sportive ose kanë humbur ose i kemi në nivelet më të ulëta cilësore të këtyre 30 viteve të fundit.
Nisur nga deviza që sporti është imazhi i një shteti dhe aseti më i madh i këtij imazhi janë sportistët, ata që edhe vendin tonë e kanë futur më parë se çdo fushë tjetër në Europë, kujdesi i programit të PS për ta do të jetë:
• Dhënia e statusit të sportistit elitar të gjithë sportistëve që përmbushin kriteret dhe nivelet sportive europiane e botërore.
• Për këtë kategori sportistësh do të aplikojmë shpërblimin e veçantë sipas punës dhe arritjeve sportive me qëllim që edhe ata të përfitojnë ato vlerësime që përfitojnë bashkëkolegët e tyre në Ballkan, Europë e Botë, me qëllim që ata të mos ndihen të nëpërkëmbur në vendin e vet dhe të mos e braktisin atë për kushte më të mira stërvitore e financiare.

LIGJI I SPORTIT…

Ligji i sportit i ndryshuar disa herë në këto 8 vitet e fundit ka treguar se ai jo vetëm nuk është funksional, por në disa kapituj e paragrafë të tij shfaqet dukshëm si pengesë serioze për nevojat dhe interesat e sportit shqiptar.
Me mangësitë e këtij ligji janë të lidhura, gjithashtu, privatizimet, financimet jashtë buxhetore, lotaritë sportive, dhuna në sport, e cila këto vitet e fundit është shndërruar në një problem social për shoqërinë etj.. Madje, tashmë na është shtuar edhe trukimi i ndeshjeve të futbollit, një fenomen ky, që na ka bërë të njohur për keq edhe në arenën sportive ndërkombëtare.

CILA DO TË JETË E ARDHMJA…?
Përballë sfidave tona integruese edhe në sport dhe të vetëdijshëm se rruga e realizimit të synimeve dhe objektivave të këtij programi kalon nëpërmjet ligjit, komisioni i sporteve i Partisë Socialiste i konsideron të rëndësishme ndërhyrjet në legjislacionin sportive, por edhe atë të përgjithshëm, ku gjejnë vend sportet. Ndaj përmes masave dhe zgjidhjeve konkrete në këtë fushë ne synojmë:
• Rishikimin në tërësi të ligjit të sportit jo vetëm për të siguruar mundësi më të mira për zhvillimin e sportit amator dhe profesionist, por edhe për ta kthyer atë në sa më shumë profesional dhe në koherencë të plotë me legjislacionin e institucioneve te tjera të lidhura drejtpërdrejti ose tërthorazi me problemet e sportit.
Ndryshimet më të rëndësishme të këtij ligji do të jenë:
• Nxitja e politikave tatimore me qëllim stimulimin e sporteve
• Përmirësimi i ligjit në pjesën e lojërave të fatit me synim rritjen e kontributit të lotarive sportive në favor të sporteve
• Krijimin e hapësirave më të gjera për përfshirjen e bizneseve në sport përmes përmirësimit të pjesës së ligjit për sponsorizimet.
• Rishikimin e politikave tatimore për duhanin dhe alkoolin me qëllim që një pjesë të të ardhurave të vjela prej tyre t’ju kalojë sporteve.
• Riformatimi i Këshillit të Lartë të Ekspertëve të Sportit dhe e komisioneve të tjera qendrore sipas nevojave të sportit dhe jo klientelës politike.
• Përcaktimi më i qartë i kompetencave të pushtetit qendror dhe atij lokal, i klubeve sportive, i shoqatave dhe federatave të sporteve.