Festa e 100-vjetorit shijohet në panairin e “Klik Ekspo Group”

    417
    Sigal

    Në 2 ditët e para mijëra qytetarë janë dyndur në pavijonet e Panairit Ndërkombëtar të Tiranës

    Festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë u hapen me Panairin Ndërkombëtar të Tiranës të organizuar nga “Klik Ekspo Group”.  Në 2 ditët e para mijëra qytetarë janë dyndur në pavijonet e Panairit Ndërkombëtar të Tiranës. I projektuar si një surprizë, ditët e këtij edicioni janë përcjell te publiku i gjerë dhe të interesuar me gjithë madhështinë që mund të ofrojë një event i tillë, më i madhi në të gjithë historinë e panaireve në Shqipëri siç tha Kryeministri Sali Berisha në çelje të tij. Spektakli, risia dhe dhuratat nuk munguan në këtë edicion të sivjetëm. Madje u prezantua një çlirim të jashtëzakonshëm i dorës nga ana e biznesit, të cilët përpos paradës së mrekullueshme të biznesit dhanë për vizitorët dhe dhurata specifike për secilin biznes. Ky ishte dhe një element që e bën shumë tërheqës edicionin e sivjetëm, një “magnet” të jashtëzakonshëm për të gjithë vizitorët dhe të interesuarit  të cilët pritet të jenë mbi 40 për qind më shumë se sa edicionin e kaluar, duke shënuar një dyndje të vërtetë në ambientet e paradës së biznesit të prezantuar në Panairin e madh Ndërkombëtar të Tiranës nga kompania më e madhe organizatore në Shqipëri, “Klik Ekspo Klik”. “Klik Ekspo Group” e ka integruar organizimin e këtij eventi, që në fillimet e tij në vitin 1994, pikërisht në javën festive më të rëndësishme të Shqipërisë, atë të fundnëntorit. 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë shpalos dhe mëvetësinë e “Klik Ekspo Group” nga shtrirja e panaireve në ambiente fikse. Tashmë anëtari i vetëm në Shqipëri i Unionit të Panaireve Ndërkombëtare, “Klik Ekspo Group” sfidon këtë treg me një qendër panairesh të standardeve më të larta ndërkombëtare. Për herë të parë në Shqipëri, Panairi Ndërkombëtar zhvillohet në një strukturë të ndërtuar sipas standardeve europiane. Këto nivele e kritere të papara më herët në Shqipëri janë të certifikuara në industrinë e panaireve me një strukturë të sjellë e ndërtuar posaçërisht për Panairin e 100 Vjetorit. Ky përbën një hap përpara në marrjen udhë të projektit të ndërtimit të një qendre të përhershme panairesh, e cila i mungon Tiranës. Një kontribut të veçantë në këtë drejtim ka dhënë Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, nën kujdesin dhe patronazhin personal të të cilit, Panairi i 100 vjetorit do të ofrojë më shumë se 800 ekspozues të huaj dhe vendas që besojnë te e ardhmja ekonomike e Shqipërisë. Pranisë së mirëpritur të përvitshme të vendeve të Ballkanit dhe Europës Juglindore e Qendrore, i bashkëlidhet për të parën herë kaq konkrete pjesëmarrja e investitorëve kineze të organizuar nga Expo Shangai. Janë 50 kompani që përfaqësojnë sektorët e metalurgjisë, minierave, automjeteve dhe pjesëve të këmbimit. Do të prezantohen ofrues shërbimesh për kompani të klasifikuara ndër 500 më të suksesshmet në botë. Kina zyrtare përfaqësohet me Korporatën e Panaireve Ndërkombëtare në Rajonin e Shanghait, Shanghai RCG Convention & Exhibition co. ltd, etj. Një superfuqi e re ekonomike prezantohet për herë. Një vit pas çeljes së Ambasadës së Brazilit, dalin në pah qartë politikat bashkëpunuese që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Brazilit, duke u përfaqësuar përmes kompanive e grupimeve prestigjoze, si Shoqata e Industrialistëve të Përpunimit të Mishit të Brazilit. Më besniku i panaireve të mëdha ndërkombëtare të organizuara nga kompania Klik Ekspo Group, Greqia vjen me një pavijon me mbi 50 kompani, që nën kujdesin e Thessaloniki International Fair, dhe Dhomës së Tregtisë e Industrisë së Selanikut, mbartin përherë “lion’s share” në Panairet Ndërkombëtare, duke mos reshtur praninë e përvitshme as ne kohëra të vështira. Por, dhe fqinji ynë verior, Serbia vjen përmes një pavijoni ku shtrihen rreth 40 kompani. Një ndër pavijonet më të suksesshëm në 10-vjeçarin e fundit, simbol i marrëdhënieve shumë të mira tregtare dhe ndërnjerezore mes vendeve tona,  vjen në Shqipëri e mirëpërfaqësuar në sektorët e energjetikës, materialeve elektrike, industrinë e paketimit, materialeve dhe teknologjive të reja të ndërtimit, industrinë e përpunimit të ushqimit etj. Nuk mbetet pas as pavijoni i Kroacisë që nën mbikëqyrjen e Dhomës së Tregtisë së Zagrebit dhe Ministrisë së Ekonomisë e Tregtisë është prezent me 20 kompani në sektorët e materialeve të ndërtimit,  përpunimit të drurit dhe industrinë agroushqimore. Spikat Oprema Ure?aji që është e renditur si një nga pesë prodhuesit më të mirë në shkallë botërore të sistemeve të ftohjes dhe makinerive të shpërndarjes. Pavijoni i Hungarisë vjen kësaj radhe nën mbikëqyrjen e HITA-s, Agjencisë Hungareze për Investimet e Huaja, dhe Ministrisë së Ekonomisë së Hungarisë. Ai sjell mbi 30 kompani nga Hungaria, një shenjë e përshpejtimit të bashkëpunimit të ndërsjellët mes sipërmarrësve shqiptarë dhe hungarezë. Ndërsa pjesëmarrja kolektive e Malit të Zi e me 15 kompani të përfaqësuara nga Dhoma e Tregtisë më Jashtë e këtij vendi, ka sjellë ndryshimet e përvitshme në turizëm, përpunim druri, transport etj. Jo më ulët evidentohet pjesëmarrja kolektive e Maqedonisë, që nën kujdesin personal të ministrit të Ekonomisë, Valon Saraçini, një ndër promotorët e promovimit të Benelux-it ballkanik, sjell përvojën maqedonase të biznesit. Miku i Shqipërisë dhe i Klik Ekspo Group, sipërmarrja italiane përfaqësohet me teknologjite më të përparuar të energjetikës dhe burimeve alternative, ruajtjes se ambientit, ndërtimit, materialeve elektrike, krahas markave prestigjioze të arredimit që përfaqësojnë Italian Life-Style. Pasohet kjo me pjesëmarrja kolektive të Bullgarisë me 10 kompani që përfaqësojnë industrinë e ndërtimit dhe energjetikës. Ndërsa, në këtë  100 vjetor, Kosova është më e pranishme se kurrë më parë në një Panair Ndërkombëtar në Tiranë. Nën tutelën e Ministrisë së Ekonomisë së Kosovës, Agjencisë për Investimet dhe Eksportin e Kosovës, Shoqatat e Përpunuesve të Drurit dhe Metalit kanë mbledhur për të kremtuar 100 Vjetorin e Pavarësisë mbi 80 kompani prodhuese, duke rrëzuar në këtë mënyrë kufijtë mes shteteve dhe duke bërë funksional dhe “krahun” tjetër të Shqiponjës, si shtet i ri me vizion të qartë jo vetëm politik por dhe ekonomik. Ndërkohë ka një pjesëmarrje individuale nga  Belgjika; Franca; Zvicra; Sllovenia; Turqia; Gjermania; Austri; Bosnje Hercegovina; Turqia, të fokusuara në sektorët e ndërtimit, të mbrojtjes së mjedisit dhe filtrimit të ujërave, materialeve të ndërtimit, metalurgjisë, minierave,  industrisë kimike, industrisë agroushqimore, pjesëve të këmbimit. Spikatin Korporata Multinacionale MABETEX GROUP, CHEMAII International Shanghai co., ltd, Vetroresina Group, Caraglio Group, Verpan, Eurocontruction, VIBTIS Alba Star, Leva, STUDEN & CO HOLDING GMBH, SHANGHAI RCG CONVENTION & EXHIBITION CO., Oprema Ure?aji, etj. Një ndër eventet që do të organizohen në një hap me Panairin e 100 Vjetorit, është Takimi i Aleancës së Panaireve të Europës Qëndrore – CEFA. Në këtë takim, Europa do të përfaqësohet nga njohës të zhdërvjelltë të tregut dhe marrëdhënieve ndërkombëtare që përfaqësojnë kulme të Industrisë së Panaireve si titullarë të Panairit te Munihut, të Vjenës – Reed Exhibition, Bolzanos, Milanos, Shkupit, Beogradit, Zagrebit etj, të gatshëm edhe për të lobuar pro investimeve të vendeve të tyre drejt Shqipërisë.