Fermerët, do të duhet të paguajnë edhe mbi 3,000 euro

680
Sigal

Hotelet me 5 yje, status special, janë kategoria e vetme e biznesit që përjashtohet nga taksa e ndërtesës. Kjo ishte një nxitje që qeveria vendosi ta jepte mes shumë të tjerave, për të tërhequr investimet në sektorin e turizmit. E ndërsa një hotel me pesë yje do të paguajë zero lekë për vendorët, një fermë e cila mund të jetë në kushtet e mbijetesës mund t’i duhet të paguajë deri në disa mijë euro, në varësi të sipërfaqes.

Petrit Ago, sipërmarrës, i cili ka një fermë blegtorale në Fushë-Krujë, pohon se më parë nuk ka pasur taksë për sallat blegtorale. Me ligjin e ri, pohon ai, referenca për vlerën e stallave, mbi të cilën më pas do të llogaritet taksa e pronës, është sa 35% e çmimit të referencës të apartamenteve në zonën ku ato janë të vendosura. Sipërfaqja minimale e ndërtesës (stalla plus magazina) e një ferme me 70 lopë është 1000 metra katrorë, pohon ai. Si rrjedhojë e sipërfaqes së madhe, taksa e pronës rezulton e konsiderueshme, sidomos për fermat e mëdha. Ndërsa taksa e pronës së shtëpisë është 0.05% e referencës, taksa e stallës është 0.2% e referencës, pra katër herë më e lartë. Në varësi nga sipërfaqja dhe nga zona, pronari i ndërtesës së një ferme blegtorale do të paguajë nga rreth 150-200 euro në vit në zona me referencë të ulët të pronës dhe me sipërfaqe rreth 1000 m², në 3500 euro në vit për sipërfaqe të mëdha, mbi 10 mijë metra katrorë (shih tabelën).“Për blegtorinë edhe 10 qindarka më shumë japin efekt”, thotë Ago. “E gjithë Europa i subvencionon fermat blegtorale, këtu po na marrin edhe kafshatën e fundit”, pohon ai. “Si mund të paguajë stalla katër herë më shumë sesa shtëpia?!”.

Flet Alban Zusi, Kryetar i Shoqatës së Eksportuesve: Tre arsyet pse bizneset prodhuese duhet të ishin diferencuar nga taksa

Bizneset prodhuese duhet të ishin diferencuar tek taksa e re e ndërtesës për të paktën tre arsye, sipas kreut të Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi. Në një intervistë për “Monitor”, thekson se këto biznese nuk kanë qarkullim dhe norma fitimi si disa biznese të tjera, ushtrojnë aktivitetin në sipërfaqe që shkojnë me mijëra metra, çka nuk është njëlloj si një dyqan apo zyrë avokatie dhe, së treti, bëhen më pak konkurrues, duke ua vështirësuar rrugën drejt rritjes së eksporteve.

A ka një shqetësim nga bizneset, kryesisht prodhuese, lidhur me taksën e re të ndërtesës, ju si e shihni këtë?

Si nivel, taksa është e barabartë me objektet e tjera tregtare që kanë norma më të larta fitimi dhe qarkullim më të lartë. Ky është shqetësimi i parë që kemi. Së dyti, duhet të kemi parasysh që veprimtaritë prodhuese bujqësore dhe fermat kanë sipërfaqe shumë të mëdha. Ky nivel që aplikohet mund të jetë ndoshta normal, për një zyrë avokatie apo për një dyqan, pasi flasim për pak metra/katror, ndërsa për stallat dhe fermat, flasim për mijëra metra/katror. I treti problem lidhet me atë që ne deklarojmë shpesh, që duhet të kthehemi nga një ekonomi shërbimesh, në një ekonomi prodhuese, me qëllim që të zëvendësojmë importet. Nuk mund të trajtohet njëlloj, si një veprimtari që do jetë aty, se konsumatorët kanë nevojë për të dhe sektori prodhues, i cili për të arritur këto objektiva, pra për të dalë në eksport, për të konkurruar importin dhe për ta zëvendësuar atë, ka nevojë për mbështetje dhe diferencim.