Ferit SHQEFNI: Banorët e Tiranës në stres dhe frikë nga kabllot elektrikë

    414
    Jetesa në Tiranë, ka disa “pika të dobëta”, me të cilat përballen përditë qytetarët e kryeqytetit. Janë “gjëra të vogla” në dukje, por janë pjesë shqetësuese rënduese, me shumë ndikim fizik e psikologjik, që shqetësojnë edhe në veprimtarinë e përditshme. Janë probleme sociale që nuk kërkojnë investime nga shteti, por vetëm kontroll e detyrim për zbatim ligji nga ata që i krijojnë këto probleme. Janë zgjidhje që kanë lidhje me veprimin e strukturave të pushtetit lokal, deri tek njësia administrative e lagjes, bllokut, pallatit. Zgjidhja e tyre kërkon investime nga subjektet private që kryejnë shërbime publike, por që i kryejnë ato me mangësi, në shkelje të plotë e të hapur të ligjit, duke krijuar me shqetësime ndaj qytetarëve. Sot, gazeta “Telegraf” po ndalet konkretisht në disa prej këtyre shqetësimeve që kanë “zënë rrënjë” e nuk po “shkulen” prej mëse 20 vitesh, prej neglizhencës së plotë të strukturave të shtetit e të pushtetit lokal në kryeqytet, të cilat vazhdojnë të shpërfillin edhe apelin dhe protestat e shpeshta, të bëra prej qytetarëve…
    ”Rreziku nga kabllot elektrik!
    Të gjithë e shohim me sy këtë realitet jo të mirë, se si mbi kokat tona qëndrojnë të varur kabllo të ndryshëm, të çdo lloji. Në të gjitha lagjet e Tiranës, kudo e gjithandej të sheh syri kabllo të gjithfarë lloji: Rreth mureve të pallateve, në shtyllat e rrugës, mbi tarracat e pallateve, nëpër ballkone që “valëviten” mbi kokat e njerëzve etj. Tashmë, këto vitet e fundit, veç kabllove elektrik, janë shtuar edhe kabllot e internetit, që përbëjnë shumëfishin e atyre të kabllove elektrik. Kërkesat në rritje për pajisje me internet, ka bërë që edhe shtrirja me kabllo të tillë, të jetë mjaft e madhe. Kudo dhe gjithandej të sheh syri kabllo interneti të shtrirë gjithandej dhe ku të munden. Sapo një qytetar bën kërkesën për pajisje me internet, i menjëhershëm është dhe plotësimi i kërkesës nga kompanitë përkatëse, duke marrë masa të menjëhershme për shtrirjen e kabllove pa asnjë plan, rëndësi ka që të bëhet lidhja e abonentit, paçka se linja kabllore ilegale kalon në hapësira ajrore ku nuk duhet kaloj. Por rreziku më i madh, nuk është vetëm tek kabllot e internetit, por dhe tek kabllot elektrik, shumica e të cilëve lidhen ilegalisht, madje edhe duke u lënë të pa izoluar. Këto vihen re nëpër shtyllat e ndriçimit përgjatë rrugëve e bulevardeve ku kalojnë njerëzit, të cilët padyshim përbëjnë një rrezik të madh për qytetarët. Në këto kushte, qytetarët duhet të tregojnë shumë kujdes që të mos i prekin këto kabllo, pasi rrezikohen nga korrenti dhe për pasojë mund të humbin edhe jetën. Kujtojmë, që para disa kohësh ka dalë një urdhër për pastrimin dhe largimin e këtyre kabllove nga kompanitë përkatëse e që të mos shtrihen në ajër, por me instalime rrjetesh nëntokësor. Me sa duket, ky vendim ka rënë në vesh të shurdhër. Në këto kushte, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim edhe me ministrinë e linjës, duhet të marrë masa urgjente për zgjidhjen e këtij shqetësimi. Deri atëherë, këshillohet që qytetarët duhet të bëjnë kujdes, për t’u mbrojtur nga këto kabllo, të cilët në shumë raste janë edhe në lartësi të ulët, madje edhe përtokë, ose të lidhur në trungje pemësh.
    Rreziku nga ballkonet e pallateve!
    Nuk është fjala për rrezikun, se mund të shemben ballkonet e pallateve, por për një “rrezik” tjetër, përballë të cilit qytetarët e Tiranës duhet të ruhen dhe të jenë tepër të vëmendshëm, ndërkohë që lëvizin apo kalojnë poshtë ballkoneve të pallateve, pasi mund të bëjnë edhe ndonjë “dush” të çastit që mund të hidhet nga njerëz të pa përgjegjshëm, ndonjë kovë me uji nga ndonjë ballkon në lartësi të pallateve. Pasi tashmë është bërë e modës, që sa herë vjen uji nëpër çezmat e qytetarëve, amvisat lajnë edhe ballkonet me ujë të bollshëm, duke “harruar” se të gjitha ballkonet e pallateve kanë tuba që shkarkojnë ujin, i cili bie mbi kokat e njerëzve që kalojnë poshtë pallateve të tyre. Të ndodh kjo në stinën e verës, është gjysma e të keqes, se ndoshta shërben edhe si “fresk”, por kjo mund të ndodh edhe në dimër, që uji edhe mund të të ngrijë mbi kokë, në qafë ose mbi veshje! Sakaq, nuk përjashtohet edhe mundësia e hedhjes së qeseve me mbeturina, apo të ndonjë sendi tjetër nga ballkonet e pallateve.
    Rreziku nga kabinat elektrike!
    Një rrezik tjetër, që i kanoset banorëve të kryeqytetit janë dhe kabinat elektrike. Janë me dhjetëra kabina të tilla, që janë instaluar nëpër katet e para të pallateve. Pothuajse në të gjitha lagjet e Tiranës ka kabina elektrike, të cilat padyshim përbëjnë një rrezik të madh për banorët përreth këtyre kabinave. Dihet se këto kabina nëpër katet e para të pallateve, veçanërisht në ata 5-kate, kanë qenë të instaluara prej vitesh, por çuditërisht edhe pas viteve ‘90-të, nëpër pallatet e reja, madje shumëkatëshe, janë instaluar e montuar kabina elektrike! Tek njihesh me këtë realitet të rrezikshëm, me të drejtë edhe banorët shprehen, se ata ndjehen tepër të frikësuar, pasi rreziku nga këto kabina është prezent në çdo kohë. Nisur nga kjo situatë tejet e rrezikshme dhe emergjente, bashkia e Tiranës duhet të ndërhyjë urgjentisht, sigurisht dhe në bashkëpunim edhe me OSHEE, për marrjen e masave që të largojë këto kabina nga katet e para të pallateve dhe t’i instalojë ato nëpër vende të tjera të përshtatshme, që banorët të mos qëndrojnë me ankthin e rrezikut, pasi mjafton vetëm një shkëndijë elektrike dhe “larg qoftë” (siç thotë populli), mund të marrin flakë të gjithë pallatet përreth këtyre kabinave.
    Rreziku nga qentë e rrugës!
    Përveç shumë rreziqeve të shumta që u kanosen qytetarëve të Tiranës, ata përballen edhe me një rrezik tjetër, siç është ai i qenve të rrugës. Të gjithë e shohim me sy, se si nëpër rrugët e Tiranës, lëvizin tufa qensh. Qytetarët duhet të ruhen e të bëjnë kujdes nga ky rrezik, pasi në rast të ndonjë sulmi që shpesh ndodh nëpër rrugët, lagjet dhe hyrjet e pallateve e të tregjeve të Tiranës, atyre iu duhet t’i drejtohen spitalit për injeksionin “Tetanos”. Duhet theksuar, se ka pasur shumë qytetarë që kanë rënë “viktimë” e kafshimit të qenve të rrugës, madje duke rrezikuar edhe jetën. Duhet të jemi të mirë-informuar, se kafshimi nga këta qen rrugaç, ose siç quhen ndryshe “qentë e rrugës” është tepër i rrezikshëm për jetën e njeriut, pasi ata janë të pa vaksinuar. Bashkia duhet të ndërmarrë një aksion masiv për zhdukjen e këtyre qenve me izolim të tyre larg dhe jashtë mjediseve publike, pasi qytetarët e Tiranës, veç rreziqeve të tjera që aq shumë kanë, u duhet të ruhen edhe nga rreziku i… qenve të rrugës! 
    Stacionet e autobusëve në Tiranë, 70% pa “strehë” qëndrimi
    Nuk mungojnë stacionet apo vend-qëndrimet e autobusëve, por mungojnë kabinat që duhet të ndërtohen në ato vende ku ndalojnë autobusët. Janë me dhjetëra stacione ku mungojnë këto kabina. Eshtë fakt, që veç stacioneve ekzistuese, janë shtuar edhe shumë të tjera, e për rrjedhojë diktohet edhe nevoja për vendosjen e kabinave shtesë në ato vend-qëndrime ku mungojnë këta kabina. Është dhe një shqetësim tjetër, se në ato stacione ku ka kabina të tilla, janë shkatërruar pothuajse të gjitha. Ndërtimi i kabinave nëpër stacionet e autobusëve, nuk bëhet thjeshtë për të treguar se në atë vend ka “qëndrim autobusi”, pasi për këtë, njerëzit, fare thjeshtë mund të orientohen edhe me anën e tabelave të vendosura, por më shumë se kaq, ata nevojiten që njerëzit të qëndrojnë në këto kabina deri sa të vij e të iki autobusi. Por mund të ndodhë që autobusi të mbërrijë me vonesë në stacion, e për pasojë edhe qëndrimi i njerëzve nëpër këto stacione, të jetë i gjatë. Po vallë, në një ditë me shi, ku këto kabina mungojnë, çfarë mund të ndodhë? Veç problemeve të tjera të shumta që ka Bashkia e Tiranës, duhet të vlerësojë për zgjidhje edhe këtë shqetësim për qytetarët që frekuentojnë shërbimin urban publik.

    Shkrimi u botua në gazetën Telegraf të datës 06.01.2016 
    Sigal