Feride PAPLEKA/Gjuha frënge, gjurmë historike

    1110
    Sigal

    Pranvera e frankofonisë

    Frëngjishtja është gjuhë indo-europiane e familjes së gjuhëve romane. Ajo është formuar në territorin e Francës së sotme në bazë të dialektit oil që flitej  kryesisht në departamentet rreth Parisit. Gjuha frënge në ditët tona flitet nga rreth 220 milionë njerëz, prej të cilëve më shumë se 115 milionë e kanë gjuhë të parë,  kurse 72  milionë e kanë gjuhë të dytë (sipas vlerësimit të Organizatës ndërkombëtare të frankofonisë më 2010). Ajo është një nga dy gjuhët e punës (së bashku me anglishten) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, gjuhë zyrtare apo e punës në shumë organizma rajonalë apo ndërkombëtarë, nga të cilat më i rëndësishmi është Bashkimi Europian. Gjuha frënge numërohet si një nga gjashtë gjuhët kryesore zyrtare që fliten aktualisht në botë. Gjuhë e oborrit mbretëror dhe princëror në Regjimin e Vjetër francez, e carëve të Rusisë, e mbretërve të Spanjës dhe Anglisë si dhe e princërve gjermanë, ajo tashmë ka fituar një shtrirje të gjerë në shkollat dhe e universitetet e globit, duke mbetur njëkohësisht një gjuhë e rëndësishme e diplomacisë ndërkombëtare krah anglishtes, gjermanishtes dhe spanjishtes. Si cilësi e autoritetit më të lartë të Francës, frëngjishtja është mjeti kryesor i përhapjes së mendimit dhe kulturës frënge në botë. Ajo ka si veçanësi që zhvillimi dhe kodifikimi i saj kanë qenë kryesisht vepër e grupeve intelektuale si Pléiade ose e institucioneve të larta si Akademia franceze. Megjithatë, të shumtë janë ata që kanë punuar për ta mbrujtur këtë gjuhë  të gjallë, midis të cilëve në radhët  e para qëndrojnë shkrimtarët

    Retrospektivë

    Në epokën e pushtimit nga ushtritë romake të Jul Qezarit, Gaule ishte e populluar nga tribu goluaze që flisnin gjuhën keltishte, para, nuk ekzistonte një gjuhë e vetme, por disa dialekte, të cilat në raste të rralla mund të shkruheshin. Gjuha romake shkruhej dhe si gjuhë autoriteti zyrtar ajo u përshtat pak nga pak gjatë shekujve të pushtimit. Kësaj gjuhe në shekullin III i  mbivendoset edhe ndikimi i dialekteve gjermanike në një bashkëjetesë të gjatë. Megjithatë pas rënies së perandorisë romake në shekujt IV dhe V, frëngjishtja e vjetër fillon të zërë vend kryesor. «Angazhimet e Strasburgut”( Les Serments de Strasburg ) më 842, mbahet si teksti i parë i shkruar në një frëngjishte të vjetër; që nuk ishte më një tekst latinisht. Kështu mbreti Charles Magne i bashkohet këshillit të Turit, i cili që më 813 vë si detyrim gjuhën popullore në vend të latinishtes. Megjithatë, dihet që gjuha frënge rrjedh nga transformimi i latinishtes dhe i mbishtresave gjermanike. Nga ky fond i ndërlikuar lindi “galoromanishtja” e folur në Golë që në shekullin IX, në të cilën shfaqen dy dialekte kryesore, ai i jugut oc dhe ai i veriut oïl, ndër të cilët fiton dialekti që flitej në París, si vend ku zhvillohej kultura dhe politika e që si territor,veç kësaj kishte edhe një lulëzimin më të madh demografik. Poema Kënga e Rolandit, disa këngë të tjera epike si dhe “Vargje për shenjtoren Eulalie”, si dhe këngët e trubadurëve (një lloj aedi popullor), bëjnë pjesë në fondin më të lashtë të frëngjishtes.

    Periudhës që shtrihet aty nga fundi i shekullit XI deri në fillim të shekullit XVI i përgjigjet një rrezatim i fortë i frëngjishtes mesjetare. Gjuha frënge bëhet gjuhë ndërkombëtare që flitet në  oborret mbretërore të Europës e që lë gjurmë  në të gjitha gjuhët e kontinentit të vjetër. Ajo bëhet lingua franca, ligjet shkruhen në frëngjisht, diplomacia përdor frëngjishten.

    Më 1539  mbreti i Francës François Ier firmos urdhrin e njohur Villiers-Cotterêts, që i dha forcë juridike procesit të francizimit të territorit. Ky tekst themeltar duhet vlerësuar si një urdhër që e shndërroi frëngjishten edhe si gjuhë e të drejtës dhe administrimit publik në Francë. Fjalori i parë frëngjisht-latinisht u botua nga Robert Estienne më 1539.

    Në shekullin XVI frëngjishtja është bërë gjuhë e të gjithë vendit. Libri “Mbrojtja dhe shkëlqimi i gjuhës frënge » (La Deffence, et l’llustration de la Langue Francoyse në ortografinë origjinale) është një tekst  i teorisë letrare e gjuhësore të Rilindjes, shkruar më 1549 nga poeti francez Joachim du Bellay. I cilësuar shpesh si « manifest » i poetëve të Pléiade-s, libri tregon edhe mirënjohjen për François Ier dhe rolin e tij të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës dhe arteve, krijimin e një kolegji dhe një biblioteke mbretërore që filloi të pasurohet me blerjet dhe depozitimet e botimeve. Eshë interesant premtimi i tij që “me shokët e Pléiade-s » do ta bëjë gjuhën frënge « një gjuhë reference dhe mësimi ». Kjo kërkesë, “për të normalizuar dhe përsosur gjuhën” e udhëhoqi pastaj kardinalin Richelieu për krijimin e Akademisë franceze më 1635, në kohën e mbretërimit të Louis XIII. Dokumenti i parë i saj është një tekst i ruajtur mbi pergamenë, firmosur nga Richelieu. Themelimi i Akademisë është me rëndësi të madhe për gjuhën dhe kulturën franceze. “Për metodën” më 1637 i René Descartes, shënon një hap shkencor përpara në shkallën e shprehjes gjuhësore filozofike. Më 1694 botohet diksioneri i parë i Akademisë që mbështet mbi parime të qarta shkencore, ndryshe nga fjalorët e Richelet dhe Fouretière. Ai pason botimin e të famshmes gramatikë e Port-Royal, tekst normativ themelor për gjuhën frënge. Parimi për të demokratizuar fjalët e reja mbetet i pandryshueshëm në të gjitha botimet e Akademisë. Dispozitivi i Richelieu është kaq i përkryer, sa ai i ka kapërcyer shekujt pa ndryshime të mëdha. Fjalë për fjalë aty thuhet “pushteti politik nuk duhet të ndërhyjë në gjuhë duke abuzuar, ai duhet t’ia lejë ndryshimet gjuhëtarëve”. Më 1685 Pierre Bayle shkruan se frëngjishtja është një « pikë komunikimi e gjithë popujve të Europës”.. Filozofi i shquar gjerman Gottfried Wilhelm Leibniz (1646-1716), më të shumtën e kohës shkruante frëngjisht, Perandoresha e Rusisë, Catherine II i hartonte në frëngjisht materialet e Akademisë. Frederiku II i Prusisë ishte një dashamirës i madh i frëngjishtes, ai shkëmben letra frëngjisht me Voltaire dhe e shkruan jetëshkrimin e vet në frëngjisht. Ai arrin deri atje sa në Akademinë e Berlinit zëvendëson latinishten me frëngjishten. Më 1783  Akademia e Berlinit propozonte si temë konkursi shkrimtarëve temën  e mëposhtme “Çfarë e ka bërë gjuhën frënge një gjuhë universale

    Por është Revolucioni francez që do të shënojë një zhvillim të patjetërsueshëm të francizimit të territorit me “planin Talleyrand”, i cili parashikon që në shkolla të mësohet vetëm frëngjishtja me qëllim që të “dëbohen këto dialekte të bastarduara, gërmadha e fundit e feudalizmit”. Për herë të parë bashkohen në një: gjuhë dhe komb, duke e konsideruar frëngjishten si çimentuese të unitetit kombëtar. Më 17 nëntor 1794, me qëllim që të shpejtohet francizimi në fshatra, Konventa kombëtare e qeverisë revolucionare, vendos hapjen e 24 mijë shkollave fillore në territorin francez. Me dekret të posaçëm ajo udhëzon mësuesit të japin mësimin e frëngjishtes në të gjitha shkollat. Frëngjishtja duhet të jetë gjuhë e detyrueshme për të gjithë. Revolucioni i tejkalon vlerat e gjuhës frënge. Në Konventë thuhet se “frëngjishtja është gjuhë e dritës universale” Në këtë kohë botohet edhe diksioneri me terminologji të re në përdorim të gjerë, duke e demokratizuar edhe më tej gjuhën.

    Në shekullin XIX, frëngjishtja bëhet gjuhë diplomatike e klasit të parë. Zhvillimi i shoqërisë dhe i Republikës së letrave i lejojnë Akademisë që në shekullin XIX të hapë dyert për përfaqësuesit më të shquar të letërsisë si Chateaubriand, Lamartine, Hugo, Vigny, Musset ou Nodier,  politikanëve të njohur, doktorëve të Kishës. Disa dështime me emrat e Emile Zola dhe Charles Baudelaire nuk ia humbën asaj shkëlqimin. Asaj iu shtuan pastaj emrat Littré, Renan,  Louis Pasteur,  Leconte de Lisle, Anatole France, Edmond Rostand, Maurice Barrès,  Henri Poincaré, Henri Bergson, Georges Clemenceau, Le Maréchal Foch, Paul Valéry, François Mauriac, André Maurois, Paul Claudel, Jean Cocteau e të tjerë.

    Gjatë shekullit XX frëngjishtja pariziane mbetet normë e frëngjishtes për tërësinë e frankofonisë, pa lënë pas dore zhvillimin e brendshëm të gjuhës që konsiderohet si proces i natyrshëm. Në Kushtetutën e pas Çlirimit të vitit 1958 thuhet se “Frëngjishtja është gjuha zyrtare e Republikës” dhe saktësohet, ndër të tjera, se “Republika merr pjesë në zhvillimin e solidaritetit e të bashkëpunimit mes Shteteve dhe popujve që kanë frëngjishten të përbashkët”. Me dhjetëra fjalorë shkencorë e kanë zgjeruar dhe e zgjerojnë vazhdimisht hapësirën e kuptimit dhe të shprehjes në gjuhën frënge, që  nga Lexis, Larousse, Robert i Përditshëm,  Littré, Robert në gjashtë vëllime, Larousse i Madh në shtatë vëllime ose Thesari i gjuhës frënge. Kemi pastaj fjalorët analogjikë, sinonimikë, etimologjikë, njëgjuhësorë, dygjuhësorë etj. Le Petit Robert (Roberi i Vogël),  fjalori alfabetik dhe analogjik i gjuhës frënge,  është sot për sot diksioneri më i çmuar për atë që do të thellojë njohuritë për gjuhën frënge, e sidomos për përkthyesin.

    Shumë ligje dhe shtesa ligjesh kanë dalë në gjysmën e dytë të shekullit XX, veçanërisht për arsimin, për shtypin, për administratën dhe ortografínë, duke cilësuar se “frëngjishtja pariziane përbën normën e frëngjishtes për tërësinë e frankofonisë në botë”. Frëngjishtja është gjuha bazë në Francë, Belgjikë (Wallonie dhe në rajonet e Brukselit), në Monako, Luksemburg, në Zvicrën romane, dhe në luginën e Ostës. Në Amerikë frëngjishtja është gjuhë kryesore në disa provinca si në Louisiane, Saint Luois, Detroit, Baton-Rouge, Trois Rivières etj., në territoret e Kanadasë, kryesisht në Québec (Kebek), në Guayanën franceze, në Haiti, ne Republikën Demokratike të Kongos, në Antille, Guadeloupe, Martinik etj. Në Afrikën e Veriut dhe të perëndimit frëngjishtja është gjuhë e dytë, por si tërësi nga 53 shtete afrikane gjithsej, 32 flasin frëngjisht, ose më shumë se gjysma e kontinentit. Ajo është gjuhë zyrtare e shumë vendeve në botë. Frëngjishtja është gjuha e dytë, më e mësuara në botë pas anglishtes. Duke e zgjeruar ndikimin e kësaj gjuhe, më 1985 krijohet kanali TV 5 Monde (më 2010 ai cilësohet si “klasa më e madhe e frëngjishtes në botë”). Më 1994 ligji Jacques Toubon, e zgjeron autoritetin e ligjit për gjuhën frënge, si gjuhë e detyrueshme për të gjithë ata që punojnë në Francë. Ligji ndalet sidomos te dispozitat e ndërmarrjeve të huaja, që duhet të përdorin gjuhën frënge ose të përkthejnë frëngjisht çdo material që vjen nga një gjuhë tjetër. Ligji Toubon përbën një datë të rëndësishme për francizimin e plotë të Francës në kohët e reja. Qëllimi i saj është të mbrojë frëngjishten nga fjalët e huaja, sidomos nga amerikanizimi i saj. Ndryshe nga shumë vende, Franca ka ngritur  shumë organizma  që kanë si detyrë të krijojnë terminologjinë franceze dhe të sigurojnë “mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës”, si bie fjala Akademia franceze që bën të detyrueshme fjalët e reja, por edhe Shoqata të ndryshme si ajo e terminologjisë, që punon me komunitetet gjuhësore të shërbimin e gjuhës frënge jashtë Francës, OIF, Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë, që mbron frankofoninë botërore. Frëngjishtja mësohet në disa universitete të botës dhe gëzon një bukuri në botën diplomatike, të gazetarisë, në atë juridike dhe universitare. Edhe në universitetin shtetëror të Tiranës mësohet frëngjishtja në një Fakultet të veçantë. Anë e mbanë Shqipërisë ka disa shkolla të mesme për gjuhën frënge. Sot frankofonia është organizata më e madhe gjuhësore në botë me 75 vende anëtare (sipas statistikave të vitit 2010 të OIF).

    Burimet: teksti “Historia e gjuhës frënge” dhe Statistikat e OIF.