Ferdin Liçaj: Çdo fatkeqësi, çdo varfëri, shfarosje e pyllit vjen nga mungesa e shtetit ligjor

    612
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet inxhinieri i pyjeve, Ferdin Liçaj

    – Në regjimin komunist pyjet dhe kullotat, ashtu si çdo pasuri tjetër e vendit tonë, ishin pronë e shtetit ose për të qenë më të saktë administroheshin si pasuri të patundshme shtetërore. Pas ndryshimeve politike rrënjësore që ndodhen nga viti 1991 e në vijim u konstatua se këto pasuri nuk ishin të regjistruara si të tilla në asnjë hipotekë, pra nuk gëzonin atributet e pronave juridike të shprehura në dokumentet e njohur të çdo pronësie. Në këtë kontekst administrimi dhe ruajtja e pyjeve mbështetej nga një ligj i posaçëm, i cili titullohej  Ligji mbi pyjet. Në çdo rreth (në atë kohë kishte 24 rrethe) shteti kishte ngritur një ndërmarrje, e cila merrej me mbrojtjen dhe administrimin e pyjeve; Njësia bazë administrativë e ndërmarrjes ishte sektori dhe për sektorin ishte zona; në çdo zonë kishte një teknik pyjesh, i cili kishte mbaruar shkollën e mesme pyjore në Shkodër; tekniku kishte për detyrë të zbatonte projektet që hartoheshin nga dega teknike dhe miratoheshin nga këshilli teknik i ndërmarrjes në përputhje me planin vjetor të miratuar nga drejtoria e përgjithshme e pyjeve dhe kullotave pranë ministrisë së bujqësisë në Tiranë.

    Cilat ishin detyrat e rojave të pyllit në atë sistem?

    Pylltari i zonës kishte për detyrë gjithashtu të garantonte mbrojtjen e pyjeve nga dëmtimet me karakter të ndryshëm (Prerjet abuzive, zjarret); ai ishte në të njëjtën kohë edhe monitoruesi i ecurisë silvikulturale të grumbujve pyjorë si dhe ngjarjeve të tilla si dëmtues apo sëmundje që kishin karakter masiv;  të gjitha të dhënat ai i raportonte në sektorin pyjor të cilit i përkiste administrativisht. Për mbrojtjen e pyjeve në atë kohë kishte një organizim strikt, veçanërisht gjatë periudhës së nxehtë të vitit kur kishte raste të shfaqjes së zjarreve spontanë në pyje te ndryshëm, kryesisht rrotull zonave të banimit.

    – Sa ha pyje kishte Shqipëria në atë sistem dhe sa ka sot?

    Sipas statistikave institucionale që publikoheshin atëherë, sipërfaqja pyjore në Shqipëri kapte shifrën e përafërt të 1 milion hektarëve; sot kjo shifër padyshim që është ulur paksa për arsye të heqjes së shumë sipërfaqeve nga fondi pyjor për tu përdorur për ndërtime, terrene fabrikash për prodhim çimentoje, gëlqereje, çakulli, gurore, terrene ndërtimesh etj..Në fakt dua të theksoj, sa për kulturë të lexuesit, se pyje të lartë, pra nga ata pyjet klasikë me të cilët është mësuar syri apo imagjinata e çdo qytetari të zakonshëm, janë shumë më pak se shifra që përmenda më lart; sipas meje unë gjykoj se kjo shifër nuk e kalon masën e rreth treqind mijë hektarëve; pjesa tjetër përbëhet nga shkurret, gjysmë-shkurret dhe sipërfaqet me bimësi pyjore.

    – Po Tepelena sa ha pyje kishte dhe cilat ishin drurët kryesorë?

    Rrethi Tepelenë kishte gjithsej 17000 ha pyje. Llojet kryesorë që rriten në këtë hapësirë gjeografike të vendit tonë përbehen kryesisht nga dushqet e njohur në gjininë e të cilëve përfshihet edhe Prralli, Bliri, Rrapi. Disa lloj shelgjesh, Vërriu, Dafina, Panja, Krekëza, Frashëri Plepi i Egër, Shkoza, Mëlleza, Bredhi, Qershia e Egër, Kumbulla e Egër etj..

    -Si bëhej prerja dhe ripërtëritja e pyjeve në sistemin komunist?

    Atëherë kishte ndërmarrje shfrytëzimi, të cilat kishin të gjithë personelin dhe infrastrukturën e nevojshme për të kryer me sukses operacionet e shfrytëzimit të pyjeve. Këto ndërmarrje bashkëpunonin me ato të pyjeve dhe secila sipas kompetencave ligjore luante rolin e saj  dhe kishte përgjegjësi të veçanta në drejtim të zbatimit rigoroz të ligjeve dhe të monitorimit hap pas hapi të çdo operacioni që kryhej. Gjithçka konvergonte në një pikë të vetme: ‘Pylli të shfrytëzohej dhe ripërtëritje e tij natyrore të sigurohej konform standardeve teknike silvikulturale’

    – Cilët nga udhëheqësit e asaj kohe vinte për vizitë në pyjet e Tepelenës?

    Më duhet të them se udhëheqësit e asaj kohe nuk ishin aq populistë sa të vinin e të vizitonin pyjet në Tepelenë. Këtë ata mund ta bënin shumë rrallë në Pukë ose në Fushë-Arrëz, ku pyjet përbënin një pasuri mjaft të ndjeshme për ekonominë kombëtare dhe siguronin të ardhura dhe lëndë të parë për realizimin e planeve 5-vjeçare. Por sidoqoftë pyjet e Tepelenës vizitoheshin nga nëpunës të lartë të nomenklaturës si ç’ishte drejtori i Përgjithshëm i Pyjeve dhe i kullotave ose kryetari i kontrollit të shtetit, të cilët merrnin informacione të drejtpërdrejta për të verifikuar nëpërmjet sondazheve të dhënat që jepeshin nga ndërmarrjet e pyjeve në raportet vjetorë.

    – Vetë Enver Hoxha a ka shprehur ndonjë shqetësim për pyjet?

    Enver Hoxha fliste në çdo kongres për pyjet, madje më kujtohet një shprehje ‚lapidar‘ e cila figuronte kudo në mjediset e ndërmarrjeve pyjore të Shqipërisë, shprehje e formuluar mjaft bukur dhe me përmbajtje të plotë. Megjithatë pati plot probleme edhe në atë kohë sidomos në drejtim të asaj që sot theksojmë vazhdimisht: Menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve.

    -Çfarë kafshësh të egra rriteshin në pyjet e Tepelenës?

    Po citoj: Ujkun, Dhelprën, Derrin e egër, Sorkadhen, lepurin e egër, Baldosën, Lundërzën, Shqiponjën, Skifterin, Larashin, Sorrën, Thëllëzën e Malit, Laraskën, Grifshën, Mëllenjën etj.. Kishte një popullim të dukshëm atëherë më kafshë dhe shpendë të egër ndonëse në vitet ‘80 nisën gjuetitë abuzive, kryesisht natën, pra kontrolli i rreptë u zbut dhe numri i armëve u shtua.

    -Ku kanë qenë pyjet më të zhvilluar në vend dhe cilët ishin drurët kryesorë?

    Pyjet më të zhvilluar në vendin tonë kanë qenë në rrethet Pukë, Kukës, Mirditë, Tropojë, Librazhd, Bulqizë, Shkodër, Mat, Kolonjë, Dibër.

    -Çfarë drurësh pyjor ka eksportuar Shqipëria dhe çfarë ka importuar?

    Në atë kohë personalisht nuk kisha dëgjuar të flitej për eksport lënde drusore nga Shqipëria drejt vendeve të tjerë; as nuk kisha dëgjuar për import të kësaj lënde. Si të gjithë shqiptarët e asaj kohe isha në dijeni për kombinatet e përpunimit të drurit ku përpunohej dhe prodhoheshin asortimentet kryesorë drunorë si ç’ishte lënda e sharruar, kompensata, fibra, pllakat prej tallashi etj. ashtu sikurse dihej që mobiliet dhe orenditë e tjera shtëpiake ose institucionale që ishin prej druri prodhoheshin në qytete te ndryshme të vendit (Fusha-Arrëz, Elbasan, Tiranë, Pogradec, Vlorë).

    Si vend, a jemi ndër vendet me më shumë pyje për numrin e popullsisë?

    Më vjen keq, por përgjigja ime në këtë rast nuk është shumë optimiste. Më lejoni të citoj njërin prej vendeve perëndimor që ka 22 milionë ha me pyje. Ky vend është Franca me një popullsi prej 64.5 milionë banorë; pra çdo banori këtu i takon mesatarisht 0.3 ha pyll. Në fakt me shifra edhe ne aq na takon, por fakti te ne nuk përkon me termin “Pyll” si në Francë.

    – Kur dhe si filloi shkatërrimi i pyjeve shqiptare?

    Kjo gjë tashmë dihet nga të gjithë banorët e Shqipërisë. Unë nuk mund të them asgjë të re sepse dihet mjaft mirë se cilët ishin hajdutët e pashpirt të kësaj pasurie shekullore të popullit tonë. Nuk vazhdoj më me komente në këtë pikë sepse e kam fokusuar mendjen te e sotmja dhe e nesërmja. Gjithmonë kam qenë i bindur dhe vazhdoj të jem i tillë në një gjë: Çdo fatkeqësi, çdo varfëri, çdo trazirë, çdo krim që është bërë në vendin tonë të shenjtë ka vetëm tri fjalë kyç që e shpjegojnë: Mungesa e shtetit ligjor.

    -Shihet se edhe në kryeqytet priten drurë pyjorë vend dhe pa vend për ndërtime a duhet të ketë kritere për prerjen e tyre?

    Përgjigje:Në kryeqytet nuk kam konstatuar të priten pemë në mënyrë arbitrare nga qytetarët. Këtë e them me ‘kompetencë’ sepse unë nuk përdor makinë apo biçiklete por eci vazhdimisht në këmbë rrugëve dhe shesheve të Tiranës dhe, për shkak të profesionit, sytë i kam si kamera vëzhguese. Mund të them se janë prerë drurë kur është marrë një leje ndërtimore nga bashkia ose për arsye shtetërorë të ndërtimit ose zgjerimit të rrugëve automobilistike, shesheve publike etj.. në këta raste prerja e drurëve quhet ‘e sforcuar’, por është e ligjshme.