Fenomeni “kioskizim” i centraleve të Albtelekom

    405
    Sigal

    Privatizimi i Albtelekom-it “polli” vetëm probleme për konsumatorin shqiptar

    Privatizimi si ide bëhet kur një kompani nuk është rentabël. Ndryshe ndodhi me ALBTELEKOM, pasi para privatizimit kjo kompani ka qenë si banka e vërtetë për shtetin shqiptar. Por edhe pse ky privatizim i panevojshëm u krye, në vend që shërbimi ndaj konsumatorit shqiptar të përmirësohej, çdo herë e më shumë, konsumatori nuk gjen dot zgjidhje për problematikat që has gjatë rrugës së bashkëpunimit me Albtelekom. Shërbimi, cilësia e rrjetit, kontratat e njëanshme, por edhe degradimi estetik i qyteteve tona nga fenomeni “kioskëzim” i centraleve të vegjël të Telekom apo rrjetat merimangë të kabllove telefonike janë disa nga problematikat që shqetësojnë konsumatorin shqiptar.

    Kioskizimi i centraleve të Albtelekom

    Fenomeni “kioskizim” ende vazhdon me centralet e vegjël të Albtelekom, të cilat gjenden kudo, në rrugë, në trotuar, në qendra shëndetësore, në qendra banimi, kudo. Kioskëzat e Albtelekomit përveçse pengojnë kalimin, por shëmtojnë edhe pamjen e qyteteve tona, sidomos në kryeqytetin tonë Tiranë. Nuk dihet nëse janë me leje, por, edhe në janë, është njësoj sikur një pallat shumëkatësh ndërtohet me leje në mes të rrugës. Jemi vendi që kemi vuajtur më shumë nga kioskat, ndaj fenomeni i rishfaqur prej Albtelekom, meriton të shihet me sy kritik nga institucionet përkatëse.

    Kontrata e njëanshme

    Kryesisht, në ditët e sotme telefonia fikse përdoret gjerësisht nga biznesi, për shkak edhe të natyrës së punës që ata kanë. Gjithmonë janë në pritje të ndonjë faksi, të ndonjë telefonate apo e-maili të bashkëpunëtorëve të tyre në biznes. Ndodh shpeshherë që shërbimi që Albtelekom ofron, nuk është në nivelin e duhur dhe ka ankesa nga përdoruesit për ndërprerje të sinjalit për më shumë se 24 orë, apo shërbimi është me të meta, në rastin e ndërprerjes së vazhdueshme të sinjalit. Por këto probleme i sjellin humbje prej milionash biznesit, për shkak të mosardhjes në momentin e duhur të një faksi, telefonate apo të një e-maili. Gjithashtu një pjesë e mirë e konsumatorit shqiptar, mosha e tretë kryesisht mbajnë veshin te telefoni për të folur me fëmijët të cilët ndodhen jashtë shteti dhe mosardhja e kësaj telefonate i shkakton stres duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Konsumatorit shqiptar sipas Ligjit të Konsumatorit, neni 41 i lind e drejta e dëmshpërblimit  “a) në rastet e ndërprerjeve teknike, pa shkaqe madhore, si dhe kur janë lajmëruar më parë dhe kanë penguar konsumatorin nga përdorimi i këtyre shërbimeve për një periudhë më të gjatë se 24 orë, b) kur shërbimi i ofruar është me të meta dhe i ka sjellë dëme konsumatorit”. Por asnjëherë ky ligj nuk është zbatuar, me gjithë dëmet që një konsumator mund të ketë pësuar. Ndërsa nga ana e saj, Albtelekom e vjel taksën e shërbimit prej 6300 lekësh me gjithë TVSH, me apo pa sinjal telefonik. Me zhvillimin e sotëm, ka ardhur momenti që konsumatori të mbrohet nëpërmjet kontratës të dyanshme.

    Punonjësit e Albtelekom nën terror psikologjik

    Trajtimi i punonjësve të Albtelekom dhe terrori psikologjik që ushtrohet mbi to është problemi që gazeta “Telegraf’ do të trajtojë numrin e ardhshëm. Ja disa nga pyetjet të cilave do u jepet përgjigje.

    Sa të qetë dhe të sigurt janë punonjësit e Albtelekom për vendin e tyre të punës?

    Çfarë sindikatash operojnë për mbrojtjen e punonjësve?

    A do e marrin punonjësit e Albtelekomit shpërblimin për “suksesin e privatizimit”, sipas ligjit?

    Kur do t’i marrin përfitimet punonjësit e Albtelekomit dhe Postës shqiptare si aksionerë që janë?