Fëmijët e rrugës të rrezikuar, romët në skemë sociale trajtimi

    382
    Sigal

    Psikologët: “Shfrytëzohen për krah pune dhe prostitucion”

    Skemat e trajtimit social të shtresave më në nevojë dhe të të rinjve të rriskuar për shkaqe të ndryshme kanë mundur të zbusin shifrat e fëmijëve lypsarë apo të grave të trafikuara. Drejtoria e Shërbimit Social në Durrës jep alarmin për rrezikun që i kanoset këtyre kategorive. Ajo gjithashtu ka realizuar disa projekte në bashkëpunim edhe me shoqata e institucione të tjerë kryesisht për të mbrojtur fëmijë jetimë dhe të vegjlit që nxirren forcërisht për të lypur në rrugët e qytetit. Gjatë vitit 2013 pas një fondi të dhënë prej 5 milionë lekë janë trajtuar 150 familje të kësaj kategorie. Specialistë të kësaj drejtorie janë shprehur se “trafikimi i fëmijëve mbetet ende problem shqetësues, ndonëse nga organet e drejtësisë është zbuluar edhe ndonjë rast i trafikimit të tyre jashtë vendit,  realisht fenomeni problematik është i thirrje për ndërhyrjen e strukturave të shtetit”. Aktualisht është ngritur një sistem i mbajtjes në mënyrë elektronike të të dhënave të rasteve të dhunës në familje ndaj fëmijëve, projekt pilot që mban të dhëna për referimin e rasteve nga rrjeti i ngritur i sistemit të koordinuar kundër dhunës në familje. Drejtoria e Trajtimit Social nuk ka dhënë shifra, por ka bërë të ditur se, kjo kategori është shfrytëzuar për krah pune dhe përfitime. Bashkësia rome dhe egjiptian-ballkanase, në raportet e kësaj drejtorie, mbeten grupet më në rrezik për një sërë arsyesh të renditura në materialin e publikuar. Specialistët kanë thënë se është shumë vështirë të afrohen zgjidhje për këtë kategori ngase ata bëjnë jetesë krejt ndryshme nga pjesa tjetër e shoqërisë. Pas këqyrjes në terren për një periudhë kohe është bërë e mundur të merret një statistikë e përafërt për numrin e atyre që lypin rrugëve, numër që shkon deri në 80 fëmijë brenda në qytet. Për t’i hequr nga rruga bashkia ka hapur dy shtëpi-familje, në të cilat fëmijët ushqehen, por edhe marrin njohuri nga punonjës social, psikologe, shërbimi i higjienës etj. Fëmijët e rrugës, të vegjlit jetim, por edhe gratë e dhunuara e të trafikuara, të divorcuarat, të moshuarit të mbetur në vetmi janë bërë objekt i një sërë projektesh sociale, duke detyruar institucionin të dëshmojë përqendrim të punës. Por pavarësisht projekteve të zbatuara të gjitha rrugët kryesore të qytetit bregdetar, shëtitorja, sheshet kryesore, vendqëndrimet e autobusëve të linjave urbane dhe zona e Plazhit ka një numër shumë të madh të fëmijëve e grave që lypin në rrugë. Për vitin 2014, qeveria dhe strukturat e saj në Durrës, kanë për qëllim jo vetëm evidentimin real, por edhe zbatimin e një  skeme të re, e cila  jo vetëm do të  mbrojë, por edhe do të integrojë këto kontingjente në jetën normale.