Fëmijët e braktisur në maternitet peng i procedurave

    443
    Sigal

    Skandali me birësimet

    Mjekët ankohen për procedura të vonuara

     Qysh nga viti 1992 deri më sot në Maternitetin e Durrësit janë braktisur nga nënat e tyre 125 foshnje, duke mbetur jetimë me prindër gjallë. Por ajo që mbetet ende një problem i pazgjidhur, është zvarritja e procedurave e cila nis nga Ministria e Shëndetësisë e mbaron tek drejtoritë e tjera vartëse. Sipas mjekes S.B. “shumica e braktisjeve bëhen nga vajza të reja të cilat, edhe pse vijnë këtu të lindin, ato largohen duke mos lënë asnjë identitet dhe duke i lënë foshnjat e tyre në dorën e Zotit dhe personelit, por më kryesorja mbetet vonesa e procedurave ligjore nga ministria, e cila përgatit dokumentacionin e duhur”. Sipas mjekes, dokumentacioni përbëhet nga certifikata e lindjes së fëmijës, regjistrimi në gjendjen civile, si dhe formalitete të tjera për të cilat firmosin mjekët e pavionit. Afati i qëndrimit të çdo fëmije të braktisur është 2 deri 6 muaj, por shpesh sipas mjekëve, ato zvarriten nga zbatimi i disa procedurave burokratike nga dikasteret qendrore. Mjekët thonë se, “shumica e foshnjave të braktisura vitet e fundit kanë qenë disa javëshe apo edhe 1-2 muajsh, të gjetura në shkallë pallatesh, oborre shkollash dhe objektesh të tjera, të lëna pa pikën e mëshirës dhe arsyes njerëzore, duke u gjetur nga punonjës policie, kalimtarë të rastit të cilët për humanizëm i kanë sjellë ato në Maternitet”. Disa prej arsyeve, sipas tyre, janë mungesa e një ekonomie të mirë për rritjen e foshnjave, apo lindje të tilla ilegale nga çifte dhe mosha të ndryshme. Por, sipas mjekeve, “edhe në 4-5 muajt e fundit ka patur braktisje, të paktën deri në javën e fundit të dhjetorit 2014 ka patur foshnje në maternitetin e Durrësit, por zvarritja e procedurave të plotësimit të dokumentacionit dhe dosjeve përkatëse për t’i nisur drejt jetimoreve, mbetet problem, por ne jemi kujdesur si nëna për ato krijesa të pafajshme, të cilat gjithsesi kanë të drejtën e jetës, rritjes, edukimit, shkollimit dhe gjithçkaje që ka kjo botë e gjallë”. Sipas tyre, është e pafalshme braktisja e foshnjave dhe, aq më keq, në vende publike, ku rrezikohet seriozisht jeta e tyre nga kafshë rrugaçe, apo sëmundje të tjera epidemike. Mjekët apelojnë për nisjen e një fushate sensibilizimi edhe nga struktura të tjera dhe shoqata, duke parandaluar fenomenin kriminal të braktisjes.