Fëmijë të dhunshëm, ja faktorët që ndikojnë

    1405
    Sigal

    Pse është rritur numri i fëmijëve të dhunshëm? Ndodh sepse shoqëria jonë është e dhunshme, se në familje ka dhunë, se po rrisim fëmijë të dhunshëm?

    Në shoqërinë e sotme, shpesh fëmijët janë objekt dhe subjekt i dhunës. Në kundërshtim me Kartën e të Drejtave të Fëmijëve, mbi ata ushtron dhunë psikologjike e fizike prindi, mësuesi, polici, më të rriturit, por edhe një pjesë e fëmijëve përdorin dhunë mbi njëri -tjetrin, ndaj fëmijëve më të vegjël në moshë, bile në disa raste edhe ndaj të rriturve. Me dhimbje, por duhet të pranojmë se është rritur numri i rrahjeve midis fëmijëve (në disa raste edhe grup me grup), është rritur numri i fëmijëve që mbajnë thika, në ndonjë rast edhe armë, është rritur numri i vjedhjeve e i grabitjeve prej tyre, veçanërisht ndaj vajzave dhe grave, rastet e plagosjeve me thika, me armë, që çojnë deri në vdekje. Natyrshëm lind pyetja, pse është rritur numri i fëmijëve të dhunshëm? Ndodh sepse shoqëria jonë është e dhunshme, se në familje ka dhunë, se po rrisim fëmijë të dhunshëm? Fëmijët nuk lindin të dhunshëm, por bëhen të tillë. Atje ku fëmijët jetojnë mes dhunës, vuajnë më shumë nga probleme të tilla, dhe janë më pak të aftë për të vepruar në shoqëri, në krahasim me fëmijët që vijnë nga familje të qeta. Në një studim të disa psikologëve nga Kanadaja, rezulton se, në qoftë se fëmija është i pranishëm në konfliktet e prindërve, ku përdoret dhuna si mjet për zgjidhjen e tyre, parashikohet se edhe ai vetë do të bëjë krime kundër personit kur të rritet, si sulme ndaj personit, përpjekje për përdhunim, përpjekje për vrasje, rrëmbime dhe vrasje. Një përqindje e lartë e fëmijëve të rrugës, janë rrjedhojë e dhunës në familje, kurse vetë origjina e dhunës i ka rrënjët në strukturën shoqërore dhe në një tërësi të ndërlikuar vlerash, traditash, zakonesh dhe besimesh që lidhen me të. Gjithmonë dhuna  mbetet shkak i një personaliteti agresiv tek fëmijët për t’u bërë të dhunshëm e për të kryer krime të llojeve të ndryshme.

    Faktorët që formojnë fëmijë të dhunshëm

    Studimet tregojnë se, faktorë ekonomikë si varfëria, veçanërisht në zonat rurale e të izoluara nga pjesët e tjera të territorit, prodhojnë fëmijë të dhunshëm. Shumë fëmijë e kanë braktisur shkollën për shkaqe ekonomike, kurse një pjesë e tyre, kryesisht nga komuniteti rom apo nga familjet që kanë ardhur në metropolin Tiranë-Durrës, apo kanë zbritur nga zonat malore në qytete, nuk gjejnë mjedisin e përshtatshëm social dhe ekonomik për të zhvilluar personalitetin e tyre, për shkak edhe të kushteve të rënda ekonomike.

    Faktori i dytë lidhet me familjen, mungesa e kontrollit të përshtatshëm prindëror, prindër të ashpër me një orientim disiplinor jo të qartë, divorcet e prindërve, mungesa e vlerave familjare. Studimet psikologjike tregojnë se fëmijët e keqtrajtuar nga prindërit e tyre bëhen më vonë prindër keqtrajtues për fëmijët e tyre. Jeta në një shtëpi të dhunshme, apo në një komunitet të dhunshëm, mund të krijojë turbullime tek fëmija, sepse ai beson se prindërit e tij nuk mund ta mbrojnë. Kështu, fëmijët më të rritur kërkojnë të gjejnë “të fortët” dhe “ata me pushtet”, kryesisht në grupet e moshatarëve sesa në marrëdhëniet me prindërit. Pra, sjellja agresive dhe dhuna e shfaqur janë reagim ndaj situatave që ai i mendon se e kërcënojnë. Aspiratat e prindërve për fëmijët dhe vlerat prindërore luajnë rol formues në të gjitha aspektet e zhvillimit të tij, sepse shkak i shfaqjes së dhunës tek fëmijët është keqpërshtatja midis prindërve dhe fëmijës (një fëmijë i shkathët dhe energjik dhe një prind i ngathët, krijon lidhje emocionale të tendosur). Prishja e marrëdhënieve familjare, konfliktet dhe mosmarrëveshjet prindër-fëmijë, janë shkaku i rritjes së frikës dhe pasigurisë së fëmijëve, i largimeve të tyre nga shtëpia deri në braktisje të familjes, i futjes së tyre në banda kriminale.

    Faktor i tretë lidhet me shkollën, pra kemi  frekuentim i dobët, largime nga orët e mësimit, dobësim dhe prishje e disiplinës në shkollë, marrëdhënie jo të mira mësues-nxënës dhe nxënës-nxënës, dhunë fizike dhe psikologjike nga ana e mësuesve ndaj nxënësve, motivim i pakët i nxënësve për të mësuar, shkatërrim i bazës materiale në shkollë, kontroll i dobët dhe ndëshkime të buta për nxënësit që vijnë në shkollë me mjete të forta, thika apo edhe armë zjarri.

    Faktori politik, pra lidhja e krimit me politikën, mosfunksionimi i shtetit ligjor, veçanërisht në sistemin e drejtësisë për të luftuar kriminalitetin, e veçanërisht krimin e organizuar. Dhuna e pandëshkuar është terren i mirë që njeriu të kalojë pa shumë hezitime në sjellje agresive.

    Faktori social, si  alkooli, droga, prostitucioni, pabarazia e gruas me burrin, programe me karakter joshoqëror që transmetohen nga mediat, ku një rol negativ dhe shumë të dëmshëm luajnë filmat me vrasje (me killera). Dhuna e filmave merret si model për reagimet e mëvonshme personale dhe njeriu modelohet për t’u sjellë në mënyrë agresive.

    Faktor psikologjik, si stresi, depresioni, sëmundjet mendore, prejardhje nga familje të dhunshme, faktorët individualë të personalitetit si, temperamenti, dëshira për të qenë i fuqishëm, kurioziteti për të ushtruar dhunë. Teoria e të mësuarit social e vlerëson agresivitetin si një formë të sjelljes së mësuar sociale. Agresiviteti mësohet nëpërmjet vëzhgimit dhe imitimit të njerëzve të tjerë dhe ruhet nëpërmjet përforcimit pozitiv.

    Rritja e dhunës tek fëmijët, përveç rrezikshmërisë shoqërore, cenimit të të drejtave të njeriut, të jetës së njeriut, çon edhe në rritjen e kostos ekonomike, rrit shpenzimet nëpërmjet shërbimeve që shoqëria duhet të kryejë për t’u ardhur në ndihmë viktimave, për trajtimin mjekësor, për policinë, gjykatat, shërbimet e sigurimeve shoqërore, etj. Nuk mjafton të marrësh nisma për uljen e dënimeve të fëmijëve, për trajtim më të mirë në qeli e për përmirësimin e kushteve në burg (nuk e mohojmë se edhe kjo ka anët pozitive), por e rëndësishme është të zbatohen politika arsimore, ekonomike, juridike, sociale që e ulin shkallën e kriminalitetit tek fëmijët, adoleshentët. Parandalimi i krimit tek fëmijët është një problem serioz për shtetin e shoqërinë tonë, është e duhet të jetë pjesë integrale e politikave të arsimit.

    “FËMIJËT MËSOJNË ATË QË JETOJNË”

    Nëse një fëmijë jeton në kritikë, mëson të dënojë.

    Nëse një fëmijë jeton në urrejtje, mëson të luftojë.

    Nëse një fëmijë jeton në ironi, mëson të jetë i ndrojtur.

    Nëse një fëmijë jeton në turp, mëson të ndihet fajtor.

    Nëse një fëmijë jeton në tolerancë, mëson të jetë i durueshëm.

    Nëse një fëmijë jeton në inkurajim, mëson të ketë besim.

    Nëse një fëmijë jeton në lavdërim, mëson të vlerësojë.

    Nëse një fëmijë jeton në çiltërsi, mëson drejtësinë.

    Nëse një fëmijë jeton në siguri, mëson të ketë besnikëri.

    Nëse një fëmijë jeton në pranim dhe në miqësi, mëson të gjejë dashurinë në botë.

    Nolte