Fejzi Rrokaj/ Sefer Veli Rrokaj, kaçaku i Tërbaçit

    120

    I mëkuar tradita patriotike, u vu me mish e me shpirt në shërbim të mbrojtjes kombëtare

    Midis maleve të larta të Labërisë, shtrihet fshati kreshnik i Tërbaçit, i përmendur në historinë kombëtare për qëndresën e tij ndaj hordhive turke, greke, italiane e gjermane. Bijtë dhe bijat e këtij fshati, të lindur e të rritur mes maleve, kanë marrë nga ata, për veç ashpërsisë e trimërisë edhe krenarinë. Një ndër bijtë e shumtë të Tërbaçit, është edhe Sefer Veli Rrokaj. Ai u lind në vitin 1870 nga një familje e shquar për trimëri e atdhetarizëm. Gjyshi i tij Rroko Hasani, ishte një ndër ata trima kordhëtarë që, së bashku me shumë bashkëmoshatarë nga Tërbaçi, si Lulo Abazi, Shako Xhaka, Beqir Merkoselimi etj., i vunë “hudut Turqisë”, për çlirimin e Shqipërisë. Seferi i mëkuar me këto tradita, u vu me mish e me shpirt në shërbim të mbrojtjes kombëtare. Ai u bashkua me firarët e Labërisë dhe vazhdoi me guxim luftën për çlirimin kombëtar nga zgjedha Osmane. Mehmet Hyseni nga Kuçi, Sefer Rrokaj nga Tërbaçi, Alem Delua nga Kallarati, Pasho Ramadani nga Vranishti, Zigur Lelua nga Smokthina dhe më vonë edhe Sali Murati e Azem Sulua, u përfshinë në lëvizjen e firarëve të Jugut. Fillimisht lëvizja ishte sporadike, ndërsa më vonë u bë e organizuar nga kontaktet që firarët merrnin me njëri- tjetrin. Bashkëveprim midis firarëve ka pasur në Kuç, Vranisht, Tërbaç, Dukat, Vajzë, Sevaster, në Qafën e Elimëve e gjetiu, ku bëheshin prita kundër postave ushtarake turke dhe karvanëve që transportonin armë dhe municione. Lëvizja e kaçakëve kaloi dalëngadalë në krijimin dhe organizimin e çetave patriotike, siç ndodhi me krijimin e çetës së kapedan Çerçiz Topulli, anëtar i së cilës ishte edhe Sefer Rrokaj qysh nga viti 1906, e më vonë çeta e Sali Vranishtit, e cila u formua pas takimit me patriotin Namik Delvina dhe kapedan Çerçizin kur ata erdhën në fshatrat e Lumit të Vlorës. Koshadhet turke vinin dhe bastisnin fshatrat ku kërkonin të zinin Mehmet Hysenë, Sefer Rrokaj, Alem Delon, Pasho Ramadanin, Zigur Lelon etj, por ata kishin bazat e tyre miqësore ku fshiheshin, si në Himarë te Jani Rexhua, në Kudhës te Dhimo Kabuci, në Vuno te Nase Beni, dhe në Pilur te Zerbin Cakalli. Në vitin 1886, Mehmet Hyseni ra në bela me koshadhet turke, në një pritë që kishte zënë me disa delvinjotë, në kodrat e Nivicë-Bubarit, ku kishte bagtitë. Në përpjekje u vra një kapiten dhe pesë ushtarë turq. Kur u kthye në Kuç, spiunët e kishin bërë punën e tyre. Ai u bashkua me Sefer Rrokaj dhe veruan në malet e Kallaratit e të Vranishtit. Aty rreth viteve 1889-1900, së bashku me Seferin, Alemin, Zigurin e Pashon, u përballën me një koshadhe turke në Qafën e Elimëve, në Tërbaç, ku ishin mysafirë te Sefer Rrokaj. Këtu u plagos Seferi në krah dhe Hasan Kapua në këmbë. Nga kjo e keqe që u ndodhi, se u diktuan, ikën dhe u fshehën në Dukat. Koshadhija turke gjurmoi pas tyre dhe shkoi në Dukat për t’i zënë. Në Dukat u bënë bashk Mehmet Hyseni, Sefer Rrokaj, Alem Delua, Hasan Kapua, Zigur Lelua, Murat Caushi nga Dukati. Pas disa kohe ata ranë në pritë me koshadhet turke. Nga lufta që u bë atje koshadhet turke torturuan kryepleqtë e Dukatit dhe i vunë zjarrin shtëpive të Lazemetajve. Pas kësaj ngjarje firarët shkuan në malin e Tërbaçit ku i strehoi Sefer Rrokaj. Pas disa kohe ata u hodhën në malin e Nivicës e të Dhëmblanit. Për këta trima ka dhe një këngë që këndohej shpesh në anët tona.

    Telate po vijnë e venë,

    Gjirokastër e Tepelenë,

     Firarët ku do jenë ?

    Kërkojnë Mehmet Hysenë,

    Në Tërbaç duan Seferë,

    Dhe Azemin me të tjerë.

     Mehmet Selim Mallkeqi dhe Çerçiz Sihati nga Ploça, në vjeshtën e vitit 1907, kur po udhëtonin me mushkat ngarkuar me drithë në grykat e Gjirokastrës, dëgjuan një zë që u foli. Ata ndaluan dhe bënë gati armët. Dy kaçakët e njohur, Mehmet Hyseni dhe Sefer Rrokaj e përshëndetën Mehmet Selimin dhe i folën në emër. Ai u çudit, se nuk i njihte. Atë natë ata fjetën së bashku në hanin e Subashit, ku hanxhi ishte një mik i tyre nga Lekli i Tepelenës. Mehmet Selimi sillte nga Janina armë e municione. Sefer Rrokaj i dha atij një kartë për Toto Bolenën, që t’ia jepte mikut të tij Isuf Bushit, i cili shërbente në konsullatën Rumune në Janinë. Isufi dhe Totua ishin veprimtarë të njohur të çështjes Kombëtare dhe ndihmonin me armë e municione, jo vetëm Sefer Rrokaj dhe Mehmet Hysenin, por edhe kaçakët e kapedan Çerçizit dhe Namik Delvinës. Më 1908 Porta e Lartë shpalli zgjedhjet për deputetë. Ismail Qemali, si kandidat i Kazasë së Vlorës, mbërriti në Urën e Bogdanit, në Tërbaç. Aty ai u prit nga shumë tërbaçiotë. Kur hodhi Vaun e Bogdanit, kishin dalë për ta pritur Laze Malua, Murat Miftari, Sefer Rrokaj, Mustafa Laçia etj.. Ismail Qemali shkoi në Mesaplik, Bolenë, Tërbaç e Vranisht. Shoqërues i tij ishte Sefer Rrokaj. Vite më parë ata u hodhën në Korfuz, ku u takuan me Namik Delvinën. Kur Mehmeti dhe Seferi u kthyen nga Greqia, i dërguan lajm Hajredin Danushit dhe me anë të tij ndihmuan disa delegatë të “Klubit Labëria”, të cilët ishin arratisur në Dukat e Tërbaç dhe shkuan në Kuç. Mehmeti dhe Seferi, i nxorën ata në Kudhës e Himarë, atje ku kishin miqtë e tyre dhe i ndihmuan duke i hedhur në Korfuz e duke shkuar edhe vetë për t’i shoqëruar. Kur u kthyen nga Korfuzi, morën detyrrë për të shkuar në Korçë, për t’u tatua me firarë të tjerë në Gur të Cjapit e në Devoll. Në Përmet u bë ndeshje e madhe, sepse xhandarët dhe koshadhet turke ranë në gjurmë të tyre. Në përpjekje me ta, në luftë e sipër u vra Mehmet Hyseni, kurse Sefer Rrokaj shpëtoi dhe u arratis në Greqi. Kur u vra Mehmet Hyseni iu ngrit një këngë:

    N’ato male mbi Përmet,

     Mehmet o deli Mehmet !

    Koshadhja prapa t’u qep,

     I jep armët a s’i jep ?!

    Nuk I jep armët Mehmeti,

     Le të bëhet kijameti !

     Në vitin 1911, Sefer Rrokaj dhe 20 bashkëfshatarë të tij nga Tërbaçi, si Selam Abazi, Hito Dalani, Xhezo Balo etj., morën pjesë në mbledhjen e Drashovicës dhe u takuan me Namik Delvinën. Ai bashkë me shokë nga Tërbaçi, Vranishti, Bolena, Brati, Velça, Smokthina etj, Mori pjesë në kryengritjen e Mallakastrës. Për firarët e Labërisë, më qartë flet një këngë tjetër:

    Ç’na thotë Çika dhe Çipini,

    Për ata që janë firarë,

    Në Kuç Mehmet sua trimi,

    Bashk me Delo Kallaranë,

    Tërbaç Sefer ibërshimi,

     Vranisht Pasho Ramadanë…

    Në kujtimet e tij Sali Rrokaj shkruan: -Unë isha i vogël, me këmishë. Në shtëpinë tonë, në Horë, vinte Namik Delvina dhe qëndronte gjatë. Ishte një burrë me trup mesatar, me mustaqe. Vishej allafrënga. Në kokë mbante një feste si qyngje (cilindrike), ngjyrë kafe, me këmishë të bardhë me kollaro të zezë dhe me një jelek kafe të mbërthyer me 6 vollta, me poture dhe xhaketë stofi bojë kafe. Kafenë e bënte nëna dhe, së bashku me babain dhe Çeço Seferin, e pinin përjashta në sofat. Pinte duhan të dredhur cigare me një cigarishte. Unë si i vogël që isha, isha kurjoz dhe u rrija pranë. Një ditë pyeta babanë. – po këtë xha Namikun që rri këtu tek ne, çfarë e kemi ? – Babai m’u përgjigj: – E kemi mik të madh të shtëpisë. Ai është byrazer me hajmali me Çeço Seferin: – Nisur nga kujtimet e tim eti, Saliut, unë gërmova në rrjedhat e historisë për të mbledhur diçka mbi këtë figurë të madhe të Lëvizjes sonë Kombëtare. Namiku ishte vet’ i tretë vëlla. Më i madhi ishte Sulejmani që u bë Kryeministër i dalë nga Kongresi i Lushnjës. Më i vogli ishte Qemali, një oficer i lartë në Ushtrinë Turke. Namiku ishte një figurë poliedrike dhe u bë i njohur si mësues i gjuhës shqipe, në shkollën që hapi vetë në Korfuz për shqiptarët e atjeshëm. Më vonë ai u bashkua me çetën e kapedan Çerçizit dhe u vu në krye të klubit “Bashkimi”. Ai hapi dhe shkollën shqipe në Delvinë. Rrëmbeu pushkën dhe u bë luftëtar i çetës së Delvinës. U thirr pranë qeverisë së Ismail Qemalit, si këshilltar për punët e jashtme, pa hequr dorë nga detyra e Kryetarit të Bashkisë së Delvinës. Ai kishte mbaruar studimet e mesme në gjimnazin “Zosimea”, kurse studimet e larta për filozofi, ai i kreu në Berlin. Shërbeu si profesor në liceun e Gallat-Sarajt dhe kur u kthye në atdhe, ishte profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën qytezë të Delvinës. Ai ishte shok i Nolit, Halim Xhelos e Avni Rustemit dhe punoi pareshtur si me pushkë dhe me penë. Namik Delvina ishte një patriot i madh dhe një krah i fuqishëm i revolucionit të Qershorit 1924. Sefer Rrokaj, duke qenë i lidhur ngushtë me Namik Delvinën, nga një firar, u kthye në një luftëtar i vendosur për çështjen kombëtare. Seferi ishte gjithashtu një patriot i madh dhe këtë e vërtetojnë marrëdhëniet e ndërsjella dhe lidhjet e ngushta me shokë e miq të tij patriotë, si Çerçiz Topulli, Namik Delvina, Toto Hosi, Isuf Bushi, Melme Selim Mallkeqi, Çerçiz Sihati, Sali Vranishti, Zigur lelua, Pasho Ramadani e plot figura të tjera të ndritura patriotike të kohës, që luftuan me pushkë dhe me penë dhe nuk u kursyen për çështjen kombëtare. Kur Vlora u pushtua nga Italia Imperialiste, më 1920, si shkak i asaj që quhet “Koburja e Çakos”, spiunët u vunë në lëvizje dhe e bënë punën e tyre si shenjë hakmarrje. Më 1914, italianët arrestuan babain plak të Sefer Rrokajt, bashkë me nipin e tij Alem Rrokaj kushërinë e parë të tij dhe i degdisën në burgun famëkeq të Romës, nga ku plaku Veli Rrokaj vdiq, kurse Alemi u kthye mbasi mbaroi dënimin me tre vjet dhe së bashku me shtatë Rrokaj të tjerë, mori pjesë në epopenë e madhe të Luftës së Vlorës, më 1920, me çetën e Tërbaçit. Pasardhësit e Seferit i qëndruan besnik idealeve të tij për çlirimin kombëtar dhe të mbrojtjes së atdheut. Kushëriri i tij Heroi i Popullit Halim Xhelo, e shkriu gjithë jetën e tij në shërbim të atdheut. Mësuesi Rakip Rrokaj u burgos dhe u internua nga regjimi satrap i Zogut. Alemi, Manxhari dhe Mysua u internuan në Pukë. Në Luftën heroike NÇl, që bëri populli ynë për çlirimin e atdheut, gjithë far’e fisi i Seferit, u hodh pa rezerva me gjithçka , si në rreshtat e formacioneve partizane, ashtu edhe në prapavijë. Nga Rrokajt u radhitën me armë në dorë, në radhët e Brigadës V-S. “Hero i Popullit” 8 luftëtarë, të cilët e ndoqën armikun këmba këmbës deri në Sanxhak Nipërit e Seferit në Tërbaç dhe në Bolenë, ishin në ballë të luftës për liri. Mufit Qamili ishte në brigadën e parë, kurse i vëllai Filua, ndonëse i vogël, shkoi në brigadën e XII. Komisari batalionit të II, të brigadës së V, Sheme Gjika, ra heroikisht duke luftuar në Gjakovë, kurse tjetri Bilbil Gjika, në operacionin e dimrit 1944 u plagos rëndë dhe copat e shrapnelit gjerman i mbajti në trup deri në fund të jetës së tij. Nipi tjetër Rrapo Lushua, luftoi në Gjorm dhe në Drashovicë me çetën e Tërbaçit. Të gjithë këta me veprën e tyre, treguan se rrënjët i kanë te patriotizmi e dashuria për atdheun. Seferi i arratisur në Greqi, nuk u kthye më dhe i mbylli sytë larg atdheut të tij, për të cilin luftoi dhe derdhi gjak, pa i gëzuar fitoret e arritura në çështjen kombëtare.