Faza e regjistrimit në universitete. Ja rregullat për të mos u skualifikuar

    444
    Sigal

    INTERVISTA/Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj, flet për regjistrimin on-line

    Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj në një intervistë të dhënë për “Telegraf” ka sqaruar procedurat për regjistrimin on-line të fituesve. Sipas zotit Harizaj, fituesit duhet të kenë kujdes në fazën e regjistrimit që të japin të dhënat e sakta. Po ashtu ka shumë rëndësi që fituesi të përcaktojë nëse do të qëndrojë në programin që është shpallur fitues ose jo.

    -Zoti Harizaj, për pak ditë do të shpallen fituesit për në universitete, cilat janë disa nga këshillat që janë të vlefshme për të rinjtë që do të shpallen fitues?

    -Ashtu siç edhe e kemi bërë të ditur në datë 18 shtator do të shpallen fituesit për shkollat e larta. Fituesit duhet të kenë parasysh që të kryejnë me kujdes fazën e regjistrimit, pasi kjo është një nga pikat më kryesore. Çdo i ri që e gjen emrin në listat e fituesve duhet që të regjistrohet. Në faqen e regjistrimit duhet të kihen parasysh udhëzimet që ne i kemi publikuar dhe që çdo i ri mund ti gjejë më të detajuara në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, po ashtu mund të informohet edhe në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Po ashtu fituesit duhet të kenë parasysh që të shkruajnë në rregull të dhënat personale gjatë regjistrimit. Normalisht kjo ka të bëjë me ndjekjen hap pas hapi të udhëzimit që ka nxjerrë MASH.

    -Pas shpalljes së fituesve do të fillojë faza e regjistrimit, sa do të zgjasë kjo fazë?

    -Faza e regjistrimit do të zgjasë një javë. Këtë informacion të rinjtë e kanë marrë, pasi Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka dhënë informacione për këtë fazë. Por gjithsesi unë po ju them që në momentin që do të ketë ndonjë të re apo ndonjë ndryshim rregullash do të dali udhëzimi përkatës për ti bërë me dije këto ndryshime.

    -Këtë vit në ndryshim nga vitet e kaluara regjistrimi i fituesve do të bëhet on-line. Çfarë pritet që të sjellë ky regjistrim on-line dhe a do të ketë raste kur mund të bëhet jo on-line regjistrimi?

    -Po, ky është një risi për këtë vit dhe presim që të kemi rezultate pozitive. Po ashtu kjo është dhe një lehtësi e madhe për fituesit, të cilët duhet të lëvizin nga një qytet, ku ata jetojnë në një qytet tjetër ku ata do të ndjekin studimet. Plus pastaj për të mos thënë që do të reduktohen edhe oraret e pritjes nëpër sekretaritë e Fakulteteve. Do të ketë edhe përjashtime të rasteve kur do të kryhet regjistrimi jo on-line. Por në këto raste do të përfshihen ato persona që nuk kanë arritur që të bëjnë regjistrimin on-line, për shkak të të dhënave që mund të jenë gabim.

    -Mund të na sqaroni diçka në lidhje me përcaktimin e preferencës përfundimtare nga fituesi?

    -Në fazën e regjistrimit çdo fitues duhet që të përcaktojë nëse do të qëndrojë në preferencën e parë që është shpallur fitues ose jo. Nëse atij i pëlqen që të qëndrojë aty ai duhet ta përcaktojë dhe programi nuk e lëviz më nga aty. Nëse nuk do e përcaktojë atëherë programi do e lëvizi deri sa t’i gjejë një program studimi, normalisht kuptohet që do të shpallet fitues në bazë të pikëve që ka marrë.

    -Një fazë tjetër është edhe plotësimi i Formularit A3, nga informacionet që keni kur do të fillojë plotësimi i tij?

    -Plotësimi i Formularit A3 është një fazë tjetër e rëndësishme. Por që për momentin nuk është bërë ende një plan i saktë për daljen dhe plotësimin e këtij formulari. Por po ju them që do të ketë një udhëzim tjetër në ditët në vijim nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në lidhje me këtë formular.

    -Mund të na sqaroni diçka më konkretisht për manualin orientues që do të ndiqet për regjistrimin nga maturantët fitues?

    -Po së pari për të bërë regjistrimin on-line fituesit duhet të shkojë tek linku: http://matura.akp.gov.al. Më pas do të hapet faqja kryesore për Maturën Shtetërore. Këtu maturantët fitues do të gjejnë informacione të dobishme për Maturën Shtetërore. Për t’u regjistruar tek programi i studimit ku është shpallur fitues maturanti duhet të klikojë tek butoni që do ti shfaqet në këtë faqe që lexon “Regjistrohuni në Fakultet”. Po mos të harrojmë që maturanti duhet të ketë një adresë e-mail-i për t’u regjistruar. Këtu duhet të klikoni te butoni : “Regjistrohu në fakultet” dhe do t’ju shfaqet pamja e një formulari të vogël që duhet plotësuar. Te fushat e shfaqura duhet të plotësohen të dhënat e kërkuara duke patur kujdes. Në fushën “Karta e identitetit” duhet të vendoset numri personal (kliko mbi fjalën shembull dhe do të shfaqet një kartë identiteti ilustruese. Numri personal i kartës, i kornizuar si më poshtë, gjendet në pjesën e poshtme djathtas të saj).  Pasi të keni plotësuar fushat e mësipërme, duke bërë kujdes që informacioni të jetë i saktë sepse përdoret për verifikime të mëvonshme. Pas kësaj klikoni te butoni: “Identifikohu”. Pasi të keni klikuar te ky buton, tek adresa e-mail-it e vendosur në fushën përkatëse do t’ju dërgohet një mesazh i cili jep informacion për përdoruesin (Username) dhe fjalëkalimin tuaj (Passvvord), që mund ta përdorni për të hyrë në sistem. Nëse të dhënat tuaja nuk janë të sakta do të shfaqet mesazhi i mëposhtëm: Të dhënat që futet janë të pasakta. Saktësoni të dhënat për regjistrim pranë sekretarisë së fakultetit përkatës.

    -Regjistrimi on-line mund të quhet i pasaktë në këtë mënyrë, a mund të tentojë më fituesi për të bërë këtë regjistrim on-line?

    – Kjo do të thotë se për të bërë regjistrimin paraprak ju duhet të paraqiteni detyrimisht pranë sekretarisë së Fakultetit në Universitetin ku jeni shpallur fitues me dokumentin tuaj personal të identifikimit (Shih udhëzimin e MASH për “Procedurat e pranimit dhe të regjistrimit në ciklin e parë të studimeve më kohë të plotë në institucionet publike të arsimit të lartë si edhe për transferimin e studimeve për vitin akademik  2012-2013” publikuar në faqet zyrtare të MASH dhe të AKP-së.vvvvvv.mash.gov.al, vvvvvv.akp.gov.al.  Nëse të dhënat tuaja janë të sakta do të vazhdoni procedurat e regjistrimit on-line sipas hapave të mëposhtme. (do ju hapet një dritare që kërkon që të plotësohet me të dhënat e fituesit). Të dhënat e mësipërme do të jenë të dhënat tuaja, të cilat plotësohen automatikisht nga sistemi bazuar tek informacioni i dhënë te faqja e identifikimit si dhe konsultimi me bazën e të dhënave. Për t’u regjistruar në fakultet, në fazën paraprake, duhet të klikoni butonin: “Regjistrohu”. Pasi klikoni te ky buton në adresën tuaj të e-mail-it do t’ju dërgohet një mesazh konfirmues, i cili ju njofton se jeni regjistruar në fazën paraprake tek programi i studimit në të cilin  jeni shpallur fitues. Më pas do t’ju shfaqet pamja e mëposhtme: (ku i njofton fituesit se janë regjistruar). Nëse jeni shpallur fitues te një preferencë e ndryshme nga preferenca e parë dhe dëshironi të regjistroheni në mënyrë përfundimtare aty, pra të mos vazhdoni konkurrimin për një preferencë më të lartë, duhet të zgjidhni (klikoni) opsionin: “Konfirmoj regjistrimin përfundimtar në preferencën e fituar” dhe më pas të klikoni tek butoni: “Ruaj”. Nëse doni të vazhdoni konkurrimin për preferencat më të larta zgjidhni opsionin: “Vazhdoj konkurrimin për një preferencë më të lartë” dhe klikoni butonin: “Ruaj”. Pasi të klikoni te butoni “Ruaj” do t’ju shfaqet mesazhi “Veprimi u krye me sukses” dhe pas kësaj mund të dilni nga faqja dhe të mbyllni brovvserin e internetit. Theksojmë se veprimi i regjistrimit  on-line lejohet të kryhet vetëm njëherë. Gjatë javës së parë të frekuentimit të studimeve universitare në programin që studenti ka fituar, dorëzohen pranë sekretarisë mësimore dokumentet që kanë të bëjnë me pagesën e tarifës së studimeve, kopjes së kartës së identitetit dhe fotove për dokument.

    -Si mund ta kuptojë një student që është regjistruar apo që nuk është regjistruar?

    -Nëse edhe  pas futjes së të dhënave personale të shfaqura në modulin e aplikimit, studenti nuk lejohet të vazhdojë aplikimin për shkak të pasaktësisë të tyre, ai duhet të provojë përsëri duke futur saktë të dhënat e tij personale që i kërkohen. Kur sistemi i gjen ato të sakta, studenti lejohet të vazhdojë regjistrimin. Në të kundërt, studentit i shfaqet mesazhi se duhet të shkojë pranë sekretarisë mësimore të universitetit për t’u regjistruar.