Faturistët e energjisë, mbushin qytetarët me fatura fiktive

    385
    Sigal

    Skandali, skema e abuzimeve në Spitallë, Shkozet, Plazh dhe qytetin e Durrësit

    Megjithëse, po flitet shumë dhe shpesh për abuzimet me faturat e energjisë elektrike me qytetarët, duket se, faturistët në Durrës, nuk pyesin shumë për pasojat që kanë ato në xhepat e tatimpaguesve dhe vlerat e tyre fiktive. Prej 2 muajsh, familjarët në Spitallë, Shkozet, Plazh e pjesërisht edhe në Durrës, ankohen se, faturat e energjisë elektrike u vijnë me vlera marramendëse, me kilovat, të cilat ata nuk i kanë mundësitë t’i harxhojnë. Ky problem nis nga mungesa e faturistëve në çdo apartament dhe shtëpi banimi për të parë sahatin, (gjë, e cila është e detyrueshme me ligj) e vazhdon tek mbushja e faturave me vlera fiktive, të cilat shpesh shkojnë nga 600 deri 1000 kilovat. Më pas në regjistrat e çdo faturisti shënohen “nuk gjeta njeri”, ose “sahati i dëmtuar”, duke dashur të justifikojë zbatimin e urdhrit të marrë për rritjen e të ardhurave nga vjelja e parave me faturat, ose ndonjë pazar të bërë mes palëve. Shpesh faturistët e energjisë në Durrës, kanë qenë objekt i ankesave nga qytetarët dhe rrallë nga subjektet private dhe bizneset e ndryshme. Kjo gjë ndodh pasi kërkesa e llogarisë nga lart ka ardhur duke u zbehur për punonjëset, të cilat duhet të jenë shembulli më i mirë i zbatimit të ligjit në terren. Prej 2 muajsh, abonentët e zonave periferike si Shkozeti, Spitalla, Plazhi dhe pjesërisht disa lagje në Durrës, dynden çdo mëngjes në drejtorinë Rajonale të CEZ Shpërndarje dhe tek Kujdesi ndaj Klientit, për t’u ankuar për faturat e kripura. Ka mjaft prej tyre që nuk jetojnë fare në Durrës, ka prej tyre që janë 2 persona në familje dhe nuk kanë pajisje që mund t’ u harxhojnë 600 apo edhe 1000 kilovat energji elektrike në muaj, por ata sërish përballen edhe muajin e ardhshëm me fatura të tilla. Qytetarët shprehen se “nuk kuptojmë një gjë, si ka mundësi që duke pasur sahat nuk na vjen njeri ta shikojë, duke patur sahat të ri madje, na thuhet se, “e keni të dëmtuar, duhet dërguar në laborator”. Ata shprehen të indinjuar sepse kanë vite që merren me të njëjtin problem me faturistët e CEZ , të cilat i mbushin faturat në tavolinat e kafeneve, sipas ndonjë urdhri apo shkaku tjetër. Sqarimet e marra në sportelet e CEZ-it nuk u mbushin mendjen qytetarëve, të cilët kërkojnë shpesh ndihmën e mediave apo organeve të drejtësisë. Në 2-3 vitet e fundit, CEZ ka ndërruar mbi 3 herë stafin e faturistëve të energjisë elektrike në filialin e Durrësit dhe shkak ka qenë abuzimi me faturat e qytetarëve, madje, ka dërguar edhe në ndjekje penale. Por qytetarët shprehen se, “ujdia është mes tyre dhe eprorëve, të cilët me lekët tona duan të mbushin arkën e shtetit, por kjo është sa antiligjore aq edhe anti-humane për familjet që jetojnë me ndihmën ekonomike, me pensione apo janë edhe të papunë”. Zona më e prekur nga faturat fiktive mbetet Plazhi dhe zonat e tjera bregdetare, ku prej 9 muajsh në pallate dhe vila pushimi, nuk banon njeri e faturistët i mbushin faturat e energjisë sipas urdhrave dhe dëshirave të tyre. Banorët e plazhit, kur kthehen në qershor, u duhet të përballen me vlera marramendëse të faturave të energjisë elektrike, por edhe të ujit të pijshëm për t’i paguar, pavarësisht se ato nuk janë të ligjshme. Përgjigja që ata marrin në sportele është “të dhënat janë hedhur në sistem, duhen paguar, shohim e bëjmë për vitin tjetër”. Kjo situatë i detyron ata të sorollaten zyrave dhe shpesh binden pa rrugëdalje se, “duhen paguar ndryshe na presin energjinë”. Ka ardhur koha t’i jepet fund marrëzive të tilla që po rëndojnë mbi xhepat dhe psikikën e qytetarëve, të cilët po ndjehen të pambrojtur nga shteti i tyre dhe ligjet e pazbatueshme nga institucionet e tij.