Fatos PUTO/ RTSH –ja t’i kthehet sa më parë publikut

    374
    Sigal

    TRANSMETUESI PUBLIK/ Ekzistenca e këtij institucioni është e domosdoshme për shumë banorë të zonave periferike

    Në ditarët informative të RTSH-së, lajmet që janë në interes dhe në shërbim të publikut,(si tregtimi i bukës në qese plastmasi, ushqimet e skaduara që po mbushin tregun dhe po sëmurin njerëzit, antenat kanceroze anembanë vendit, paketat ekskluzive si paketa sportive e UEFA-s, që duhet t’u ofrohet falas shqiptarëve etj), kanë zënë shumë pak ose aspak hapësirë.

     E ku ka patur vend për lajme të tilla RTSH-ja, kur pjesën dërrmuese të kohës e kanë marrë pritje-përcjelljet e qeveritarëve.

      Vendosja e pluralizmit politik dhe e ekonomisë së tregut në vitin 1991 solli edhe rrëzimin e monopolit shtetëror në tregun e mediave shqiptare. Në ndryshim nga vendet e tjera ish-komuniste të Lindjes, ku kalimi nga tregjet e kontrolluara të medias në tregjet e lira u bë në mënyrë graduale, në Shqipëri ky ndryshim u bë në mënyrë radikale. Rrjeti shtetëror “Radio Televizioni Shqiptar” (RTSH), ka qenë transmetuesi i vetëm shqiptar deri në vitin 1995. Në vitet në vijim, televizionet private u shumëfishuan. Sipas të dhënave zyrtare, lista e televizioneve të tanishme është tepër e gjatë. Vitet e fundit është vënë re një shpërthim i operatorëve kabllorë, të cilët janë përhapur anembanë vendit, deri në bashkitë e komunat më të vogla të vendit.

    Misioni dhe politikat e RTSH-së

    RTSH-ja, me sa duket, ka “harruar” qëllimin se përse ekziston në realitet.  Ndërsa misioni  i saj mbetet  informimi, edukimi dhe argëtimi i publikut, duke i shërbyer kombit e të gjithë grupeve të shoqërisë ; realiteti ka folur ndryshe: RTSH-ja ka dështuar t’i përmbushë këto kërkesa të ligjit për shkak se pushtetit nuk i ka interesuar një transmetues në shërbim të publikut. RTSH-ja u kthye në një institucion me identitet të paqartë, as publik e as privat, por një mjet propagande në duart e pushtetit. Më konkretisht: Referuar nenit 66 të Ligjit nr. 8410, datë 30.09.1998,, “RTSH-ja duhet të realizojë shërbime cilësore radioje dhe televizioni për të informuar, edukuar dhe argëtuar publikun, duke i shërbyer kombit, të gjitha grupeve të shoqërisë, përfshirë edhe pakicat kombëtare”. Por në realitet nuk ka ndodhur kështu dhe është për këtë arsye që ky institucion duhet të transformohet, realisht, në një transmetues me të vërtetë publik, duke iu përgjigjur kështu përballimit të sfidave që kërkon tregu mediatik. Ekzistenca e një medieje me të vërtetë publike do të ndihmonte edhe në balancimin e pjesës tjetër private të medias, e cila ndonëse nuk mbahet me taksat e shqiptarëve, ka megjithatë një detyrim të pashmangshëm ndaj publikut.

     Larg ndikimit politik

    RTSH gjatë këtyre viteve i ka shërbyer kryesisht,interesave të qeverisë, duke kundërshtuar hapur ligjin, i cili kërkon respektimin e pavarësisë editoriale nga media publike. Në fakt, një nga problemet kryesore, që lidhet me transformimin e TVSH-së nga media shtetërore në publike, ka qenë ndikimi politik dhe pavarësia e dobët editoriale. Presioni politik është ndier dukshëm sidomos gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe atyre lokale dhe ky ka qenë një debat i vazhdueshëm ndër vite. Në ditarët informative të RTSH-së, lajmet që janë në interes dhe në shërbim të publikut (si tregtimi i bukës në qese plastmasi, ushqimet e skaduara që po mbushin tregun dhe po sëmurin njerëzit, antenat kanceroze anembanë vendit, paketat ekskluzive si paketa sportive e UEFA-s, që duhet t’u ofrohet falas shqiptarëve etj), kanë zënë shumë pak ose aspak hapësirë. E ku ka patur vend për lajme të tilla RTSH-ja, kur pjesën dërrmuese të kohës e kanë marrë pritje-përcjelljet e qeveritarëve!

    Një tjetër aspekt ka të bëjë me mosruajtjen e balancës politike të informacionit. Është fakt botërisht i njohur që lajmet e maxhorancës,në krahasim me opozitën, për vite e vite me radhë kanë marrë thuajse gjithë minutazhin, çka në jo pak raste është kthyer në boomerang edhe për vetë maxhorancën. Ekzistenca e një medieje publike me standarde të larta profesionale do të ndihmonte edhe në balancimin e të gjithë pjesës tjetër private të medias, e cila ndonëse nuk mbahet në këmbë nga taksa-paguesit shqiptarë, ka një detyrim të pashmangshëm ndaj publikut.

     Shikueshmëria

    Mungesa e studimeve sistematike dhe shkencore të shikueshmërisë dhe të audiencës e bën të vështirë vlerësimin e përqindjeve të operatorëve radiotelevizivë në treg. Gjithashtu mbetet e vështirë të vlerësosh mbulimin e televizioneve mbi bazën e numrit të popullsisë. Megjithatë, mbetet një fakt i pranuar që Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), transmetuesi publik, mbulon pjesën më të madhe të territorit të vendit. Transmetuesi publik RTSH transmeton në dy stacione televizive kombëtare TVSH dhe TVSH2, si dhe në Radio Tirana, me dy programe kombëtare. RTSH ka qendrat e veta rajonale në Gjirokastër, Korçë, Shkodër dhe Kukës. Në vitet e fundit RTSH pretendon se ka bërë mjaft ndryshime dhe progres në reformimin e programit, duke arritur të prodhojë vetë një përqindje të konsiderueshme të kohës së përgjithshme dhe se ka vendosur një program të rregullt dhe sistematik për shikuesin.

    Ndërkohë, ditarët informative dhe njëanshmëria politike në favor të ish maxhorancës në pushtet kanë marrë kritika të vazhdueshme edhe nga ndërkombëtarët. Ekzistenca e këtij institucioni është jetike për shumë banorë të zona periferike të vendit, të cilët, në mungesë të një televizioni shqiptar detyrohen të ndjekin frekuencat e panumërta të mediave të huaja. Reformimi i RTSH-së duhet parë edhe si nevojë e domosdoshme, për faktin se ai është sot një medium i ndjekur nga të gjithë ata që nuk kanë mundësi të blejnë platforma dixhitale, numër ky që nga viti në vit ka pësuar rritje. Reformimi duhet bërë brenda standardeve profesionale dhe larg politizimit, në mënyrë që ky institucion, jo vetëm të sigurojë barazinë politike, por edhe të gjitha llojet e barazive shoqërore, gjinore, fetare, nacionale dhe të minoriteteve. Sa më shpejt të behet kjo, aq më mirë për publikun, si pronari i vetëm i RTSH –së.

    Reformimi i RTSH-së duhet parë edhe si nevojë e domosdoshme, për faktin se ai është sot një medium i ndjekur nga të gjithë ata që nuk kanë mundësi të blejnë platforma dixhitale, numër ky që nga viti në vit ka pësuar rritje. Reformimi duhet bërë brenda standardeve profesionale dhe larg politizimit, në mënyrë që ky institucion, jo vetëm të sigurojë barazinë politike, por edhe të gjitha llojet e barazive shoqërore, gjinore, nacionale, fetare dhe të minoriteteve.

    Ekzistenca e medias publike me standarde të larta profesionale do të ndihmonte edhe në balancimin e të gjithë pjesës tjetër private të medias, e cila ndonëse nuk mbahet në këmbë nga taksa-paguesit shqiptarë, ka një detyrim të pashmangshëm ndaj publikut.