Fatos Çoçoli: Kur na vlerësohen shërbestarët

505
Gjatë gjithë periudhës së dimrit 2016, kohë kur lidhen kontratat për udhëtime turistike, një agjenci polake e prenotimeve me shumicë prenotoi një pjesë të mirë të hoteleve të vijës sonë bregdetare, për pushime të mijëra pushuesve polakë në veren 2017, nga Lezha në Sarandë. Pak ditë më parë, Presidenti polak Andrzej Duda i akordoi një zyrtari të shtetit shqiptar, qytetarit Bujar Leskaj, Urdhrin e Kryqit Kalorsiak për merita në dobi të Republikës së Polonisë. Në plan të parë duket se të dyja këto ngjarje nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Por në fakt, ato lidhen në nderimin që personaliteti më i lartë i një shteti dhe populli mik, me vlera të përafërta me traditat shqiptare, i bën punës dhe kontributit të një nëpunësi të shtetit tonë, që mban cilësimin sa modest aq dhe kuptimplotë të shërbestarit publik. Po pse është shërbestar qytetari Bujar Leskaj? 12 vite më parë ishte njeri politik, deputet në Parlament dhe ministër i kulturës shqiptare. Megjithatë sot, kur e kujtojnë, artistët, krijuesit, shkrimtarët dhe aktorët me pasione të mbarë spektrit politik shqiptar ose pa pasione politike, bashkohen në vlerësimin se i ndihmoi që të gjithë në nismat e tyre, me përkushtim, paanësi dhe tejdukshmëri të plotë. Në maj të vitit 2007, Shqipëria u pajis me ligjin e parë integral për turizmin. Z. Leskaj ishte nismëtari i tij dhe këtë e dinë shumë pak vetë. Ligji mund të kishte paplotësitë e veta të kohës, por sot kjo industri numëron 85 mijë të punësuar tek ne, sipas statistikave të Këshillit Ndërkombëtar të Turizmit. Për z. Leskaj, 5 vite e pesë muaj më parë, kur mori detyrën e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pakkush mund mendonte se nga një njeri me kontribut politik të spikatur, ai do të mund ta largonte anësimin partiak dhe të shndërrohej në një nëpunës shteti që sheh vetëm për nga standardet ndërkombëtare të auditimit suprem publik, ISSAI-t. Ky shikim i mundësoi institucionit më të lartë të kontrollit ekonomiko-financiar(cilësim i Kushtetutës së Shqipërisë) të modernizohej, të rriste me disa herë dëmin ekonomik të zbuluar dhe të rekomanduar për arkëtim në Buxhetin e Shtetit për pesëvjeçarin 2012-2016, si dhe kallëzimet penale. Gjatë këtyre viteve, masa e dëmit ekonomik të zbuluar nga KLSH e ka kaluar vlerën e 1 miliardë dollarëve amerikanë (USD), në një ekonomi me Produkt të Brendshëm Bruto vjetor rreth 10 miliardë USD. Vetëm shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e institucioneve shtetërore të kontrolluara, si në të ardhura dhe në shpenzime, në total gjatë këtyre viteve institucioni ka konstatuar në shumën e mbi gjysmë miliard dollarëve(531 milionë USD). Gjetjet e auditimeve të KLSH kanë rritur treguesin e dobishmërisë, efektivitetit të institucionit, një tregues ky qendror për të gjitha institucionet supreme të auditimit të zhvilluara të botës. Për pesëvjeçarin 2012-2016, mesatarja e treguesit të dobishmërisë për KLSH-në ishte 127 dollarë USD, ose mbi 6 herë më shumë se mesatarja e pesëvjeçarit 2007-2011. Në vitet e fundit, në fushen e kontrollit më të lartë publik, Shqipëria ka rritur me katër herë e gjysmë numrin e kallëzimeve penale, duke kryer gjithsejt 219 kallëzime ose një kallëzim penal çdo javë! Në vitin 2011, Shqipëria kryente vetëm një kontroll, auditim performance në vit. Sot kryen 14 të tillë. Në ditët tona kontrollori, audituesi i KLSH-se nuk e ka më damkën e dikurshme të nëpunësit abuziv, por mban në çantën dhe laptopin e tij dinjitetin e Shtetit. Ai trajnohet mbi 25 ditë punë në vit, nga vetëm 2.1 ditë pune në vitin 2011. Për të gjitha këto shndërrime, nuk kemi pse shohim vetëm vlerësimet e përvitshme të Raporteve të Progresit të Komisionit Evropian, në kapitullin për auditimin e jashtëm publik. Le të largohemi të paktën njëherë nga mania për të matur performancën e institucioneve tona publike me vlerësimet e ndërkombëtarëve. Të shohim nga qytetari shqiptar. Në vitin 2011 KLSH merrte vetëm 18 letra nga qytetarët. Sot merr mbi 30 herë më shumë. Këto dhe cilësime të tjera kishte parasysh një javë më parë Sekretari i Shtetit pranë Presidentit Polak, Andrzej Dera, kur i dorëzoi Urdhrin qytetarit Bujar Leskaj. Ai përmendi edhe një dimension tjetër, kur u shpreh, se Leskaj ka mbështetur iniciativa për njohjen në Shqipëri të letërsisë, artit dhe muzikës klasike të Polonisë, si dhe të historisë dhe traditës së këtij vendi, përmes botimeve dhe artikujve në shtypin dhe mediat e tjera shqiptare. Mjafton të kujtohet botimi në shqip i librit “100 Simbolet Polake”, apo disa aktivitete sociale të Kontrollit të Lartë të Shtetit, kushtuar librave apo personaliteteve te shteteve mike dhe partnere, ku një vend të veçantë zënë ato kushtuar figurës dhe kontributit të personalitetit të njohur polak Dr. Stanislav Zuber, zbuluesit të zonave naftëmbajtëse shqiptare dhe autorit të Hartës Gjeologjike të Shqipërisë, i vrarë barbarisht në burgjet komuniste në vitin 1945. Në këto kohë kur shohim nga politikanët vetëm si shkaktarë krizash që kufizojnë ndjeshëm zhvillimin dhe integrimin evropian të shoqërisë sonë, si dhe progresin e ekonomisë, ia vlen të ndalemi në momente kur bota perëndimore ku duam të aderojmë, vlerëson ata të paktë mes nesh që mbartin thjesht dhe kokulur cilësimin e “shërbestarit publik”.
Sigal