Fatmir Vejsiu: Çfarë duhet të kenë kujdes maturantët pas plotësimit të Formularit A2

706
Sigal

INTERVISTA/Drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Fatmir Vejsiu, flet për fazën pas plotësimit të A2-it

Procesi i plotësimit të  Formularit A2 po shkon normalisht me  përjashtim të disa vështirësive të vogla që u ndeshën në ditët e para. Në fakt të tillë na e bën ti ditur në një intervistë për “Telegraf”, Drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës Fatmir Vejsiu. Sipas zotit Vejsiu, metoda e plotësimit të formularit në mënyrë on-line  është mjaft produktive dhe për këtë maturanti mund të orientohet për vendosjen e preferencave duke bërë një krahasim të pikëve që ai ka grumbulluar dhe pikëve që minimale që janë dashur vjet për të studiuar në degën që dëshiron maturanti. Një fazë tjetër mjaft e rëndësishme është edhe procesi pas plotësimit të formularit A2. Pas kësaj faze maturanti duhet të bëjë regjistrimin. Për këtë fazë, zoti Vejsiu, thekson se, maturantët duhet me patjetër që të regjistrohen në degën që kanë fituar, pasi më vonë mund të ngjiten në preferencën tjetër, sepse mund të ketë ndryshime pozicionesh.

-Zoti Vejsiu, jemi në fazën e plotësimit të Formularit A2, si po ecën ky proces?

Data e parë e plotësimit të Formularit A2, u fillua në Tiranë, aty ishte edhe pjesa me e madhe e maturantëve, gati 1/6 e maturantëve të Shqipërisë, e cila shkoi shumë mirë. Duhet të kemi parasysh që krahas plotësimit on-line ne kemi edhe plotësimin tradicional. Kjo është bërë për të shmangur edhe ndonjë defekt që mund të lindte gjatë atij plotësimit on-line. Por formularët e plotësuar me dorë do të krahasohen, ky formular do të ballafaqojë rezultatin e aplikimit on-line. Aplikimi on-line jo vetëm që është një metodë shumë e thjesht, por është edhe instruktive, por është edhe shumë kontribuuese tek nxënësit. Për shembull nëse nxënësi dëshiron që të vazhdojë për mjekësi, atij i del menjëherë në ekran që fituesi i vjetshëm i fundit ka pasur 6300 pikë dhe ky ka 6100 pikë, pra mundësia për të fituar është në minimumin e mundshëm. Pra, kjo metodologji e këshillon nxënësin, atë që do të bënte shkolla e bën kjo metodologji e plotësimit on-line të formularit. Pra nxënësi e di kush janë diferencat dhe mëson nëpërmjet programit se, cila është merita që meriton ai. Megjithatë, ai është i lirë të zgjedhë, edhe pse mjekësia ka qenë me 6300 dhe ai ka 6001, kjo nuk do të thotë që ai nuk ka shanse për këtë degë, sepse këto të dhëna janë relative. Njerëzit kanë një tendencë që të pyesin se sa është kuota sivjet dhe sa është kufiri?. Por mund t’u themi që nuk ka kufi sivjet, sepse ne marrim trendin që ka qenë vitet e fundit dhe dihet që mjekësia ka ardhur duke u rritur. Po çfarë do të ndodhi sivjet? Nuk e dimë, mund të rritet ose mund të ulet numri i pikëve që duhen tek mjekësia.

-Po nëse maturanti nuk fiton tek preferenca e parë, si do të ndodhi a mund të fitojë në preferencën e dytë?

-Zgjedhja e alternativës së parë nuk do të thotë që do të kushtëzojë të dytën. Nëse një preferencë e parë digjet ai do të fillojë nga e para në të dytën. E dyta pra quhet preferencë e parë dhe urojmë që maturanti t’i llogarisë mirë dhe të mos i digjen të tëra alternativat. Por duhet theksuar që preferencat e mëparshme nuk ndikojnë riskojnë për preferencat e mëpasme. Nëse një maturant ka dëshirë të bëhet mjek, por nuk e meriton ai mund të bëhet një ekonomist shumë i mirë, ose një infermier shumë i mirë, apo nja mami shumë i mirë. Pra nëse u dogj e para fillon nga e dyta llogaritja, e kështu me radhë. Por nëse një maturant ka 4400 pikë dhe ai i vendos preferencat e tij që kanë pasur mbi 5500 atëherë ai maturant është i djegur normalisht. Kjo është meritokracia, pra me 4400 ai duhet të pretendojë për degë me aq pikë.

-Mund të na sqaroni diçka për maturantët që janë ende pa plotësuar formularët, a ka rëndësi renditja e preferencave?

Po, këtë pyetje ma bëjnë edhe shumë maturantë apo edhe shumë prindër. Po, ka rëndësi vendosja e preferencës, sepse duhen nga më e preferuara tek më pak e preferuara. Nëse nxënësi fiton preferencën e parë që e ka zgjedhur vetë dhe thotë që dua të rri tek e dyta se ajo më pëlqen, kjo nuk realizohet, sepse ke fituar në të parën dhe ne i jemi bindur vullnetit të maturantit dhe atë i kemi lënë si preferencë atë që ai ka vendosur vetë.

Nga ecuria e deritanishme a ka pasur probleme për plotësimin e formularit dhe nëse po, cilat janë problemet?

-Jo, procesi po ecën normalisht do të thoja, me përjashtim të ditëve të para, ku ka pasur paksa vështirësi. Por edhe ato vështirësi kanë ardhur duke u sfumuar dhe tani po ecën në rregull procesi i plotësimit të formularit sipas datave që janë vendosur për çdo qytet. Ata nuk duhen të bëhen maniakë në kuptimin e mirë të fjalës, që nëse maturanti ka 4400 pikë nuk duhet të pretendojë për degë që duan mbi 5000 pikë.

-Cila është faza tjetër pas plotësimit të Formularit A2 nga maturantët?

Faza që vjen më pas është shumë e rëndësishme. Pasi të dhënat që vilen nga Formulari A2, qoftë në mënyrë elektronike, qoftë në mënyrë joelektronike do të plotësohen me të dhënat e maturantëve. Bëhet llogaritja e lista e pikëve, bëhet lista për çdo drejtim studimi dhe nga 10 -ditëshi i parë i shtatorit pritet që të dalin të dhënat. Ky është momenti i parë shumë i ngarkuar për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Agjencinë Kombëtare të Provimeve. Më pas është një javë regjistrimi.

-Çfarë duhet të kenë kujdes maturantët në fazën e regjistrimit?

Regjistrimi është shumë i rëndësishëm dhe asnjë maturant nuk duhet të neglizhojë në regjistrim. Sepse nëse një maturanti i ka dalë alternative e tretë dhe atij nuk i pëlqen dhe për këtë nuk pranon të regjistrohet dhe kështu atij i digjen të tëra mundësitë për të shkuar në alternativën e dytë e kështu më radhë. Nëse kemi 250 studentë që kanë fituar mjekësinë, nga këto është e padiskutueshme që një pjesë kanë aplikuar paralelisht edhe jashtë shtetit, kështu që është e sigurt që do të ketë lirime të vendeve tek mjekësia. Kështu që nëse maturanti ka bërë regjistrimin në alternativën që ka fituar fillimisht ka mundësi që më pas të ngjitet në alternativën tjetër. Por duhet të theksoj që kjo ngjitje mund të bëhet gjithmonë nëse maturanti është regjistruar fillimisht në degën që ka fituar në fillim dhe më pas mund të ndryshojnë degët. Regjistrimi është i domosdoshëm sikur të jetë edhe në alternativën e dhjetë ky regjistrim duhet bërë me patjetër nga maturanti. Në të kundërt atij i digjet çdo mundësi për të vazhduar studimet këtë vit akademik, nëse nuk do të bëjë regjistrimin ai nuk do të ketë më asnjë shans. Por ama nëse maturanti do të bëjë regjistrimin pasi të ketë lëvizje ai mund të arrijë në preferencën që do, pasi nga praktika e viteve të kaluara ka pasur ndryshime të preferencave të maturantëve.