Fatmir Musai/ Poezi

    624
    Sigal

    SHPIRT I ARRATISUR

     Shpirti zien e ngrihet lart,

    Si re avulli, kuturu…!

    Diku, era e acartë,

    Tej e flak, s’di se ku!…

    VERDALLOSJE

    Trupi im është një lavatriçe

    Që s’e lan dot shpirtin tim…

    Vërdallosen këmishët e brekët

    E unë baletoj në amshim!

    GJETHE FIKU

    Thonë u çmend Helena nga dashuria

    Dhe shtratit të Menelaut natën iku…

    Sot, pas tremijë vjetësh, grekja e bukur,

    Shtratin e lashtë e bën gjethe fiku!

    DAFINA E NJE POETI…!
    (Milianov Kallupit)

    Varrin tënd e hijeson tenda e një peme ulliri
    Që përjetësisht në Paqe melodion me fletë…
    E di, mungon aty Lavdia e një gjetheje dafine,
    Po ne s’e mbollëm, se thamë që dafina je ti vetë…!!!

    PLAGA E HESHTJES

    (Monolog i Luftëtarit të Panjohur)

    Ushtar, gjeneral e ushtar përsëri
    Kam qenë me ju në dhjetra beteja,
    Shenjat e plagëve më rrinë hajmali,
    Më therin, vikasin porsi gra të veja!

    Po dhembje të re ndjej brenda vetes,
    Nën vraga plagësh qëndisur lëkurës…
    Eshtë heshtja juaj nën Qiellin e Paqes
    Që dot s’e duroj, kurrën e kurrës!

    Më mirë në betejë të bija gjoksshpuar,
    Aspak të mos dija se ç’bënit ju lart,
    Veç  arkeologët kalasë së  rrënuar
    Të mund të kërkonin një koskë a një shpatë!!!

     

    SHQIPJA  E  BABA TOMORRIT…

     

    Ka pas nji zot krejt shqiptaria,

    Kur n’pyll t’Evropit kish veç majmunë,

    Dodon’n e lashtë mbi supe t’tija

    Mbante Tomorri, pellazg me gunë…

    Ndaj, kur n’nji shekull, aj digjet hori,

    Gjith’ kosovar’t thon’, “Bacë, u kry!”,

    Adem Jashari asht bash shenjtori

    Që s’duket kund, po asht aty!

    Nuk duket kund n’oxhak ministri,

    As n’gjyq të Hagës për me dëshmu,

    Tapet të kuq ka nji gjak fisi,

    N’altar të Kombit ja kena shtru!

    Bash n’atë skrep ka shtru jatak,

    Me shqipet flet, që i ka kojshi,

    E kur shkrep moti, nxjerr at’ bajrak,

    E bubollon: Shqipja asht NJI !!!