Fatmir Lamaj/ Z. Rama, e ardhmja kërkon guxim!

616
Sigal

 *I Burgosur politik

Mjerë ajo shoqëri, ku xhelatët trajtohen më mirë se viktimat

 Z. Rama! A nuk është e turpshme për një shoqëri post diktatoriale që mos të tregojë përkujdesjen më të vogël për viktimat e diktaturës, kur detyra e detyrimi parësor i saj duhet të jetë shërimi i plagëve të shkaktuara e të trashëguara? Aktualisht ne vazhdojmë të jemi plagë e pambyllur në shoqërinë e sotme shqiptare krahas shumë plagëve të tjera që doktori kasap nuk mund t’i shërojë. Çështja e pronave kërkon një vullnet të fortë e të sinqertë për tu zgjidhur në rrugën e drejtë e të pranueshme duke zbatuar palëkundje parimin biblik “secili të vetën”. Civilizimi i çdo shoqërie qëndron tek guximi për t’i shëruar plagët e saj të mëdha dhe me dhimbjen përkatëse. A do t’i lini metastazat kanceroze të këtyre plagëve të pushtojnë gjithë trupin e kombin e duke e çuar atë drejt vdekjes së sigurt?

 Kohët e fundit i gjithë opinioni, brenda dhe jashtë vendit, u njoh me ndryshimet e prezantuara në programin e ri të PS-së për dy nga çështjet më të ndjeshme të shoqërisë shqiptare siç janë ajo e ish-të burgosurve politikë dhe ish-pronarëve. Problemet e mëdha dhe ende të pa zgjidhura të këtyre shtresave shoqërore kërkojnë patjetër kurajon e vullnetin për t’u dhënë zgjidhjen e duhur e dinjitoze që do t’i bënte nder çdo lloj qeverisjeje si një detyrim i trashëguar nga periudha e errët e diktaturës. Tallja e tejzgjatur dhe fyese që i’u bë këtyre shtresave nga qeverisja ‘berishiane’ tregon qartazi indiferencën e paskrupullt diktuar nga mentaliteti bolshevik i një kaste politikanësh që vuajnë pafundësisht nga urrejtja dhe keqdashja ndaj këtyre shtresave, më thjesht u konsideruam votë dhe motiv moral dhe politik për ardhjen në pushtet të një personi, i cili kurrë nuk mund të bëhej shëruesi i plagëve tona. Gënjeshtari i pafytyrë, demagogu më kurajoz, diversionisti më i paskrupullt dhe zhgënjyesi më i paarritshëm për 20 vjet e mbajti peng shtresën tonë në kthetrat e një iluzioni vetëvrasës dhe një shprese mjerane, se ky person do të bëhej shpëtimtari i saj, duke i dhënë mundësinë e integrimit në shoqërinë post komuniste të këtij vendi. Sot të gjithë ne shikojmë me dhimbje realitetin e neveritshëm ku ndodhemi, të padëmshpërblyer për vitet e gjata të burgut, pa pronat e ligjshme të trashëguara nga prindërit, të papunë, të përbuzur nga gjithë administrata shtetërore, e uzurpuar tërësisht nga aparaçikët lakenj të së kaluarës dhe të sotmes, që si limurët (një lloj majmuni), e pyjeve afrikane që dinë të kacavirren në degët tashmë të thara të saj.

Z. Rama, tejzgjatja e këtij pushteti aq shumë e dëshiruar dhe shpresuar nga Berisha dhe kasta e lakenjve servilë që ka pranë, tashmë është mëse e pamundur, pamundësia e saj është zhgënjimi ynë i madh, por jo vetëm i joni por edhe i një populli të tërë, që çdo ditë ballafaqohet kërcënueshëm për urinë e fëmijëve të vet, me pamundësinë për t’i rritur e shkolluar si dhe krijimin e kushteve normale për një jetë më të mirë. Kalbëzimi i pushtetit “berishian” i filluar prej kohësh nga rrënjët e tij, tani dalëngadalë ka arritur në majat e veta dhe tashmë është në pritje të erës së zgjedhjeve për ta rrëzuar përfundimisht njëherë e përgjithmonë në humnerën e kohës si një kujtim i keq e drithërues.

Z. Rama! Me shumë vonesë, por ju arritët t’i bëni sfidën e madhe një mentaliteti absurd dhe paragjykimi të trashëguar (që pothuaj ishte rrënjosur në strukturat e partisë tuaj prej shumë kohësh, nga e kaluara e errët e partisë së punës), për shtresën tonë që meriton gjithmonë vëmendjen e duhur nga çdo lloj qeverisje që do iki e do vijë në këtë vend. Është për t’u përshëndetur hapi i hedhur nga ana juaj si treguesi më domethënës i një ndryshimi të madh për të cilin ka nevojë Shqipëria dhe shqiptarët kudo që ndodhen. Të nxjerrësh një parti siç është PS – ja,  nga ngujimi i tejzgjatur i një armiqësie të trashëguar kokëfortësisht nga e kaluara gjithë ndëshkuese e një populli të tërë, duhet guxim e largpamësi… dhe ti po e bën këtë hap pas hapi, duke neglizhuar edhe irritimin e padrejtë të ndonjë pjese militantësh arkaikë e naivë. Një PS e reformuar tërësisht për t’ju përshtatur pranueshëm kohës, ku jetojmë dhe sidomos specifikës shqiptare i bën shumë mirë asaj vetë, si dhe Shqipërisë dhe shqiptarëve. Një parti si PS, përfaqësuese e së majtës së vërtetë duhet të pranojë e udhëhiqet nga vlerat më të mira të së majtës evropiane, ku shtresat në nevojë të kenë përparësi në programin e saj, ku bën pjesë dhe shtresa jonë e shumëvuajtur ku e kaluara na tmerron dhe e tashmja na trishton. Në politikë suksesi qëndron tek gjithëpranimi i ideve e programeve partiake ose tek kundërshtimi sa më i pakët i tyre në terrenin elektoral të votuesve. Ne nuk mund të bëhemi pjesë e elektoratit tuaj, por e meritojmë të trajtohemi me vëmendjen e duhur si pjesë e shoqërisë, si një nga shtresat më në nevojë të saj.

Z. Rama! Aktualisht politika shqiptare sot i ngjan më shumë një moçali me ujë të ndotur ku për 20 vjet kanë vegjetuar shushunja të shumta, që tejngopja nga gjaku i pirë këtij populli, i ka shndërruar në krijesa të neveritshme dhe apatike si lakenj dhe servilë ku pseudo liderët e lënë azat (të lirë), në livadhet e shtetit janë bërë kasta më e rrezikshme e shoqërisë dhe garda pretoriane e së keqes duke lënë mënjanë moralin e idealin, duke humbur përgjithmonë orientimin drejt së vërtetës e së mirës. Lehjet e orkestruara të lakenjve, langonjve, servilëve e spiunëve do vazhdojnë të enden pandalje në atmosferën e rënduar të opinionit publik shqiptar në mbrojtje të kastës vrastare të ëndrrave dhe shpresave të popullit shqiptar në funksion të ruajtjes së pushtetit tashmë të humbur, duke e ditur që bashkë me të humbasin dhe privilegjet e pamerituara. Devocioni dhe inspirimi, që prodhon e keqja shpeshherë merr përmasat e një grotesku, që dalëngadalë shndërrohet në preludin ogurzi të fundit të pashmangshëm. Sot, ndjej keqardhje për ndonjë të persekutuar që vazhdon të persekutohet nga angazhimi i keqpërdorur për t’u bërë shfajësues dhe mbrojtës i neveritshëm i një pushteti që ripersekutimin ndaj shtresës tonë e ktheu në sistem.

Z. Rama! Periudha 20- vjeçare e stanjacionit banal, e dëmsjellës, e ka katandisur Shqipërinë në një shkretëtirë ku çdo ditë po thahet dhe kaktusi i vetëm i shpresës… për një jetë më të mirë, për më shumë drejtësi e dinjitet njerëzor. Aktualisht shtresa e të persekutuarve politikë për atë që ka ndodhur e po ndodh në Shqipëri, është në mjerimin e dëshpërimin më të thellë, për jetët e rrëmbyera pa faj, për pronat e zhvatura e të vjedhura pa të drejtë nga shteti hajdut, për privimin nga çdo e drejtë elementare të shprehura (por jo të zbatuara), që të jep kushtetuta e këtij vendi si e drejta e pronës dhe dëmshpërblimi.

Tallja e radhës e kryemashtruesit Berisha për vazhdimësinë e kësteve të dëmshpërblimit për ne ish të burgosurit politikë, më shumë fyen atë dhe qeverinë që kryeson, më shumë se të na tundojë neve.

Në këto momente në Shqipëri frymojnë akoma (mbetur gjallë), rreth 20 deri 30 persona në moshën 85 vjeçare, dihen kushtet mizore në të cilat kaluan jetët e tyre, për të cilët Berisha shpalos bujshëm humanizmin e vet, gjithmonë të munguar për t’i dëmshpërblyer.

Po të tjerët? Le të presin radhën e vdekjes se pas saj paratë mund t’i vlejnë ndonjë të afërmi dashamirë, për t’u bërë ndonjë qivur si kujtim. “Çuditërisht”, Berisha e shtrydh thesin e tejzbrazur dhe të grisur gjithandej të buxhetit për t’u dhënë pensione të larta ish-ushtarakëve, ku një pjesë e madhe e tyre kanë qenë në shërbim të organeve represive të diktaturës komuniste, ndërsa për të burgosurit politikë ku me gjakun e djersën e tyre u ndërtuan fabrika e uzina, u hapën kanale e u thanë këneta, u bënë rrugë e u shfrytëzuan miniera të mëdha të vendit, ku me ato të ardhura shkonte dhe ai bashkë me shokët e tij për t’u shkolluar në Evropë si bij besnikë të partisë. Duhet guxim për të ecur përpara, frika është moçali që çdo politikan e kthen në një larvë mjerane duke mos bërë kurrë atë që duhet bërë ose duke e bërë keq atë që duhet bërë mirë, për të mbijetuar në rrugën e turpshme të karrierës. Besoj se ka ardhur koha për ndryshimin e madh!

Rilindje ?… Ashtu qoftë!

Një Shqipëri më e mirë, Zoti e bekoftë!