Fan Noli: Ja ky është populli jonë patriotik dhe heroik…!

    530
    Sigal

    Fjalimi i Fan Nolit në vitin 1960, me rastin e përvjetorit të gazetës “Drita” Boston

    Fort të përshendetshëm, fort i përshendetshëm baba, të përshendetshëm Priftrinj, zonja dhe zotërinj! Doktori që parthi përmendi fyellin e Faikut, ndjesë past. Dhe ai fyelli i Faikut kujton një mesele…

    Si Faiku ashtu edhe unë kam një dobësi për muzikën, dhe kur vija në Shqipëri, duke ditur ato halle të mëdha që kishim të përballnim, mora dhe një fyell pas (ilaritet në sallë), që këtu e atje të mbarojmë hallet në Tiranë. Si venë punët në Shqipëri? Keq e mos më keq, thotë ai djali, që kishte ardhur nga Shqipëria. Cili është shkaku vallë? E shkaku ti e di, tha: Kur Kryeministri i bie fyellit dhe Shqipëria digjet…! Bëne hesap. (Të qeshura dhe duartrokitje të zgjatura në sallë). Evgjitët e Tiranës që losnin valle atje, u ndodha edhe unë një herë në një nga ato ziafete dhe t’ju them të vërtetën u çudita me ato vallet e bukura të evgjitkave të Shqipërisë (ilarite). E pastaj m’u kujtua se s’janë vetëm evgjitkat tona që lozin valle të bukura, janë edhe evgjitkat e Spanjës. Ato valle Spanjolle, p.sh., të cilat janë me famë në tërë botën, kush i lot më bukur, evgjitët dhe evgjitkat e Spanjës, janë valle Spanjolle, jo që ndryshojnë nga vendi në vend, por, evgjitët dhe evgjitkat s’kanë ndonjë  punë tjetër të shkretat dhe rrojnë me atë muzikën dhe artin, edhe ato specializohen, në atë degë. Kemi vallet e bukura të Shqipërisë, të cilat luhen prej evgjitkave, avazet e bukura që luhen prej evgjitëve të Shqipërisë. Po kështu avazet e bukura të Hungarisë që lozen prapë nga evgjitët e Hungarisë. Edhe vallet e Rusisë, të cilat lohen përsëri nga evgjitët dhe evgjitkat e Rusisë. Këto të gjitha m’u kujtuan këto dy vjetët e fundit meqë ardhën disa kompani të Maqedonisë, Jugosllavisë dhe Greqisë. Dhe programi i tyre, natyrisht vallet e tyre i quanin kombëtare! Në ato vallet greke e të maqedonasve dhe të serbëve, tetëdhjetë përqind ishin valle shqiptare. Ajo është përshtypja ime. Do të ishte gjë e bukur sikur tanët, shqiptarët tanë, të na dërgonin edhe ata një grup,e cila të na prezantonte vallet shqiptare, ashtu siç e kemi parë, ashtu siç i kam parë edhe unë vet, kur na thërriste Ministri i Luftës, dhe ashtu siç i kam parë në një rast i Loni Kristos, një herë në një dasmë në Devoll. Ato vallet devollite dhe ato të evgjitëve të Tiranës, dhe ato vallet që shikonim në fshatin tonë, me të vërtet janë të klasit të parë, dhe mund të them, që vijnë pas shqiptarëve, spanjollët dhe rusët. Shoku ynë nga Kreshpani më këndoi një këngë të nënës time, ndjesë pastë. Lëvdata e saj ishte kjo: “Djali im i ka vetullat më të trasha në fshat”(qeshje e tërë salla). “Nëna ndjes past nuk çante kokën fare se ç’kishim prapa vetullave”(qeshje e zgjatur, dhe duartrokitje). U gëzova shumë që nga shokët tanë e përmendi doktorin tonë këtu, i cili për fat të keq, tani është i sëmurë dhe përmendi fushatën e madhe që bëri për pajtimet, unë i cili e di se sa harxhohet . Ajo është që të mbledhësh para nga shqiptarët. Jam admirator i doktorit, se me të vërtet na kapërceu të gjithëve, mblodhi pothuaj 150.000 dollar ahere, edhe më duket bëri një punë e cila do mbetet në analet, në kronikën e shqiptarëve të Amerikës.

    Tashi mund të vijmë në temën e ditës. Shumë nga shqiptarët na qahen në këtë mënyrë. More, ç’keni bërë që lavdoheni aq shumë?  Dhe kur ta thonë me këtë mënyrë, natyrisht sikur të presin gjuhën. Se s’kemi lënë kusur, i kemi bërë që të gjitha, po të thuash ç’kishim në program e bëm. Kishim në program të bënim një Shqipëri indipedente e bëmë. Mirë apo keq, e bëmë. Nuk mund të presim nga foshnja që t’i ketë të gjitha mirësitë. Foshnja do kohë t’i jepet kohë, që të rritet e të tregoj se ç’është. S’mund t’i qortosh prindërit dhe t’i thuash ç’kini bërë me këtë foshnjë këtu. Këto do t’i presësh sa të rritet foshnja e të tregoj se ç’lule është. Shqipërinë’ siç e thash’ e kishim në program dhe bëmë një Shqipëri indipedente. Dhe në programin tonë të bënim një Kish Autoqefale të Shqipërisë atë e bëmë, të mirë të ligë e bëmë, dhe ua lamë si barrë të tjerëve t’i përmirësojnë, po, ne e bëmë. Tashi, pasi ta bëjmë këtë lëvdat, duhet t’u heqim vërejtje shokëve, t’u themi, që këto të gjitha nuk i bëmë, nga mos qenia nga hiçja. P.sh, shumë thonë se, patriotët shqiptar s’kanë patur patriotizëm. Gjë më e gabuar se kjo, s’ka. Hap emblesën shqiptare të Eshtim Miskos të botuar më 1878, ku ka mbledhur këngë popullore, të cilat disa nga ato janë të shekullit të XVIII-të dhe disa nga shekulli XIX-të. Do t’ju them një nga këto vjershat popullore e cila prodhon katërciperisht, që shqiptarët kanë patur patriotizëm të thellë, përpara se të nis, ajo që quajmë: lëvizja shqiptare moderne, që e nisëm nga koha e Kristoforit 1878  dhe një nga ato që do t’ju reklamoi tashi, është shkruar në vitin 1850, kur u bë kryengritja e Labërisë, në kohën e Tanzimatit. Turqia deshte t’i impononte një kanun të përgjithshëm për viset e Turqisë. Domethën, ca të drejta të pakta të qëndrimit të fiseve shqiptare, do ti merte edhe ato Turqia dhe kështu do të robërohej fare. Dhe populli u ngrit. Kryetrimat e kësaj lëvizje qenë: Rrapo Hekali, Zenel Gjoleka, Hodo Nivica etj. Kënga që do t’ju them tashi, është kënga e Rrapo Hekalit. Pra tani do t’ju them se këtë këngë ma kujtonte Faiku (Faik Konica), që e mbante gjithnjë në goj dhe gjithnjë e reklamonte. Pastaj do t’jua analizoj pak: “Hajde more Rrapo Hekali Kur thërret sa tundet mali Hajde more Rrapo lule, Lumthi t’i builbil që zure Një pasha me shtat tuje Topi bamë e t’i tutje Plumbat të binin në supe as u trembe as u tute Se Hodo Nivica shpoi kofshën derrit ja dërrmoi Ngriti flamurin’ te kroi . Hapni emblesën shqiptare të Thimi Mitkos, që ta gjeni këtë këngë, të shkruar jo më vonë se vitet, 1850. Ato tri radhët e fundme tregojnë se cili është qëllimi i asaj kryengritjeje. Është për tërë Shqipërinë. Tashi do t’ju bëj një analizë të parë këtu, që të shikoni se me këto njëmbëdhjetë radhë është një kryevepër e vërtet, të cilën mund ta shkruante një nga poetët e parë të botës. Shikoni se si e përshkruan Rrapo Hekalin. Në kohën e Rrapo Hekalit, s’kishte telefon kur thërriste lebrit të mblidheshin për të bërë luftën, i vetmi telefon, ishte vetëm zëri i tij. E shikoni sa bukur e shkruan: “Hajde more rrapo Hekali, kur thrret sa tundet mali”, se bërtiste… hej o shokë, dhe tundej mali dhe gjithë lebrit e dëgjonin dhe që të gjithë mblidheshin. Si në radhët e pastajme: “Lumthi ti bilbil që zure, një pasha me shtat tuje”, Pashai që zure ti, ishte me shtat tuje. Tujet ishin tamam si ato yjet që i mbajnë gjeneralët në Amerikë. Kemi gjeneral me dy, tre, e katër yje . Mbi këto yje s’ka gjeneral. Gjithashtu edhe në Turqi, kishte pashallar me katër yje dhe jo pashallar me shtat tuje. Po vjershëtori do të thotë, se çfarë Pashai zuri, ai pasha qe dy herë më i madh se pashallarët e tjerë, d.m.th, gjenerali më i mirë i Turqisë. Edhe e shtypi Rrapo Hekali -(duartrokitje). Shikoni këto tri vargjet, ose tri radhët që vijnë më pas. Çfarë strategjie e mjeshtërie e thur poeti me vargjet”… Topi bamë e ti tutje, plumbat, binin mbi supe, as u trembe as u tute”. Rrapo u futë në bërthamë të luftës, midis topave. Plumbat i priste në trup dhe nuk tërhiqet. Më poshtë vjershëtori me tri radhë, thotë: “Hodo Nivica shkoi Kofshën derrit ia dërrmoi Ngriti flamurin te kroi”. Hodo Nivica, kofshën që dërrmoi ishte turku. Ngriti flamurin te kroi. Ishte flamuri i Kryengritjes, flamuri i lirisë. Pse lufton o derzi aspër mua as për ty por për gjithë Shqipëri”.  Kështu që, nuk e shpikëm ne patriotizmin. Patriotizmin Shqiptar e gjetëm. Ne u munduam që ta kanalizonim patriotizmin që ekzistonte midis shqiptarëve. Ne kemi një popull që e deshte Shqipërinë, por kishte edhe virtyte të tjera, nga të cilat do të numëroj vetëm një, që e kanë thënë të gjithë të huajt që kanë vizituar Shqipërinë, ata që përfaqësojnë rilindasit, që atëherë ishte Muhamedan, Muhamed Aliu, bëri këtë lëvdat shqiptarëve. Sot kemi bërë një gjë të bukur, Shqipërinë e kemi futur në Lidhjen e Kombeve. Sikur të lexoni gjithë historinë e kombeve që janë çliruar, nuk do të gjeni asnjë shëmbull të këtij, që ekziston sot. Shqipëria është i vetmi vend në Botë, si Muhamedan, Katolik, Ortodoks, janë lidhur që të gjithë dhe kanë bërë një shtet indipedent. Një Muhamedan na dërgon një përfaqësues Peshkop Ortodoks. Kur u themelua kombi nga Sotir Peçi, dhe u gëzova shumë, kur dëgjova nga miku ynë, kartën e aleancës që përmendi Sotir Peçi.

    Sotir Peçi, botoi Gazetën Kombi, në Qershor 1906. Më dërgoi një letër, ku thoshte: “Në qoftë se nuk ke punë atje, eja këtu që të përpiqemi tokë, të botojmë këtë gazete, se më duhet një ndihmë”. U gëzova shumë, se këtu në Boston bëja një punë që më poshtrojë. Qëllimi për të cilin kisha ardhur, këtu në Amerikë, për të biseduar për çështjen kombëtare. Sotiri më priti me përzemërsi dhe ngrohtësi. Punova dhe bëra detyrën që më ngarkoi. Megjithë vështirësitë që kishte gazeta në drejtim të pajtimit, delnim me humbje. Sotir Peçi u kthye në Shqipëri, ku mori pjesë në Koferencën e Lushnjës. Nga kjo kohë mbeti në Shqipëri. Ne vazhduam të botonim Gazetën “Drita”, me Kristo Luarasin, ishte shumë i zoti si shtypës, ishte i zoti i punës. Me kalimin e kohës Gazeta “Drita” delte për ditë. Ky ishte suksesi më madh. Një shaka e bukur: kishim një mbledhje, në atë mbledhje foli edhe Faiku. Në mbarim të mbledhjes, ai pyeti njerin: Si t’u duk, kjo mbledhja? “Kur the, se me ju shqiptarët do jemi të sigurtë, se puna do vej mbar”. Po pse nuk është kështu, tha Faiku? “Po s’është e vërtetë, shqiptarë vetëm ne të dy ishim….ilaritet  (E gjithë salla shpërtheu nga duartrokitjet ! Ja ky është populli jonë patriotik dhe heroik…!