Familja turke e ndaluar në Durrës, rrezikon të ekstradohet

640
Po tentohet shmangia e vendimit të gjykatës për “procedim në gjendje të lirë”
Një familje turke e ndaluar pak ditë më parë në portin e Durrësit nga autoritetet portuale, të cilët dyshohet se po përpiqeshin të kalonin drejt Italisë me dokumente të dyshuara të falsifikuara, rrezikon të ekstradohet drejt Turqisë, ndonëse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka vendosur procedimin penal në gjendje të lirë me të drejtë paraqitjeje para oficerit të policisë gjyqësore, kundrejt garancisë. Por, pavarësisht vendimit të gjykatës, ambasada turke kërkon ekstradimin e familjes turke drejt Turqisë, në përpjekje për të shmangur vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Durrësit. Ndonëse vendimi i gjykatës, mund të ndryshohet vetëm përmes rivlerësimit të masës me një vendim të dytë të gjykatës, në rastin konkret po bëhen të gjitha përpjekjet për të mos zbatuar vendimin e gjykatës. Sipas komunikatës së Policisë së Durrësit, oficerët e Kufirit dhe Migracionin kanë ndaluar në flagrancë një qytetar turk dhe filluan procedimin penal në gjendje të lirë në ngarkim të bashkëshortes së tij, pasi tentuan të kalojnë kufirin në mënyrë të jashtëligjshme. Muhammed Aydogmus 39 vjeç dhe gruaja e tij N. A. 34 vjeçe, së bashku me dy fëmijët e tyre, banues në Turqi, sipas policisë së Durrësit, kanë tentuar të kalojnë kufirin dhe të udhëtojnë në shtetin italian me pasaporta, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Pas arrestimit dosja i ka kaluar Prokurorisë së Durrësit për akuzat e “Falsifikimi i letër-njoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, ka vlerësuar si të ligjshëm ndalimin e tyre nga policia e portit të Durrësit dhe ndaj tyre ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë më të drejtë paraqitjeje para oficerit të policisë gjyqësore. 

Por, pavarësisht vendimit të gjykatës, ambasada turke kërkon ekstradimin e familjes turke drejt Turqisë, në përpjekje për të shmangur vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Durrësit. Ndonëse vendimi i gjykatës, mund të ndryshohet vetëm përmes rivlerësimit të masës me një vendim të dytë të gjykatës, në rastin konkret po bëhen të gjitha përpjekjet për të mos zbatuar vendimin e gjykatës. Prokurori i çështjes, Gëzim Veizi thotë se, masa e vendosur ndaj tyre me vendim të gjykatës, pas paraqitjes dokumenteve të tjerë shtesë nga ambasada turke është e pavlefshme, duke mos zbatuar në këtë mënyrë vendimin e gjykatës. Pavarësisht kërkesës dhe insistimit të avokatit të të pandehurve, që prej ditës së djeshme, ai nuk ka mundur të lidhet me prokurorin e çështjes. 

Muhammed Aydogmus, profesor në një prej institucioneve arsimore të mbyllura nga autoritetet në Turqi, pas tentativës së grushtit të shtetit, është larguar nga Turqia bashkë me familjen e tij, nga frika se mund të ketë të njëjtin fat me kolegët e tij. Autoritet në Turqi, pas tentativës së grushtit të shtetit kanë pushuar nga puna më shumë se 150 mijë persona dhe kanë arrestuar dhjetëra mijëra persona, mes të cilëve dhe shumë akademikë, duke i akuzuar për përfshirje në tentativën e grushtit të shtetit.
Sigal