Falimenton CEZ në Kombinat, nuk paguan lekët e qerasë dhe mbyll zyrat

    387
    Sigal

    Banorët e Kombinatit të irrituar me CEZ, duhet të vijnë në qendër për të paguar faturat dhe bërë ankesat

    Kompania CEZ, përkrah padrejtësive që po u bën çdo ditë qytetarëve me faturat afrove të energjisë, me ndërprerjen e energjisë në orar e pa orar, tani po i rraskapit qytetarët edhe me shërbimin që u ofron. Sorollatjen më të fundit të CEZ, po e paguajnë banorët e Kombinatit të cilëve u është mbyllur dhe zyra ku duhet të paguajnë paratë apo dhe të bëjnë edhe ankesat, ku këto të fundit nuk i dëgjon njeri dhe bien në vesh të shurdhër. Duket se po vijnë kohë të vështira për CEZ, pasi me faktet që po dalin, kjo kompani nuk ka para as për të paguar qiranë, a mund të besohet kjo, me vjedhjet kolosale që po u bën shqiptarëve. Por kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim. Por le të ndalemi tek problemi që u ka dalë banorëve të zonë së Kombinatit në kryeqytet. Prej më shumë se një muaji në zonën e Kombinatit nuk ka asnjë zyrë të kompanisë së CEZ-it, në shërbim të qytetarëve. Zyra që ishte në Kombinat sipas informacioneve që ka marrë gazeta “Telegraf” është mbyllur për shkak se kjo kompani nuk kishte shlyer pagesën e qerasë për ambientet që kishte pasur në përdorim. Në këto kushte banorët e Kombinatit janë të detyruar që të vijnë në zyrat e tjera të CEZ-it që ka në qendër për të bërë pagesën e kripur të energjisë elektrike që u dërgon CEZ, në shumicën e herës afrove, apo në disa raste të tjera më kilovat të paharxhuar nga familjarët.

    Problemet që solli mbyllja e zyrave

    Mungesa e një zyre të kompanisë së CEZ në zonën e Kombinatit ka sjellë shumë probleme dhe lodhje për qytetarët. Ata janë të detyruar që të udhëtojnë nga Kombinati për të gjetur ndonjë pikë tjetër ku të bëjnë pagesat apo dhe të paraqesin ndonjë ankesë që normalisht sipas qytetarëve janë të shumta për shkak të padrejtësive që u bën kjo kompani qytetarëve. Një ndër pikat më të frekuentuara për këta qytetarë është ajo e zyrave që ndodhet në afërsi të pallateve me shigjeta në kryeqytet. Të pyetur nga “Telegraf” qytetarët bëjnë të ditur se, pika atje është mbyllur prej më shumë se një muaji. Arsyeja e mbylljes së zyrave të kompanisë erdhi për shkak se CEZ nuk pagoi qiranë për ambientet që ajo kishte marrë për përdorim në këtë zonë. Duke mos pasur zgjidhje tjetër nga kompania qytetarët vijnë për të bërë pagesat diku tjetër, por kjo u merr edhe kohë, por po ashtu u sjell edhe shpenzime të parave për transportin.

    Qytetarët: Po sorollatemi, s’kemi zyra të CEZ-it

    Qytetarët shprehen të pakënaqur dhe duan që të largohet kjo kompani. Ata theksojnë se ka një çrregullim të tmerrshëm për qytetarët. “Në Kombinat nuk ka zyra të CEZ-it ato janë mbyllur se ajo nuk kishte paguar lekët e qirasë. Dhe unë që jam pensionist jam detyruar që të vij nga Kombinati në qendër për të paguar faturën e energjisë elektrike” shprehet  për “Telegraf” V.Q nga zona e Kombinatit. Po të njëjtin shqetësim për mungesën e zyrave ngre dhe banorja F.G, nga zona e Kombinatit. “Prej më shumë se një muaji zyrat e CEZ në Kombinat janë mbyllur dhe as nuk e dimë nëse do të hapen apo jo. Sipas informacionit që kam marrë, zyrat janë mbyllur për shkak se kompania nuk ka paguar qiranë. Por kjo për në është një lodhje dhe një harxhim parash më shumë”, shprehet F.G.

    Dhe telashet s’kanë të sosur për kombinatasit

    Por shërbime të tilla aspak korrekte CEZ-i nuk ua ka bërë për herë të parë banorëve të Kombinatit. Pasi jo më shumë se para 2 javësh banorët e kësaj zonë janë lënë pa energji elektrike për shumë ditë. Këtyre banorëve u është dashur që në këto ditë të ftohta të dimrit të dalin në protesta dhe të rrinë pa energji në mes të dimrit, për shkak të kapriçove të kësaj kompanie. Ashtu si edhe qytetarët e tjerë të vendit edhe këto banorë në protestat e tyre kanë kërkuar largimin e kësaj kompanie nga Shqipëria, por kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët.

    Ankesat e konsumatorëve bien në vesh të shurdhët

    Konsumatorë të revoltuar shprehen për “Telegraf” se, “mbrojtja jonë ka marrë fund, ne nuk dëgjohemi, për këto arsye ne do vazhdojmë protestat masive. Po dëgjohet gërshëra që pret telat dhe kabllot e energjisë, pa shkak e dallim në individë e familje”. Sipas tyre,  ndërprerjet që bën CEZ janë të gabuara, pasi penalizohen 30 familje me ndërprerje të energjisë për shkak të një familjeje që nuk ka paguar energjinë dhe kjo nuk është aspak e drejtë. Kjo ndërprerje në mënyrë kolektive është abuzive dhe tregon edhe njëherë paaftësinë e kësaj kompanie për të menaxhuar situatën. Ankesat për abuzime dhe ndërprerje të energjisë nuk janë të shtrira vetëm në Tiranë, ato janë të shtrira në çdo cep të Shqipërisë.