Falen kreditë e shtëpive të dhëna nga shteti, ja kategoritë që përfitojnë

1117
Qeveria shqiptare do të falë kreditë e dhë- na ndaj 1084 familjeve, të cilat i kanë përfituar ato nga Enti Kombëtar i Banesave, por që nuk janë shlyer për shkak të përmbytjeve. 
Kjo falje do të realizohet nëpërmjet miratimit të projektligjit të ri për strehimin social.
Pjesë e kredive që do të falen nga qeveria janë dhe për familjet, që janë shpërngulur për shkak të ndërtimit të veprave publike, si Hidrocentrali i Fierzës apo ai i Banjës. Në dispozitat transitore të këtij projektligji parashikohet pikërisht në nenin 80, ku janë përcaktuar dispozitat transitore të kësaj nisme.
“Familjeve të shpërngulura për shkak të ndërtimit të veprave publike dhe kategorive të tjera në pamundësi financiare, të cilat kanë përfituar kredi nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave, u falen detyrimet monetare, sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave”, thekson projektligji i qeverisë.
PËRFITUESIT
Në relacionin e projektligjit theksohet se përfituesit e faljes së kredive nga Enti Kombëtar i Banesave janë kryesisht në qytetet e Lezhës, Tiranës dhe Durrësit. Në total bëhet fjalë për 723 familje, që do të përfitojnë nga ky proces. Ndërsa në gjashtë qytete të tjera të vendit do të përfitojnë familjet që janë prekur nga përmbytjet.
Sipas të dhënave të qeverisë, në Shkodër janë 177 familje që kanë marrë kredi nga Enti Banesave, por që janë dëmtuar për shkak të përmbytjeve. Qyteti tjetër që është prekur më shumë nga përmbytjet është Lezha, që sipas projektligjit, do të falen 94 familje nga kreditë. Qytetet e tjera përfituese janë Elbasani, Hasi, Fieri dhe Tirana.
PROBLEMATIKA
Qeveria argumenton se kredia e dhënë për familjet e shpërngulura në zonat e prekura nga Hidrocentrali i Fierzës është dhënë në vitin 1995 me qëllim mënjanimin e dëmeve. Ndërkohë që, për këtë problematikë është ngritur një grup ndërministror në vitin 2006, i cili nuk ka arritur në një zgjidhje përfundimtare.
Në relacionin e qeverisë theksohet se: “Nga familjet banuese në këto banesa është ngritur shqetësimi dhe pretendimi se e kanë të pamundur shlyerjen e detyrimeve (paradhënies apo paradhënies dhe një pjese të kredisë). Arsyet që paraqesin janë si më poshtë: – Paaftësia paguese.
Pjesa më e madhe e familjeve kanë deklaruar se jetojnë në kushte të vështira dhe nuk kanë mundësi financiare për shlyerjen e kredisë; – Kërkohet falja e kredisë me arsyetimin se banesat e tyre dhe tokat e përmbytura në vendin e origjinës kanë një vlerë më të madhe se vlera e kredisë. – Me fondin e vënë në dispozicion, me vlerë 150 000 lekë për frymë, nuk mund të përfundonin ndërtimin e banesës dhe se për këtë janë detyruar të përdorin fonde të tjera.
Kjo ka ndikuar në pamundësinë e shlyerjes së vlerës së kredisë”. Familjet që nuk kanë shlyer kreditë gjatë viteve të shkuara janë hedhur në gjyq nga Enti Banesave për të kthyer shumat e tërhequra, por procesi është shoqëruar na një sërë problemesh. Shumë prej familjeve janë larguar në emigracion, gjyqi nuk është zhvilluar sepse nuk janë gjetur adresat e sakta të kredimarrësve, si dhe kreditë që u janë dhënë këtyre familjeve nuk janë lidhur para noterit.
RELACIONI I PROJEKTLIGJIT
Për pikën ku përcaktohet falja e detyrimeve të mbetura të kredisë për familjet në Kukës, Has, Tropojë dhe Pukë, të shpërngulura nga ndërtimi i Hidrocentralit të Fierzës, sqarojmë se kredia është akorduar për mënjanimin e dëmeve të përmbytjes së dhjetorit 1995. Kredia iu kalua për t’u trajtuar nëpërmjet EKB-së. Në vitin 2006, me urdhrin nr.225, datë 19.9.2006, të Kryeministrit, është ngritur një grup ndërministror për verifikimin e listës së familjeve të përmbytura nga Hidrocentrali i Fierzës.
Nga sa është bërë e ditur nga puna e kryer nga ky grup lidhur me këtë problematikë, nuk është arritur një konkluzion apo zgjidhje përfundimtare. Për këtë proces nuk disponohet material. Nga familjet banuese në këto banesa është ngritur shqetësimi dhe pretendimi se e kanë të pamundur shlyerjen e detyrimeve (paradhënies apo paradhënies dhe një pjese të kredisë). Arsyet që paraqesin janë si më poshtë: – Paaftësia paguese. Pjesa më e madhe e familjeve kanë deklaruar se jetojnë në kushte të vështira dhe nuk kanë mundësi financiare për shlyerjen e kredisë; – Kërkohet falja e kredisë me arsyetimin se banesat e tyre dhe tokat e përmbytura në vendin e origjinës kanë një vlerë më të madhe se vlera e kredisë.
• Me fondin e vënë në dispozicion, me vlerë 150 000 lekë për frymë, nuk mund të përfundonin ndërtimin e banesës dhe se për këtë janë detyruar të përdorin fonde të tjera. Kjo ka ndikuar në pamundësinë e shlyerjes së vlerës së kredisë. Nga ana tjetër, Enti Kombëtar i Banesave ka hapur procese gjyqësore, duke kërkuar kthimin e vlerave të tërhequra nga këta qytetarë. Por, në këtë proces të ndjekur nga Enti kanë rezultuar shumë pengesa për arsyet e mëposhtme:
• Shpenzimet gjyqësore për hapjen e padive dhe pagimin e tatimit për vlerën e kërkuar nëpërmjet çdo padie të ngritur rëndojnë shumë shpenzimet e EKB-së.
• Largimi i këtyre qytetarëve (familjeve) në emigracion.
• Proceset gjyqësore janë mbyllur disa herë, pasi nuk gjenden adresat e sakta të këtyre qytetarëve, të cilësuar si “të paditur”, nisur nga fakti se ata nuk kanë ndërtuar banesën në vendin ku është planifikuar të ndërtohej, por janë larguar duke ndërtuar diku tjetër ose duke mos ndërtuar fare. Përfaqësuesit e EKB-së në disa qarqe kanë realizuar takime në bashkitë dhe ish-komunat përkatëse, por përgjigjja nga këto takime ka qenë se këta qytetarë janë larguar nga ajo komunë apo bashki. Njëkohësisht është kërkuar ndihmesë edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile për të bërë të mundur marrjen e adresave të reja për qytetarët që kanë ndërruar adresat.
• Për kreditë e lëvruara për përmbytjet, kontratat nuk janë lidhur pranë noterit. Duke gjykuar se këto të dhëna dhe argumente do të jenë të vlefshme në funksion të gjetjes së një rrugëzgjidhjeje për këtë problematikë, është propozuar përfshirja e kësaj pike në dispozitat transitore të projektligjit të ri të strehimit. Aktualisht, shuma e fondeve të dhëna nga buxheti i shtetit për përmbytjet konsiderohet e vështirë dhe problematike për t’u arkëtuar nga banorët, ndërsa heqja e këtyre detyrimeve nga bilanci nuk ka faturë financiare për buxhetin e shtetit apo për Entin Kombëtar të Banesave.
Sigal