Fakulteti i Shkencave të Natyrës mbledh në Tiranë fizikanët më të njohur të botës

    568
    Sigal

    INTERVISTË/ Me zëvendësdekanin e Fakultetit të Shkencave të Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Boriçi

    Këto ditë në Universitetin e Tiranës u zhvillua Konferenca Shkencore “International vvorkshop on Recent LHC Results and Related Topics” (Zbulimet e  Goditësit të Madh të Hadroneve), organizuar prej  Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës me pjesëmarrjen e personaliteteve më të larta shkencore të CERN dhe institucioneve ndërkombëtare të përfshira në eksperimentin CMS, një ngjarje me rëndësi të veçantë shkencore jo vetëm për Universitetin e Tiranës, por edhe për tërë shkencën shqiptare. Lidhur me këtë veprimtari, por edhe në përgjithësi me gjithë punën mësimore dhe shkencore të Fakultetit të Shkencave, biseduam me kryetarin e komitetit organizator shkencor dhe njëkohësisht zëvëndësdekan i Fakultetit të Shkencave, Prof. Dr. Artan Boriçi:

    Profesor, siç mësuam edhe nga rektori i Universitetit të Tiranës, zoti Dhori Kule, Konferenca Shkencore që po zhvillohet këto ditë nga Fakulteti i Shkencave, në një farë mënyre është historike, dhe për t’u shënuar, pasi në të marrin pjesë autoritete shkencore më në zë të botës në fushën e fizikës. Si arritët të sillni këtu personalitete të tillë?

    Kjo konferencë është rezultat e një pune shumëvjeçare të Fakultetit tonë në fizikën e grimcave elementare, që e ka origjinën e vet që në fillimin e viteve 1990 kur stafi ynë është specializuar jashtë vendit në institucione kërkimore të lidhura ngushtë me kërkimin në fjalë. Gjatë gjithë këtyre viteve është bërë një punë kërkimore e gjatë në këtë fushë me mbi 50 publikime në revista shkencore si dhe mbi 100 pjesëmarrje në konferenca të specializuara ndërkombëtare. Kjo punë e jona ka arritur të tërheqë vëmendjen e autoriteteve të CERN dhe pas kontakteve me ta gjatë qëndrimeve të stafit tonë atje është propozuar që një konferencë e këtij niveli të mbahet në Tiranë.

    A mund të na i prezantoni disa nga pjesëmarrësit në konferencë?

    Janë emra si Tadeusz Kurtyka, drejtor i Marrëdhënieve me Evropën Lindore të CERN; Daniel Denegri CERN/IRFU, Saclay; Ludëik Dobrzynski, Ecole Polytechnique, Palaiseau; Giuseppe Iaselli, Bari, Nicola De Filippis, Bari; Francesco De Paolis, Leçe; Robert Mochkovitch, etj., si edhe stafi i Fakultetit tonë.

    Si lindi kjo iniciativë dhe pse u realizua në Tiranë?

    Vendi ynë ka krijuar një masë kritike shkencore në energjitë e larta në nivelin teorik, prandaj u mendua që të zgjerohet edhe me elementë të një grupi eksperimental që do të bashkëpunojë në eksperimentet që zhvillohen në CERN. Kjo kërkon që të investohet në staf të ri të specializuar në vendet Perëndimore dhe në 5-7 vjet të mund të krijohet një bërthamë eksperimentale për t’i hapur vend një marrëveshjeje shoqërizimi me CERN.

    Çfarë impakti do të ketë konferenca në radhë të parë te studentët dhe te gjithë puna shkencore që zhvillohet në universitet?

    Konferenca u zhvillua në Tiranë me pjesëmarrjen e studentëve të masterit shkencor të Fizikës, të cilët njohën nga afër prej specialistëve ndërkombëtare zhvillimet më të fundit. Që tani mund të themi se studentet kanë shfaqur një interes të madh në këtë fushë. Kjo përbën një ngjarje me rëndësi për Fakultetin dhe Universitetin si bërthama shkencore shqiptare në shkencat e natyrës.

    Cili është objekti i veprimtarisë, tema?

    Siç e dini, këtë vit është bërë një zbulim i madh në fizikë që kurorëzon punën 20 vjeçare të CERN. Në këtë konferencë u diskutuan pikërisht rezultatet më të fundit të zbulimit që ka gjasa të jetë grimca “Higgs”, por ende mbetet disa muaj punë për ta vërtetuar plotësisht.

    Për çfarë janë interesuar personalitetet që kanë ardhur në konferencë, çfarë përshtypje kanë ata për universitetin tonë.

    Përzgjedhja e Tiranës flet vetë për këtë, gjë të cilin delegacioni i CERN ia shfaqi rektorit të Universitetit Prof.Dr. Dhori Kule dhe dekanit të Fakultetit Prof.Dr. Mynyr Koni në një takim të posaçëm të rezervuar për ta nga rektori.

    Cili është qëllimi final i këtij aktiviteti? Shqipëria në këtë kuadër?

    E theksova edhe më parë se ky aktivitet çel siparin e krijimit të një grupi eksperimental në Tiranë, i cili më pas do të jetë bërthama e bashkëpunimit të ngushtë me CERN si dhe shoqërizimit të Shqipërisë në këtë organizatë.

    A mund t’i realizojnë universitetet private ato që realizoni ju, p.sh, një konferencë të tillë?

    Universitetet private duhet të zhvillojnë shkencat natyrore, përpara se të mendojnë për nivele të tilla shkencore në këto fusha. Universiteti i Tiranës ka qenë dhe mbetet forca numër një e shkencës shqiptare dhe furnizuesi me 99% të orëve të mësimit të universiteteve private. Në se këto universitete do të angazhohen në këto sipërmarrje, stafi ynë do t’i mbështesë ashtu siç i mbështet edhe në mësimdhënie.

    Ju jeni zëvendësdekan për anën mësimore, duke shfrytëzuar rastin e kësaj bisede, ju lutem na paraqitni një pamje të fakultetit tuaj të shkencave?

    Në Fakultetin tonë studiojnë 6500 studentë në të tri nivelet me rreth 40 programe studimi. Si fakulteti themelues i Universitetit në vitin 1946 ne mbetemi furnizuesi më specialistët bazë të shkencorë natyrorë dhe të teknologjive respektive. Kërkesat sa vijnë dhe shtohen për të studiuar në fakultetin tonë, sidomos prej maturantëve që kanë dëshirë t’i japin vetë përgjigje shumë pikëpyetjeve të botës që na rrethon.

    Para disa ditësh ka filluar viti i ri mësimor 2012-2013, cilat janë objektivat tuaja për këtë vit? Më parë si e filluat, pastaj….

    Ky vit ka filluar shumë mbarë më risi teknologjike në administrimin on- line të të gjitha aspekteve të jetës studentore. Jemi shumë të inkurajuar prej jehonës pozitive të deritanishme, prandaj objektivi ynë është që në fund të këtij viti akademik administrimi të jetë 100% on- line.

    FAKULTETI I SHKENCAVE TË NATYRËS, HISTORIA SHKURT

    Fakulteti i Shkencave të Natyrës është themeluar më 20 dhjetor 1946 me anë të Institutit Pedagogjik, i cili fillimisht ofronte studime dyvjeçare, për të kaluar në sistemin 4-vjeçar dhe 5-vjeçar. Prej këtij fakulteti kanë dalë specialistë dhe personalitete shqiptare në të gjitha nivelet shkencore dhe në ato më të larta politike. Fakulteti përmbledh departamentet Biologji, Bioteknologji, Fizikë, Informatikë, Kimi, Kimi Industriale dhe Matematikë si dhe Qendrën e Florës dhe Faunës dhe Qendrën e Fizikës Bërthamore të Zbatuar. Në të punojnë rreth 400 punonjës akademikë, ndihmës akademikë si dhe administrativë. Aktualisht në Fakultetin e Shkencave të Natyrës studiojnë 6 500 studentë në 40 programe studimore në nivelet Bachelor, Master dhe Doktoraturë. Ai ka numrin më të madh të punonjësve akademikë me titullin “Profesor”‘ në shkallë vendi.

    Ç’ËSHTË CERN (Qendra Evropiane e Kërkimeve Bërthamore)

    CERN ose Qendra Evropiane e Kërkimeve Bërthamore është organizatë kërkimore dhe teknologjike e hapur për të gjitha vendet Evropiane. Ajo ka selinë në Gjenevë të Zvicrës. Rezultatet e saj janë unikale ne fizikën e energjive të larta me zbulimet e mëdha të viteve 1980 të bozonve të rëndë dhe sot të një grimce skalare. Eksperimentet e zhvilluara në CERN përbashkojnë me mijëra fizikanë prej gjithë botës, ndërsa në vetë CERN punojnë 1000 inxhinierë të të gjitha fushave.