Faik Konica/ Poezi

    686

    Faik Konica u lind më 15 mars të vitit 1875Konicë dhe vdiq më 15 dhjetor të vitit 1942Uashington. Ky njeri me kulturë të lartë, ‘enciklopedi shëtitëse’, eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare. Ka lënë gjurmë me krijimtarinë e tij në publicistikë, prozë dhe poezi…

    Anadollaku në Mesalle

    Ka ndenjur si një ka
    Po ha edhe po ha,
    Shembet me pilaf,
    Fryhet me hoshaf;
    S`ka kohe të flasë
    Hedhë sa te pëlcasë,
    Llop një bakllava,
    Llop një hallva,
    Llop një revani,
    Llop muhalebi.
    Therret:-Hiç jemedum!
    – O burra, bre dudum!
    Kërkon një syltjaç,
    Porosit një kulaç,
    Rrëmben një bugace,
    – Të rrëmbec një kapaçe!
    Të tërë për një darkë,
    Të tëra në një barkë!
    Kur lodhet sa ngjinjet,
    Pushon e shtrihet
    Shtrihet dudumi
    Dhe na e zë gjumi.
    Nesër kur të zgjohet
    E, me “bismil-lah”,
    Prape pilaf
    E prapë hoshaf.
    “Qebap boll-boll
    Koxha Anadoll!”
    More dudum kokëkungull
    Gojëbuall e barkrrumbull
    Thuamë, të rëntë pika!
    Ç` të duhet ty politika?
    Hiq, more dudum dorë, hajde
    Të të kllasem në një kade
    Plot me mjalt`e me reçel
    Ha pi e kurrë mos del.

    Helena e Trojës

    N’Trojë, nga maja e një kulle të lartë
    Helena e bardhë zgjat kryet dhe përgjon
    poshtë nën muret luftën që lufton
    Menella syzi me Parin flokartë;

    Shikon buzëqeshur e me ballë të qartë
    Zjarrin që ka ndezur vetë dhe ëndrrën,
    E stolisur si ditën që hipi në fron.
    Kur vajti nus’e re nga Amykla në Spartë.

    Dhe në shesh Menella me Parin të tërbuar
    Goditin me sulm për të mundur e për të vdekur
    Gjëmojnë duke uar zërin në qiell.

    Gjaku u ka hyrë faqe e duar
    Kordhë më kordhë, hekuri me hekur
    Përpiqen, tingëllojnë, shkëlqejnë në diell